Studentët e programit master në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, së bashku me profesorët Binak Beqaj dhe Shqiprim Ahmeti, në bashkëpunim me Universitetin Teknik të Vjenës, kanë përmbyllur me sukses fazën e parë të projektit studimor për Planin e Zhvillimit Rajonal të komunave të Pejës dhe Deçanit.

Ky projekt po zhvillohet nën udhëheqjen e profesorëve Thomas Dillinger, Nina Svanda dhe Skender Kosumi, si dhe me pjesëmarrjen aktive të studentëve nga të dy institucionet, duke u fokusuar në hulumtimin e potencialeve për zhvillim të qëndrueshëm në turizëm, në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Gjatë kësaj faze, përveç takimeve me udhëheqësinë e komunave të Pejës dhe Deçanit, një pjesë thelbësore e aktivitetit ishte edhe puna në terren, ku studentët patën mundësinë të njihen nga afër me rajonin, përmes vizitave në zona të ndryshme, deri në pikat më të larta të Bjeshkëve të Nemuna, duke mbledhur të dhëna dhe informacione të rëndësishme për projektin.
Punimet nisën në UBT në Prishtinë, me një hapje zyrtare nga Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi. Ndërkaq, workshop-i njëjavor, ku morën pjesë edhe përfaqësues të komunave, u zhvillua në fshatin turistik Belle, i njohur për historinë dhe pozitën e tij me pamje piktoreske.
Në kuadër të këtij aktiviteti, pjesëmarrësit realizuan edhe vizita studimore në disa prej destinacioneve më të rëndësishme kulturore dhe turistike, si ansambli i kullave në Deçan, qyteti i Prizrenit, Çarshia e Gjakovës, si dhe Peja me burimin e Drinit të Bardhë, të cilat lanë përshtypje të veçanta te mysafirët nga Austria.
Prezantimet e fazës së parë të projektit u mbajtën në kampusin e UBT-së në Lipjan, ku Rektori Hajrizi ligjëroi për të arriturat e UBT-së në ndërtimin e një ekosistemi inovativ unik, duke theksuar rëndësinë e ndërlidhjes së arsimit me teknologjinë dhe tregun e punës.
Workshop-i i dytë është planifikuar të mbahet në muajin maj në Vjenë, ku studentët dhe profesorët e UBT-së, së bashku me përfaqësuesit e komunave të Pejës dhe Deçanit, do të jenë mysafirë në Universitetin Teknik të Vjenës. Gjatë kësaj faze do të vazhdojë puna në projekt, si dhe do të realizohen vizita të tjera studimore me fokus në temat e zhvillimit urban dhe rajonal.
Në përfundim të semestrit, studentët do të prezantojnë projektet e tyre finale në UBT, si dhe në komunat e Pejës dhe Deçanit. Me këtë rast, ata shprehën mirënjohje për institucionet vendore për mbështetjen dhe bashkëpunimin, si dhe për UBT-në dhe Rektorin Hajrizi për krijimin e mundësive të tilla profesionale dhe akademike për studentët dhe stafin.


