Delegacioni i Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), i përbërë nga presidenti Agim Ademi, nënkryetari Agim Dibrani dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv Samir Ujkani, ka zhvilluar sot një takim me ministrin e ri të Sportit, Blerim Gashani.
Gjatë takimit, presidenti Ademi e uroi ministrin Gashani për marrjen e detyrës së re, duke vlerësuar faktin që drejtimi i këtij dikasteri tashmë është në duart e një ish-futbollisti dhe pasionanti të madh të futbollit. Ai e informoi ministrin për zhvillimet në federatë, organizimin e garave vendore dhe përfaqësimin e ekipeve kombëtare të Kosova, duke ofruar bashkëpunim të plotë për avancimin e futbollit dhe promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, ministri Gashani vlerësoi punën e bërë nga FFK-ja dhe përgëzoi sukseset e arritura nga ekipet kosovare. Ai theksoi se sporti për të nuk është vetëm një obligim institucional, por edhe një pasion i veçantë, duke garantuar vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit me federatën.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte infrastruktura sportive, e cila vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore për futbollin në Kosovë. Përfaqësuesit e FFK-së dhe ministri Gashani theksuan nevojën për përshpejtimin e punimeve në ndërtimin dhe përfundimin e stadiumeve, të cilat konsiderohen jetike për zhvillimin e sportit dhe organizimin dinjitoz të ndeshjeve vendore dhe ndërkombëtare.
Me këtë rast, ministri Gashani bëri të ditur se është duke zhvilluar vizita në stadiumet që janë në ndërtim e sipër, duke konfirmuar se përfundimi i tyre është një nga prioritetet kryesore të ministrisë që ai drejton dhe se nuk do të tolerohen vonesa të pajustifikuara.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu edhe për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares së Kosovës në kuadër të ‘play-off’-it për FIFA World Cup 2026, si dhe për rëndësinë e mbështetjes institucionale për organizimin sa më të mirë të tyre.