Me gaz lotsjellës dhe vezë u tentua të pengohet mbajtja e seancës në Kuvendin e Serbisë. Ky kaos ndodhi pasditen e së martës, teksa opozita u ngrit nga ulëset dhe aktivizoi mjetet piroteknike në sallën plenare. Gazetari i shërbimit serb të BBC, Grujica Andriq tregon, se çfarë ndodhi dhe si është situata atje.

Andriq thotë se paraprakisht ai ishte i pranishëm në protestën e studentëve, nxënësve dhe qytetarëve të tjerë para objektit të Kuvendit të Serbisë.
“Në zyrën tonë byro në Beograd e cila është afër parlamentit, unë isha përpara parlamentit, kur studentët e universitetit, nxënësit e shkollës të mesme dhe qytetarët e Beogradit u mblodhën të protestojnë ndaj qeverisë. Një nga kolegët, është në objektin e parlamentit duke raportuar nga seanca. Është seanca e parë e asamblesë këtë vit dhe deputetët serbë priteshin të votojnë në 62 pikat e agjendës. U besua se një nga pikat kryesore do të jetë dorëheqja e kryeministrit serb, Milosh Vuçeviq, i cili lajmëroi se do të largohet më 28 janar, por në fund koalicioni qeverisës njoftoi se nuk do të jetë agjenda për sot. Pra, ajo pjesë e protestës e deputetëve të opozitës, si dhe protestat e qytetarëve dhe studentëve para asamblesë”, tregon gazetari Andriq.
Opozita kundërshtoi miratimin e rendit të ditës, i cili u miratua nga deputetët e koalicionit qeverisës.
Ai theksoi se një nga arsyet e ndërprerjes së seancës ishte për shkak se opozita ka insistuar të diskutojë katër kërkesat e studentëve nga Universiteti i Serbisë.
“Opozita u mundua të ndërprenë seancën duke përdorur zjarr sinjalizues, duke hedhur granata të tymit, duke përdorur gaz lotsjellës. Ata thanë se nuk duan të marrin pjesë në seancë për shkak të agjendës. Ata paraqitën transparencë kundër regjimit dhe bënin zë gjatë kohës kur deputetët e partisë qeverisëse flisnin. Për momentin, seanca vazhdoi me fjalimet e deputetëve të koalicionit qeverisës, opozita nuk po merr pjesë në diskutim, por janë në dhomë dhe po përpiqen të ndërprenë fjalimet…. Arsyeja kryesore është se nuk pajtohen me agjendën, në të cilën një nga pikat nuk është dorëheqja e kryeministrit dhe kryeministri është larguar gjatë protestave kundër qeverisë. Arsyeja kryesore për protestat, të cilat po ndodhin që nga më shumë se katër muaj, është stacioni hekurudhor në Novi Sad, ku ka ndodhur aksident më shumë se katër muaj më parë ku janë vrarë 15 njerëz”, shton ai.
Gazetari nga Serbia tregon se kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq po “akuzon opozitën që punon me Albin Kurtin”.
“Kur bëhet fjalë për pritshmëritë është pak larg për të parashikuar. Duke u bazuar në agjendën, deputetët duhet të votojnë në 62 pika të agjendës. Për momentin, puna në agjendë nuk ka filluar akoma, pra është vetëm diskutim, është e vështirë të parashikohet….Koalicioni qeverisës, duke përfshirë kryetaren e parlamentit, Ana Bërnabiq, e cila ka qenë kryeministre e Serbisë më parë. Ata akuzuan opozitën që po punonte me Albin Kurtin për të destabilizuar Serbinë. Është akuzë që partia dhe koalicioni qeverisës serb përdorin shpesh”, përfundoi ai.
Në këtë seancë është dashur të miratohej edhe dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, të cilin e ofroi më 28 janar. Kjo u bë pas presionit të studentëve, të cilët organizuan disa herë protesta.
Tash e disa muaj në Serbi po kërkohet përgjegjësi për shembjen e çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad, ku humbën jetën 15 njerëz.