Lajmet

​FIBA nis hetim pas thirrjeve antishqiptare në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë

Published

on

Federata Ndërkombëtare e Basketbollit tha se e ka nisur një hetim lidhur me thirrjet antishqiptare që shpërthyen gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë gjatë fundjavës.

“Në këtë fazë, jemi duke mbledhur raportet dhe deklaratat përkatëse, duke punuar në përputhje të ngushtë me federatat kombëtare të përfshira, si dhe me autoritetet lokale dhe forcat e rendit”, tha FIBA për REL.

Sipas politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në turmën e tifozëve në ndeshjen e fazës së dytë parakualifikuese për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, janë dëgjuar thirrje si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”.

FIBA tha se e dënon pa rezerva dhe me vendosmëri gjuhën e urrejtjes dhe çdo formë diskriminimi apo gjuhe raciste.

“Ne promovojmë në mënyrë aktive krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës dhe me respekt për të gjithë lojtarët, ekipet dhe tifozët, si një përparësi kryesore në sport”, tha ajo.

Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ku shqiptarët përbëjnë gati një të katërtën e popullsisë prej 1.8 milionë banorësh ndodheshin në sallë gjatë ndeshjes.

Incidenti ka shkaktuar gjithashtu reagime të ashpra në Kosovë dhe Shqipëri, vende me popullsi kryesisht shqiptare.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, një nga zyrtarët që morën pjesë në ndeshje, dënoi “thirrjet nacionaliste dhe ksenofobike” në një deklaratë më 4 gusht, dy ditë pas ndeshjes.

Ai tha se, ndonëse ishte i pranishëm në arenë, “nuk i kishte vënë re” thirrjet e tifozëve, duke pretenduar se ato ishin bërë nga “një grup i vogël njerëzish”.

“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë  së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, tha Mickoski.

Partia shqiptare në opozitë në Maqedoni të Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), tha se në këtë ngjarje “u dëgjuan kore antishqiptare, thirrje raciste dhe gjuhë e pastër e urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve”.

Ministri i Sportit i Maqedonisë së Veriut, Borko Ristovski, tha se kjo Ministri nuk mund të reagojë konkretisht ndaj kësaj ngjarjeje, “sepse nuk vjen nga ndonjë subjekt sportiv vjen nga tifozë në tribunë dhe nuk kemi asnjë kompetencë për të reaguar kur bëhet fjalë për tifozët”.

“Megjithatë, le ta shfrytëzoj këtë rast për të bërë një apel: në Maqedoni nuk ka nevojë për brohoritje të tilla, as nga njëra anë, as nga tjetra, nga askush, nga cilado anë që të vijë”.

Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parasheh dënime për thirrjet raciste dhe gjuhën e urrejtjes në disa nene, ndërsa më i rëndësishmi është neni 319, i cili parashikon se kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje apo jotolerancë mbi baza racore, fetare, etnike apo kombëtare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

 

Continue Reading

lajme

Ramadan Nishori ndan rrëfimin e tij para studentëve të UBT-së në një takim të mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar

Published

on

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me UBT, organizoi një takim të veçantë me studentë, i cili u fokusua në prezantimin e librit me rëndësi të madhe dokumentuese “Zëra të Padegjura – rrëfimet e burrave mbi tejkalimin e dhunës seksuale në luftë”.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët u njohën nga afër me rrëfimin e Ramadan Nishorit, i cili njihet si i mbijetuari i parë burrë që ka folur publikisht për përvojën e tij dhe që ka ndarë historinë personale në librin “Përtej Dhimbjes, Drejt Guximit”. Ai tregoi rrugëtimin e tij nga plagët e së kaluarës drejt forcës, shërimit dhe shpresës, duke sjellë një perspektivë të rëndësishme mbi stigmat që shpesh e shoqërojnë këtë temë.

Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e dokumentimit të përvojave të të mbijetuarve, si një mënyrë e domosdoshme për të ruajtur kujtesën historike, për të ndriçuar të vërtetën dhe për t’i dhënë zë atyre që për dekada janë mbajtur në heshtje. Studentët patën mundësinë të kuptojnë më thellë dimensionet emocionale, sociale dhe njerëzore të këtyre rrëfimeve.

Aktiviteti u mbështet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, duke dëshmuar rëndësinë ndërkombëtare të përpjekjeve për adresimin e traumave të luftës dhe mbështetjen e të mbijetuarve.

Continue Reading

Rajoni

Art, media dhe kujtesa historike: Vizita e studentëve të UBT-së në Reporting House

Published

on

Studentët e programit Art dhe Media Digjitale të UBT-së u mirëpritën në Reporting House, të shoqëruar nga profesori dhe njëkohësisht kuratori i kësaj ekspozite, Gazmend Ejupi. Ky aktivitet pati për qëllim t’u ofrojë studentëve një përvojë të thellë praktike dhe njohuri të drejtpërdrejta mbi mënyrën se si artit bashkëkohor mund t’i shërbejë gazetarisë dhe dokumentimit historik.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të eksploronin ekspozitat dhe të njiheshin me rrëfimin e historisë së Kosovës gjatë viteve 1989–1999, i paraqitur nëpërmjet instalacioneve artistike, videove dokumentare dhe formateve vizuale kreative.

Pika kryesore e diskutimit ishte roli i artit si mjet për reflektim shoqëror dhe dokumentim historik, duke u fokusuar në mënyrën se si ekspozitat dhe instalacionet bashkëkohore mund të bëjnë historinë më të prekshme dhe të kuptueshme për publikun e sotëm.

Studentët shprehën interes dhe kuriozitet të veçantë për procesin krijues pas secilit projekt dhe diskutuan për sfidat që paraqet përcjellja e historive të ndërlikuara përmes artit dhe mediave digjitale.

Vizita theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet artistëve dhe gazetarëve, dhe mënyrën se si kjo bashkëpunim mund të sjellë perspektiva të reja për edukimin dhe ndërgjegjësimin publik.

Continue Reading

Sport

​FBK emëron Bujar Locin përzgjedhës të Kosovës ndaj Shqipërisë

Published

on

Federata e Basketbollit e Kosovës njofton se Bujar Loci do të drejtojë Përfaqësuesen e Kosovës në konkurrencën e meshkujve në ndeshjen ndaj Shqipërisë në FIBA EuroBasket 2029 Pre-Qualifiers.

Bujar Loci ka qenë basketbollist i KB Pejës, ku fitoi tri herë titullin, tri herë Kupën dhe një herë Superkupën si basketbollist.

Karrierën e vazhdoi si trajner po ashtu te KB Peja, duke qenë kryetrajner e më pas edhe ndihmëstrajner. Loci me sukses ka drejtuar edhe Sigal Prishtinën e Rahovecin, kurse ka qenë trajner edhe te KBF Penza.

Për shumë vjet është ndihmëstrajner te Përfaqësuesja e Kosovës, kurse nga edicioni i kaluar është trajner në Grapeland (Rahoveci 029), duke e udhëhequr nga Liga e Parë në ProCredit Superliga, ku është trajneri i vetëm vendor në elitë.

Ndër të tjerash, Bujar Loci, ka qenë përzgjedhës i Kosovës në vitin 2005, duke udhëhequr Dardanët në turneun në Aleksandri, në lojën ndaj Egjiptit dhe Rumanisë.

Debutimi i tij do të jetë më 30 nëntor 2025, në ndeshjen e parë parakualifikuese Shqipëria vs Kosova, ora 18:00./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Real Madrid paralajmëron gjigantët evropian për Vinicius Jr

Published

on

E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi po bëhet gjithnjë e më e paqartë, sepse kontrata e brazilianit skadon në vitin 2027 dhe rinovimi i tij nuk është zgjidhur ende, duke hapur derën për interesim të madh nga klubet e tjera.

Sipas DefensaCentral, Real Madridi ka bërë të ditur se nuk do të pranojë asnjë ofertë nën 100 milionë euro për sulmuesin dhe kjo shifër tashmë u është komunikuar agjentëve që pyesin çdo ditë për situatën e lojtarit.

Vetë lojtari ka treguar publikisht se dëshiron të vazhdojë te Real Madridi, por me ardhjen e trajnerit Xabi Alonso roli i tij ka ndryshuar.

Ai nuk është më titullar i padiskutueshëm, për shkak të sistemit më të ngurtë dhe rotacioneve që po përdor trajneri. Ky ndryshim ka krijuar pasiguri te lojtari dhe ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij në klub.

Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, është i vendosur të mos humbasë kontrollin mbi situatën: ose rinovim, ose shitje por asnjë largim me ulje çmimi.

Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë dhe nëse Vinicius ndihet i rëndësishëm në projektin e Xabi Alonsos, rinovimi mund të bëhet realitet.

Për momentin, një gjë është e sigurt se Real Madridi nuk pranon oferta nën 100 milionë euro për yllin brazilian./S.K/KP/Al Jazeera/

Continue Reading

Të kërkuara