Sport

​Foda: Kemi avancuar si kombëtare, ndaj Islandës do ta shohim këtë

Published

on

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka bërë një përmbledhje të detajuar të vitit të tij të parë në krye të Dardanëve, duke dhënë opinionin e tij mbi progresin e skuadrës, afrimin e lojtarëve të rinj dhe pritshmëritë për sfidat e ardhshme.

Në një intervistë për faqen zyrtare të FFK-së, Foda shpreh kënaqësinë për arritjet e ekipit gjatë vitit 2024 dhe optimizmin për ndeshjen kundër Islandës në mars 2025, që mund të ngrejë Kosovën në Ligën B të UEFA Nations League. Po ashtu, Foda ka ndarë përshtypjet e tij edhe mbi kampin stërvitor të organizuar për talentet premtuese të së ardhmes dhe rëndësinë e mbështetjes së tyre për zhvillimin e ekipit kombëtar.

“Në përgjithësi, mund të jemi shumë të kënaqur me vitin 2024. Ekipi është zhvilluar jashtëzakonisht mirë gjatë dhjetë muajve të fundit. Tani kemi një dinamikë të shkëlqyer, konkurrencë të fortë brenda grupit dhe mbi të gjitha, një frymë të madhe ekipi. Tani, thjesht duhet të vazhdojmë këtë progres në vitin 2025. Jam shumë i sigurt se në ndeshjet e ardhshme kundër Islandës, do të performojmë mirë edhe atje”, ka thënë fillimisht Foda.

Ai ka shtuar se lojtarët e rinjë kanë sjellë enegji shumë positive te Dardanët.

“Çdo trajner është i lumtur kur ka lojtarë të rinj që sjellin energji të freskët në ekip. Siç e përmenda më parë, tani kemi konkurrencë të fortë brenda skuadrës, gjë që është shumë e dobishme për ekipin. Besoj fort se këta lojtarë i kanë dhënë ekipit një impuls të ri, siç u tregua qartë në ndeshjet e fundit”, ka shtuar ai.

“Megjithatë, mendoj se jemi pak të zhgënjyer që përfunduam vetëm të dytët në grupin tonë, veçanërisht pasi ndeshja e fundit në Rumani tregoi se ishte e mundur më shumë në këtë grup. Islanda ka një ekip shumë dinamik dhe atletik. Shumë prej lojtarëve të tyre luajnë në liga të forta jashtë vendit. Megjithatë, nëse mund të ndërtojmë mbi performancat e vitit 2024, veçanërisht nëse luajmë si në ndeshjen e fundit jashtë fushe në Rumani, atëherë kemi shanse shumë të mira të përballemi me Islandën dhe, mbi të gjitha, të ngjitemi në Ligën B”, vijoi Foda.

Kreu u Kombëtares së Kosovës ka folur edhe për kampin stërvitor që zgjati katër ditë dhe u shikuan lojtarët e rinj që potencialisht mund të luajnë për Kosovën në të ardhmen.

“Për ekipin tim të trajnerëve dhe për mua, ishte e rëndësishme të njihnim personalisht lojtarët më të mirë ose talentet e reja më premtuese që mund të jenë të përshtatshëm për ekipin kombëtar të Kosovës në të ardhmen. Donim të shikonim më nga afër aftësitë e tyre atletike këtu në vend. Gjithashtu, donim të kishim biseda me ta. Dhe besoj se seancat stërvitore gjatë ditëve të fundit ishin shumë, shumë të mira. Kishim intensitet të mirë në stërvitje. Lojtarët janë të gjithë shumë të etur për të mësuar, shumë kuriozë, por gjëja më e rëndësishme për ne ishte t’ua përcillnim idetë, parimet dhe rregullat tona lojtarëve brenda ekipit kombëtar. Dhe e kemi bërë këtë gjatë ditëve të fundit. Jemi shumë, shumë të kënaqur me këtë kamp stërvitor. Mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme për të ardhmen të vazhdojmë të mbajmë kampe të tilla stërvitore, sepse këta janë lojtarët tanë të së ardhmes, talentet tona për të ardhmen. Duhet t’i kultivojmë dhe t’i zhvillojmë më tej. Siç e përmenda tashmë, do të jetë thelbësore për ne të mbështesim këta lojtarë të rinj në të ardhmen. Shumë prej tyre tashmë luajnë jashtë vendit, ndërsa të tjerë luajnë këtu në ligën vendase. Duhet t’i shoqërojmë, t’i promovojmë, t’i zhvillojmë më tej dhe të përpiqemi t’i mbështesim në punën e tyre të përditshme, sepse këta lojtarë përfaqësojnë të ardhmen e Kosovës”, ka thënë në fund ai.

Lajmet

Murici dhe Vojvoda shkëlqejnë në Kupën e Italisë: Zënë vend në formacionin e javës

Published

on

By

Dyshja e kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric dhe Mërgim Vojvoda, kanë dhënë paraqitje të shkëlqyera në Kupën e Italisë, duke u përfshirë në formacionin më të mirë të javës sipas platformës së specializuar të statistikave, SofaScore.

Portieri Arijanet Muric dhuroi një paraqitje të nivelit të lartë në fitoren 3-0 të Sassuolos ndaj Cesenas, duke u vlerësuar me notën e lartë 8.7.

Nga ana tjetër, mbrojtësi Mërgim Vojvoda po ashtu ishte vendimtar në triumfin e Udineses kundër Padovas me rezultat 1-0, ku për performancën e tij u shpërblye me notën 8.3.

Përfshirja e të dy futbollistëve kosovarë në 11-shen më të mirë konfirmon formën e tyre të mirë në fillim të këtij edicioni në futbollin italian. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Milot Rashica drejt largimit nga Besiktashi

Published

on

By

Ylli i kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, mund t’i japë fund aventurës së tij te Besiktasi, përkundër faktit se ka edhe një vit kontratë aktive me gjigantin nga Stambolli.

Sipas raportimeve nga mediat turke, përfshirë gazetën Milliyet, e ardhmja e anësorit kosovar varet direkt nga lëvizjet e radhës së klubit në afatin kalimtar. Besiktasi po shqyrton mundësinë e transferimit të një tjetër futbollisti në krahun e djathtë të sulmit. Nëse ky transferim realizohet, skuadra do të ketë tre lojtarë të huaj për të njëjtën pozitë, çka do të shtynte drejtuesit të konsiderojnë shitjen e Rashicës.

Drejtuesit e klubit turk janë të kënaqur me paraqitjet e Vaclav Cerny-t, i cili ka përparësi në këtë repart. Prandaj, ardhja e një përforcimi të ri do të rriste ndjeshëm gjasat për ndarjen e rrugëve me kosovarin.

Gjatë periudhës së tij te Besiktasi, Milot Rashica ka lënë gjurmë të rëndësishme duke shënuar 13 gola dhe duke dhuruar 25 asistime në 119 paraqitje zyrtare.

Continue Reading

Sport

Dështon transferimi i Julian Alvarez te Barcelona

Published

on

By

Dëshira e madhe e Barcelonës për të siguruar shërbimet e sulmuesit argjentinas, Julian Alvarez, ka marrë goditje përfundimtare. Transferimi i tij është anuluar plotësisht për këtë afat kalimtar.

Lajmi është bërë i ditur nga gazetari José Álvarez gjatë emisionit televiziv El Chiringuito TV, i cili sqaroi se dështimi i marrëveshjes nuk lidhet me kërkesat financiare apo çmimin e kartonit.

“Nuk ka të bëjë me paratë, është çështje egoje” u shpreh gazetari, duke zbuluar se pengesa kryesore doli të jetë një konflikt i fortë interesi dhe përplasje egosh mes palëve të përfshira në negociata.

Kjo situatë i jep fund papritur synimit të bordit të klubeve katalanas për të përforcuar sulmin me argjentinasin, duke e detyruar Barcelonën të kërkojë opcione të tjera në ditët e fundit të afatit kalimtar. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Lumbardh Dellova shkëlqen në debutim: Përfshihet në formacionin e javës në Turqi

Published

on

By

Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Lumbardh Dellova, ka ecur me hapa të sigurt drejt suksesit që në ndeshjen e tij të parë zyrtare në futbollin turk. Paraqitja e tij impresione me fanellën e Amedsporit i ka siguruar një vend me meritë në formacionin më të mirë të javës së parë të kampionatit.

Në përballjen ku Amedspori triumfoi me rezultat të thellë 3-0 ndaj Erzurumsporit, 27-vjeçari kosovar ishte një nga figurat qendrore në fushën e lojës. Përveç stabilitetit dhe sigurisë absolute që tregoi në repartin defensiv, Dellova dha një kontribut të drejtpërdrejtë edhe në fazën sulmuese duke asistuar te goli i parë i skuadrës së tij.

Sipas platformës së specializuar të statistikave, Sofascore, Dellova u vlerësua me notën e lartë 8.2. Statistikat e tij gjatë 90 minutave dëshmojnë kontrollin e plotë që pati në lojë: ai kompletoi 72 pasime me një saktësi të lartë prej 91 për qind, si dhe krijoi tri pasime kyçe për bashkëlojtarët e tij.

Kjo paraqitje startuese jo vetëm që e vendos Dellovën në mesin e lojtarëve më të dalluar të raundit të parë në Turqi, por dëshmon edhe formën e tij të shkëlqyer në prag të sfidave të ardhshme si në nivel klubi, ashtu edhe me kombëtaren. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara