Lajmet

​FIBA nis hetim pas thirrjeve antishqiptare në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë

Published

on

Federata Ndërkombëtare e Basketbollit tha se e ka nisur një hetim lidhur me thirrjet antishqiptare që shpërthyen gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë gjatë fundjavës.

“Në këtë fazë, jemi duke mbledhur raportet dhe deklaratat përkatëse, duke punuar në përputhje të ngushtë me federatat kombëtare të përfshira, si dhe me autoritetet lokale dhe forcat e rendit”, tha FIBA për REL.

Sipas politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në turmën e tifozëve në ndeshjen e fazës së dytë parakualifikuese për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, janë dëgjuar thirrje si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”.

FIBA tha se e dënon pa rezerva dhe me vendosmëri gjuhën e urrejtjes dhe çdo formë diskriminimi apo gjuhe raciste.

“Ne promovojmë në mënyrë aktive krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës dhe me respekt për të gjithë lojtarët, ekipet dhe tifozët, si një përparësi kryesore në sport”, tha ajo.

Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ku shqiptarët përbëjnë gati një të katërtën e popullsisë prej 1.8 milionë banorësh ndodheshin në sallë gjatë ndeshjes.

Incidenti ka shkaktuar gjithashtu reagime të ashpra në Kosovë dhe Shqipëri, vende me popullsi kryesisht shqiptare.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, një nga zyrtarët që morën pjesë në ndeshje, dënoi “thirrjet nacionaliste dhe ksenofobike” në një deklaratë më 4 gusht, dy ditë pas ndeshjes.

Ai tha se, ndonëse ishte i pranishëm në arenë, “nuk i kishte vënë re” thirrjet e tifozëve, duke pretenduar se ato ishin bërë nga “një grup i vogël njerëzish”.

“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë  së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, tha Mickoski.

Partia shqiptare në opozitë në Maqedoni të Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), tha se në këtë ngjarje “u dëgjuan kore antishqiptare, thirrje raciste dhe gjuhë e pastër e urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve”.

Ministri i Sportit i Maqedonisë së Veriut, Borko Ristovski, tha se kjo Ministri nuk mund të reagojë konkretisht ndaj kësaj ngjarjeje, “sepse nuk vjen nga ndonjë subjekt sportiv vjen nga tifozë në tribunë dhe nuk kemi asnjë kompetencë për të reaguar kur bëhet fjalë për tifozët”.

“Megjithatë, le ta shfrytëzoj këtë rast për të bërë një apel: në Maqedoni nuk ka nevojë për brohoritje të tilla, as nga njëra anë, as nga tjetra, nga askush, nga cilado anë që të vijë”.

Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parasheh dënime për thirrjet raciste dhe gjuhën e urrejtjes në disa nene, ndërsa më i rëndësishmi është neni 319, i cili parashikon se kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje apo jotolerancë mbi baza racore, fetare, etnike apo kombëtare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

 

Continue Reading

Vendi

Studentët e Arkitekturës në UBT përmbyllin fazën e parë të projektit ndërkombëtar për zhvillimin rajonal të Pejës dhe Deçanit

Published

on

By

Studentët e programit master në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, së bashku me profesorët Binak Beqaj dhe Shqiprim Ahmeti, në bashkëpunim me Universitetin Teknik të Vjenës, kanë përmbyllur me sukses fazën e parë të projektit studimor për Planin e Zhvillimit Rajonal të komunave të Pejës dhe Deçanit.

Ky projekt po zhvillohet nën udhëheqjen e profesorëve Thomas Dillinger, Nina Svanda dhe Skender Kosumi, si dhe me pjesëmarrjen aktive të studentëve nga të dy institucionet, duke u fokusuar në hulumtimin e potencialeve për zhvillim të qëndrueshëm në turizëm, në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Gjatë kësaj faze, përveç takimeve me udhëheqësinë e komunave të Pejës dhe Deçanit, një pjesë thelbësore e aktivitetit ishte edhe puna në terren, ku studentët patën mundësinë të njihen nga afër me rajonin, përmes vizitave në zona të ndryshme, deri në pikat më të larta të Bjeshkëve të Nemuna, duke mbledhur të dhëna dhe informacione të rëndësishme për projektin.

Punimet nisën në UBT në Prishtinë, me një hapje zyrtare nga Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi. Ndërkaq, workshop-i njëjavor, ku morën pjesë edhe përfaqësues të komunave, u zhvillua në fshatin turistik Belle, i njohur për historinë dhe pozitën e tij me pamje piktoreske.

Në kuadër të këtij aktiviteti, pjesëmarrësit realizuan edhe vizita studimore në disa prej destinacioneve më të rëndësishme kulturore dhe turistike, si ansambli i kullave në Deçan, qyteti i Prizrenit, Çarshia e Gjakovës, si dhe Peja me burimin e Drinit të Bardhë, të cilat lanë përshtypje të veçanta te mysafirët nga Austria.

Prezantimet e fazës së parë të projektit u mbajtën në kampusin e UBT-së në Lipjan, ku Rektori Hajrizi ligjëroi për të arriturat e UBT-së në ndërtimin e një ekosistemi inovativ unik, duke theksuar rëndësinë e ndërlidhjes së arsimit me teknologjinë dhe tregun e punës.

Workshop-i i dytë është planifikuar të mbahet në muajin maj në Vjenë, ku studentët dhe profesorët e UBT-së, së bashku me përfaqësuesit e komunave të Pejës dhe Deçanit, do të jenë mysafirë në Universitetin Teknik të Vjenës. Gjatë kësaj faze do të vazhdojë puna në projekt, si dhe do të realizohen vizita të tjera studimore me fokus në temat e zhvillimit urban dhe rajonal.

Në përfundim të semestrit, studentët do të prezantojnë projektet e tyre finale në UBT, si dhe në komunat e Pejës dhe Deçanit. Me këtë rast, ata shprehën mirënjohje për institucionet vendore për mbështetjen dhe bashkëpunimin, si dhe për UBT-në dhe Rektorin Hajrizi për krijimin e mundësive të tilla profesionale dhe akademike për studentët dhe stafin.

Continue Reading

Vendi

Përfshihet nga zjarri një fabrikë në Prizren, lëndohet një punëtor

Published

on

By

Polica e Kosovës në raportin e saj njëditor njofton se një fabrikë për prodhimin e stiroporit në fshatin Mushnikovë të Prizrenit është përfshirë nga zjarri në orët e para të mëngjesit të së martës.

Sipas raportit, si pasojë e flakëve janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa një punëtor i fabrikës ka përfunduar në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen nga tymi i lëshuar.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë njësitë policore dhe zjarrfikësit, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta fikin zjarrin.

Lidhur me shkaqet e incidentit dhe dëmet e shkaktuara, është njoftuar prokurori kompetent i cili po merret me hetimin e rastit.

Continue Reading

Vendi

Vetëvrasje me armë gjuetie në Prishtinë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se një rast i rëndë i vetëvrasjes është regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së martës, rreth orës 09:40, ku familjarët kanë gjetur pa shenja jete viktimën burrë.

Sipas raportit zyrtar, dyshohet se personi në fjalë ka marrë jetën e tij duke përdorur një armë zjarri.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar menjëherë njësitë policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Gjatë ekzaminimit të vendngjarjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, e cila dyshohet se është përdorur në këtë akt tragjik.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar për hetim të mëtutjeshëm, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Continue Reading

Lajmet

SHBA-Iran: Armëpushim dhe Plan Paqeje

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar arritjen e një armëpushimi dyjavor me Iranin, një vendim që erdhi pas pranimit të një plani 10 pikësh të propozuar nga Teherani.

Ky dakordësim u bë publik pak para skadimit të afatit të fundit të vendosur nga Washingtoni, ndërsa Trump e ka kushtëzuar paqen e përkohshme me lejimin e qarkullimit të lirë të anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Si pasojë e këtij zhvillimi diplomatik, tregjet botërore kanë reaguar menjëherë, me çmimin e naftës që ka rënë nën nivelin e 100 dollarëve për fuçi.

Në anën tjetër, Izraeli ka deklaruar mbështetjen e tij për pezullimin e sulmeve, ndonëse ka specifikuar se ky armëpushim nuk shtrihet në territorin e Libanit. Rolin e ndërmjetësit në këtë krizë e ka marrë Pakistani, i cili ka ftuar përfaqësuesit e të dyja shteteve për bisedime të mëtejshme në Islamabad këtë të premte.

Plani iranian, të cilin pala amerikane e cilësoi si të realizueshëm, synon një ristrukturim të raporteve në rajon.

Ai kërkon tërheqjen e trupave amerikane, heqjen e sanksioneve ekonomike dhe lirimin e aseteve të ngrira, në këmbim të zotimit të Iranit për të mos prodhuar armë bërthamore.

Po ashtu, propozimi përfshin njohjen e të drejtës për pasurimin e uraniumit, ndërprerjen e armiqësive ndaj grupeve të rezistencës dhe arritjen e traktateve të paqes me vendet fqinje nën kornizën e rezolutave të OKB-së.

10 pikat e planit të armëpushimit:

  1. Tërheqja e trupave amerikane nga rajoni.
  2. Kontroll i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit (me lëvizje të rregullt të anijeve).
  3. Kompensimi i dëmeve ndaj Iranit.
  4. Tërheqja e të gjitha sanksioneve (primare dhe sekondare).
  5. Lirimi i aseteve të ngrira iraniane.
  6. Zotimi i Iranit për të mos krijuar armë bërthamore.
  7. Pranimi i së drejtës së Iranit për të pasuruar uranium.
  8. Pajtimi i Iranit për traktatet e paqes me vendet e rajonit.
  9. Ndërprerja e armiqësive kundër të gjitha grupeve të rezistencës në rajon.
  10. Miratimi i dispozitave përmes një rezolute të OKB-së për ta bërë marrëveshjen të detyrueshme.

Continue Reading

Të kërkuara