Lajmet

Gërvalla në takimin e Kartës së Adriatikut: Lufta është kthyer sërish si kërcënim real në Ballkan

Sipas saj, është e dhimbshme, por fatkeqësisht e vërtetë – lufta është kthyer sërish në kërcënim real.

Published

on

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla mori pjesë në takimin e Komisionit të Partneritetit në nivel ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A5) që po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë.

Në njoftimin për media të MPJ-së thuhet se gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me sfidat e sigurisë në Evropën Juglindore me theks të veçantë në proceset euroatlantike në rajon si dhe për bashkëpunimin në kuadër të kësaj karte.

“Më lejoni t’ju përgëzoj edhe një herë për organizimin e shkëlqyeshëm të këtij takimi. Përfaqësuesve institucional dhe kolegëve nga Maqedonia e Veriut dua tu shpreh në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës dhimbjen tonë të thellë për humbjen tragjike të aq shumë jetëve në aksidentin e rëndë, i cili na ka shokuar të gjithëve. Një tragjedi të këtillë e kemi përjetuar edhe ne në Kosovë në aksidentin me autobus që ndodhi në Kroaci dhe nuk do t’i harrojmë asnjëherë pamjet në spital, por as ndihmën e miqve tanë kroatë në atë aksident. Ju lutemi, na tregoni si mund t’ju ndihmojmë, sado ndihmë e madhe a e vogël qoftë”, tha Gërvalla.

Ministrja Gërvalla më tej tha se “nuk do të jetë e papritur për ju që qeveria jonë e re e Republikës së Kosovës dëshiron t’i bashkohej A5-shit si anëtare e plotë. Ne mendojmë se njerëzit tanë, 90% e të cilëve, në një studim të kohëve të fundit të realizuar në mbarë rajonin, janë  deklaruar që e mbështesin BE-në dhe NATO-n , mund të japin kontribut të dobishëm për sigurinë brenda këtij grupi të shquar dhe të palëkundur të vendeve pro perëndimore”.

Ajo ka folur edhe për sigurinë në rajon, duke thënë se po përballet me rrezikun e një konflikti.

“Të nderuar kolegë, më lejoni të flas drejtpërdrejt, pasi sa i përket sigurisë ndodhemi ndërkohë në një pikë shumë të vështirë. Më kujton situatën para 20 vitesh. Edhe atëherë paralajmëronim që lufta do të ishte e pashmangshme, por askush nuk na merrte seriozisht. Sot përsëri po të përballemi rrezikun e një konflikti.

Prandaj duhet të jemi shumë të qartë – mes nesh, evropianëve të vërtetë, këtu në rajon, dhe me partnerët tanë të fuqishëm evropianë, dhe mbi të gjitha me aleatët tanë amerikanë.

Injorimi i realitetit asnjëherë nuk është zgjidhje e mirë. Nuk ka qenë një zgjidhje e mirë as në vitet e 1990-ta dhe do të ishte një zgjedhje e rrezikshme edhe tani.

Javën e kaluar morëm pjesë në Forumin e Sigurisë në Halifax të Kanadasë për të alarmuar zyrtarët e NATO-s dhe të SHBA-vë, senatorët, partnerët dhe aleatët e tjerë.

Fatkeqësisht nuk kemi të bëjmë më me një krizë, e cila do të zgjidhet vetëm duke dërguar në rajon disa diplomatë.

Thjesht kemi pritur tepër gjatë dhe ngritja e mjeteve ushtarake, politike dhe propagandistike ka vazhduar për më shumë se një dekadë.

Duhen të merren hapa të guximshëm ndaj atyre që po nxisin destabilizimin e vendeve fqinje këtu në rajon, si Serbia dhe Rusia, pjesërisht Kina, për ta zbutur këtë rrezik të madh”, tha ajo.

Sipas saj, është e dhimbshme, por fatkeqësisht e vërtetë se lufta është kthyer sërish në kërcënim real për Ballkanin.

“Asnjëherë që nga vitet e 90-ta fjala luftë nuk është përmendur kaq shpesh sa tani. Dhe asnjëherë që nga vitet e 90-ta, udhëheqësia agresive dhe nacionaliste e Serbisë nuk e ka përdorur një gjuhë kaq të ngjashme me atë të përdorur nga Millosheviçi.

Asnjëherë që nga vitet e 90-ta propaganda agresive nacionaliste për audiencën serbe nuk është përgatitur në mënyrë kaq strategjike nga qeveria në Beograd.

Duhet t’i shikojmë thjesht përpjekjet e Dodikut, Vuçiçit dhe Putinit në Bosnjë dhe e shihni se copëtimi i shteteve, i iniciuar nga Serbia dhe Rusia, është në tavolinë”, tha më tej ministrja e Punëve të Jashtme.

Gërvalla në fjalimin e saj më tej theksoi se ministri aktual i Serbisë, Vulin, i cili ka qenë zëdhënës i kriminelit të luftës, Millosheviçit, po e thotë edhe publikisht se duan të krijojnë atë që ata e quajnë Bota Serbe.

“Z. Vulin tha në muajin korrik që Serbia nuk duhet të heqë dorë nga ‘bashkimi dhe unifikimi’, që do të thotë të mos heqë dorë nga Serbia e Madhe. Ai tha se ushtria serbe duhet të jetë në gjendje t’i mbrojë serbët, kudo që jetojnë. Gjoja se demokracitë tona nuk po i mbrojtkan qytetarët, qofshin ata janë serbë, boshnjakë, shqiptarë, hebrenj, egjiptianë apo të tjerë”, tha ajo.

“Të mos e mashtrojmë më veten. Le të ulemi bashkë dhe të flasim rreth fakteve. Le të analizojmë vërtet se çfarë po ndodh në terren. Këtu nuk bëhet fjalë më vetëm për bisedime diplomatike. Le të bisedojmë si evropianë të vërtetë, NATO dhe SHBA me qëllim të evitimit të asaj që mund të ndodhë nëse nuk veprojmë siç duhet dhe me vendosmëri”, citohet të ketë thënë ministrja Gërvalla.

Continue Reading

Vendi

UBT lanson Global Virtual Campus, një model i ri i arsimit pa kufij

Published

on

By

UBT ka lansuar zyrtarisht konceptin më të ri inovativ në fushën e arsimit, Global Virtual Campus, një platformë që synon të transformojë mënyrën se si ofrohet edukimi në nivel global, përmes partneritetit strategjik me EON Reality.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky model është një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes së arsimit gjithëpërfshirës dhe të qasshëm për të gjithë.

Në këtë kontekst, Global Virtual Campus është një koncept dhe model i ri, modeli i së ardhmes, që mundëson ofrimin e të njëjtës përmbajtje dhe të njëjtës cilësi kudo në botë, me të njëjtin potencial dhe përvojë, pa humbur kohë dhe me kosto të përballueshme për të gjithë. Pra, kjo qasje e aksesueshmërisë dhe përballueshmërisë, kudo dhe në çdo kohë, është thelbi i Global Virtual Campus, të cilin po e ofrojmë përmes partneritetit tonë me EON”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi deklaroi se UBT ka një përvojë të gjatë dhe të suksesshme në arsimin e lartë, duke u renditur ndër institucionet më të vlerësuara globalisht në fusha kyçe si inovacioni, qëndrueshmëria, ndërmarrësia dhe shkenca.

Ai nënvizoi se institucioni njihet për standarde të larta cilësie dhe është i akredituar nga mekanizma ndërkombëtarë, përfshirë British Accreditation Council, si dhe gëzon një validim të fortë në raport me sistemin amerikan të arsimit.

“Ne besojmë fuqishëm në rëndësinë e kontaktit njerëzor dhe bashkëpunimit fizik, por në të njëjtën kohë duhet të shfrytëzojmë maksimalisht potencialin që ofron inteligjenca artificiale për të rritur cilësinë dhe për të zgjeruar qasjen në arsim”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Një nga shtyllat kryesore të këtij transformimi është integrimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara të vizualizimit në procesin mësimor. Sipas Hajrizi, përvoja e gjatë e partneritetit me platforma inovative si EON ka mundësuar ndërtimin e një sistemi që garanton cilësi të lartë të mësimdhënies, pavarësisht vendndodhjes së studentëve.

Global Virtual Campus synon të ofrojë përmbajtje dhe standard të njëjtë edukimi kudo në botë, duke eliminuar barrierat gjeografike dhe kohore, dhe duke hapur një epokë të re të arsimit global.

Video e plotë

Continue Reading

Lajmet

Kryesia dështon të miratojë rendin e ditës: Mospajtime për rezolutën e luftës

Published

on

By

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka përfunduar pa një pajtim për rendin e ditës të seancës së radhës, pas mospajtimeve mes partive politike për pozicionimin e rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës.

PDK-ja, e mbështetur edhe nga opozita tjetër, ka insistuar që kjo rezolutë të jetë pika e parë e rendit të ditës për seancën e së premtes. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që ajo të trajtohet si pikë e fundit, duke kërkuar një dakordim më të gjerë paraprak.

Për shkak të kësaj bllokade, rendi i ditës pritet të miratohet në fillim të seancës plenare. Përveç rezolutës për luftën, në agjendë janë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare, votimi për anëtarin e Këshillit Prokurorial, si dhe debati për rritjen e çmimit të naftës.

Continue Reading

Vendi

Kurti pret drejtoren e NATO-s: FSK po përgatitet për mision në Gazë

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, me të cilën ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe sigurinë në vend.

Gjatë takimit, Kurti falënderoi aleancën veri-atlantike për rolin e saj në stabilitetin e Kosovës, ndërsa kërkoi më shumë mundësi trajnimi për pjesëtarët e FSK-së në institucionet e NATO-s.

Kryeministri njoftoi se Forca e Sigurisë së Kosovës, pas sukseseve në disa misione ndërkombëtare, aktualisht po përgatitet për të zbarkuar në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Kryeministri Kurti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi. Ndërsa, shtoi se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Ndërsa, përmendi edhe trajnimet për personelin ukrainas për deminim dhe misione të kërkim-shpëtimit”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Nga ana tjetër, zyrtarja e lartë e NATO-s vlerësoi lart këtë vendim dhe falënderoi Kosovën për bashkërendimin e ngushtë me aleancën në rrugën drejt integrimit.

 

Continue Reading

Lajmet

Vdes një punëtor në vendin e punës në Strellc të Deçanit, një tjetër i lënduar

Published

on

By

Një aksident fatal në vendin e punës ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Strellc të Ulët të Deçanit, ku si pasojë e lëndimeve ka vdekur një punëtor dhe një tjetër ka mbetur i lënduar.

Lajmi është konfirmuar nga Policia Rajonale e Pejës, sipas së cilës ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në një punëtori druri, ku disa materiale kanë rënë mbi dy punëtorët. Viktimat u dërguan menjëherë në Emergjencën e Spitalit të Pejës, ku mjekët konstatuan vdekjen e njërit prej tyre.

Njësitet kompetente kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Continue Reading

Të kërkuara