Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se për shkaqe humanitare ia ka falur një të dënuares pjesën e mbetur të dënimit.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga Presidenca.
Në njoftim thuhet se e para e shtetit, bazuar në kompetencat e saj, për shkaqe humanitare e ka nënshkruar dekretin për faljen e A. C.
“Në marrjen e vendimit për falje, janë marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, duke përfshirë faktin se e dënuara nuk ka kryer asnjë vepër penale më herët, vepra penale për të cilën është dënuar është për ‘Rrezikim të Trafikut Publik’, pra është kryer aksident pa dashje, ndërkaq është vërtetuar se nuk ka qenë nën ndikim të alkoolit apo substancave të tjera kur ka ndodhur aksidenti. Përveç këtyre, gjithashtu janë marrë parasysh sfidat shëndetësore të nënës dhe foshnjës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Gjykata Themelore në Ferizaj, e pati dënuar me 18 muaj burgim efektiv, të akuzuarën për rrezikim të trafikut publik, ku si pasojë e këtij aksidenti kishin humbur jetën dy shoqet e saj, E.I dhe E.M. Ajo e pati pranuar fajësinë.