Lajmet

Francë: Teste droge për zyrtarët e ministrive

Published

on

Franca ka filluar të zbatojë masa të rrepta kundër përdorimit të drogës në administratën shtetërore. Sipas kryeministrit francez, Sébastien Lecornu, masa është e nevojshme për arsye sigurie.

Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, kishte njoftuar disa javë më parë se do të zhvillohen testime të papritura dhe të paparalajmëruara për droga në ministri, një vendim që shkaktoi debat të madh. Tani njoftohet për pushimet e para nga puna.

Sipas agjencisë së lajmeve dpa disa punonjës ministrish janë detyruar të largohen nga detyra pasi rezultatet e testeve të tyre dolën pozitive. Lecornu e konfirmoi këtë në një intervistë për revistën “Paris Match”. “Shumë thonë se e bëra këtë për të dhënë një shembull në Francë. Kjo është e vërtetë. Por mbi të gjitha e bëra për arsye sigurie”, deklaroi Lecornu.

Ai theksoi se shumë prej punonjësve të testuar kanë qasje në informacione jashtëzakonisht të ndjeshme, ndaj përdorimi i drogës përbën rrezik për sigurinë dhe funksionimin e shtetit.

Në mes të muajit qershor Lecornu u kishte dërguar ministrive një qarkore ku urdhëronte teste të detyrueshme dhe të paparalajmëruara të pështymës për zbulimin e përdorimit të drogave. Sipas mediave franceze ai kërkoi që të kontrollohen anëtarët e ministrive, zyrtarët e lartë shtetërorë dhe personeli që u nënshtrohet verifikimeve të sigurisë.

Në qarkore thuhej se, në rast se rezultatet e testeve dalin pozitive, autoritetet përkatëse duhet të shqyrtojnë pasojat e mundshme, përfshirë edhe masa disiplinore ndaj punonjësve.

Shteti duhet të mbetet i besueshëm në luftën kundër drogës

Përveç mbrojtjes së informacioneve të ndjeshme në nivelet më të larta të administratës shtetërore, një arsye tjetër për testet e drogës në qeveri është dëshira që shteti të ruajë besueshmërinë në luftën e tij kundër kriminalitetit të lidhur me drogën.

Siç deklaroi Sébastien Lecornu për revistën “Paris Match” trafiku i drogës përbën “sfidën më të madhe të politikës së brendshme me të cilën vendi ynë po përballet aktualisht dhe do të përballet edhe në vitet e ardhshme”. Ai tha se në Francë ka pothuajse një milion konsumues droge.

“Kjo prek të gjitha shtresat e shoqërisë”, tha Lecornu. Sipas tij, as bota politike nuk është e imunizuar ndaj këtij fenomeni.

Kryeministri francez theksoi se lufta e shtetit kundër drogës mund të mbetet e besueshme vetëm nëse ata që e udhëheqin atë nuk lënë vetë shkak për dyshim. Sipas tij në trajtimin e problemit nuk mund të ketë standarde të dyfishta .

“Nuk mund të dënojmë vrasjet e 16-vjeçarëve në periferitë e qyteteve dhe në të njëjtën kohë të tolerojmë konsumimin e drogës në lagjet e pasura.”

Me këtë qëndrim qeveria franceze synon të japë sinjalin se lufta kundër drogës duhet të zbatohet njësoj për të gjithë, pavarësisht statusit shoqëror apo pozicionit politik.

Kontrollet do të vazhdojnë

Sipas kryeministrit francez Sébastien Lecornu, testet e drogës në qeveri dhe ministri nuk janë një masë e përkohshme apo simbolike. “Testet do të kryhen në mënyrë  rastësore dhe do të vazhdojnë. Nuk kam asnjë dyshim se pasardhësit e mi mund të shkojnë madje edhe më tej”, tha ai.

Kjo do të thotë se kontrollet e paparalajmëruara do të vazhdojnë të mbeten pjesë e mekanizmave të sigurisë në administratën shtetërore franceze me qëllim parandalimin e përdorimit të drogës nga zyrtarët dhe punonjësit që kanë përgjegjësi të rëndësishme.

Ndërkohë ekipet e testimit të drogës shkuan pa paralajmërim edhe në Hôtel de Matignon, selinë e qeverisë franceze. Sipas televizionit TF1, rezultatet e testeve ishin lehtësuese për ekzekutivin francez: kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij rezultuan negativë, pra nuk kishin përdorur drogë.

Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve më të gjera të qeverisë franceze për të forcuar luftën kundër drogës dhe për të garantuar që zyrtarët publikë të përmbushin standardet që shteti kërkon nga qytetarët e tij.

/DW/A.K/

Continue Reading

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara