Lajmet

Fuqia e mirënjohjes

Mirënjohja e zgjeron perspektivën tonë mbi jetën.

Published

on

Nga Ross E O’Hara

Kohët e fundit vrapova në Maratonën e Detroitit, dhe me këtë pjesëmarrje mblodha para për organizatën “Community Cat Rescue”në Detroit. Një ditë pas garës, u shkrova letra të shkurtra falënderimi të gjithë atyre që dhuruan para.

E dija që mamasë sime do t’i pëlqente si gjest, por mu duk paksa e çuditshme që po i shkruaja shokëve nga liga e basketbollit ku jam i angazhuar prej vitesh. Duke kërkuar donacione për miqtë e mirë të preferuar – kotelet – kisha zbuluar disa gjëra të reja tek vetja – ndaj shqetësohesha se mos falënderimet e shkruara me dorë do të ishin një tjetër shkelje e normave mashkullore.

Në fakt e kisha shumë gabim. Shprehja e mirënjohjes për miqtë dhe shokët e mi, dhe jo vetëm për dhurimet e tyre, por edhe për shoqërinë e tyre me mua, ishte diçka shumë e gjetur. Në fakt, studimet mbi mirënjohjen na tregojnë se të gjithë, ashtu si unë, e mbivlerësojnë vështirësinë e shprehjes së kësaj ndjenje, dhe nga ana tjetër e nënvlerësojnë befasinë dhe efektin pozitiv që do të sjellë ajo tek të tjerët. Tani unë ndihem më i lidhur me ata djem se kurrë më parë.

Teksa po i afrohemi fundit të këtij viti, një kohë kur shumë njerëz falënderojnë Zotin dhe njerëzit përreth për gjërat e mira në jetën e tyre, unë mendova se do të ishte mundësia e përsosur për të shkruar mbi mirënjohjen.

Mirënjohja është momenti kur ne vlerësojmë një person tjetër që na jep qëllimisht dhe në mënyrë altruiste diçka me një vlerë personale. Pas maratonës, unë i jam mirënjohës miqve dhe familjes, si për përfitimin e dukshëm të donacioneve në para, por edhe për mbështetjen e padukshme sociale që përfaqësonin donacionet e tyre.

Por mirënjohja është më shumë sesa një akt mirësjellje, apo një strategji e llogaritur për të marrë dhuratat. Të qenit mirënjohës lidhet me nivele më të larta të kënaqësisë nga jeta, optimizmit, vitalitetit, ndjeshmërisë, faljes dhe qasje pozitive.

Mirënjohja e zgjeron perspektivën tonë mbi jetën, duke na nxitur të jemi më kreativë dhe më reflektivë. Po ashtu mirënjohja redukton ndjenjat e zilisë, negativitetit, depresionit dhe ankthit. Disa studime kanë argumentuar se mirënjohja është thelbësore për marrëdhëniet tona me njerëzit e tjerë, dhe për përvojën njerëzore në tërësi.

Një nga këngët e famshme të Krishtlindjeve është në thelb historia e shndërrimit të dikujt nga mosmirënjohës në një person mirënjohës. Çarls Dikens kishte të drejtë kur shkroi se mirënjohja mund të mësohet, Por shumica nga ne do të zgjidhnin të mos vizitoheshin nga fantazmat gjatë gjithë natës.

Fatmirësisht, psikologët kanë shpikur disa mënyra për t’i mësuar të rinjtë të jenë më mirënjohës, dhe për t’i nxitur të rriturit që të shprehin mirënjohjen. Këto praktika përfshijnë ditarin e mirënjohjes (një formë tjetër e shkrimit shprehës), letrat e mirënjohjes, fillimin e bisedave të mirënjohjes apo thjesht adoptimin çdo ditë të një mendësie mirënjohëse.

Në një studim, mbi 200 nxënës të shkollave të mesme urbane përdorën aplikacionin “GiveThx”, që u ofroi përdoruesve një hapësirë ​​për ditarin e mirënjohjes dhe falënderimin privat ndaj nxënësve të tjerë. Krahasuar me grupin e kontrollit, përdoruesit e “GiveThx”raportuan se ishin më mirënjohës, dhe kishin një pikëpamje më pozitive për jetën dhe botën, më pak ankth dhe më shumë kënaqësi me miqësitë dhe jetën e tyre.

Po ashtu ata patën rezultate më të larta në disa teste të të mësuarit socio-emocional, përfshirë rregullimin e emocioneve, altruizmin dhe motivimin e arritjeve. Një studim tjetër përdori mesazhet për t’i inkurajuar studentët e kolegjit që të jenë mirënjohës.

Përgjatë 7 javëve, studentëve iu dërguan mesazhe përkujtuese javore për të zgjedhur një qëndrim mirënjohës, për të shprehur falënderimet ndaj bashkëmoshatarëve apo profesorëve të tyre, dhe për të reflektuar mbi 3-5 bekime nga java e kaluar.

Studentët që praktikuan mirënjohjen raportuan se ishin më të qetë, më pak të stresuar, më të fokusuar tek mësimet, më të motivuar dhe më rezistentë përballë sfidave akademike.

Këto studime tregojnë dy gjëra të rëndësishme për mirënjohjen. Së pari, studentët mund të përfitojnë nga praktikimi i mirënjohjes gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm gjatë një sezoni të caktuar. Së dyti, teknologjia është një mënyrë e shkëlqyer për të inkurajuar studentët të falënderojnë të tjerët dhe t’i ndajnë ato ndjenja. Në punën time në “Persistence Plus”, ne i nxisim rregullisht nxënësit të shprehin mirënjohje për ata që i ndihmojnë.  / “Psychology Today” – Bota.al

Continue Reading

Vendi

Nis protesta në Prishtinë kundër dënimit të krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare janë grumbulluar sot në sheshet kryesore të Prishtinës për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga platforma qytetare “Liria Ka Emër”.

Tubimi po mbahet në shenjë revolte ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, me të cilin ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Me moton “JO NË EM RIN TIM”, pjesëmarrësit po shprehin kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi juridik, duke e cilësuar atë si një goditje ndaj luftës çlirimtare. Në sheshin “Skënderbeu” situata ka njohur edhe momente tensioni, ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja e përfaqësuesit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, për të qetësuar turmën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

Organizatorët kanë nërvizuar se ky mobilizim gjithëpopullor synon të mbrojë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës së UÇK-së

Continue Reading

Lajmet

Tensione në protestën në Prishtinë, Hysni Gucati ndërhyn për të qetësuar situatën

Published

on

By

Situata në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është tensionuar përkohësisht gjatë protestës gjithëpopullore të organizuar kundër vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë momenteve të tensionit midis protestuesve, ka ndërhyrë përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili bëri thirrje për qetësi për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Protesta e thirrur nga platforma qytetare “Liria Ka Emër” me moton “JO NË EM RIN TIM”, ka mbledhur mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare. Ky tubim vjen si reagim ndaj aktgjykimit të shpallur më 16 shtator, sipas të cilit ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi – u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Përfaqësuesit e organizatorëve, përfshirë Ismail Tashollin, deklaruan se ky tubim përfaqëson një mobilizim gjithëpopullor kundër asaj që ata e konsiderojnë padrejtësi ndaj luftës çlirimtare. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Profesori i UBT-së, Milaim Berisha, publikon studim shkencor në revistën “Journal of Human Sport and Exercise”

Published

on

By

Profesori Milaim Berisha nga UBT, në bashkëpunim me studiuesin Pablo Prieto-González, ka publikuar një studim të ri shkencor në revistën ndërkombëtare “Journal of Human Sport and Exercise” (JHSE), të fokusuar në analizën e aftësive motorike në gjimnastikën artistike.

Studimi sasior përshkrues analizon 239 teknika të përcaktuara në udhëzuesin teknik të Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës (FIG) për të dyja gjinitë. Hulumtimi ka identifikuar praninë dhe rëndësinë e komponentëve kryesorë motorikë, si koordinimi, fuqia, shpejtësia, lëvizshmëria, fleksibiliteti, ekuilibri, qëndrueshmëria dhe shkathtësia në secilin aparat.

Gjetjet e studimit tregojnë se, ndonëse disiplinat e gjimnastikës artistike ndajnë aftësi të përbashkëta, secila prej tyre ka kërkesa specifike që ndryshojnë në bazë të nivelit të vështirësisë së lëvizjeve.

Autorët përfundojnë se me evoluimin e teknikave dhe integrimin e teknologjive të reja në këtë sport, programet e stërvitjes duhet të përditësohen në mënyrë të vazhdueshme për t’iu përshtatur kërkesave bashkëkohore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ursula von der Leyen në Prishtinë: Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara duhet të respektohet, por historia nuk rishkruhet

Published

on

By

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar të enjten gjatë vizitës në Prishtinë se aktgjykimi dënues i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të respektohet, duke nërvizuar njëkohësisht se askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.

Gjatë konferencës për media pas takimeve me udhëheqësit e shtetit, shefja e ekzekutivit evropian u shpreh se aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit u mor nga një institucion i pavarur gjyqësor.

“Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të fuqishme, e çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që bëjnë thirrje për qetësi. Ky aktgjykim u dha nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet”, deklaroi von der Leyen. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara