Botë

Franca përgatitet për samitin e dytë për luftën në Ukrainë

Published

on

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se më 19 shkurt do të mbahet samiti i dytë për luftën në Ukrainë dhe sigurinë evropiane, ku do të marrin pjesë disa shtete evropiane dhe joevropiane, që nuk ishin pjesë e një takimi paraprak në kryeqytetin francez.

Të hënën, në Paris u mbajt një takim urgjent që mblodhi një numër të vogël të shteteve kyç evropiane.

Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, në samitin e 19 shkurtit do të marrin pjesë edhe Kanadaja, Norvegjia, Estonia, Letonia, Lituania, Greqia, Finlanda, Rumania, Suedia dhe Belgjika.

Gjatë samitit të 17 shkurtit që u mbajt në Paris, udhëheqësit evropianë shprehën gatishmërinë e tyre për të ofruar garanci të sigurisë për Ukrainën, por ata paralajmëruan se niveli i këtyre garancive do të bazohet në pjesëmarrjen e Uashingtonit në rast të një marrëveshjeje gjithpërfshirëse të paqes.

Megjithatë, shumë udhëheqës shprehën gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes për Kievin.

Të gatshëm dhe me vullnet”, shkroi në X më 17 shkurt shefi i NATO-s, Mark Rutte.

Ky është medimi im sa i përket takimit në Paris. Evropa është e gatshme dhe ka vullnet që të veprojë. Të udhëheqë në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën. Gati dhe me vullnet që të investojmë më shumë në sigurinë tonë. Për detajet do të duhet të vendoset, por angazhimi është i qartë”, shtoi ai.

Macron pas takimit të së hënës tha se “ne duam të arrijmë një paqe të fuqishme dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.

Për të arritur këtë, Rusia duhet të ndalë agresionin e saj dhe kjo gjë duhet të shoqërohet nga garanci të forta dhe të besueshme të sigurisë për ukrainasit”.

Takimi i ri në Paris do të mbahet një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zhvilluan bisedime në Arabinë Saudite, ku nuk u përfshin qeveritë evropiane apo Kievi.

Mbajtja e këtyre bisedimeve lëkundi raportet mes SHBA-së dhe Evropës, mes shqetësimeve se Uashingtoni mund të arrijë një marrëveshje me Moskën që do të ishte kundër interesave të sigurisë ukrainase dhe evropiane.

Takimi në Riad duket se ka vendosur bazat për bisedimet në të ardhmen mes Uashingtonit dhe Moskës, teksa dy palët janë pajtuar për të dërguar staf në ambasadat respektive, në mënyrë që të krijohen misione për të mbështetur bisedimet e paqes për Ukrainën, raportet dypalëshe dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

Pas takimit në Arabinë Saudite, këshilltari për siguri kombëtare të SHBA-së, Michael Waltz tha se çdo garanci në periudhën e pasluftës duhet të udhëhiqet nga evropianët, duke u bërë jehonë thirrjeve të zyrtarëve amerikanë ndaj aleatëve evropianë që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes dhe duke lavdëruar Britaninë dhe Francën “që po diskutojnë për të kontribuar më me forcë për sigurinë e Ukrainës”.

Ideja e dërgimit të paqeruajtësve evropianë në Ukrainë pas një armëpushimi u vendos në qendër të vëmendjes, pas deklaratave të bëra nga kryeministri britanik, Kier Starmer.

Më 17 shkurt, ai tha për gazetarët se është “i gatshëm ta shqyrtoj angazhimin e forcave britanike në terren së bashku me të tjerët, nëse ka një marrëveshje për paqe të qëndrueshme”.

Megjithatë, ai paralajmëroi se është shumë herët që të jetë specifik për këtë temë, pasi diskutimet për të janë në fazën fillestare.

Starmer ishte pjesë e takimit të 17 shkurtit së bashku me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës, Holandës, Danimarkës, Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe NATO-s.

Por, Macron gjatë një interviste dhënë më 18 shkurt për një gazetë rajonale franceze, tha se Parisi nuk po “përgatitet të dërgojë trupa tokësore në konflikt, në front të luftës” në Ukrainë, por po e shqyrton, së bashku me Britaninë, që të dërgojë “ekspertë, apo edhe trupa, në terma të kufizuar, jashtë çdo zone të konfliktit”./REL/

Botë

​Rusia, Ukraina dhe SHBA do të zhvillojnë bisedime trepalëshe në Abu Dhabi

Published

on

By

Negociatorë rusë, ukrainas dhe amerikanë do të mbajnë bisedime në Emiratet e Bashkuara Arabe të premten, në atë që zyrtarët e përshkruajnë si takimin e parë ku marrin pjesë të tria vendet që kur Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të gjerë, gati katër vjet më parë.

Kremlini konfirmoi se zyrtarë rusë do të marrin pjesë në bisedime, pas një takimi në Moskë mes presidentit Vladimir Putin dhe të dërguarve amerikanë.

Rusia i përshkroi ato bisedime si “të dobishme në çdo aspekt”, por tha se një marrëveshje afatgjatë paqeje nuk mund të arrihet derisa të zgjidhen çështjet territoriale, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi aleatët evropianë për mungesë “vullneti politik” në marrjen e veprimeve kundër Rusisë.

Të pranishëm në takimin e së enjtes mbrëma me Putinin dhe dy këshilltarë të tjerë rusë ishin tre përfaqësues amerikanë, përfshirë Steve Witkoff, si dhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.

Këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, tha se bisedimet ishin “thelbësore, konstruktive dhe shumë të drejtpërdrejta”, por përsëriti se çdo marrëveshje për paqe të qëndrueshme nuk do të ishte e mundur pa zgjidhjen e çështjeve territoriale.

“Derisa kjo të arrihet, Rusia do të vazhdojë të ndjekë në mënyrë të qëndrueshme objektivat e operacionit special ushtarak,” tha ai.

Ushakov shtoi se Putin theksoi se Rusia është “sinqerisht e interesuar” për një zgjidhje diplomatike.

“Pa zgjidhjen e çështjes territoriale sipas formulës së rënë dakord në Anchorage, nuk ka shpresë për të arritur një zgjidhje afatgjatë,” tha ai, duke iu referuar samitit mes Trumpit dhe Putinit në Alaska vitin e kaluar.

Witkoff vitin e kaluar kishte thënë se Rusia kishte rënë dakord të lejonte SHBA-në dhe Evropën t’i jepnin Ukrainës garanci “të fuqishme” sigurie si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Pas takimit me Trumpin në Davos, Zelensky gjithashtu e bëri të qartë se statusi i ardhshëm i territorit në lindje të Ukrainës mbetet çështje e pazgjidhur përpara bisedimeve në Abu Dhabi.

“Gjithçka ka të bëjë me tokën. Kjo është çështja që ende nuk është zgjidhur,” u tha Zelensky gazetarëve në Davos, duke shtuar se “rusët duhet të jenë gati për kompromise, jo vetëm Ukraina”.

Pikat e debatit territorial përfshijnë kërkesën e Rusisë që Ukraina të heqë dorë nga 25% e rajonit të Donetskut që ende kontrollohet nga Kievi.

Zelensky bëri shaka në Davos se shpresonte që Emiratet e Bashkuara Arabe ta dinin për takimin e planifikuar të premten, por si tregues i seriozitetit të bisedimeve ai përmendi disa nga zyrtarët më të lartë si pjesë e ekipit negociator ukrainas.

Kreu i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Rustem Umerov, tashmë po zhvillonte bisedime me zyrtarë amerikanë në Davos, së bashku me Kyrylo Budanov, kreun e zyrës së Zelenskyt, dhe negociatorin David Arakhamia. Ata do t’u bashkohen në Emirate edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Andrii Hnatov.

Nga ana ruse, delegacioni në Abu Dhabi do të udhëhiqet nga gjenerali Igor Kostyukov, drejtori i agjencisë ruse të inteligjencës ushtarake GRU, ndërsa i dërguari për investime, Kirill Dmitriev, do të takohet veçmas me Witkoff për të diskutuar çështje ekonomike.

Continue Reading

Botë

Trump tërheq ftesën e Kanadasë për në ”Bordin e Paqes”

Published

on

By

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka tërhequr një ftesë për Kanadanë për t’u bashkuar me “Bordin e Paqes” të sapokrijuar, në përplasjen e fundit midis fqinjëve të Amerikës së Veriut.

“Ju lutem, lejoni që kjo Letër të shërbejë për të përfaqësuar se Bordi i Paqes po tërheq ftesën e tij drejtuar jush në lidhje me anëtarësimin e Kanadasë”, tha Trump në Truth Social në një postim drejtuar Kryeministrit Mark Carney, i cili bëri bujë këtë javë kur paralajmëroi për një “çarje” në rendin global të udhëhequr nga ShBA-ja.

Kanadaja kishte lënë të kuptohet se, ndërsa nuk do të paguante të ishte në bord, do të bashkohej.

Ndërkohë, shefi i BE-së, Antonio Costa, tha se udhëheqësit evropianë kanë dyshime serioze në lidhje me fushëveprimin e bordit, por ishin të gatshëm të punonin me organin në Gaza.

Continue Reading

Botë

Trump arrin në Zvicër për Forumin e Davosit

Published

on

By

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka arritur në Zvicër ku do t’i adresohet Forumit Ekonomik të Davosit, në një kohë të tensioneve me udhëheqësit evropianë për shkak të synimit të Uashingtonit për të marrë kontrollin e Grenlandës.

Trump udhëtoi më herët gjatë ditës drejt Zvicrës, pasi paraprakisht aeroplani presidencial u kthye pak pas nisjes, për shkak të problemeve. Më pas, Trump dhe ekipi i tij ndërruan aeroplanë dhe u nisën rreth dy orë e gjysmë më vonë drejt Zvicrës.

Aeroplani ateroi në Cyrih në mesditë dhe udhëheqësi amerikan tani niset drejt Davosit.

Continue Reading

Botë

Spanja shpall tri ditë zie, teksa rritet numri i viktimave nga përplasja e trenave

Published

on

By

Nga e marta, për tri ditë rresht në Spanjë është shpallur ditë zie, në nderim të 40 personave që u vranë pasi dy trena të shpejtë u përplasën gjatë fundjavës.

Përplasja e trenave, që ndodhi të dielën mbrëma, është aksidenti më vdekjeprurës në Spanjë që nga viti 2013, kur 80 persona vdiqën pasi një tren doli nga shinat në qytetin Santiago de Kompostela.

Aksidenti i fundit ndodhi kur një tren që po operohej nga kompania Iryo, që po udhëtonte nga Malaga për në Madrid, doli nga shinat afër Adamuzit në rajonin jugor të Andaluzisë. Treni doli në anën tjetër të shinave dhe u përplas me një tren që po vinte nga drejtimi i kundërt.

“Kjo është një ditë e dhimbjes për gjithë Spanjën, për gjithë kombin”, tha kryeministri Petro Sanchez, gjatë një adresimi për gazetarë kur qëndroi në Adamuz të hënën dhe njoftoi për shpalljen e tri ditëve të zisë.

“Ne do të marrim përgjigje dhe sapo të kuptohet shkaku i tragjedisë dhe ne do të njoftojmë për të me transparencë absolute”.

Continue Reading

Të kërkuara