Lajmet
Gjaku që kërkon drejtësi, rrëfime rrëqethëse nga Pokleku
Muaji prill kujton ditën e tmerrshme të datës 17, ku mbi 50 persona u masakruan dhe u djegën dy herë.
Published
2 years agoon
By
Betim GashiMuret e shtëpisë bartin peshën e madhe të dëshmisë së terrorit. Fletoret e librat me shënime tregojnë për ëndrrat që mbetën në gjysmë. Rrobat e secilit kanë gjurmët e gjenocidit serb, trupat e të cilëve u bën hi. Muaji prill kujton ditën e tmerrshme të datës 17, ku mbi 50 persona u masakruan dhe u djegën dy herë. Kjo shtëpi është kujtim i rëndë për familjarët, ndërkaq dëshmitarët po jetojnë me pamjet më të tmerrshme. Ata kanë peng se si nuk arritën të shpëtojnë të afërmit, të cilët i panë teksa frymojnë. Pothuajse gjithçka ka mbetur e njëjtë në shtëpinë e familjes Muqolli në Poklek të Drenasi. Lëvizje nuk pati as për drejtësi, përkundër dëshmisë së gjallë të gjenocidit.
Për 25 vjet me radhë, kujtimet më të freskëta i ka ato të 17 prillit. Leutrimi, i cili atëherë ishte nëntë vjeçar, u mbulua me gjakun e të vëllait brenda dhomës prej 20 metrave katror, ku u vranë me breshëri plumbash.
“Më 16 prill një ditë para se të ndodh masakra në Doburshevc kanë hyrë serbët, prindi im tha po iu dërgoj në Poklek sepse nga aty me dal më lehtë në Drenas për të ikë në Shqipëri, atë natë kemi ardh në Poklek këtu i kam dajt. Me datën 17 kur jemi zgjuar edhe këtu ishte rrethuar nga ushtria serbe. Ne jemi tubuar të gjithë tek shpija e Sinanit, këtu atë ditë ka pas shumë shi, pastaj jemi bërë të gjithë, kemi dëshiruar që të dalim në Drenas kur kemi mbërri tek xhamia, më kujtohet që dikush u ardh dhe ka thënë që duhet me u kthy dhe e mbaj mend që ka gjuajt”, rrëfen ai mes lotësh.
Ai pa masakrimin e nënës, vëllezërve dhe bashkëfshatarëve, disa prej të cilëve e ka peng që nuk arriti t’i shpëtonte.
“Nga atje u ardh një shpejt dhe i ka gjuajt ata xhama jashtë në korridor që të mos kemi mundësi të dalim nga dhoma, u ardh këtu ka thënë që duhet ta mbyllni derën dhe dikush ka qenë te dera dhe ka bërtit me mbyll derën, e kemi mbyll dhe ka gjuajtur një bombë me gaz një herë. Unë di që të gjitha nënat iu kanë gjuajt nënave mbi dhe e di që mua më janë gjuajtur shumë vet, e kanë gjuajtur edhe një, kur ka kërsit ajo tjetra, mua më ka humb vetëdija aty…Pastaj, ata kanë hyrë me kallash, unë në atë kohë më ka ardh vetëdija pak, e kam hap syrin pak dhe kam shikuar por nuk e kam pas askënd përmbi…05:21 e kam pas kokën e vëllait këtu dhe e kam hap syrin prapë kanë gjuajtur, i shkelke se kush është gjallë kur gjuante. Mua ato të plumbave më kanë ra në qaf, kështu ka gjuajtur, ka shikuar të gjithë deri sa e ka menduar që të gjithë janë të vdekur dhe kanë dal nga këtu, kanë shkuar aty ku kanë qenë të vendosur. Këtu ka pas njerëz të gjallë të cilët nuk kemi mundur që t’i shpëtojmë”, vazhdon rrëfimin ai.
Edhe sot qan për nënën e tij, të cilën nuk arriti ta shoh në momentet e fundit. Çdoherë kujton edhe gjendjen e fëmijëve të cilët vdiqën mizorisht.
“Unë nënën nuk e kam parë se ku e kam. Kam qarë, e kam dashtë vetëm nënën time por nuk kemi mundur me pa, e kam pa vetëm dy vëllezërit e mi. Këtu ku ka ra bomba të gjithë fëmijët i kanë pas trutë jashtë. Kemi shkuar prapë lartë dhe i kemi pa dy persona duke shkuar poshtë dhe ka thënë Lumja, ne duhet të dalim, tani kemi dal prapa shtëpisë, kemi shkuar te një shtëpi, nuk kanë besuar çka iu kemi treguar e çka na ndodhur. Pastaj Lumja ka thënë ‘me mujt me shpëtuar dikën sepse ka të gjallë por derisa kemi shkuar e kemi parë që i kanë kallë, i ka dalë tymi’”, u shpreh i mbijetuari.
Një ditë më pas, ishte Leutrimi i cili i tregoi pronarit të shtëpisë se çfarë ndodhi me familjen e tij dhe shumë bashkëfshatarëve të tjerë.
“Nga mbrëmja kanë ardhur dëshmitarët Elheme Muqolli edhe Leotrimi, na kanë tregu se çka ka ndodh, ka qenë diçka e pabesueshme që ka mundur të ndodh diçka e tillë. Brenga jonë ka qenë se si me hy dhe me i nxjerr. Forcat serbe kanë ardhur të nesërmen në mbrëmje e kanë djeg shtëpinë, edhe ditën tjetër e kanë djeg dhomën dy herë, herën e tretë kanë ardhur, e kanë djeg dhomën dhe të gjithë shtëpinë”, tregon pronari i shtëpisë, Fadil Muqolli.
Fadili bashkë me ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kishin nxjerrë eshtrat e familjarëve, shumë prej të cilave të bëra hi.
“Kemi ardhur afër 60 ushtarë, kemi hyrë brenda, e kemi siguruar rreth shtëpisë mos me ardh forcat serbe që të na sulmojnë, e kemi marrë një bateri të veturës një sy të veturës dhe një qebe e kemi mbyll dritaren, e kemi ndez dritën me bateri të veturës dhe kemi filluar me i mbledh eshtrat që kanë qenë të tubuar në dy qoshet e dhomës për t’i zhdukur. Copat e eshtrave kanë qenë diku sa paqeta e cigares i kemi shti në thasë, kemi shkuar në mal, e kemi ndërtuar një bunker dhe i kemi shti aty që kanë qëndrua aty deri pas përfundimit të luftës, kur e kemi bërë varrimin. Babin dhe Ymerin që i kanë ekzekutuar, ata janë kthyer, i kanë djeg ia kanë lidh në trupat e tyre hekura dhe i kanë hedh në bunar”, u shpreh Muqolli.
Trupat e hedhura në bunar nga forcat serbe, Fadili rrëfen se i kishin tërhequr me litarë. Ai nuk befasohet nga Serbia për terrorin që bëri në shtëpinë e tij.
“Babin dhe Ymerin që i kanë egzekutuar, ata janë kthye i kanë djeg dhe ia kanë lidh në trupat e tyre hekura dhe i kanë hedh në bunar, ne kemi kërkuar sepse dëshmitarët kanë tregu se i kanë vra në këtë vend, aty nuk i kemi gjetë, kam shkuar aty ku i kanë ekzekutuar dhe i kanë djeg, e kam gjet orën e gjepit të babit që edhe sot e kam dhe i kemi kërkuar në shtëpi mos i kanë gjuajt diku apo i kanë gropos, mirëpo një ushtar ka shkuar me shikuar në bunar ka qenë disa shkumë të bardhë dhe tha këtu janë, e kemi gjet një litarë e kemi lidh një ushtar në trup dhe e kemi leshu poshtë, i ka pa, i ka lidh me një litarë tjetër dhe i kemi nxjerr dhe i kemi varros në mal”, tregon Mulliqi.
E gjithë të vratët që më pas janë djegur, po qëndrojnë në një arkivol.
“Në varrezën ku janë 51 persona është në një arkivol sepse ka qenë e pa mundur t’i selektojmë, me i nda në atë dhomë kanë qenë fillimisht.. 59 persona kur kanë ardh i kanë marrë babin dhe Ymerin, i kanë qit jashtë, i kanë vra, kanë mbet 57 pas ekzekutimet, pas krejt atij gjenocidi nga ajo dhomë kanë dal gjashtë persona që sot janë pesë një ka ndërruar jetë mbas lufte. .. Ne nga Serbia e kemi prit, kemi qenë të përgatitur psiqikisht sepse e kemi parë se çka ka bërë në Kroaci e në Bosnje, mirëpo nuk e kemi prit në këtë masë dhe në këtë mënyrë dhe mos me u kursye as foshnja 6 muajsh, ne nuk e kemi prit, mirëpo kjo ka ndodh, ne jemi të zhgënjyer me drejtësinë ndërkombëtare deri në funde”, shton ai më tej.
Shtëpia trikatëshe në Poklek të Drenasit po ruan gjurmët e krimit. Fadil Muqolli i cili humbi 13-anëtarët e familjes, tregon për dëshmitë që kanë mbetur brenda katër mureve.
“Këtu i kemi vendosur librat e motrës, ka qenë në klasë të tretë, çika e axhës ka qenë studente, Zarifja, ka ardhur një javë para se me ndodh masakra dhe u vra këtu. Këtu janë librat e Shehides dhe të dy djemve të Naserit dhe Ylberit, çanta e djemve, këto janë gjërat që kanë qenë brenda në shtëpi. Këtë karrige ia kam marrë vajzës kur ka qenë e vogël… Këtë vizatim forcat që e kanë krimin është një figure e njeriut dhe emrin e ka shkruar këtu por prapë e ka fshi… Këto janë fotografitë e dhomës ku është përfunduar masakra, këtu është arkivoli i 51 personave, ajo është shkrimi i vajzës”, tha Muqolli.
Fjalë më të mira nuk ka as për drejtësinë ndërkombëtare, që sipas tij, po bëjnë shkelje të madhe. Muqolli ende jeton me kujtimet e 13 anëtarëve të familjes.
“Institucionin për drejtësi që është në Kosovë, unë thash më herët që nuk i besoj drejtësisë ndërkombëtare sepse është fsheh krimi, departamentit për krime lufte që është në Kosovë, unë nuk pranoj që me dokumente që janë prodhuar nga UNMIK-u dhe EULEX në dosjen e holokaustit në Poklek, ata nuk i pranoj me ato dosje të punojnë rreth kësaj masakre sepse ata vetëm drejtësi nuk kanë bërë, kanë fsheh, kanë bërë pazare se ata duhet ta thonë se çfarë pazare kanë bërë se të fsheh një holokaust, ku janë djeg 23 fëmijë, nga foshnja 6 muajsh deri në moshën 13-vjeçare, kjo nuk dëshiron koment, andaj e them me bindje të plotë se me ato dosje unë nuk i pranoj dhe nuk bashkëpunoj rreth kësaj masakre”, u shpreh Muqolli.
Derisa gjaku nuk është tharë ende në muret e shtëpisë ku ndodhi masakra më e madhe, Muqolli kërkon drejtësi për familjen e tij.
“Më 21 prill kam ardhur, kam hy në podrum me Nehat Sylejmanin, kur e kam hap derën, ajo dera ka qenë ngjit, kur kam hy brenda, kam shkel si në ujë dhe e kam ndez dritën, kam shikuar sepse nuk ka qenë me ujë, kur e kam ndez dritën ka qenë e gjitha me gjak. Këtu ka qenë duke pik gjaku, dhe këtu në muri ka qenë gjak deri në tokë. Ky gjak është duke i pritur për atë drejtësi që fola”, tregonte Muqolli për atë që ka parë.
Atij kujtim i kanë mbetur edhe flokët e djalit, katër vjeçar, të cilin ia vranë forcat serbe.
“Këto janë rrobat e familjes sepse atë ditë ka qenë një ditë me shi kur janë ardhë që janë kthye nga Drenasi, i kanë ndërruar rrobat e lagura dhe i kanë vesh të terura, këtu janë rrobat e tre djemve të mi, këto janë rrobat e gruas, këtu janë pantallonat që i kanë pas atë ditë që i kanë ndërruar, kjo është xhaketa e motrës, ka qenë e plagosur në dorë dhe nuk ka pranru me dal nga shtëpia. E kam pas djalin 4 vjeç i ka pas flokët e gjata dhe ia kam prerë kur ka filluar lufta, pasi që ia kam prerë i kam ruajt flokët, dhe flokët i kam në arkivol që i kanë ruajtut”, përfundon Muqolli.
25 vjet më parë në Poklek të Drenasit u vranë, u masakruan dhe u djegën 53 shqiptarë. Prej tyre 23 fëmijë, 12 vajza, dy djemë, 14 gra, e dy burra.
You may like
Lajmet
Policia e Kosovës shpall masat e shtuara të sigurisë dhe bllokimet e rrugëve për finalen Kosovë-Turqi
Published
6 hours agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Sot, më 31 mars 2026, Prishtina është qendra e vëmendjes sportive botërore, pasi Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i ndeshjes finale të play-off-it për Kampionatin Botëror “FIFA World Cup 2026” ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Dueli, i cili fillon në orën 20:45, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar, çka ka shtyrë Policinë e Kosovës të ndërmarrë një plan gjithëpërfshirës për rendin dhe sigurinë publike.
Për të garantuar mbarëvajtjen e kësaj feste sportive, Policia ka njoftuar se do të ketë prani të shtuar të zyrtarëve në stadium, në të gjithë qytetin dhe në tri “Fan Zona” të krijuara enkas për tifozët.
Si pasojë e fluksit të madh dhe lëvizjes së delegacioneve zyrtare, do të ketë bllokime të përkohshme dhe kufizime të qarkullimit në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Segmentet më të prekura përfshijnë rrugët “Tring Ismajli”, “Agim Ramadani”, “Eqrem Çabej”, zonën te semaforët kryesorë, Bulevardin “Bill Clinton”, rrethin te Stacioni i Autobusëve, si dhe rrugët “Hekurudhat” e “Tirana” që çojnë drejt stadiumit.
Gjithashtu, kufizime do të ketë në perimetrin rreth stadiumit, përfshirë rrugën “Luan Haradinaj” deri te Ministria e Drejtësisë dhe rrugën “Fehmi Agani”.
Pas përfundimit të ndeshjes, vëmendja do të përqendrohet në rrugët që dërgojnë drejt aeroportit, duke përfshirë lagjen “Arbëria” dhe rrugën “Ahmet Krasniqi”. Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve në terren, të shfrytëzojnë rrugë alternative sa më shumë që të jetë e mundur dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë, duke e cilësuar sigurinë si një përgjegjësi të përbashkët për këtë ngjarje madhore.
Kryetarja e Kuvendit së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Shefin e EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.
Në këtë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.
Në këtë takim u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për avancimin e proceseve që kontribuojnë në stabilitetin institucional dhe në rritjen e besimit të qytetarëve, sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës
Lajmet
Ambasada e SHBA-së mbështet “Dardanët” para finales me Turqinë në “Fadil Vokrri”
Published
7 hours agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Atmosfera para përballjes vendimtare mes Kosovës dhe Turqisë është ndezur, madje kësaj ngjarje vëmendje i ka kushtuar edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë
Përmes një postimi në rrjetet sociale, përfaqësia diplomatike amerikane ka rreshtuar veten përkrah tifozëve dardanë në këtë natë historike, duke dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje: “Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, ne po ju mbështesim – luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare”.
Kjo ndeshje, e cila konsiderohet si një finale e vërtetë për fatet e kualifikimit në Kampionatin Botëror, pritet të fillojë në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Interesimi për këtë takim është i jashtëzakonshëm dhe shkallët e stadiumit pritet të jenë të stërmbushura me tifozë që kërkojnë fitoren historike.
Përfaqësuesja e Kosovës zbret në fushë me moral të lartë dhe me përkrahjen e plotë të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa vëmendja e gjithë opinionit publik është përqendruar në Prishtinë për këtë sfidë vendimtare që përcakton rrugëtimin drejt botërorit.
Lajmet
Bëhu lider i komunikimit me Programin e Gjuhës Angleze
Published
8 hours agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Programi i Gjuhës Angleze në UBT po pozicionohet si një ndër platformat më të rëndësishme për përgatitjen e profesionistëve të ardhshëm në fushën e arsimit, përkthimit dhe komunikimit ndërkombëtar.
Ky program është ndërtuar mbi një kurrikulë moderne që përkon me standardet më të larta evropiane, duke u ofruar studentëve jo vetëm njohuri teorike mbi gjuhësinë dhe letërsinë, por edhe aftësi praktike që kërkohen sot në sektorin publik dhe privat.
Përmes një mjedisi stimulues që nxit mendimin kritik dhe krijimtarinë, studentët pajisen me kompetenca për të komunikuar me saktësi akademike dhe për të operuar me përgjegjësi etike në projekte komplekse.
Një element kyç që e bën këtë program unik është dimensionimi ndërkombëtar, ku përmes bashkëpunimeve me universitete prestigjioze në SHBA, Britani të Madhe, Gjermani, Itali dhe vende të tjera të BE-së, studentëve u mundësohet shkëmbimi semestral dhe përfitimi i bursave të plota përmes rrjeteve si Erasmus+ dhe CEEPUS.
Përveç përvojës ndërkombëtare, UBT ka krijuar lehtësi për të gjithë ata që synojnë të nisin rrugëtimin e tyre akademik në këtë drejtim, duke ofruar një bursë studimi prej 20% për të tri vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen.
Ky investim në talentet e reja plotësohet nga resurset e pasura që UBT vë në dispozicion, si biblioteka e specializuar e gjuhës angleze, platformat e avancuara digjitale për mësimdhënie dhe mbështetja e vazhdueshme nga Qendra e Karrierës për punësim dhe praktika profesionale.
Duke pasur një staf akademik të kualifikuar në universitetet më të mira botërore dhe diploma që njihen gjerësisht në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian, programi siguron që çdo i diplomuar të jetë një profesionist dhe i gatshëm për të kontribuar në zhvillimin arsimor dhe ekonomik të vendit.
Policia e Kosovës shpall masat e shtuara të sigurisë dhe bllokimet e rrugëve për finalen Kosovë-Turqi
Haxhiu priti në takim Shefin e EULEX-it
Ambasada e SHBA-së mbështet “Dardanët” para finales me Turqinë në “Fadil Vokrri”
Bëhu lider i komunikimit me Programin e Gjuhës Angleze
Alumni i UBT-së udhëheq punëtorinë mbi psikologjinë klinike dhe formulimin e rasteve me studentët e nivelit master
Botërori është afër: “The Guardian” i thur lavde rrugëtimit emocional të Kosovës
Nga ‘Fadil Vokrri’ në Madrid: Një orë, dy sfida të mëdha
Lufta në Iran: Çfarë po ndodh në ditën e 32-të të sulmeve SHBA-Izrael?
Kurti pret ekipin e OKB-së: Diskutohet Plani Strategjik 2026–2030 dhe forcimi i bashkëpunimit
Të kërkuara
-
Vendi1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
