Lajmet

Gazetarja në Kabul: Plane të rrënuara, ëndrra të shkatërruara

Rahila Elena: Për disa ditë, Kabuli ishte si një qytet fantazmë.

Published

on

Rahila Elena është një nga gratë e pakta gazetare në Kabul që vazhdon të punojë, edhe pse grupi taliban mori kontrollin e Afganistanit dhe urdhëroi gratë që punojnë, të qëndrojnë në shtëpi.

Elena, gazetare për një medium lokal, e cila përdor këtë pseudonim për shkak të sigurisë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se planet e saj për të ardhmen janë shkatërruar.

Radio Evropa e Lirë: Pse keni vendosur të ktheheni në punë me gjithë kërcënimet për sigurinë?

Rahila Elena: Vendi im i punës është mbyllur për dy-tri ditë, pasi të gjithë jemi larguar papritmas nga zyra, kur talibanët kanë hyrë në Kabul, më 15 gusht. Disa ditë më vonë, punëdhënësit na kanë dërguar tekst-mesazhe, duke na thënë se mund të kthehemi në punë. Unë kam qenë ndër punëtorët e parë që jam kthyer në zyrë.

Ka disa arsye përse jam kthyer. Para së gjithash, unë jam person në vete dhe asnjë qeveri apo pushtet nuk duhet të marrë vendime për mua apo jetën time. Nuk e di se çfarë pasojash do të ketë vendimi im, por, së paku, do të jem në gjendje të them se kam bërë atë që kam menduar se është e drejtë, pavarësisht nga të gjitha rreziqet.

Arsyeja e dytë është se Qeveria afgane ka investuar para në shkollimin dhe trajnimin tim. Mendoj se ia kam borxh shoqërisë të punoj.

Po ashtu, kam ndjerë se është përgjegjësi e imja si gazetare që të dal dhe të raportoj për atë që po ndodh. Është detyrë e një gazetari të nxjerrë në pah problemet në shoqëri, keqbërjet e Qeverisë dhe çështjet e njerëzve. Unë nuk mund t’i zgjidh problemet e njerëzve, por është punë e imja të bëhem zëri i tyre.

Për kthimin tim në punë kam pasur edhe arsye financiare. Unë jam fëmija më i madh në familje dhe ajo varet nga paga ime.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndryshimesh keni hasur në punë qëkur talibanët kanë marrë pushtetin në Kabul?

Rahila Elena: Kemi pasur liri të shprehjes. Unë kam mundur të zgjedh lirshëm temat e mia, të kritikoj lirshëm Qeverinë dhe të tjerët dhe nuk ka pasur censurë në raportet e mia. Tani është ndryshe.

Ka një vakuum në pushtetin afgan këto ditë dhe nuk është ende e qartë nëse do t’i kemi përsëri këto liri. Po përpiqemi të jemi të kujdesshëm në raportimin tonë, po bëjmë shumë autocensurë.

Për shembull, dy ditë më parë kam pasur një artikull për krijimin e Qeverisë së re dhe shqetësimet e njerëzve për këtë. Besoj se kam qenë jashtëzakonisht e kujdesshme dhe kam censuruar veten. Por, redaktori e ka redaktuar në masë të madhe artikullin tim, duke hequr shumë pjesë, që, sipas tij, do të na vinin në rrezik. Këto kanë qenë thjesht citate nga njerëz që ndanin shqetësimet e tyre. I kam thënë vetes: ky është realiteti im i ri në punë – nuk mund të them ose shkruaj më atë që dua.

Kur njerëzit ankohen për talibanët ose bëjnë komente të pafavorshme për ta, unë nuk mund t’i publikoj ato në raportin tim, sepse kam frikë se ato, jo vetëm që do të më rrezikojnë mua, por edhe kolegët e mi. Mediumi ynë madje mund të mbyllet.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni të ardhmen tuaj si gazetare që punoni në Kabulin e kontrolluar nga talibanët?

Rahila Elena: Kjo është pyetja që ia bëj vetes çdo ditë gjatë dy javëve të fundit dhe nuk kam përgjigje. Nëse do të ma bënit të njëjtën pyetje tri orë përpara se talibanët të hynin në Kabul, unë do t’ju jepja një listë të gjërave që kam planifikuar për të ardhmen time.

Kam pasur plane të hollësishme dhe plane mbështetëse për së paku 30 vjetët e ardhshëm të jetës sime. Kam pasur një fletore me një listë të projekteve të ndryshme personale, me shënime se si t’i realizoj ato. Në ditën që jemi larguar nga zyra, më 15 gusht – duke mos ditur se çfarë do të ndodhë – unë e kam shkatërruar atë fletore, së bashku me disa dokumente të tjera.

Kam pasur shumë ëndrra. Kam planifikuar të filloj studimet master në dy vjetët e ardhshëm. Gjithashtu kam qenë duke u përgatitur për testet e programit të bursave American Fulbright.

Kam dashur të punoj – si praktikante ose pjesë e një programi trajnimi – edhe për një agjenci të huaj të lajmeve dhe ta sjell atë njohuri në vendin tim.

Në afat të gjatë kam ëndërruar të punoj si korrespondente e çështjeve të jashtme, jashtë vendit, për ca kohë. Me pak fjalë, doja të raportoja për vendin tim.

Kam shkuar në punë në këmbë, edhe pse Kabuli nuk ka qenë vend i sigurt për gratë e reja gjatë Qeverisë së kaluar. Por, më pëlqente të ecja, duke menduar për të ardhmen time. Tani, kam frikë se planet e mia janë rrënuar dhe ëndrrat e mia janë shkatërruar. Nuk e di se çfarë e ardhmeje më pret. Qeveria talibane do të jetë ajo që do të bëjë plane për mua. Kjo më dhemb.

Tani për tani, talibanët thonë se gratë do të kthehen në punë, mediat mund të funksionojnë. Nuk e di nëse ata do t’i mbajnë premtimet e tyre dhe nëse do të jem në gjendje të vazhdoj punën time, ose nëse do të vritem apo do të arrestohem.

Radio Evropa e Lirë: Si është disponimi në rrugët e Kabulit këto ditë, për të rinjtë si ju?

Rahila Elena: Njerëzit po kthehen ngadalë në punë. Për disa ditë, Kabuli ishte si një qytet fantazmë. Rrugët ishin të shkreta. Tani është më i mbushur me njerëz, por qyteti është ende larg të qenët ai vendi i gjallë që ishte më parë.

Unë kaloj çdo ditë në pjesët më të ngarkuara të Kabulit dhe duket se qyteti është bërë një qytet burrash. Ka shumë më pak gra në punë dhe në rrugë. Shumica e grave mbajnë hixhab të zi ose burka. Pamja e meshkujve ka ndryshuar gjithashtu – ata tani veshin rroba tradicionale afgane, që talibanët i konsiderojnë të përshtatshme.

Kufizimet e lirive tona janë vetëm një pjesë e problemit.

Të rinjtë dhe të moshuarit janë të shqetësuar për gjendjen financiare. Njerëzit janë shumë të varfër dhe shumë nuk kanë punë të qëndrueshme. Shumë kanë pasur punë të rastësishme dhe kanë fituar aq sa për të blerë ushqim për ditën.

Afganistani, gjatë 20 vjetëve të fundit, është varur shumë nga ndihma e huaj, e cila mund të marrë fund. Nëse kjo ndodh, ne nuk e dimë nëse do të paguhemi edhe nëse na lejohet të punojmë. Kemi frikë se njerëzit do të përballen me urinë.

Lajmet

Hamza refuzon ftesën e Kurtit: PDK rikonfirmon qëndrimin për të mbetur në opozitë

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar zyrtarisht ftesën për takim të dërguar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Përmes një letre kthyese drejtuar Kurtit, Hamza ka bërë të ditur se PDK-ja nuk do të jetë pjesë e takimeve konsultative, duke rikonfirmuar vendimin e partisë për të qëndruar në opozitë.

“Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, thuhet në përgjigjen e Hamzës.

Përveç refuzimit të ftesës, kreu i PDK-së i ka bërë thirrje Kurtit që të kërkojë marrëveshje me subjektet e tjera politike për krijimin e institucioneve të reja. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Moska fajëson Ukrainën për shpërthimin vdekjeprurës në një restorant:

Published

on

By

Rusia ka akuzuar Ukrainën për organizimin e një shpërthimi në një restorant luksoz në qendër të Moskës, nga i cili mbetën të vdekur pesë persona dhe u plagosën 19 të tjerë. Ngjarja ka nxitur dyshime të forta se shënjestra e sulmit ishte komandanti i lartë ushtarak rus, kolonel-gjenerali Aleksandr Chayko.

Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje pranë hyrjes së restorantit italian “Balzi Rossi”, i vendosur në një nga rrokaqiejt historikë të epokës së Stalinit në Sheshin Kudrinskaya. Sipas prokurorëve rusë, një grua e paidentifikuar që mbante një mjet shpërthyes të improvizuar u përpoq të hynte brenda, por u ndalua nga roja e sigurisë, çka çoi në shpërthimin e lëndës plasëse pak çaste më vonë në hyrje të objektit.

Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Jashtme e Rusisë e cilësoi ngjarjen si akt terrorist të udhëhequr nga Kievi, duke u shprehur se “tentakulat e përgjakshme të bandës terroriste të Zelenskyt kanë arritur deri te restoranti italian ‘Balzi Rossi’ në Moskë”.

Ndonëse autoritetet ruse nuk kanë publikuar emrat e viktimave apo shënjestrën e sulmit, blogerë ushtarakë pro-Kremlinit dhe media të pavarura raportojnë se mbledhja private organizohej për ditëlindjen e 55-të të gjeneralit Aleksandr Chayko. Pamjet e publikuara në rrjete sociale nga eventi tregonin sfondin me mbishkrimin “Aleksandr 55”.

Chayko, i cili ka udhëhequr më parë mësymjen ruse ndaj Kievit në vitin 2022 përpara se të merrte drejtimin e forcave ajrore-hapësinore, ka shpëtuar pa lëndime. Mirëpo, sipas kanalit informativ “VChK-OGPU”, nga shpërthimi në tarracën e restorantit ka mbetur i vrarë dhëndri i tij, Daniil Peredriy, ndërsa e bija, Maria, ka pësuar lëndime të rënda. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

17-vjeçari nga Ferizaj gjen portofolin me mbi 2,600 euro e dokumente dhe e dorëzon në polici

Published

on

By

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur së një i ri 17-vjeçar me inicialet A.N nga fshati Bablak i Ferizajt është paraqitur vullnetarisht në stacionin policor pasi kishte gjetur një portofol pranë një pike karburanti në fshatin Lloshkobare.

Pas verifikimeve nga zyrtarët policorë, u bë i mundur identifikimi i pronarit, K.S., 40 vjeç nga Gjakova, të cilit iu kthyen të gjitha mjetet monetare në vlerë prej 2,435 eurosh e 270 frangash, së bashku me dokumentet e tij të identifikimit.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shprehur falënderimin dhe vlerësimin e lartë për veprimin e A. Nuhës, duke e cilësuar ndershmërinë e tij si një shembull të shkëlqyer për të gjithë komunitetin. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

IKShPK konfirmon 99 të prekur me fruth dhe apelon për vaksinim të menjëhershëm të fëmijëve

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka nxjerrë një përditësim mbi situatën epidemiologjike në vend, ku njofton se nga 16 prilli deri më 3 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 99 raste me fruth. Vetëm përgjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ishin raportuar 65 raste.

Sipas të dhënave të institutit, vatrat kryesore të infeksionit mbeten Prishtina me 33 raste dhe Fushë-Kosova me 25 raste, të ndjekura nga Ferizaj me 12 dhe Kaçaniku me 7 raste. Rastet e tjera janë shpërndarë në numër më të vogël në komunat si Drenas, Lipjan, Obiliq, Gjilan, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Deçan, Graçanicë, Podujevë, Shtërpcë dhe Viti.

Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e mundshme, IKShPK u ka bërë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë kartelat e vaksinimit dhe të sigurojnë imunizimin e fëmijëve në Qendrat e Mjekësisë Familjare sipas kalendarit të rregullt. Po ashtu, instituti u bën apel qytetarëve që me shfaqjen e simptomave të para — si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë — të paraqiten menjëherë për kontroll në institucionet shëndetësore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara