Një nga skenat më të ndjera të Kupës së Ligës u regjistrua gjatë fitores dramatike të Inter Miami ndaj Atlas FC, ku Lionel Messi dhe sulmuesi uruguaian Matías Cóccaro u përfshinë në një shkëmbim emocional në fushë, që përfundoi me një përqafim dhe shkëmbim fanellash.
Në një intervistë pas ndeshjes, Cóccaro sqaroi se tensioni që u pa në fushë ishte rezultat i intensitetit të lojës.
“Kur shënuam golin e barazimit, entuziazmi im nuk i pëlqeu Messit. Kur ata shënuan, ai festoi para meje. Por më pas u përqafuam dhe ai madje më kërkoi falje. Më tha që do të më dërgojë fanellën e tij, një gjest që tregon madhështinë e tij,” tha ai.
Cóccaro nuk kurseu fjalët e mira për yllin argjentinas:
“Ai është më i madhi në histori. Me të, unë thjesht hesht… me askënd tjetër. Dhe Suárez? Ai është idhulli im,” u shpreh ai.
Sulmuesi i Atlas shtoi se Messi kuptoi se gjithçka ishte pjesë e përkushtimit për skuadrën dhe nuk kishte asgjë personale.
Messi pati një tjetër paraqitje të shkëlqyer, duke dhuruar dy asistime, krijuar tri raste të mëdha dhe kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në golin vendimtar në minutën e fundit.
Për Atlasin, humbja e vendos skuadrën në një pozitë të vështirë për kualifikim, megjithëse ata kanë ende dy ndeshje për të ndryshuar situatën – ndaj Orlando City dhe Atlanta United.