Lajmet

Gastroenterologjia në United Hospital, standarde moderne për diagnostikim të hershëm dhe trajtim profesional të sëmundjeve të sistemit tretës

Published

on

Diagnostikimi i hershëm mbetet çelësi i suksesit në trajtimin e sëmundjeve të sistemit tretës, ndërsa Departamenti i Gastroenterologjisë në United Hospital po ofron shërbime të avancuara diagnostike dhe terapeutike, të mbështetura në teknologjinë më bashkëkohore dhe protokollet ndërkombëtare të mjekësisë.

United Hospital, nën drejtimin e Edmond Hajrizit, një prej emrave më të njohur në fushën akademike dhe të inovacionit teknologjik në Kosovë, po konsolidohet si një nga institucionet më moderne të kujdesit shëndetësor në vend. Vizioni i tij për të ndërthurur teknologjinë më bashkëkohore me ekspertizën mjekësore ka krijuar një model të ri të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, të bazuar në cilësi, siguri dhe standarde ndërkombëtare.

Kontributi i Hajrizit në zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit është reflektuar edhe në modernizimin e infrastrukturës mjekësore të United Hospital, ku investimet në pajisje të avancuara diagnostike, trajtime moderne dhe staf të specializuar kanë ngritur ndjeshëm nivelin e shërbimeve që u ofrohen pacientëve.

Me shëndetin e qytetarëve të Kosovës si prioritet kryesor, United Hospital synon të ofrojë diagnostikim të saktë, trajtim cilësor dhe kujdes të integruar, duke krijuar kushte që gjithnjë e më shumë pacientë të gjejnë brenda vendit shërbimet mjekësore për të cilat dikur orientoheshin drejt klinikave jashtë Kosovës. Përkushtimi ndaj inovacionit, profesionalizmit dhe investimeve të vazhdueshme e pozicionon këtë institucion si një nga qendrat më perspektive të mjekësisë moderne në vend dhe në rajon.

Ndryshe nën kujdesin e Dr. Valon Hamzës, specialist i gastroenterologjisë, pacientëve u ofrohen ekzaminime të specializuara për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të stomakut, zorrëve, ezofagut dhe mëlçisë. Përmes pajisjeve moderne dhe metodave endoskopike të avancuara, realizohen kontrolle të detajuara që mundësojnë zbulimin e hershëm të patologjive dhe ndërhyrjen në kohë.

Shërbimet e departamentit përfshijnë vizita specialistike gastrohepatologjike, ekografi të abdomenit, gastroskopi dhe kolonoskopi diagnostike e terapeutike, si dhe procedura endoskopike për largimin e polipeve (polipektomi), ndalimin e gjakderdhjeve të brendshme dhe marrjen e biopsisë për analiza histopatologjike.

Sipas specialistëve të këtij departamenti, simptoma si dhimbjet e vazhdueshme të barkut, urthi, fryrja, çrregullimet e tretjes, gjakderdhjet ose ndryshimet në funksionimin e zorrëve nuk duhet të neglizhohen, pasi diagnostikimi i hershëm rrit ndjeshëm mundësitë për trajtim të suksesshëm dhe parandalon komplikimet serioze.

Përveç shërbimeve diagnostike dhe terapeutike, United Hospital ka përgatitur edhe pako të veçanta gastroenterologjike, duke përfshirë paketën e kontrollit me analiza laboratorike, paketën e kontrollit specialistik, si dhe gastroskopinë dhe kolonoskopinë me sedacion, me qëllim që pacientët të kenë qasje më të lehtë në kontrollet parandaluese.

Me staf të specializuar, pajisje të teknologjisë së fundit dhe përkushtim ndaj standardeve më të larta të kujdesit shëndetësor, Departamenti i Gastroenterologjisë në United Hospital synon të ofrojë diagnostikim të saktë, trajtim profesional dhe kujdes të vazhdueshëm për shëndetin e sistemit tretës, duke e vendosur pacientin në qendër të çdo shërbimi mjekësor./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

DW: Shqipëri: Protesta me tensione. A mund të sjellë ndryshim?

Published

on

Kryeministri e përjashtoi dorëheqjen, por studentët e vijuan protestën për të tretën ditë radhazi. Në Tiranë mbërritën edhe të rinj nga qytete të tjera të vendit.

Në orën 08:03 të mëngjesit të së enjtes (15.10.2026), pas dy ditësh protestash studentore të shoqëruara me tensione dhe dhunë në rrugët e Tiranës, kryeministri Edi Rama theu heshtjen. Nga godina e djegur e Kolegjit të Europës, vetëm pak metra larg zyrës së tij, Rama publikoi një videomesazh, duke fajësuar opozitën për dhunën dhe shkatërrimet në kryeqytet. “Këto janë duart e një opozite që me maska të verbërish përpara kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku nuk do të rikthehet kurrë” – deklaroi ai. Por përgjigjja ndaj kërkesës kryesore të protestuesve erdhi më vonë gjatë ditës. Në një deklaratë për agjencinë Reuters, Rama e bëri të qartë se dorëheqje nuk do të ketë.
Kryeministri e përjashtoi dorëheqjen, por studentët e vijojnë protestën dhe në Tiranë mbërritën edhe të rinj nga qytete të tjera të vendit. Protesta ka pasur gjithashtu edhe në qytete të tjera. Protesta u shoqërua me përplasje të dhunshme me policinë, përdorim të gazit lotsjellës dhe zjarre, ndërsa pati të plagosur dhe dëme në ndërtesa e biznese.

Revoltë kundër klasës politike

Në themel të revoltës qëndron pakënaqësia e të rinjve me qeverisjen, vështirësitë ekonomike dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen. “Ne nuk kemi ku studiojmë, ne nuk kemi të ardhura, jetojmë me qira, nuk mbulojmë dot shpenzimet tona. Qeveritarët na kanë pirë gjakun me vite dhe nuk ndiejnë përgjegjësi për të gjithë këta njerëz që janë në shesh” – shprehet një studente për DW.
Për Rigels Xhemollarin, nga Qëndresa Qytetare, revolta studentore është e lidhur me pakënaqësitë e shprehura gjatë muajve të lëvizjes “Flamingo Revolution”. “Mungesa e reflektimit të kryeministrit gjatë katër muajve protestë në bulevard dhe tallja e tij me protestuesit. Pastaj arsyet e tjera lidhen me situatën ekonomike, aferat korruptive dhe skandalet e njëpasnjëshme” – shprehet ai për DW.

Por pakënaqësia e studentëve nuk kufizohet vetëm te qeveria. Krahas kërkesës për dorëheqjen e Edi Ramës, në shesh janë dëgjuar thirrje edhe kundër opozitës, ndonëse kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen e tij për protestën.

 A ka një rrugëdalje politike?
Analisti politik Mark Marku, njëherësh dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, e sheh protestën e studentëve si reagimin e një brezi që zgjoi shoqërinë dhe riktheu debatin për ndryshimin. Por ai paralajmëron se dorëheqja e qeverisë dhe zgjedhjet e reja nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht ndryshim politik. “Një veprim politik nuk matet nga qëllimet, por nga rezultati” – shprehet Marku.

Për këtë arsye, ai thekson nevojën që protesta të ketë një platformë dhe një alternativë politike që qytetarët të mund ta votojnë, nëse vendi do të shkonte në zgjedhje. “Protesta nuk votohet” –  thotë analisti.

Ndërsa Xhemollari, e sheh dorëheqjen e kryeministrit si të vetmen mënyrë për t’i dhënë fund revoltës. “Protesta ka vetëm një kërkesë politike, e cila kërkon një zgjidhje politike, dorëheqjen e kryeministrit” – shprehet ai për DW. Sipas aktivistit, pas largimit të Ramës, Presidenti i Republikës duhet të mbledhë partitë politike për krijimin e një qeverie kujdestare me kryeministër apartiak, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në maj të vitit 2027.

Në vitin 2018, Shqipëria u përfshi nga protesta masive studentore, të përqendruara kryesisht te problemet e arsimit të lartë. Tetë vjet më vonë, studentët janë rikthyer në rrugë, këtë herë duke kërkuar ndryshim politik.

Continue Reading

Lajmet

ATK: Mbi 900 milionë euro të hyra gjatë vitit 2026

Published

on

Agjencia Tatimore e Kosovës ka njoftuar se nga janari deri në shtator të këtij viti ka mbledhur 908.8 milionë euro të hyra tatimore, apo 114.5 milionë më tepër se në periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Kjo është një rritje prej 14.5 për qind.

Po ashtu ATK ka thënë se ka rënë numri i ndëshkimeve për 22 për qind.

“Këta tregues pasqyrojnë një qasje të orientuar drejt përmbushjes më të madhe tatimore, parandalimit të parregullsive dhe administrimit më efikas të obligimeve tatimore. Rezultatet mbështeten nga puna e vazhdueshme e ATK-së në disa drejtime, duke përfshira monitorimin e bizneseve, me fokus të veçantë te tatimpaguesit me rrezik të lartë tatimor.  Informimi dhe edukimi i tatimpaguesve, përmes komunikimit më të gjerë dhe orientimit për përmbushjen e drejtë të obligimeve.  Parandalimi i shkeljeve, duke synuar rritjen e përmbushjes vullnetare dhe zvogëlimin e nevojës për masa ndëshkuese. Digjitalizimi i shërbimeve tatimore, për qasje më të lehtë, procedura më efikase dhe shërbime më të mira për tatimpaguesit”, ka njoftuar ATK. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Policia në Shqipëri: 71 policë të plagosur, disa prej tyre rëndë

Published

on

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u kërkoi protestuesve që të distancohen nga dhuna. 

Ai në  një konferencë për media ka thënë se deri tash janë plagosur 71 policë, disa prej tyre me lëndime të rënda.

Ka shtuar se protesta është e drejtë e garantuar, por s’mund të jetë mburojë për dhunën e shkatërrimin.

“U bëj thirrje prindërve e mësuesve që të mos lejojnë nxënësit të përfshihen në akte dhune të organizuar. Pas maskave që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës nuk  janë studentë, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda e jashtë vendit. Nga të gjithë të ndaluarit në natën e parë, asnjë nuk është student. Në natën e dytë një numër shumë i vogël i tyre ishin studentë. Çdo sulm ndaj policëve është sulm ndaj shtetit”, ka thënë ai. 

Ai ka thënë që nuk duhet ngatërruar vetëpërmbajtjen e policisë së shtetit me dobësi.

Hita ka thënë për vjedhje janë arrestuar disa persona dhe ndaj tyre janë ngritur edhe aktakuza.

Ai ka thënë se kreu i forcave të rendit në Shkodër është lënduar rëndë gjatë protestës, porse tashmë është  në trajtim dhe në gjendje stabile.

Hita ka deklaruar se reagimi i policisë ka qenë proporcional me sjelljen e protestuesve.

“Nuk ka pasur qasje të ndryshme nga policia. Jemi të vendosur të përballojmë çdo akt dhune ndaj çdo institucioni shtetëror dhe privat, si dhe të mbrojmë jetën e qytetarëve. Reagimi ka qenë proporcional. Ju nuk e keni parë lumin e gurëve që kanë rënë mbi policët”, tha ai./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kosova rrezikon organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ICMG paralajmëron masa

Published

on

By

Kosova rrezikon të humbasë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, pas paralajmërimeve nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) për mospërmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative.

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ICMG-ja ka shprehur shqetësimin për vonesat në përgatitjet e këtij organizimi madhor sportiv.

Sipas dokumentit të publikuar nga Rama, institucionet përgjegjëse nuk i janë përgjigjur letrës së dërguar më 21 shtator 2026. Po ashtu, mungon garancia bankare që duhej të sigurohej në janar, ndërsa mbetet e papaguar edhe tarifa e muajit qershor.

ICMG-ja ka paralajmëruar se këto mangësi mund të rrezikojnë seriozisht organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.

Më 19 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv pritet të shqyrtojë mundësinë e thirrjes së një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e këtij eventi.

Pas publikimit të letrës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për situatën e krijuar, duke e cilësuar rrezikun e humbjes së organizimit si një goditje të madhe për sportin kosovar.

Ai ka theksuar se mungesa e përgjigjeve institucionale dhe mosrealizimi i obligimeve po e vënë në pikëpyetje një mundësi historike për vendin.

Fitimi i së drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 ishte vlerësuar si një nga arritjet më të rëndësishme në historinë e sportit të Kosovës, ndërsa zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime për realizimin e këtij projekti.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara