Lajmet
Frika nga shprehja e lirë brenda komunitetit serb
Ai shton se serbët e Kosovës, të cilët duan të punësohen, janë si “mumie”, gjegjësisht nuk guxojnë të shprehin opinionet e tyre në publik.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiSerbët në Kosovë nuk guxojnë që t’i shfaqin publikisht qëndrimet e tyre politike, sepse mund të ballafaqohen me pasoja të ndryshme, thotë një banor nga territori i Komunës së Graçanicës, e cila është e banuar me shumicë serbe. Ai pranoi të flasë për Radion Evropa e Lirë. Por, me kërkesën që të mos i zbulohet identiteti, sepse, siç thotë, vetëm në këtë mënyrë mund të jetë i sinqertë dhe të thotë se çfarë mendon.
“Laikët nga jeta politike, rekrutohen për të mbledhur të dhëna sa herë që dikush thotë diçka kundër politikanëve (që janë në pushtet). Ato (informacione) shkojnë në mënyrë të shpejtë, më shpejt se me telegraf”, thotë ky bashkëbisedues i Radios Evropa e Lirë, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë.
“Ata tashmë janë shndërruar në skllevër”
Ai shton se serbët e Kosovës, të cilët duan të punësohen, janë si “mumie”, gjegjësisht nuk guxojnë të shprehin opinionet e tyre në publik, në qoftë se janë kritikuese njerëzve që janë në pushtet.
“Ata tashmë janë shndërruar në skllevër. Nuk guxojnë të japin kurrfarë mendimesh apo deklaratash, sepse i dinë pasojat dhe nuk do të mund të marrin çka kërkojnë. Ky është problemi më i madh, të paktën për mua, si serb që jetoj në Kosovë”, thotë qytetari serb.
Ai nuk është fare optimist se mund të ndryshojë diçka në të ardhmen, gjegjësisht që serbët do të mund t’u kundërvihen frikësimeve dhe të fillojnë të publikisht t’i thonë kritikat dhe të flasin për problemet. Situatën aktuale në mesin e komunitetit serb, ai e përshkruan si “të rrezikshme”.
Milliqeviq: Presioni politik ndaj oponentëve, është bartur te qytetarët
Në një hulumtim të organizatës joqeveritare “Aktiv”, të publikuar së fundmi, me titull “Analiza e trendit’ që për qëllim hulumtimi kishte qëndrimet e komunitetit serb në komunat në veri dhe jug të Kosovës, ndër të dhënat del se në mesin e 540 pyetësorëve “70 për qind e të anketuarve theksojnë se nuk ndihen të lirë të shprehin publikisht pikëpamjet e tyre politike”.
Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i kësaj organizate, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë vlerëson se vrasja e politikanit serb nga Mitrovica e Veriut, Olliver Ivanoviq, ka ndikuar te qytetarët që të mos i shprehin lirshëm qëndrimet e tyre.
Hulumtimi i kryer në vitin 2018, kur Ivanoviq ishte vrarë, ka treguar se 78 për qind e serbëve që jetojnë në Kosovë, nuk guxojnë që publikisht t’i shprehin qëndrimet e tyre politike.
Olliver Ivanoviq, lider i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” është vrarë pas shpinës nga të shtënat me armë të zjarrit, tre vjet më parë, para ndërtesës së subjektit të tij politik.
Pak para vrasjes së Ivanoviqit, kundër tij ishte zhvilluar një fushatë, para zgjedhjeve lokale të vitit 2017. Gjatë fushatës zgjedhore për ato zgjedhje lokale, për shkak të frikësimit të serbëve në veri të Kosovës, katër kandidatë ishin tërhequr nga lista e tij, ndërkaq Ivanoviqit i ishte djegur edhe vetura.
Miodrag Milliqeviq thotë se edhe hulumtimet e sivjetshme tregojnë se përqindja e atyre që nuk ndihen të lirë të shprehin publikisht pikëpamjet e tyre politike ende mbetet shumë e lartë. Shkak për këtë, sipas tij, është se gjatë viteve të fundit, kundërshtarët e ndryshëm politikë u janë nënshtruar presioneve të ndryshme mediale, të cilat kanë qenë të orientuara drejt tyre.
“Veçanërisht ka ndodhur gjatë periudhave të fushatave zgjedhore. Konkretisht, të gjithë ata që janë parë në një mënyrë si oponentë politikë, i janë nënshtruar presionit të medieve për arsye të ndryshme. Se a ka qenë kjo formë e luftës politike apo e presionit politik… por, kryesisht kanë ndodhur gjëra që nuk janë për t’u lavdëruar për atë nivel politik dhe që pastaj, thjesht, e gjithë ajo është bartur te qytetarët e zakonshëm, të cilët e kanë parë këtë si një lloj vështirësie apo pengese, që mund të prodhojë një lloj autocensure, që fatkeqësisht kemi pasur rastin ta shohim”, thotë Milliqeviq.
Partitë opozitare serbe pothuajse nuk ekzistojnë në Kosovë që nga viti 2013, kur është formuar Lista Serbe me mbështetjen e Beogradit. Kjo parti, e afërt me Partinë Progresive Serbe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, merr mbi 90 për qind të votave gati se në të gjitha zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Kosovë.
Ajo ka dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, merr pjesë në punën e Qeverisë dhe e mban pushtetin në të dhjetë komunat me shumicë serbe.
Vorguçiq: Vetëm “për” ose “kundër” Listës Serbe
Isak Vorguçiq, drejtor i Radio Televizionit KIM, vlerëson se përqindja e lartë e atyre që nuk ndihen të lirë të shprehin publikisht pikëpamjet e tyre politike në mesin e komunitetit serb, është si pasojë e faktit që për këtë komunitet nuk ka opsion tjetër politik përveç Listës Serbe.
Ky subjekt politik, i cili u formua në vitin 2013 dhe ka mbështetjen ekskluzive të Beogradit zyrtar, aktualisht ka të dhjetë ulëset e garantuara në Kuvendin e Kosovës, si dhe pushtetin në dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe.
“Kështu që, në qoftë se theksohet ndonjë qëndrim politik, ai mund të jetë vetëm për ose kundër. Kjo e ngushton zgjedhjen dhe para së gjithash është pengesë për ata njerëz që kanë të thonë diçka kundër, sepse ekziston mundësia të ushtrohet ndonjë presion ndaj tyre ose ndaj familjeve të tyre, të cilët janë të punësuar në institucione, të cilat i mbanë Lista Serbe. Për momentin, praktikisht ato janë të gjitha institucionet, qoftë sipas sistemit të Kosovës, qoftë sipas sistemit të Serbisë”, thotë Vorguçiq.
Pluralizmi politik i humbur
Pamundësia për të shprehur mendimin lirshëm dhe publikisht, ndikon mjaft keq te pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, vlerëson Milliqeviq. Pluralizmi politik brenda komunitetit serb, sipas tij, tashmë ka humbur dhe në zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, qoftë parlamentare, qoftë lokale, thuajse nuk ka pasur parti tjetër konkurruese përveç Listës Serbe, e cila është dominuese.
“Lista Serbe, fillimisht ishte menduar që të tubojë të gjithë përfaqësuesit politikë, pavarësisht orientimit politik, në një nismë qytetare siç ishte në vitin 2013, por që sot është parti politike. Thjesht, më vonë, por shumë shpejt, ajo u shndërrua faktikisht në Parti Progresiste Serbe, filial (të presidentit serb Alleksandar Vuçiq), apo filial të saj, por që në Kosovë quhet Listë Serbe”, thekson Milliqeviq.
“Shikohet kush me kë rri dhe pi kafe”
Në anën tjetër, Vorguçiq thekson se në mjediset serbe në pjesën jugore të lumit Ibër, presioni është paksa më i vogël në krahasim me komunat me shumicë serbe në veri të vendit. Siç thotë ai, në veri të vendit nuk mund t’iu shmangesh vështrimeve se kush me kënd del në kafene, kush me kënd po ulet në kafene, kush me kënd po flet dhe të tjera.
“Këtu (në jug të vendit), atmosfera e përgjithshme është paksa më e ndryshme, por jo tërësisht. Pra, edhe këtu shikohet se kush me kë do të ulet, kush me kë do të flasë. Pra, e dhe këto ndahen sipas linjës së simpatisë ose antipatisë ndaj Listës Serbe”, tha Vorguçiq.
Në zgjedhjete fundit lokale në Kosovë, Lista Serbe nuk arriti të fitojë në raundin e parë vetëm në Kllokot, komunë kjo e banuar me shumicë serbe, prandaj votuesit e kësaj komune, në rundin e dytë, është dashur të zgjedhin se kë të votojnë: Vlladan Bogdanoviqin nga Lista Serbe ose Strahinja Spasiqin nga Iniciativa qytetare Harmonia Kombëtare Serbe.
Por, vetëm pak ditë para se të votohej në rundin e dytë, Sasha Mirkoviq, kandidati i tretë për kryetar të Komunës së Kllokotit, lider i Iniciativës qytetare Uniteti Kombëtar, i cili nuk arriti të shkojë në rundin e dytë, doli me qëndrimin publik se partia e tij i ishte bashkuar Listës Serbe. Ai u bëri thirrje votuesve të tij, që në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë të mbështesin kandidatin e Listës Serbe, Vlladan Bogdanoviq, i cili më pas, më 14 nëntor, fitoi shumicën e votave përballë Spasiqit./REL
Vendi
LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend
Published
10 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.
Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.
Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.
Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.
Kronikë e zezë
Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë
Published
11 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.
Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.
Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.
Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.
Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.
Vendi
Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt
Published
11 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.
Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.
Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.
Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.
Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.
Lajmet
Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist
Published
14 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.
“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.
Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.
Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.
“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.
Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.
LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend
Rrëzohet një avion luftarak amerikan mbi Iran, nisin kërkimet për pilotët
Emocione të forta,Kenan Yildiz publikon fotografi me Edon Zhegrovën
Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë
Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt
Artemis II nis rrugën drejt Hënës pas ndezjes së motorit final
Ukraina shpreh gatishmëri t’i mbështesë përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit
Arijanet Muric: “Kemi rikthyer shpresën, koha jonë do të vijë”
45 vjet nga demonstratat e vitit 1981, përkujtohet roli i tyre në rrugën drejt lirisë së Kosovës
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Vendi2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
