Lajmet

Fletëvotimet arrijnë në Kosovë, nesër bëhet shpërndarja në 38 komuna

Published

on

Tashmë në depon e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë arritur fletëvotimet për zgjedhjet e 14 shkurtit, ndërsa të shtunën do të shpërndahen në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve. Edhe këtë vit si në çdo proces zgjedhor janë shtypur më pak fletëvotime sesa numri i përgjithshëm i votuesve, por sipas KQZ, kjo nuk do ta kufizojë askënd për të mos e ushtruar të drejtën e votës.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi për KosovaPress, ka deklaruar se fletëvotimet ku qytetarët e Kosovës të dielën do ta ushtrojë vullnetin e tyre janë shtypur në Slloveni. Ai tha se KQZ bazuar në praktikat e mëhershme të pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset zgjedhore, ka marrë vendim që të shtyp më pak fletëvotime.

“Gjatë ditës së sotme në bazë të planifikimeve të mëhershme, në bazë të planit operacional, tashmë kanë arritur fletëvotimet të cilat do të përdoren në ditën e zgjedhjeve në të gjitha Qendrat e Votimit në Kosovë, në gjithsej 888 qendra të votimit me 2382 vendvotime. Fletëvotimet të cilat kanë arritur sot në Kosovë janë shtypur në Slloveni. Bazuar në listën përfundimtare të votuesve me të drejtë vote në të gjitha këto vendvotime 1 milion 794 mijë e 862 votues, por pavarësisht kësaj, KQZ ka shtypur më pak fletëvotime sesa numri i përgjithshëm i votuesve, janë gjithsej 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime që janë shtypur përfshirë edhe ato rezervë. Rrjedhimisht janë diku 117 mijë e 662 fletëvotime më pak sesa numri i përgjithshëm i votuesve. Kështu ka vepruar edhe më herët KQZ, pra edhe në proceset e kaluara zgjedhore, KQZ ka shtypur më pak fletëvotime sesa numri i përgjithshëm i votuesve. Ky është një vendim i KQZ-së që rrjedh duke u mbështetur në pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe kjo pjesëmarrje mesatarisht në çdo proces zgjedhor e që është deri në 45 përqind, në raste të caktuar shkon deri në 50 përqind”, u shpreh ai.

E përkundër numrit më të vogël të fletëvotimeve të shtypura se sa numri i përgjithshëm i votuesve në Kosovë, Elezi ka siguruar se askujt nuk do t’i mohohet e drejta e votës, pasi kanë edhe fletëvotime rezervë.

“Duke u mbështetur edhe nga proceset e kaluara zgjedhore kur Komisioni Qendror Zgjedhor kishte shtypur më pak fletëvotime sesa numri i përgjithshëm i votuesve. Asnjëherë nuk është paraqitur mungesë e fletëvotimeve në vendvotime, por edhe në raste të tilla kur pjesëmarrja është e lartë në një vendvotim, natyrisht se ka fletëvotime rezervë të cilat mund të përdoren dhe askush nuk do mbetet pa votuar, asnjë qytetar i cili do të shkojë në vendvotimin e tij, nuk do mbetet pa votuar sepse ky është një vendim së pari i menduar mirë nga ana e KQZ-së, dhe i mbështetur fortë në praktikat e kaluara”, tha ai.

Derisa ka folur për rrjedhën normale të përgatitjeve të procesit zgjedhore që do zhvillohet më 14 shkurt, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se shpërndarja e fletëvotimeve bëhet nesër në mëngjes nëpër Komisionet Komunale Zgjedhore, e më pastaj të dielën në orët e hershme shpërndahen nëpër vendvotime.

“Tashmë fletëvotimet janë në depon qendrore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në bazë të planit operacional, ditën e shtunë në mëngjes bëhet shpërndarja e materialit zgjedhor nga kjo depo për në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në të 38 komunat e Kosovës, ndërkaq të dielën në mëngjes në orët e hershme fletëvotimet, materiali zgjedhor ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet shpërndahet nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në të gjitha qendrat e votimit në secilën prej komunave përkatëse. Deri tash përgatitjet kanë shkuar normalisht, natyrisht që ka pasur sfida që shkaktohen edhe për shkak të situatës më specifike të cilat mbahen në kohë pandemie, por siç mund ta shihni edhe arritja e fletëvotimeve sot po bëhet në bazë të planifikimeve të mëhershme, të gjitha këto që po ndodhin qoftë fletëvotimet dhe periudhat tjera zgjedhore që po zhvillohen janë në bazë të planifikimeve të vendosura më herët nga ana e KQZ. Ka mbetur finalizimi i të gjitha përgatitjeve në mënyrë që ditën e diele në orën 07:00 të mëngjesit të hapen të gjitha qendrat e votimit për të pritur votues me të drejtë vote”, theksoi Elezi.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen këtë të diel. Ndërsa sot është afati i fundit që të arrijnë votat nga mërgata. Sot po ashtu përfundon edhe fushata zgjedhore e partive politike, e cila ka nisur më 3 shkurt 2021.

Lajmet

United Hospital – kujdes shëndetësor 24/7, me teknologji moderne dhe qasje të integruar ndaj pacientit

Published

on

By

Shëndeti kërkon kujdes të vazhdueshëm, diagnostikim të saktë dhe trajtim të koordinuar. United Hospital ofron shërbime shëndetësore 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke integruar diagnostikën, emergjencën, trajtimin specialistik, kirurgjinë dhe kujdesin intensiv në një strukturë të vetme.

Me fokus në sigurinë e pacientit, precizitetin diagnostik dhe kujdesin multidisiplinar, spitali ofron shërbime nga disa fusha të mjekësisë, duke u mundësuar pacientëve qasje në kujdes profesional për nevoja të ndryshme shëndetësore.

Në fushën e diagnostikës, Radiologjia dhe CT-ja janë pjesë e infrastrukturës teknologjike të spitalit, ndërsa sipas institucionit, pajisjet mundësojnë ekzaminime me deri në 40% më pak ekspozim ndaj rrezatimit, në krahasim me teknologjitë përkatëse tradicionale, në varësi të ekzaminimit dhe protokollit të përdorur.

Shërbimet specialistike përfshijnë Kardiologjinë, Hematologjinë, Nefrologjinë, Gastroenterologjinë dhe Pulmologjinë, duke ofruar qasje të dedikuar për diagnostikimin dhe menaxhimin e një game të gjerë të problemeve shëndetësore.

Në kuadër të shërbimeve kirurgjikale, United Hospital mbulon disa profile, përfshirë Kirurgjinë e Përgjithshme, Kardio-kirurgjinë, Ortopedinë, Kirurgjinë Vaskulare, Pediatrike, Gjinekologjinë, Urologjinë, ORL-në, Kirurgjinë Maksilofaciale dhe Torakale.

Një fokus i veçantë i kushtohet edhe kujdesit për fëmijët. Neonatologjia dhe Pediatria ofrojnë shërbime të dedikuara për pacientët më të vegjël, ndërsa Laboratori, Emergjenca, Radiologjia dhe Kujdesi Intensiv janë të disponueshme gjatë gjithë kohës.

Me një qasje që synon të lidhë diagnostikimin, trajtimin dhe kujdesin e vazhdueshëm, United Hospital e pozicionon veten si një qendër ku pacientët mund të marrin shërbime të integruara shëndetësore në çdo kohë./rajonipress/

📍 M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë

📞 038 60 70 70 / 046 60 70 70

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi voton të hënën deklaratën për Specialen, në rend dite edhe zgjedhja e nënkryetarit

Published

on

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë të hënën, më 28 shtator, seancë plenare, e cila do të nisë në orën 11:00.

Sipas rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë disa çështje, përfshirë miratimin e një deklarate lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës të 16 shtatorit 2026.

Në rendin e ditës janë përfshirë këto pika:

Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme.

Betimi i deputetëve.

Miratimi i Deklaratës lidhur me Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të datës 16 shtator 2026.

Zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Formimi i komisioneve parlamentare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet gara ushtarake “Ujku Garues 2026”: Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë fiton vendin e parë

Published

on

By

Në kazermën “Ushtarët e NATO-s” në Istog është përmbyllur gara tradicionale “Ujku Garues 2026”, e organizuar nga Komanda e Forcave Tokësore (KFT), ku morën pjesë 20 ekipe nga njësitet e ndryshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Vendi i parë në këtë garë ushtarake i takoi Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë (K2B2), vendi i dytë u fitua nga Policia Ushtarake e FSK-së, ndërsa vendin e tretë e zuri Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë (K2MB).

Gara “Ujku Garues”, e cila mbahet që nga viti 2015 si rezultat i bashkëpunimit mes nënoficerëve të FSK-së dhe kontingjentit slloven, testoi pjesëmarrësit në disiplina të rënda taktike e fizike. Pjesë e sfidave ishin vrapimi, kalimi i poligonit taktik, shtyrja e autoblindës HMMWV, bartja e municionit dhe e të lënduarve, si dhe qitja me armë e hedhja e granatës.

Aktiviteti u shqua për profesionalizëm të lartë, përgatitje intensive fizike dhe shpirt garues mes ekipeve të FSK-së.

 

Continue Reading

Lajmet

Universitetet britanike u konsultuan me kompaninë e armëve BAE Systems për protestat pro-Palestinës

Published

on

By

Së paku 13 universitete britanike kanë diskutuar me prodhuesin më të madh të armëve në Mbretërinë e Bashkuar, BAE Systems, se si t’i menaxhojnë protestat pro-palestineze në kampuset e tyre. Kjo përfshinte rritjen e masave të sigurisë në ngjarje zyrtare dhe koordinimin e përgjigjeve ndaj kritikave.

Korrespondenca mes universiteteve dhe kompanisë ushtarake u zbulua përmes email-eve dhe dokumenteve të brendshme nga një hetim i përbashkët i “Liberty Investigates” dhe “Al Jazeera”.

Sipas dokumenteve, universitete të tilla si ai i Manchesterit, Nottinghamit, Southamptonit, Birminghamit, Strathclyde dhe Cranfield konsiderohen “partnerë strategjikë” të BAE Systems dhe marrin së bashku deri në 15 milionë funte (rreth 20 milionë dollarë) në vit nga kjo kompani.

Në gusht të vitit 2024, BAE Systems duket se u ka kërkuar universiteteve të hartojnë mesazhe për të kundërshtuar atë që e quante “një narrativë shpesh të deformuar nga protestuesit”. Kjo periudhë përkonte me reagimet e mëdha studentore kundër bashkëpunimit me kompanitë që furnizojnë me armë ushtrinë izraelite gjatë luftës në Gazë.

Në një rast në Universitetin e Sheffieldit, zyrtarët e hetimit të brendshëm u konsultuan me BAE Systems përpara se të dënonin katër studentë që protestuan në një ngjarje online me slloganet “BAE vret fëmijë”. Studentëve u kërkua të paguanin një gjobë prej 75 funtesh ose të nënshkruanin një zotim se nuk do të merrnin pjesë në protesta të paautorizuara.

Ndërsa studentët e ndëshkuar e cilësuan këtë si ndikim të drejtpërdrejtë të kompanisë së armëve mbi drejtuesit e universitetit, zëdhënësi i Universitetit të Sheffieldit i hodhi poshtë pretendimet, duke deklaruar se procedurat disiplinore janë të pavarura dhe bazohen vetëm në rregulloren e sjelljes së studentëve. /Al Jazzera/

 

Continue Reading

Të kërkuara