Lajmet

Gastronomët kërkojnë nga Qeveria Kurti që vendimet të merren në koordinim, në të kundërtën do të protestojnë

Published

on

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës kritikon paralajmërimet për ashpërsim të masave, duke thënë se është padrejtë pasi vet partia udhëheqëse e qeverisë ka shkelur masat gjatë kohës së fushatës elektorale. Kjo shoqatë paralajmëron protesta në rast të një mbyllje totale.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Arian Vranica nga kjo shoqatë, tha që para formimit të institucioneve, kanë pasur takime me përfaqësues të LVV-së, ku presin që bashkëpunimi të jetë transparent dhe që vendimet të merren në koordinim edhe me këtë sektor.

“Para prezantimit ofertues nga ana e shoqatës tonë, për Qeverinë e Kosovës, po kthehemi me datën 8 shkurt ku kemi realizuar në zyret tona takime me përfaqësuesit e LVV, dhe një prej pikave që janë diskutuar ka qenë edhe bashkëpunimi në vendimet e ardhshme që mund të prekin interesat e sektorit të gastronomisë, kjo ka të bëjë me masat ekonomike dhe mos përhapjen e Covid-19. Dhe krejt kjo nuk është në rregull me paralajmërimete njëanshme ku thirren për ashpërsim të masave, e kuptojmë shumë mirë gjendjen me pandeminë por duhet të kemi parasysh që edhe ata nuk patën kujdes gjatë kohës së fushatave”, përfundoi Vranica.

Arian Vranica, do të thënë që nëse sërish shkohet në një mbyllje totale në nivel vendi, do të dëmtohet ky sektori i gastronomisë.

Tutje, Vranica thotë se qasja e njëanshme nga qeveria nuk mund të arrijë tek një marrje e vendimit të saktë, madje ai tha që nuk kanë preferenca për asnjë subjekt politik.

“Natyrisht që do të na dëmtonte shumë duke marrë parasysh edhe mos ekulibrititetin e pakove që janë marrë gjatë pandemisë, dhe nuk janë zbatuar në tërësi, siç është pakoja prej 290 eurove për puntorët tek bizneset të cilat ndahen, pra nuk kemi përmbushje të aspektit ligjor nga vendimet që janë marrë, dhe nga kjo qasje e njëanshme e Qeverisë nuk mund të arrijnë tek një marrje e vendimit të saktë në kuptim të mos krijimit të pasojave pastaj edhe më të rënda nëpër sektorë të ndryshëm, në kuadër të ekonomisë së përgjithshme”, tha ai.

“Ne kemi uruar Qeverisë së re dhe kryeministrit detyrën e re, dhe duke shpresuar që të mos përsëriten referencat e dikurshme dhe vendimet të merren në mënyrë të njëanshme. Duhet të kemi qasje më të kujdesshme për veprimet tutje sepse jemi shumë të revoltuar dhe nuk kemi preferenca për asnjë subjekt politik, dhe nëse do ketë prapë një qasje të tillë do përdorim format tona pa përjashtuar këtu edhe protestat”, u shpreh tutje Vranica.

11 mijë është numri i punëtorëve që kanë humbur punën, sipas Vranicës i cili tregon që kjo është një humbje  e madhe dhe dëmet që janë shkaktuar në këtë sektor nuk kanë arritur t’i mbulojnë as 3 milionshi i pakos që është ndarë nga qeveria.

Ai këtë pako e quan qesharake.

“Ne kemi  pasur një hulumtim, dhe ka pasur dinamikë edhe të shëndetit ekonomik dhe atij publik. Në të dhënat e fundit del që tre mujorin e dytë kemi pasur rënie prej 64%, pra diku rreth 20 milionë humbje të shkaktuar në sektorin e gastronomisë, tani i kemi edhe vlerësimin e pakove që janë ndarë për rimëkëmbje, ku është ndarë një 3 milionë qesharak dhe nuk afrohet me humbjen që kemi pasur. Po ashtu dëme ka pasur edhe në tregun e punës, ku nga të dhënat publike nga 363 mijë punëtorë, i bie që ka pasur rënie rreth 11 mijë puntorë që kanë humbur punën”, deklaroi ai.

Lajmet

Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e presidentes

Published

on

Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës.

Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën presidentes së re.

Justina Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues që e caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Detyrën e siguroi pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja shqetësohet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Published

on

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka thënë se ndryshimet e miratuara janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

“Partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkëta”, thuhet në përgjigje.

BE-ja ka theksuar se vazhdimisht ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion të pavarur gjyqësor, të themeluar përmes vendimeve të Kuvendit në vitet 2014–2015 dhe të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas BE-së, mandati dhe pavarësia e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen plotësisht, ndërsa drejtësia duhet të vazhdojë të bazohet në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Projektligji u miratua në Kuvend të martën, pak para përfundimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit, pas një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Miratimi i tij u shoqërua me protesta në Kosovë, ndërsa kundërshtimi ndaj Dhomave të Specializuara është rritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Schuebel uron presidenten e re, mbështetja e BE-së do të mbetet e palëkundur

Published

on

By

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Schuebel ka shprehur shpresën për rikthimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re, institucionet e Kosovës dhe spektrin politik.

“Me shpresën për ripërtëritjen e stabilitetit politik dhe institucional, pres me kënaqësi të punoj me Presidenten Shiroka-Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Schuebel.

Ai ka theksuar gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën do të vazhdojë të jetë e palëkundur.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit, duke marrë 81 vota në seancën e Kuvendit që kishte nisur më 6 tetor. Votimi përfundoi pak pas mesnate, ndërsa numërimi i votave përfundoi rreth 15 minuta më vonë.

Me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, Kosova tashmë ka presidenten e re, ndërsa mesazhi i BE-së vjen me theks të veçantë te stabiliteti institucional dhe vazhdimi i rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

D.L

Continue Reading

Lajmet

15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet në nevojë

Published

on

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se janë ndarë 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, përmes Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.

Hoti ka njoftuar se programi është miratuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë dhe synon subvencionimin e faturave për familjet që plotësojnë kriteret për përfitim.

Ai ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për përfituesit, pas së cilës pritet të hapet thirrja për aplikim.

Sipas Hotit, programi lidhet edhe me obligimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.

“15 milionë euro mbështetje. Drejtpërdrejt në faturat e familjeve”, ka shkruar Hoti./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara