Lajmet

​Forbes: Lufta në Ukrainë shkaktoi një kolaps serioz demografik të Rusisë

Published

on

Një dokument i Ministrisë së Mbrojtjes Ruse ka zbuluar se humbjet totale ruse në Ukrainë në vitin 2025 tejkalojnë 281.550, përfshirë viktimat dhe të plagosurit.

Ky informacion u publikua nga një organizatë joqeveritare ukrainase, ndërsa vlerësimet e pavarura nga Meduza dhe Shërbimi rus i BBC flasin për 219 mijë viktima në të njëjtin vit.

Këto të dhëna, megjithëse të ndryshme, konfirmojnë se pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka vazhduar për gati katër vjet, pati pasoja shkatërruese edhe për vetë Rusinë, shkruan Forbes.

Rusia po vuan humbje të mëdha materiale dhe financiare, pasi dy të tretat e forcës së saj të tankeve para luftës janë shkatërruar, pothuajse gjysma e flotës së saj të Detit të Zi është fundosur ose dëmtuar, dhe sanksionet ndërkombëtare kanë shkaktuar humbje me vlerë qindra miliarda dollarë.

Ushtria ruse dhe demografia e vendit kanë pësuar goditjen më të rëndë, ku sipas The Guardian, Rusia ka pësuar mbi një milion viktima që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022, një shifër e konfirmuar në mënyrë të pavarur nga ministritë e mbrojtjes britanike dhe amerikane.

Raporti thotë se vdekjet ruse vlerësohen të jenë pesë herë më të larta se numri i përgjithshëm i vdekjeve në të gjitha luftërat sovjetike dhe ruse që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Një studim nga Mediazona, Meduza dhe Shërbimi rus i BBC zbuloi se burrat e moshës 30 deri në 39-vjeç ishin më të prekur nga lufta, dhe 12 gjeneralë ishin midis gati 6 mijë oficerëve të vrarë.

Për të tërhequr ushtarë të rinj, qeveria ruse po ofron bonuse nënshkrimi prej 4.970 dollarësh, një pagë mujore prej 2.500 dollarësh, pothuajse dyfishi i mesatares kombëtare, dhe një pagesë të njëhershme prej 158.000 dollarësh për familjet e viktimave.

Kriza demografike është thelluar më tej nga emigrimi ku që nga fillimi i pushtimit, pothuajse një milion rusë, kryesisht të rinj të arsimuar, janë larguar nga vendi, sipas Universitetit Stanford.

Vala e parë përbëhej nga kundërshtarë të luftës, të cilët u vendosën në vendet fqinje si Gjeorgjia dhe Kazakistani, ndërsa e dyta pasoi njoftimin e mobilizimit të pjesshëm në shtator 2022.

Përveç viktimave dhe eksodit të popullsisë, Rusia po përballet gjithashtu me një rënie të shkallës së lindjeve dhe një rritje të shkallës së vdekshmërisë.

Sipas një raporti nga Carnegie Endowment, njerëzit mbi 65-vjeç përbëjnë mbi 18 për qind të popullsisë, një rekord historik që po ushtron presion të madh mbi sistemet e pensioneve dhe kujdesit shëndetësor.

Popullsia e Rusisë ra nga 147 milionë në vitin 2021, në 144 milionë në vitin 2025. /S.K/KP/

Continue Reading

lajme

Llapi përmbys Malishevën në udhëtim dhe merr fitoren e tretë radhazi në Superligë

Published

on

By

Llapi ka shënuar një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Malishevës me rezultat 3-2, në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina arriti të përmbyste disavantazhin e pjesës së parë në stadiumin “Liman Gegaj”, duke regjistruar kështu fitoren e tretë radhazi në kampionat.

Pjesa e parë u dominua nga vendasit, të cilët kaluan të parët në epërsi në minutën e 23-të me golin e Xhemal Ibishit. Megjithatë, reagimi i mysafirëve ishte i menjëhershëm, pasi Fiton Ademi barazoi shifrat në 1-1 pas vetëm dy minutash lojë.

Malisheva arriti të rikthente epërsinë në minutën e 40-të përmes Kreshnik Ukës, duke shkuar në pushim me rezultatin 2-1.

Në pjesën e dytë, Llapi rriti ritmin e lojës dhe krijoi më shumë raste, duke arritur ta kthejë rezultatin në favorin e tij. Fillimisht, Fiton Ademi shënoi golin e tij të dytë personal në minutën e 61-të për 2-2, ndërsa goli i fitores erdhi në minutën e 82-të nga Pjero Skaric, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 3-2.

Pas kësaj fitoreje, Llapi ngjitet në pozitën e tetë në tabelë me 14 pikë të grumbulluara, ndërsa Malisheva mbetet në vendin e dytë me 30 pikë. Në xhiron e radhës, Llapi e pret në shtëpi Drenicën, kurse Malisheva luan në udhëtim ndaj Ballkanit. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kurti në Samitin e Tiranës: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat, mosveprimi i BE-së dëmton besimin

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e negociatave për anëtarësim, duke paralajmëruar se zvarritja e mëtejshme rrezikon ta dëmtojë besimin e qytetarëve në perspektivën evropiane.

Gjatë fjalimit të tij në Samitin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur të enjten në Tiranë, Kurti kujtoi se Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që ende nuk e gëzon këtë status, ndonëse muajin e ardhshëm mbushen katër vjet nga dorëzimi i aplikimit për anëtarësim. Ai kërkoi nga Këshilli i Bashkimit Evropian që t’i japë mandat Komisionit Evropian për përgatitjen e opinionit mbi aplikimin e Kosovës.

“Një proces i bazuar në merita duhet të na japë mundësinë të vlerësohemi; përndryshe, një histori e përparimit demokratik rrezikon të shndërrohet në një tregim paralajmërues. Statusi i kandidatit dhe hapja e negociatave të anëtarësimit – një hap që Kosova e ka fituar me meritë”, deklaroi Kurti.

Ai vlerësoi se mbështetja e qytetarëve të Kosovës për integrimin evropian është ndër më të lartat në rajon, çka e bën urgjent avancimin në këtë proces. Duke u ndalur te treguesit ekonomikë dhe demokratikë, kryeministri përmendi rritjen ekonomike prej 4.7 për qind në gjysmën e parë të këtij viti, shtimin e investimeve private, si dhe uljen e shkallës së papunësisë nga 26 në 11 për qind.

Sa i përket zbatimit të Planit të Rritjes, Kurti tha se pas një periudhe ngadalësimi që i kushtoi vendit humbjen e miliona eurove për shkak të zgjedhjeve të përsëritura, Kosova ka rifituar stabilitetin institucional dhe ka përshpejtuar reformat. Ai veçoi gjithashtu hapat drejt integrimit gradual, si lehtësimi i procedurave kufitare, aplikimi në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe lansimi i portofolit digjital.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, kreu i ekzekutivit kritikoi bllokadat e Serbisë ndaj integrimit ekonomik, përfshirë mosnjohjen e diplomave dhe pengesat në zbatimin e marrëveshjeve të CEFTA-s. Ai kërkoi nga BE-ja që mbështetja financiare të ndahet mbi bazën e rezultateve dhe zbatimit të marrëveshjeve.

Në përmbyllje, Kurti paralajmëroi për rreziqet e luftës hibride ruse në Evropë, duke theksuar se integrimi ekonomik është tashmë një çështje e drejtpërdrejtë sigurie dhe se Kosova është e gatshme të kontribuojë në përpjekjet evropiane për sigurinë, energjinë dhe ndërlidhjen rajonale./E.A/

Continue Reading

Vendi

Klubet e Ligës Premier kërkojnë shitjen e detyruar të Manchester Cityt pas shkeljeve financiare

Published

on

By

Pronarët e Manchester Cityt duhet të detyrohen ta shesin klubin si ndëshkim për shkeljen e rregullave financiare, vlerësojnë figurat kryesore të disa klubeve të Ligës Premier, raporton transmetuesi publik britanik BBC.

Drejtues të klubeve nga tri kategoritë e para të futbollit anglez kanë deklaruar se një masë e tillë do të ishte e duhura, pasi Manchester City u shpall fajtor për shkelje të rregulloreve financiare të Ligës Premier në periudhën 2009–2018, si dhe për mosbashkëpunim me hetimin.

Paneli i pavarur ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar për sanksionet, të cilat mund të përfshijnë gjoba financiare, zbritje pikësh, heqjen e titujve të fituar më parë, apo edhe përjashtimin nga liga. Nga ana tjetër, klubi anglez i ka mohuar akuzat dhe e ka apeluar vendimin.

Një nga drejtuesit, duke folur në kushte anonimiteti për BBC, u shpreh se bën pjesë në një grup klubesh që besojnë se çdo dënim tjetër do të ishte i pakuptimtë nëse pronarët aktualë nuk detyrohen të largohen. Sipas tij, një ndëshkim më i lehtë do të ngrinte pikëpyetje mbi arsyen se pse klubet financojnë Autoritetin e Pavarur Rregullator të Futbollit (IFR).

Një drejtues tjetër theksoi se këto shkelje kanë dëmtuar rëndë besueshmërinë e Ligës Premier dhe se klubet e tjera nuk do të mund ta kalojnë këtë skandal nëse pronarëve aktualë u lejohet të mbeten në krye të Cityt.

Manchester City u shpall fajtor për rritje artificiale të të ardhurave dhe fshehje të humbjeve në vlerë prej mbi një miliard eurosh përmes kontratave fiktive tregtare. Klubi është në pronësi të kompanisë private të investimeve Abu Dhabi United Group, e udhëhequr nga Sheikh Mansour, Zëvendëspresident dhe Zëvendëskryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Real Madridi vazhdon kontratën me Brahim Diaz deri në vitin 2031

Published

on

By

Klubi spanjoll Real Madrid ka konfirmuar zyrtarisht rinovimin e kontratës me sulmuesin maroken Brahim Diaz, duke e mbajtur atë në “Santiago Bernabéu” deri në verën e vitit 2031.

Me kontratën e mëparshme që i skadonte verën e ardhshme, 27-vjeçari ka vendosur të vazhdojë të ardhmen e tij afatgjatë te klubi madrilen, pjesë e të cilit është që nga viti 2019.

“Real Madrid CF dhe Brahim Diaz kanë rënë dakord të zgjasin kontratën e lojtarit tonë, i cili tani është i lidhur me klubin deri më 30 qershor 2031”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

Me këtë hap, Diaz ndjek rrugën e bashkëlojtarëve të tij, Arda Güler dhe Aurélien Tchouaméni, të cilët po ashtu kanë nënshkruar marrëveshje të reja me klubin gjatë javëve të fundit.

Ndonëse e ardhmja e tij ishte e pasigurt gjatë verës së kaluar, trajneri José Mourinho bllokoi largimin e tij nga skuadra. Këtë sezon, sulmuesi maroken ka regjistruar katër asistime në 10 paraqitje, duke e nisur ndeshjen si titullar vetëm një herë.

Kujtojmë se Brahim Diaz shkëlqeu në Kupën e Kombeve të Afrikës (AFCON 2025), ku u shpall golashënuesi më i mirë i turneut me pesë gola të shënuar, duke e ndihmuar përfaqësuesen e Marokut të renditej në vendin e dytë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara