Filmi “The Voice Of Hind Rajab” nga regjisorja tuniziane Kaouther Ben Hania mori vlerësim të jashtëzakonshëm në Festivalin e Filmit në Venecia të këtij viti.
Pasi filmi u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Venecia, ai u shoqërua nga një ovacion në këmbë që zgjati deri në 23 minuta e 50 sekonda me britma “Palestina e lirë (Free Palestine)”.
Kjo dramë e fuqishme rindërton ngjarjet që lidhen me vrasjen e gjashtëvjeçares Hind Rajab, familjes dhe dy ndihmësmjekëve mjekësorë që u përpoqën të ndihmonin pasi makina e tyre u godit nga forcat izraelite ndërsa po largoheshin nga Gaza në janar 2024.

Vrasjet ndodhën tre muaj pas fillimit të operacionit ushtarak të Izraelit në Rripin e Gazës, i nisur pas një sulmi të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023. Sipas të dhënave në dispozicion, më shumë se 61,000 njerëz nga territoret palestineze vdiqën në atë operacion.
Duartrokitjet në këmbë për “The Voice Of Hind Rajab” i tejkaluan rekordet e mëparshme të festivalit. Deri më tani, duartrokitjet më të gjata të regjistruara në Festivalin e Filmit në Kanë ishin për filmin “Pan’s Labyrinth” nga Guillermo del Toro në vitin 2006 – 22 minuta. Rekordi i vitit të kaluar në Venecia mbahej nga filmi i Almodovarit me tiutllin “The Room Next Door” me 18 minuta duartrokitje në këmbë.
Gjatë ovacioneve në Venecia, Motaz Malhees ngriti flamurin palestinez e publiku reagoi emocionalisht. Shumë prej tyre qanë gjatë dhe pas shfaqjes së filmit. Filmi u mbështet si producentë nga aktorë të shumtë, përfshirë Brad Pitt, Joaquin Phoenix, Rooney Mara, Alfonso Cuaron dhe Jonathan Glazer. Phoenix dhe Mara morën pjesë në premierë, ku anëtarët e ekipit mbajtën një portret të vogëlushes Hind Rajab.
Tunizia ka zgjedhur “The Voice Of Hind Rajab” si kandidatin zyrtar për çmimin Oscar në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur po atë ditë, Ben Hania dhe kasta u pritën me duartrokitje në këmbë, dhe aktorja Saja Kilani mbajti një fjalim të fuqishëm në emër të ekipit të xhirimit.
“Mjaft me vrasje masive, uri, dehumanizim, shkatërrim dhe pushtim. Ky film nuk është opinion a fantazi, bazohet në të vërtetën. Historia e Hindit mbart peshën e një kombi të tërë. Zëri është një nga dhjetëra mijëra fëmijë që janë vrarë në Gaza në dy vitet e fundit. Është zëri i çdo vajze e djali me të drejtën për jetë, për të ëndërruar, për ekzistencë dinjitoze, e gjithë kjo u vodh para syve tanë të palëkundur”, tha Kilani. Të shtunën, në Lido u mbajt një protestë e madhe në mbështetje të Palestinës.