Lajmet

FOL: Qeveria realizoi vetëm 33% të Planit për Zhvillim, tri ministri nuk u përgjigjën për monitorim

Published

on

Lëvizja FOL ka publikuar të dhënat nga monitorimi i zbatimit të aktiviteteve të parapara nga Qeveria në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, për periudhën e parë gjashtë mujore të këtij viti.

Të gjeturat nga ky monitorim sugjerojnë se Qeveria e Kosovës, nga 147 aktivitete të parapara për t’u realizuar në këtë periudhë, ka realizuar vetëm 33% prej tyre, ndërsa 40% e aktiviteteve kanë mbetur të parealizuara.

Drejtoresha e FOL, Mexhide Demolli, ka thënë se për 27% të aktiviteteve kanë munguar të dhënat sepse nuk kanë marrë përgjigje nga tri ministri, ajo e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Për këtë, Demolli ka bërë të ditur se FOL ka bërë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe se janë në pritje të “realizimit të së drejtës tonë për të pasur qasje në këto të dhëna”.

“Qeveria e Kosovës nga 147 aktivitete të parapara t’i realizojë gjatë periudhës janar-qershor 2024 ka arritur t’i realizojë vetëm 49 prej tyre apo 33%. Ndërkaq, 59 aktivitete apo 40% e tyre kanë mbetur të parealizuara”.

“Ndërsa, për 39 aktivitete apo 27%, që i bie totali për tri ministri, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lëvizja FOL nuk ka marrë përgjigje se sa janë realizuar këto aktivitete për periudhën e paraparë gjashtë mujore të këtij viti. Kemi bërë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe jemi në pritje të realizimit të së drejtës tonë për të pasur qasje në këto të dhëna”.

“Përveç tri ministrive që nuk janë përgjigjur, i kemi edhe katër ministri që nuk kanë pasur asnjë aktivitet të planifikuar për periudhën e parë të këtij viti, të cilat janë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Shëndetësisë, Ministria për Komunitete dhe Kthim. Këto ministri, realizimin e aktiviteteve të tyre për Planin Kombëtar e kanë paraparë që ta bëjnë një herë në vit. Nga ajo që kemi mësuar nga gjithë këto vite monitorim është se kjo bëhet për t’i ikur pak raportimit”, ka thënë Demolli.

Ndërsa, monitoruesja Burbuqe Kastrati, bëri të ditur se për periudhën e njëjtë në vitin 2022 janë realizuar 947 aktivitete më shumë se në vitin 2024.

“Mirëpo për dallim nga gjashtëmujori i parë i vitit 2022 ku kanë qenë të planifikuara 2077 aktivitete, në vitin 2024 kanë qenë vetëm 147, pra 1930 aktivitete më pak se në vitin 2022. Gjithashtu për periudhën e njëjtë në vitin 2022 janë realizuar 947 aktivitete më shumë se në vitin 2024. Nga të dhënat e më sipërme del se puna e Qeverisë ka pësuar rënie në zbatimin e këtij plani në tri vitet e fundit”, ka thënë ajo.

Sipas rezultateve të nxjerra nga FOL, zbatimi i këtij plani është bërë 81 për qind nga Zyra e Kryeministrit, 60 për qind nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe 39 nga Ministria e Drejtësisë.

Ndërkaq, me 0 për qind të shkallës së zbatimit të këtij plani ishin Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Administrimit dhe Pushtetit Lokal./UBTNews/

Vendi

Probleme globale me Microsoft: Pa qasje në Outlook edhe në Kosovë

Published

on

By

Si pasojë e problemeve të mëdha teknike që kanë prekur shërbimet e Microsoft në nivel global, edhe në Kosovë nuk ka qasje në platformën e postës elektronike Outlook.

Ndërprerja ka pamundësuar hapjen e emaileve dhe ka shkaktuar vështirësi në komunikimet zyrtare dhe punën e përditshme, njëjtë sikurse në shumë vende të tjera të botës.

Ekipet teknike të kompanisë janë duke punuar për identifikimin dhe rregullimin e defektit, ndërsa ende nuk ka një afat të saktë se kur do të rikthehet funksionaliteti i plotë i shërbimeve. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kurti takon kryeministrin britanik Burnham në Dublin: Thellojmë partneritetin dhe bashkëpunimin

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, në përmbyllje të punimeve të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Dublin.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Kurti e ka vlerësuar Mbretërinë e Bashkuar si një partnere dhe aleate të posaçme të Republikës së Kosovës, duke shprehur synimin e Qeverisë për të avancuar më tej raportet bilaterale.

“Jemi mirënjohës e falënderues për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të saj, teksa synojmë e angazhohemi për thellimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit”, ka deklaruar kryeministri Kurti. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shawn Mendes reagon ashpër për situatën në Gaza: “Po ndodh një gjenocid para syve tanë, artistët të flasin”

Published

on

By

Këngëtari i njohur kanadez, Shawn Mendes, ka publikuar një mesazh të fuqishëm në rrjetet sociale në mbështetje të Palestinës, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të vrasjeve në Gaza dhe duke u kërkuar kolegëve të tij artistë që të mos heshtin.

Përmes një deklarate të shkruar, artisti 28-vjeçar e ka cilësuar situatën aktuale si gjenocid, duke theksuar se fëmijët dhe familjet palestineze kanë vuajtur tepër gjatë dhe kanë nevojë urgjente për ndihmë. Mendes ka bërë të ditur se është duke u informuar vazhdimisht për të kuptuar se si mund të kontribuojë dhe se tashmë ka dhuruar donacione për disa organizata humanitare, duke ftuar edhe ndjekësit e tij të veprojnë njëjtë.

“Miqtë e mi dhe kolegë artistë, e di që mund të duket e frikshme të flasësh hapur; e ndiej edhe unë tani teksa e shkruaj këtë… Por ndiej nevojën të bëj diçka për të ndihmuar. Sa më shumë prej nesh ta përdorin zërin, aq më afër ndryshimit jemi. Këta fëmijë në Palestinë janë detyruar të jenë trima për një kohë të gjatë. Tani është radha jonë të bëjmë të njëjtën gjë”, ka shkruar Mendes.

Në mbyllje të reagimit të tij, këngëtari ka bërë thirrje që të normalizohet ngritja e zërit në mbrojtje të atyre që vuajnë nga shtypja, duke listuar gjashtë hapa konkretë veprimi: dhuroni, edukohuni, inkurajoni, sfidoni, mbani përgjegjës ata që janë në pushtet dhe votoni. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Rrëfimi për luftën e UÇK-së mbush sallat me filmin “Sakrifica”

Published

on

By

Filmi vendor “Sakrifica”, me regji të Halil dhe Merita Budakovës, po vazhdon të tërheqë vëmendje të madhe dhe fluks të lartë shikuesish në Cineplexx Prishtina, pas premierës së tij të mbajtur dy ditë më parë.

Duke trajtuar një temë të ndjeshme të historisë së Kosovës, realizimi kinematografik ka arritur të prekë publikun që nga nata e parë e shfaqjes, ku biletat u shitën me ritme të jashtëzakonshme.

“Sakrifica” sjell në ekranin e madh historinë e pesë vëllezërve, të cilët gjatë viteve 1997–1999 marrin vendimin t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë pas familjen dhe gjithçka që kanë për të luftuar për lirinë e vendit.

Për shkak të kërkesave të vazhdueshme dhe interesimit të lartë për ta parë këtë histori të guximit dhe atdhedashurisë, adhuruesit e filmit ftohen t’i sigurojnë me kohë biletat përmes platformës zyrtare të Cineplexx-it ose në arkat e kinemasë në Albi Mall. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara