Lajmet

Frutat dhe perimet e pasura me hekur

Published

on

Sa herë që flasim për ushqime të pasura me hekur, produkti i parë që na vjen ndër mend është spinaqi. Por në këtë artikull do të mësoni frutat dhe perimet tjera si burime natyrale alternative të hekurit.

Kjo e fundit është një element i qelizave të kuqe të gjakut që i japin këtij të fundit ngjyrën e kuqe. Ajo është e nevojshme për të transportuar oksigjen dhe ujë nëpërmjet organeve tek i gjithë organizmi.

Pamjaftueshmëria e hemoglobinës do të thotë që gjaku nuk ka ndihmë për shpërndarjen e oksigjenit gjë që shkakton ndjesinë e lodhjes dhe rraskapitje tek njeriu.

Shenjat e mungesës së hekurit

1. Lodhje gjatë gjithë kohës
2. Zhvillim të pakët fizik dhe mendor tek fëmijët dhe ecuri jo e mirë në shkollë
3. Inflamacion në gjuhë
4. Probleme në temperaturën e trupit
5. Sistem të dobët imunitar

Frutat e pasura me hekur

1. Domatet e thara

A e dinit se 100 gramë domate të thara në diell përmbajnë deri në 9.1 mg hekur? Doza e rekomanduar ditore e hekurit për të rriturit është 18 miligram, ndërsa për fëmijët është 10 miligram.

Kjo do të thotë që domatet e thara në diell ofrojnë më shumë se 50% të dozës ditore të hekurit. Për fat të mirë vetë domatja në përgjithësi- e freskët apo edhe e gatuar- është një burim i pasur hekuri.

Megjithëse të gjithë i njohim si perime, domatet klasifikohen si frut botanikisht.

2. Kajsi të thara

Kajsitë e thara janë të shijshme dhe një burim i pasur hekuri dhe antioksidantësh që promovojnë bukuri, shëndet dhe vitalitet tek të rinjtë dhe të moshuarit.

Në 100 gramë kajsi të thara do të gjeni më shumë se 50 përqind të dozës ditore të hekurit.

Kajsitë e freskëta shuajnë etjen, por ato të thata janë mënyra më e mirë dhe më e lirë për t’i ofruar organizmit hekurin e nevojshëm gjatë gjithë vitit. Ato mund të ruhen për muaj të tërë.

Kajsitë janë të pasura me fibër, që do të thotë se sheqeri që ato përmbajnë çlirohet gradualisht në gjak dhe ndihmon në mbajtjen e një niveli të ekuilibruar të sheqerit në gjak.

3. Rrushi i thatë

Këto fruta të thata mund të duken të zakonshme, por në të vërtetë kanë më shumë hekur se shumica e frutave të tjerë. Në një gjysëm filxhani me rrush të thatë do të gjeni 1.6 miligramë hekur.

4. Hurmat e freskëta

Hurmat janë një frut i shkëlqyer për t’u shijuar. Kanë ngjyrë portokalli dhe shpesh ngjajnë me domatet sa i përket vlerave të tyre.

Hurmat janë shumë popullore në Shqipëri ku konsiderohen një frut i mirë falë antioksidantëve, vitaminës C, hekurit dhe ushqyesve të tjerë që përmbajnë.

5. Manat

Manat i gjejmë në tre ngjyra: të kuqe, të bardha dhe të zeza. Ato konsiderohen si super fruta të dobishme për diabetikët dhe jo vetëm.

Ato janë të pasura me hekur që i bën një zgjedhje të shkëlqyer për njerëzit që vuajnë nga anemia dhe ata që duan të rrisin nivelet e hemoglobinës. Në çdo 100 gramë mana do të gjeni 1.8 miligramë hekur.

6. Hurmat e Arabisë

Ato janë të ëmbla, plot energji dhe vlera ushqimore. Hurmat e Arabisë nuk kanë kolesterol dhe kanë pak yndyrna.

Janë tepër të rekomandueshme për femrat shtatzënë dhe për ato që janë në prag të lindjes sepse i japin asaj shumë forcë dhe qëndresë.

Hurmat e Arabisë janë një burim i çmuar hekuri që rrit nivelet e hemoglobinës në gjak. Në 250 gramë hurma arabie do të gjeni 3 miligramë hekur.

Mjekët sugjerojnë që njerëzit që vuajnë nga diabeti duhet të shmangin këto fruta të veçanta.

7. Boronicat

Në botë do të gjeni disa lloje boronicash, por më të zakonshmet janë ato që përdoren për përgatitjen e reçelit dhe marmelatës.

Këto fruta të vogla nuk duhen nënvlerësuar sepse janë të pasur me hekur. Në 100 gramë boronica ndodhen 1 miligram hekur.

8. Kumbullat e thata

Kumbullat e thara në mënyrë natyrale në diell ose ndryshe të “dehidratuara” kanë një ngjyrë të errët dhe lëkurë të rrudhosur. E megjitatë në 100 gramë kumbulla të thata gjenden 9% të dozës së rekomanduar ditore të hekurit.

9. Shega

Në shumë vende të botës, shega është fruti më i rekomanduar për të gjitha sëmundjet që kanë lidhje me gjakun, përfshirë aneminë ose pamjaftueshmërinë e hekurit.

Shega është një nga ushqimet më të lashta në botë. Ajo është e këshillueshme për të rritur pjellorinë tek njerëzit.

Disa prej përbërësve të shegës janë të dobishëm për zemrën dhe enët e gjakut.

Shega lufton depresionin dhe është një frut i rëndësishëm edhe nëse nuk vuani nga mungesa e hekurit.

10. Perimet e gjelbra

Perimet e gjelbra, lakërishtet dhe barishtet mbeten një zgjidhje e pazëvendësueshme për shtimin e niveleve të hekurit në organizëm. Mos i neglizhoni por përdorini sa më shpesh.

Vendi

OEK lëshon certifikatën e parë “Made in Kosova”, përfituese kompania FLUIDI Group

Published

on

Oda Ekonomike e Kosovës ka lëshuar certifikatën e parë të origjinës “Made in Kosova”, sipas standardeve ndërkombëtare, pas pranimit në Rrjetin Ndërkombëtar të Dhomave të Tregtisë (ICC) për lëshimin e Certifikatave të Origjinës.

Certifikata e parë i është lëshuar kompanisë FLUIDI Group, ndërsa dokumenti u është dorëzuar përfaqësuesve të kompanisë nga kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, dhe zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Jeton Mehmeti.

Sipas OEK-ut, ky zhvillim paraqet një hap të rëndësishëm për bizneset kosovare, pasi certifikatat “Made in Kosova” të lëshuara sipas standardeve ndërkombëtare rrisin besueshmërinë e dokumentacionit tregtar dhe lehtësojnë procedurat e eksportit në tregjet ndërkombëtare.

Certifikata pritet t’u mundësojë kompanive kosovare një proces më të standardizuar dhe më të besueshëm për dëshmimin e origjinës së produkteve, duke kontribuar në forcimin e pozitës së tyre në tregtinë ndërkombëtare dhe në zgjerimin e eksporteve.

OEK ka vlerësuar se përfshirja në rrjetin ndërkombëtar të ICC-së dhe lëshimi i certifikatave sipas këtyre standardeve përbën avancim të rëndësishëm në shërbimet për bizneset dhe mbështetjen e tyre për qasje më të lehtë në tregjet globale.

Oda Ekonomike e Kosovës ka uruar FLUIDI Group për marrjen e certifikatës së parë “Made in Kosova”, duke i dëshiruar sukses në zgjerimin e aktiviteteve dhe prezencës së saj në tregjet ndërkombëtare./A.K/

Continue Reading

Vendi

KE për hapjen e urës mbi Ibër: Presim konsultime dhe koordinim

Published

on

Komisioni Evropian (KE) tha të martën se pret “koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper, tha në një konferencë për media më 18 gusht se qëndrimi i Bashkimit Evropian (BE) për urën është i qartë.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.

Duke folur për gjendjen aktuale, ajo rikujtoi se ura është e hapur për këmbësorë, por jo ende për qarkullimin e automjeteve.

“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, tha Hipper.

Deklarata e saj vjen pasi misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë.

KFOR-i tha se vendimi lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë, dhe se procesi do të jetë gradual dhe në varësi të kushteve. Ky mision, megjithatë, do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut, si dhe në veri të Kosovës, në përgjithësi.

Ura kryesore mbi Ibër ishte bllokuar pas luftës së vitit 1999 dhe, ndër vite, ka qenë vatër e tensioneve etnike.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për hapjen e urës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Sipas planit të zbatimit, të dakorduar më 2016, ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizimin e saj, në të cilat u investuan rreth 1.5 milion euro, përfunduan më 2018. Megjithatë, ura nuk u hap asnjëherë për automjete.

Në vitin 2024, përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj nxitën kundërshtime nga serbët lokalë, dhe kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare që çdo veprim të bëhej përmes koordinimit./REL/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Murati: Buxheti për komunat në vitin 2027 do të arrijë në 907 milionë euro

Published

on

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se buxheti i ndarë për komunat e Kosovës pritet të rritet në 907 milionë euro në vitin 2027.

Murati ka njoftuar se Ministria e Financave javën e kaluar ka lëshuar qarkoren e dytë buxhetore për komunat, përmes së cilës përcaktohen kufijtë buxhetorë për secilën komunë.

Sipas tij, rritja e buxhetit komunal është mundësuar nga rritja e të hyrave buxhetore.

“Falë performancës së jashtëzakonshme të të hyrave buxhetore përgjatë viteve të fundit, është krijuar hapësira fiskale për rritje të vazhdueshme të buxhetit që u ndahet komunave”, ka shkruar Murati.

Ai ka krahasuar nivelin e buxhetit komunal me atë të vitit 2021, duke theksuar se atëherë komunat kishin në dispozicion 546 milionë euro.

“Nga 546 milionë euro sa e kishim gjetur në vitin 2021, buxheti i ndarë për komunat do të shkojë në 907 milionë euro në vitin 2027”, ka deklaruar Murati.

Rritja e paralajmëruar për vitin e ardhshëm përfaqëson një shtesë prej rreth 361 milionë eurosh krahasuar me nivelin e vitit 2021. /A.K/

Continue Reading

lajme

UBT akreditohet nga Federata Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (FIMS)

Published

on

By

UBT forcon edhe më tej pozitën ndërkombëtare në sport dhe shëndetësi. Instituti i Mjekësisë Sportive (ISM) në UBT është pranuar zyrtarisht nga Federata Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (FIMS) si Collaborating Centre of Sports Medicine, duke e bërë pjesë të rrjetit global të institucioneve të specializuara në këtë fushë.

Kjo njohje i hap UBT-së mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar, kërkim shkencor, shkëmbim të përvojave dhe zhvillim profesional, duke sjellë më afër Kosovës ekspertizën dhe praktikat bashkëkohore të mjekësisë sportive.

Përfshirja në rrjetin e FIMS është pjesë e vizionit të UBT-së për të ndërtuar një ekosistem ku sporti, shëndetësia, edukimi dhe shkenca janë të integruara. Në këtë ekosistem, një rol të rëndësishëm ka edhe Fakulteti i Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes, duke lidhur përgatitjen akademike me performancën sportive, rehabilitimin dhe mjekësinë sportive.

Për të rinjtë nga Kosova dhe rajoni, kjo do të thotë më shumë mundësi për të mësuar, bashkëpunuar dhe zhvilluar karrierën në një fushë që po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në botë.

Kjo arritje i bashkohet edhe aktiviteteve të tjera të UBT-së në këtë fushë, përfshirë Konferencën Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive, e cila këtë vit zhvillohet për herë të dytë, në muajin tetor, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Continue Reading

Të kërkuara