Kulturë

Gigi letër publike paparacëve, kërkon të ruhet privatësia e vajzës së saj

Published

on

Modelja Gigi Hadid ka shkruar një letër publike për paparacët, shtypit, dhe llogaritë e fansave lidhur me vajzën e saj të vogël Khai Malik.

Të mbash vajzën e saj larg nga bota është e pamundur, gjë që Gigi e di, por ajo u kërkoi njerëzve që të mos ndajnë fotot e fytyrës së Khai edhe kur të krijohet mundësia.

“Ndërsa fëmija ynë rritet, ne duhet ta kuptojmë se nuk mund ta mbrojmë atë nga gjithçka siç dëshironim dhe kur mund të ishte më e vogël,” filloi Gigi.

“Unë gjithashtu dua që ajo të shohë qytetin më të mahnitshëm në botë + njerëzit e bukur dhe të larmishëm që ecin rrugëve të NYC… dmth, pa stresin e cirkut mediatik që vjen me prindërit që janë figura publike”, shkroi Gigi.

Në letrën e saj, ajo gjithashtu diskuton ligjet që ndryshojnë nga shteti në shtet në lidhje me fotot paparacëve të fëmijëve.

“Unë kam parë disa fotografi paparacësh të fëmijëve në NYC me fytyra të paqarta”.

Por ajo vazhdon duke këmbëngulur se: “Dëshira jonë është që ajo të mund të zgjedhë se si ta ndajë veten me botën kur të rritet në moshë, dhe që ajo të mund të jetojë një fëmijëri sa më normale të jetë e mundur, pa u shqetësuar për një imazh publik të cilin nuk e ka zgjedhur”.

Gigi Hadid dhe vajza e saj, Khai Malik.

Modelja e ka mbyllur letrën duke falenderuar të gjithë ata që e kanë respektuar privatësinë e saj./UBTNews

Lajmet

Përurohet “Oda e Zejtarëve” në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës

Published

on

Në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës është përuruar “Oda e Zejtarëve”, një projekt i dedikuar promovimit të zejeve tradicionale dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili ka vlerësuar rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin kulturor dhe turistik të komunës.

“Sot, në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës, përuruam Odën e Zejtarëve – një projekt i veçantë për qytetin dhe trashëgiminë tonë kulturore”, ka deklaruar Gjini.

Sipas tij, projekti do t’u shërbejë zejtarëve lokalë si një hapësirë e dedikuar për promovimin e zejeve tradicionale, ndërsa të rinjtë dhe vizitorët do të kenë mundësi të njihen më nga afër me këtë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

Investimi është realizuar në kuadër të projektit “Ndërlidhja e turizmit përmes trashëgimisë kulturore dhe zgjidhjeve inteligjente në Lezhë dhe Gjakovë”, i financuar nga Programi IPA Cross-Border Shqipëri–Kosovë.

Kryetari Gjini ka theksuar se zhvillimi i turizmit dhe fuqizimi i ofertës kulturore të Gjakovës mbeten ndër prioritetet kryesore të qeverisjes lokale./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Siparantum Kids sjell mbrëmje artistike në Prishtinë për Festën Ndërkombëtare të Muzikës

Published

on

Në kuadër të Festës Ndërkombëtare të Muzikës, Siparantum Kids organizoi një mbrëmje të veçantë artistike në zemër të Prishtinës, duke sjellë para publikut performanca të zërave të rinj.

Me një program të përzgjedhur muzikor, fëmijët interpretuan këngë korale dhe përcollën mesazhe bashkimi, gëzimi dhe shprese, duke dëshmuar fuqinë e muzikës si një gjuhë universale që lidh njerëzit përtej kufijve.

Sipas Ambasadës Franceze në Kosovë, e cila ka mbështetur këtë aktivitet kulturor, çdo tingull, buzëqeshje dhe duartrokitje e mbrëmjes ishte një festë e talentit, kreativitetit dhe dashurisë për artin.

Ngjarja mblodhi artdashës dhe qytetarë të shumtë, duke e kthyer Prishtinën në një hapësirë feste dhe promovimi të kulturës përmes muzikës.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mbyllet edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë

Published

on

Pas gjashtë ditësh me aktivitete letrare, dje është mbyllur edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend.

Panairi mblodhi dhjetëra shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe treva të tjera shqiptare, duke sjellë mijëra tituj librash, promovime dhe takime me autorë. Mysafir nderi i këtij edicioni ishte shkrimtari italo-francez Francesco Rapazzini.

Një ditë para mbylljes, u ndanë edhe çmimet tradicionale të panairit, me të cilat u vlerësuan autorë, përkthyes, studiues dhe vepra të spikatura të vitit.

Përfaqësues të shtëpive botuese vlerësuan interesimin e lexuesve, por theksuan se ndryshimi i datave të organizimit ka ndikuar në numrin më të vogël të vizitorëve krahasuar me vitet e kaluara.

Në kuadër të panairit, lexuesit patën mundësi të përfitojnë nga oferta të shumta, tituj të rinj dhe zbritje të konsiderueshme, ndërsa interesim të veçantë pati për librat akademikë, teknologjinë, inteligjencën artificiale, si dhe literaturën për fëmijë.

Panairin e Librit “Prishtina 2026” e vizitoi edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci./rtk/

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mbrëmje përkujtimore në Bernë për 95-vjetorin e Dritëro Agollit

Published

on

Ambasada e Shqipërisë në Bernë organizoi në bibliotekën Kornhausbibliothek një mbrëmje të veçantë kushtuar 95-vjetorit të lindjes së poetit dhe shkrimtarit shqiptar Dritëro Agolli.

Në aktivitet morën pjesë nxënës shqiptarë, mësues dhe dashamirës të kulturës shqiptare në Zvicër, të cilët u njohën me jetën dhe veprën e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe.

Ambasadori Ermal Dredha e vlerësoi Agollin si një krijues që e shndërroi përvojën e njeriut të zakonshëm në art, duke theksuar se veprat e tij mbeten aktuale për shkak të trajtimit të vlerave universale si dinjiteti njerëzor, dashuria dhe raporti i njeriut me kohën.

Mbrëmja u pasurua me recitime nga nxënësit e shkollave shqipe në Zvicër, interpretime muzikore nga Mimoza Nazarko dhe nxënësit, si dhe me materiale filmike dhe incizime nga zëri i vetë Agollit.

Ambasada falënderoi Brikela Andera, bibliotekën Kornhausbibliothek dhe Muzeu Kadare–Agolli për kontributin në realizimin e aktivitetit, i cili mundësoi ekspozimin e dorëshkrimeve dhe materialeve krijuese të autorit.

Pas Bernës, aktivitetet e Vitit të Agollit dhe Kadaresë do të vazhdojnë në Gjenevë, ku gjatë vjeshtës pritet të organizohet një veprimtari kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara