Lajmet

​Gjonlleshaj: Nënë Tereza na thërret të jemi ndërtues të paqes dhe unitetit

Published

on

Në 27-vjetorin e vdekjes së humanistes shqiptare, Nënë Tereza u kërkua që në Kosovë të krijohen ura mirëkuptimi dhe dialogu që çojnë drejt paqes.

Në meshën e mbajtur për të nderuar veprën dhe jetën e Shën Nënë Terezës, e cila u mbajt në Katedralen që mban po emrin e saj, ishin të pranishëm qytetarë të shumtë.

Nga Tivari drejt Kosovës kishte ardhur për të shënuar këtë ditë edhe kryeipeshki i Tivarit, Rrok Gjonlleshaj, i cili theksoi se paqja nuk është mungesa e luftës, por prania e drejtësisë dhe dashurisë për njëri-tjetrit. Gjonlleshaj theksoi se mjafton të ndiqet shembulli i Nënën Terezës për t’u qëndruar afër atyre që kanë nevojë.

“Nënë Tereza na thërret që të jemi ndërtues të paqes dhe unitetit ajo na kujton që të mos shikojmë vetëm dallimet tona, por të kërkojmë atë që na bashkon. Paqja nuk është thjesht mungesa e luftës, por prania e drejtësisë, dashurisë dhe e respektit për njëri-tjetrin. Në një vend si Kosova me historinë e saj të pasur dhe sfiduese është e rëndësishme të kujtojmë fjalët e Nënë Terezës nëse duam paqe të vërtetë duhet të fillojmë të duam, le të fillojmë këtu dhe tani në këtë vend të shenj në këtë shenjtërore, mu në festën e Shën Terezës në këtë Katedrale duke ndërtuar ura të mirëkuptimit dhe të dialogut. Le të kërkojmë unitet dhe bashkëpunim me të gjithë ata që jetojnë në këtë tokë pavarësisht besimit apo përkatësisë së tyre. Kjo është rruga e paqes që na e mëson Nëna Tereza”, theksoi kryeipeshkvi i Tivarit.

Kryeipeshkvi Gjonlleshaj para të pranishmëve u shpreh se humanistja Nënë Tereza është shembull prej të cilit duhet të frymëzohen të gjithë.

“Le të frymëzohemi nga shembulli i saj dhe të reflektojmë si mund të shërbjemë më shumë, të japim më shumë dhe të japim më shumë. Si mund të jemi ndihmë dhe mbështetje për ata që na rrethojnë e që kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë ne duhet të kujtojmë edhe nevojën e pashmangshme për të qenë të vetëdijshëm për nevojën e të tjerëve…. Ajo e shihte misionin e saj si një mënyrë për të shërbyer Krishtin në personat më të dobët, ajo e dinte që dashuria e saj për njerëzit ishte reflektim i dashurisë së zotit për të gjithë ne dhe në çdo person që takonte ajo shihte fytyrën e Krishtit”, theksoi Gjonlleshaj.

Kryeipeshkvi i Tivarit, Rrok Gjonlleshaj në këtë meshë përkujtimi dhe nderimi për Nënën Terezë deklaroi se ajo ishte hallkë e dashurisë e mirësisë.

“Roli i Nënës është i ngritur në nivelin më sublim fal amësisë. Ajo përshkon dimension më të thellë të jetës duke qenë një hallk e dashurisë, mirësisë, butësisë, faljes, mëshirës dhembshurisë, sakrificës, dhembjes, vuajtjes dhe shërbimit….. Në një botë që shpesh duket e ndarë, ku luftërat, urrejtjet dhe varfëria po na sfidojnë çdo ditë Nënë Tereza na kujton për fuqinë transformuese të dashurisë çdo ditë nëpër rrugët e qyteteve tona në shtëpitë, në vendet tona të punës kemi mundësinë të zgjedhim dashurinë mbi urrejtjen, mirësisë mbi indiferencën dhe shërbimin ndaj tjetrit mbi egoizmin”, theksoi ai.

Sot në Kosovë po shënohet edhe Dita e Humanizmit në Kosovë, vendim të cilin e pati marrë Qeveria e Kosovës më 5 shtator 2022 në shenjë respekti dhe përkujtimit nga Republika e Kosovës për humanisten shqiptare, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza.

E gjatë ditës së sotme presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka përkujtuar Nënë Terezën duke theksuar se ajo mbetet fanarë dhembshurie, përulësie dhe shërbimi vetëmohues ndaj njerëzimit.

Vendi

Arrestohen pesë persona pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, një i lënduar dërgohet në QKUK

Published

on

By

Pesë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të dy lokaleve.

Si pasojë e incidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, 33-vjeçari me inicialet SH.A., për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku do të intervistohet nga policia posa t’i stabilizohet gjendja shëndetësore.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë intervistimit njëri nga të dyshuarit ka pranuar se ka përdorur një kaçavidë gjatë përleshjes, me të cilën dyshohet se e ka goditur viktimën. Policia ka sekuestruar kaçavidën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka siguruar një incizim të ngjarjes që do t’i dorëzohet prokurorisë.

Të arrestuarit për këtë rast janë: D.A. (21 vjeç), E.A. (22 vjeç), A.N. (39 vjeç), O.A. (18 vjeç), A.A. (22 vjeç)

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë incident. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përfshihet nga zjarri një deponi me goma të vjetra në Sllatinë

Published

on

By

Një deponi për grumbullimin e gomave të vjetra në Sllatinë është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar tym të zi dhe të dendur që është përhapur në zonën përreth. Deponia ndodhet në afërsi të rrugës kryesore.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve për zonën e Prishtinës, Abdusamed Shkodra, ka konfirmuar për mediat se ekipet janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të lokalizuar dhe shuar flakët.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të tjera materiale, ndërsa zjarrfikësit po vazhdojnë punën në terren. /Ekonomia online/

Continue Reading

Rajoni

Ministri i Shqipërisë Hoxha i përgjigjet Gjuriqit: Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime

Published

on

By

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama, nuk ka munguar as ai i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Kryediploti shqiptar i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, duke theksuar se e ardhmja e rajonit qëndron te dialogu, besimi dhe bashkëpunimi pragmatik, e jo te kërcënimet apo akuzat.

Përmes një reagimi lidhur me debatin për lumin Ibër, kryediploti shqiptar bëri të ditur se uji nuk duhet të përdoret si instrument ndëshkimi. Ndonëse Ibri nuk rrjedh përmes Shqipërisë, Hoxha nënvizoi se çfarëdo kërcënimi për ndërprerjen e ujit dëmton bashkëjetesën paqësore në të gjithë rajonin.

“Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime, ndërsa kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksione, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen”, ka deklaruar Hoxha.

Më tej, ai hodhi poshtë pretendimet për projekte të mëdha territoriale, duke potencuar se i vetmi projekt që e intereson Shqipërinë është një “Bashkim Evropian më i Madh”, që përfshin Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Kryediploti i Shqipërisë shprehu gatishmërinë e plotë për dialog dhe bashkëpunim konkret mes shqiptarëve dhe serbëve, duke bërë thirrje për më shumë fokus drejt së ardhmes evropiane dhe më pak drejt mitologjive të së kaluarës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja: Deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit duhet të shmangen

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka thënë se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian më 11 gusht.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.

BE-ja komentoi edhe rrënimet e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, me të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte lidhur deklaratën e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

“Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me rrënimet e fundit”, thuhet në përgjigje.

Sipas Komisionit Evropian, çdo masë zbatuese me pasoja të pakthyeshme duhet të respektojë procesin e rregullt ligjor.

“Personave të prekur duhet t’u jepet mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore para se masa të zbatohet”, thuhet në përgjigje.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit.

Rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.

Uji nga sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Ekspertët që kanë folur më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se devijimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundshëm, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do t’i shkaktonte dëme Kosovës, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.

Kjo konventë përcakton, mes të tjerash, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera.

Kosova nuk është palë në këtë konventë, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. /REL/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara