Lajmet

Gjilan: Gjenden pa shenja jete një 27-vjeçar dhe një foshnjë, arrestohet babi si i dyshuar

Published

on

Një 27-vjeçar dhe një foshnjë janë gjetur pa shenja jete në një shtëpi në fshatin Demiraj të Komunës së Gjilanit gjatë ditës së djeshme, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Ai ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet përkatëse dhe ekipi emergjent mjekësor, ndërsa nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete.

“Më 01.11.2026 në orën 08:47 kemi pranuar informacion se në një shtëpi në fshatin Demiraj të komunës së Gjilanit, dyshohet për dy trupa të pajetë, një person i gjinisë mashkullore i vitit të lindjes 1999 dhe një foshnjë. Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete. Me vendim të Prokurorit të Shtetit trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, thuhet në njoftim.

Pak orë më vonë, Policia ka njoftuar se ka arrestuar një 65-vjeçar në fshatin Demiraj, i dyshuar për vrasjen e djalit të tij 27-vjeçar dhe foshnjës. Hashani ka thënë se 65-vjeçari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, Hashani ka thënë se dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes.

“Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete. Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes, ku në cilësinë e personit të dyshuar është arrestuar babai i viktimës, i cili me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë”, ka thënë Hashani.

Hashani ka njoftuar se në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për ndriçimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, i cili është cilësuar si vrasje e rëndë. Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Schuebel: BE-ja e mbështet lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë

Published

on

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka kërkuar që të gjitha sulmet ndaj gazetarëve të hetohen në mënyrë të plotë.

Këto komente ai i ka bërë përmes një statusi në rrjetin social X në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë për krimet ndaj gazetarëve. Ai ka ritheksuar mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në Kosovë.

Schuebel  ka deklaruar tutje se mbrojtja e gazetarëve do të thotë mbrojtje e demokracisë dhe e të drejtës së publikut për t’u informuar.

“Në Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë për Krimet ndaj Gazetarëve, ritheksoj përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve në Kosovë. Të gjitha sulmet ndaj gazetarëve duhet të hetohen në mënyrë të plotë dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi. Mbrojtja e gazetarëve do të thotë mbrojtje e demokracisë dhe e të drejtës së publikut për t’u informuar”, ka shkruar ai./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zulfaj: Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes

Published

on

Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi nuk ka arritur t’i përmbushë gjashtë nga 13 hapat e reformave që kishin afat deri në qershor të këtij viti si shkak i bllokadës politike, ka bërë të ditur kryenegociatori i Kosovës me BE-në dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, raporton Ekonomia Online.

Duke raportuar në Komisionin për Integrim Evropian, Zulfaj ka thënë se nga 13 hapat e paraparë në periudhën shtesë deri në qershor 2026, Kosova ka arritur t’i zbatojë shtatë, ndërsa gjashtë të tjerë nuk janë përmbushur në afatin e përcaktuar.

Ai ka bërë të ditur se vlera e përgjithshme e Planit të Rritjes për Kosovën është 882.6 milionë euro, ku dy të tretat janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, të cilat duhet të përmbushen deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm.

“Siç e dini, Plani i Rritjes për Kosovën kap vlerën e 882.6 milionë euro, ku 2/3 janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, deri në fund të gushtit të vitit që vjen. Më 15 korrik të këtij viti, kemi dorëzuar kërkesën e parë për pagesë, me 20 hapa të zbatuar, në vlerë prej 153.4 milionë euro. Shuma përfundimtare do të mbahet prej vlerësimit të Bashkimit Evropian, me ç’rast po besojmë që në këto ditë të para të nëntorit do ta bëjnë të ditur se sa realisht do të jetë vlerësimi i saktë. Nga 13 hapa në periudhën shtesë, deri në qershor 2026, zbatuam shtatë dhe gjashtë jo. Llogaritet mbi 40 milionë euro, ose më saktë 43.8 milionë euro, të cilat kanë humbur në afatin e qershorit”, tha ai.

Zulfaj ka theksuar se shumica e reformave të papërmbushura kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një periudhë kur ky institucion ishte i shpërndarë.

Megjithatë, ai ka thënë se këto reforma janë rikthyer në proces dhe synohet të miratohen gjatë këtij viti, përfshirë ligjet për energjinë dhe falimentimin, pakon ligjore për drejtësinë dhe strategjinë kundër krimit të organizuar.

“Shumica e tyre kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një kohë kur Kuvendi, siç e dini, ishte i shpërndarë. Megjithatë, të gjitha këto reforma janë në rrugë të zbatohen këtë vit, ligji për energjinë, për falimentimin, pakoja ligjore për drejtësinë dhe strategjia kundër krimit të organizuar, pra të gjitha reformat, sepse procesi në tërësimi në BE është proces reformator, dhe të gjitha reformat të cilat nuk kanë arritur afatin e qershorit janë kthyer sërish në Kuvend, në qeveri fillimisht, pastaj në Kuvend, ashtu që të mos humbet asnjë reformë. Edhe nëse mjetet nuk arrijnë të përmbushen me kohë”, tha ai.

Kryenegociatori ka paralajmëruar se deri më 31 dhjetor Kosova duhet t’i përmbushë edhe 22 hapa të tjerë, në vlerë prej 131.5 milionë eurosh.

Sipas tij, dhjetë akte duhet të miratohen në Kuvend, ndërsa një pjesë e projektligjeve pritet të procedohen nga Qeveria.

“Tani kemi përpara vetes 22 hapa në vlerë prej 131.5 milionë euro, që skadojnë më 31 dhjetor. Pra, kanë mbetur edhe 59 ditë, 10 akte duhet të kalojnë në këtë Kuvend, projektligji për inovacion dhe ndërmarrësi tashmë është në Kuvend, kurse të tjerat Qeveria do t’i sjellë për miratim. Varësisht nga vonesat që shkaktojnë edhe Komisioni Evropian, në dërgimin e komenteve, sepse pjesë e procesit të hapave është edhe konsultimi me Bashkimin Evropian, me Komisionin Evropian, ku secili hap, sidomos në hapat e ligjeve, kërkohet që përveç konsultimeve publike që i kemi ne si pjesë e procesit, duhet të konsultohen edhe me Bashkimin Evropian, dhe Bashkimi Evropian i kërkon diku rreth 90 ditë kohë për t’i kthyer këto komente dhe kjo pastaj shkakton edhe vonesa të tjera që vonojnë ligjet. Ligjet që besoj që duhet të vijnë deri në fund të nëntorit, projektligji për inovacion, siç thashë, është këtu; projektligji për prokurimin publik, për partneritetin publiko-privat”, tha Zulfaj.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Protestat për drejtësi për Arlinda Zekajn vazhdojnë edhe sot në Prishtinë

Published

on

Protestat kundër femicidit dhe për drejtësi për Arlinda Zekajn do të vazhdojnë edhe sot në Prishtinë, ku është paralajmëruar një protestë kombëtare me kërkesa për llogaridhënie institucionale dhe mbrojtje më të madhe për gratë.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta do të mbahet nga ora 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke ftuar qytetarët që t’i bashkohen thirrjes kundër dhunës ndaj grave.

Protesta e sotme vjen pas pesë ditësh radhazi të mobilizimit qytetar, gjatë të cilave protestuesit kanë kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për vrasjen e saj.

Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Rasti ka nxitur reagime të shumta, veçanërisht pas raportimeve se ajo kishte kërkuar më herët mbrojtje nga institucionet për shkak të dhunës dhe kërcënimeve.

Vrasja e saj ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë e grave, trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe përgjegjësinë institucionale në parandalimin e femicidit.

Përmes protestës së sotme, organizatorët synojnë të vazhdojnë mobilizimin kundër dhunës ndaj grave dhe të kërkojnë drejtësi për viktimat.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vdekje e dyshimtë në Prizren, gjendet pa shenja jete një shtetas i Shqipërisë

Published

on

By

Në Prizren është raportuar një rast i vdekjes së dyshimtë, ku një burrë shtetas i Shqipërisë është gjetur pa shenja jete.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur në orët e parë të mëngjesit të datës 1 nëntor, rreth orës 01:20.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe ekipi mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga organet e rendit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara