Një video e shkurtër, e shpërndarë nga mediat kosovare më 15 maj, e cila thuhet se shfaq një sulm seksual ndaj një vajze të mitur nga tre fëmijë në oborrin e një shkolle në kryeqytet, e tmerroi Kosovën.
Ngjarja, e cila raportohet të ketë ndodhur në fundin e prillit, në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Faik Konica”, në Prishtinë, nxiti një furtunë reagimesh, nga udhëheqësit shtetërorë e deri te qytetarët e rëndomtë.
“Traumë, jo lojë” ishte motoja e protestës në Prishtinë
Më i madhi nga reagimet, megjithatë, erdhi në formën e një marshi protestues, me moton “Traumë, jo lojë”, në kryeqendrën e Kosovës.
Nxënës nga tri gjimnaze të Prishtinës – “Xhevdet Doda”, “Sami Frashëri” dhe “Ahmet Gashi” – pushtuan sheshet e qytetit, të mërkurën e 19 majit, për të protestuar kundër ngacmimeve seksuale.
Pas raportimit për rastin, në mediat kosovare, drejtoria e shkollës “Faik Konica” ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha masat, si brenda edhe jashtë shkollës, duke njoftuar prindërit e të dy palëve, Policinë e komunitetit, Qendrën për Punë Sociale dhe organe të tjera kompetente, dhe të gjithë personat që kanë mundur të preken në mënyrë indirekte nga rasti.
Ndërkaq, Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve i ka bërë thirrje Qendrës për Punë Sociale që me prioritet të ofrojë shërbime për mbrojtjen dhe rehabilitimin për fëmijën, si dhe ka kërkuar të ndërmerren të gjitha shërbimet e nevojshme për fëmijët e tjerë.
Mimoza Shahini, psikiatre për fëmijë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë rasti i fundit ka qenë vetëm një zile për të treguar një fenomen, i cili është jo i rrallë në mjediset e shkollave.
Madje, sipas saj, më shqetësuese është fakti se ka disa raste të abuzimit seksual të të njëjtës gjini.
Vetëm gjatë këtij viti, në Policinë e Kosovës, për veprën penale “Ngacmimi seksual” janë raportuar gjithsej 21 raste, pa dallim moshe.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vjet.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i ka bërë thirrje Qeverisë që të nisë menjëherë mbikëqyrjen e shtuar të tregut për të parandaluar shtrenjtimet abuzive të produkteve bazë gjatë muajve në vijim.
Gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, Nagavci bëri të ditur se puna për funksionalizimin e Ligjit për çmime tavan ka filluar dhe se institucionet duhet të jenë të gatshme të veprojnë me kohë ndaj çdo shkeljeje nga tregtarët.
“Ligji për çmime tavan është miratuar, puna për funksionalizimin e tij ka filluar. Mbikëqyrja e tregut tash duhet të forcohet menjëherë në mënyrë që institucionet të mund të veprojnë me kohë kur paraqiten shkelje ose kushte për masa të përkohshme. Me Ligjin kemi krijuar edhe mundësinë që në rast të destabilizimit të tregut, të ndërhyhet për mbrojtjen e qytetarëve nga shtrenjtimet abuzive të produkteve themelore nga buka, mielli, vaji, qumështi, vezët, mishi, pemët e perimet deri te ushqimet për fëmijë, produktet e higjienës personale dhe lëndët me burim nga druri për ngrohje”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo theksoi se rritja e të ardhurave të qytetarëve duhet të mbrohet përmes kontrollit të marzhave tregtare nga importi deri te shitja me pakicë, si dhe duke hetuar dyshimet për marrëveshje të fshehta mes tregtarëve që dëmtojnë konkurrencën.
Duke folur për ndikimin e konflikteve globale në ekonominë e vendit, Nagavci vlerësoi se krizat ndërkombëtare po rëndojnë koston e jetesës, por shtoi se ato nuk guxojnë të keqpërdoren nga tregtarët.
“Krizat ndërkombëtare ndikojnë edhe në ekonominë tonë, madje shumë, por ato nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim. Duhet të dihet cilat çmime rriten për shkak të kostos së furnizimit dhe cilat çmime rriten në mënyrë abuzive. Shtrenjtimi i jetesës i prek të gjithë, por jo të gjitha familjet i rëndon njësoj”, përfundoi ajo. /E.A/
Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur fajtor të pandehurin me inicialet A.P. për veprën penale “Trafikimi me njerëz”, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.
Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtari Samedin Cena, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor.
Sipas aktakuzës, A.P. dyshohet se nga marsi i vitit 2021 deri më 30 janar 2024, në Gjakovë dhe në disa qytete të tjera, ka trafikuar një grua me inicialet A.V. nga Prishtina, përmes kanosjes, përdorimit të forcës, punës së detyruar dhe formave të tjera të kontrollit e dhunës fizike dhe psikike.
Sipas përshkrimit të rastit, i pandehuri fillimisht kishte krijuar kontakt me të dëmtuarën përmes rrjeteve sociale dhe më pas e kishte punësuar në lokalet e tij në Deçan, Gjakovë, Pejë dhe Klinë.
Gjatë kësaj periudhe, e dëmtuara dyshohet se ishte detyruar të punonte kundër vullnetit të saj, ndërsa të ardhurat nga puna i merrte i pandehuri. Po ashtu, sipas aktakuzës, ajo ishte detyruar të mbulonte edhe obligimet financiare të tij, përfshirë qiranë e lokaleve, pagat e punëtorëve dhe këstet e kredive.
Dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh do të ekzekutohet 30 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i vendimit në formë të shkruar.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot futjen në rend të ditës të Projektligjit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si pikë e fundit e seancës së sotme plenare. Nga 84 deputetë të pranishëm në sallë, 79 votuan pro këtij propozimi.
Kërkesa erdhi përmes një mocioni procedural nga ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e cila bëri të ditur se pavarësisht mospajtimeve procedurale, PDK-ja ka arritur pajtim me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket përmbajtjes së ndryshimeve ligjore.
“Na janë dhënë disa këshilla dhe rekomandime, të cilat ne besojmë që ligjin do ta bëjnë edhe më të fuqishëm e të qëndrueshëm juridikisht”, deklaroi Çitaku para deputetëve. /E.A/