Sport

FFK-ja e mbajti Kuvendin e Jashtëzakonshëm për ndryshimet e nevojshme statutare, miratohen të gjitha pikat

Published

on

Federata e Futbollit e Kosovës ka mbajtur sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, në të cilin delegatët votuan për një sërë ndryshimesh statutare, me qëllim që statuti i FFK-së të jetë në përputhje të plotë me statutet e UEFA-s dhe FIFA-s, si dhe me Ligjin e ri të Sportit të Republikës së Kosovës.

Në këtë kuvend morën pjesë 50 delegatë, ndërsa të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan unanimisht. Mes tyre u votua edhe për përfaqësuesin e futbollistëve, Samir Ujkani, si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Presidenti Agim Ademi, në fjalën e tij para delegatëve, u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin dhe unitetin e treguar:

“Delegatë të nderuar, ju falënderoj që ju keni përgjegjur ftesës për Kuvend. Nuk e di pse, por sa herë ka kuvend unë ndihem i lumtur. Ky kuvend ma zgjon një ndjenjë se FFK është shumë e fuqishme. Kur juve ju shoh këtu si delegatë nga sfera të ndryshme të jetës që jepni shumë dhe keni sukses, e shoh që futbolli është në duar të sigurta. Jam shumë falënderues që ma keni besuar këtë bagazh mua. Do të vazhdojmë sigurisht bashkë për sa kohë që këtu jemi në të mirë të futbollit. Ju falënderoj edhe ju Komitet Ekzekutiv që jeni gjithmonë të gatshëm të kontriboni për zhvillimin e futbollit dhe ndani këtë barrë të madhe së bashku me mua”, tha presidenti Ademi në fjalën e tij.

Ai pas votimit të ndryshimeve statutare falënderoi delegatët unitetin dhe kompaktësinë që kanë treguar në të gjitha kohërat. ”E thanë edhe përfaqësuesit e UEFA-s e FIFA-s se futbolli gjithkund në botë duhet të jetë unik për të shkuar përpara. Tashmë të gjitha klubet dhe ne si FFK jemi në harmoni me Ligjin e Sportit dhe me statutet e UEFA-s e FIFA-s”.

Punimet e kuvendit, në emër të presidentit të FIFA-s Gianni Infantino dhe Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström i përshëndeti Marco Ferri, koordinator rajonal i FIFA-s. Ai theksoi bashkëpunimin e frytshëm me FFK-në dhe vuri në pah sukseset e kombëtares së Kosovës:

“Jemi mbledhur këtu për një kuvend të jashtëzakonshëm për ndryshimet statutore dhe tema të ndryshme. Kemi pasur një bashkëpunim shumë konstruktiv me FFK-në për ndryshimet statutore. Ne në FIFA e kemi çmuar transparencën që ka treguar Federata juaj dhe jemi të kënaqur që propozimet tona për ndryshime janë marrë parasysh. Besoj se ky bashkëpunim paraqet një shembull të ri të një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm mes FFK-së dhe FIFA-s gjatë viteve të fundit”, tha ai.

Ai tutje uroi Kosovën për rezultatet e shkëlqyera që ka arritur me një seri prej pesë ndeshjeve me fitore dhe avancimin në Ligën B të Ligës së Kombeve. “Është me rëndësi të mos harrojmë se kjo është një arritje e jashtëzakonshme për një federatë e cila është bërë anëtare e FIFA-s as 10 vite më parë. Tani lajmi i keq është se Kosova, si kundërshtar, me të vërtetë është një paralajmërim për të tjerët. Kualifikimet për Botërorin 2026 nuk do të jenë fare të lehta, posaçërisht duke marrë parasysh grupin konkurrues, por ekipi juaj ka treguar talent dhe potencial, andaj besoj se në të ardhmen e afërt do të shkruani faqe të arta në historinë e futbollit tuaj”, tha tutje Ferri.

Në emër të presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin, fjalën e mori Jozef Klemen, i cili vuri theksin te uniteti dhe zhvillimi i futbollit:

“E dini të gjithë se para pak kohësh u mbajt Kongresi i UEFA-s në Beograd, ku fjala kyçe aty ishte bashkimi, mospërçarja. E dini se ka palë të shumta që po synojnë të na përçajnë, por është shumë me rëndësi të mbetemi të bashkuar. Futbolli ndërton ura, ndërsa politikanët ndërtojnë mure”, tha Klemen.

Ai tha se Kosova si një nga anëtaret më të reja të UEFA-s po bën zhvillim të rëndësishëm të futbollit brenda strategjisë së saj, duke u fokusuar në projekte të mëdha infrastrukturore.

“Jam shumë i kënaqur që fondet e HatTrick-ut të UEFA-s po shfrytëzohen në mënyrën më të mirë për zhvillimin e futbollit në Kosovë. Ju uroj për suksesin e treguar me Kombëtaren, sidomos për fitoren në play-off kundër Islandës. Besoj se nga rezultati i treguar, Vedat Muriqi tashmë është heroi i vendit tuaj. Nëse vazhdoni kështu, Kosova do të jetë pjesë e kampionateve të mëdha”, shtoi ai.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe ushtruesi i detyrës së Kryeshefit të Agjencionit për Sport në MKRS, Fidan Shatri, i cili theksoi rëndësinë e Ligjit të ri të Sportit dhe mbështetjen për organizatat sportive:

“Ligji i ri për Sport ka sjellë rregulla të qarta për të gjitha organizatat sportive. Si Komision i Licencimit gjithmonë kemi qenë të gatshëm të ofrojmë mbështetje për organizatat sportive, por njëherësh edhe të monitorojmë ligjshmërinë e tyre në koordinim me organizatat sportive ndërkombëtare”, tha ai.

Sport

Vedat Muriqi shkëlqen te Fenerbahçe, kontribuon në tetë gola

Published

on

By

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, po kalon një fillim të shkëlqyeshëm te Fenerbahçe, duke dëshmuar vlerën e tij me paraqitjet në fushë.

Sipas mediumit turk “Sabah”, futbollisti 32-vjeçar ka kontribuar në tetë gola këtë sezon, me shtatë realizime dhe një asistim, ndonëse ka munguar në tri ndeshje për shkak të një lëndimi.

Muriqi është rikthyer te skuadra turke pas gjashtë vitesh, ndërsa investimi prej 15.5 milionë eurosh duket se po shpërblehet me paraqitjet e tij në repartin ofensiv.

Sulmuesi kosovar ka lënë pas edhe disa emra të njohur të futbollit evropian, të cilët ishin konsideruar si kandidatë për përforcimin e sulmit të klubit turk në fillim të sezonit.

Me formën e treguar, Muriqi po dëshmon se është një nga lojtarët kryesorë të Fenerbahçes, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në sukseset e skuadrës.

D.L

Continue Reading

Sport

Infantino drejt mandatit të katërt në FIFA, rivali i mundshëm tërhiqet nga gara

Published

on

By

Gjasat që Gianni Infantino të rizgjidhet president i FIFA-s janë rritur ndjeshëm, pasi Victor Montagliani pritet të kandidojë për një mandat të fundit në krye të CONCACAF-it, në vend që ta sfidojë atë.

Kanadezi 61-vjeçar konsiderohej si një nga kandidatët e mundshëm përballë Infantinos, pas kritikave të shumta ndaj planit të FIFA-s për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës te investitorët privatë. Megjithatë, Montagliani nuk e kishte konfirmuar asnjëherë zyrtarisht synimin për të kandiduar për kreun e FIFA-s.

Sipas gazetës britanike “The Guardian”, Montagliani nuk do të hyjë në garë kundër Infantinos, i cili synon mandatin e katërt në zgjedhjet e marsit.

Ndërkohë, kundërshtarët e presidentit aktual, të udhëhequr nga UEFA, duhet të gjejnë një kandidat të përbashkët deri më 18 nëntor.

Një tjetër mbështetje e rëndësishme për Infantinon erdhi nga Konfederata Afrikane e Futbollit, pasi të 54 federatat anëtare të saj shprehën përkrahje unanime për rizgjedhjen e tij.

“Është vendim unanim i të gjitha 54 vendeve anëtare të Konfederatës Afrikane për përkrahje pa kushte të Giannit si president i FIFA-s”, deklaroi presidenti i CAF-it, Patrice Motsepe, duke vlerësuar kontributin e Infantinos për zhvillimin e futbollit afrikan.

Ndërkohë, Aleksandar Çeferin synon të vazhdojë në krye të UEFA-s, duke e bërë garën për drejtimin e futbollit botëror edhe më interesante në muajt e ardhshëm.

D.L

Continue Reading

Sport

Kosova e mbyll Botërorin e xhudos pa medalje, Distria Krasniqi mungoi për shkak të lëndimit

Published

on

By

Me luftën e Shpati Zekajt, të zhvilluar të premten paradite, Kosova e ka përfunduar paraqitjen në Kampionatin Botëror të xhudos në Baku të Azerbajxhanit.

Kosova garoi me katër xhudistë, por asnjëri prej tyre nuk arriti t’i afrohej zonës së medaljeve. Ky ishte një Botëror veçanërisht sfidues për ekipin kosovar, që për herë të parë që nga viti 2023 mbetet pa medalje në këtë garë.

Mungesa e Distria Krasniqit, e cila nuk mori pjesë për shkak të lëndimit, ishte një nga faktorët kryesorë në këtë kampionat. Kampionia kosovare konsiderohej ndër pretendentet kryesore për medalje, ndërsa mungesa e saj u ndje në një ekip që këtë herë nuk arriti të përmbushte pritshmëritë.

Paraqitjen më të mirë nga xhudistët kosovarë e pati Dardan Cena, i cili fitoi dy luftë në kategorinë deri në 73 kilogramë. Fillimisht, ai mposhti irlandezin Joshua Green, përpara se të triumfonte edhe ndaj gjeorgjianit Lasha Shavdatuashvili. Megjithatë, në luftën e tretë u eliminua nga italiani Leandro Valeriani.

Në të njëjtën kategori garoi edhe Akil Gjakova, por ai u eliminua që në luftën e parë nga kampioni olimpik në fuqi, Hidayat Heydarov i Azerbajxhanit.

Pritshmëri të mëdha kishte edhe për Laura Fazliun në kategorinë deri në 63 kilogramë. Ajo e nisi garën me fitore bindëse ndaj gjermanes Sara-Joy Bauer, por u eliminua në luftën e dytë nga mongolja Enkhriilen Lkhagvatogoo, e cila fitoi me “Ippon” pas vetëm 23 sekondash.

Ndërkaq, Shpati Zekaj u ndal në luftën e parë në kategorinë deri në 100 kilogramë. Ai pësoi humbje nga moldavi Vadim Ghimbovschi, i cili realizoi një uazari herët në përballje.

D.L

Continue Reading

Sport

Messi dhe Ronaldo bashkë në një skuadër? Tevez synon t’i bashkojë në ndeshjen e lamtumirës

Published

on

By

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo mund të luajnë si bashkëlojtarë për një natë, në një ndeshje të veçantë që pritet të tërheqë vëmendjen e gjithë botës së futbollit.

Ish-futbollisti argjentinas Carlos Tevez po planifikon organizimin e ndeshjes së lamtumirës në stadiumin “La Bombonera”, në Buenos Aires, më 20 dhjetor 2026.

Sipas mediumit spanjoll “Marca”, duke iu referuar “Infobae”, synimi i Tevezit është që Messi dhe Ronaldo të jenë pjesë e së njëjtës skuadër në këtë përballje.

Pjesëmarrja e dy yjeve të futbollit botëror ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por Tevez ka bërë të ditur se po punon për ta realizuar këtë ide.

Në mesin e emrave që dëshiron t’i ftojë janë edhe Gianluigi Buffon, Edwin van der Sar, Rio Ferdinand, Nemanja Vidić, Andrea Pirlo dhe Paul Scholes.

“Do ta gjej vetë Cristianon”, ka deklaruar Tevez, duke folur për mundësinë e pjesëmarrjes së portugezit.

Tevez ka luajtur përkrah Messit te Përfaqësuesja e Argjentinës, ndërsa me Ronaldon ka qenë bashkëlojtar te Manchester Unitedi.

Nëse projekti realizohet, tifozët mund të shohin për herë të parë Messin dhe Ronaldon me të njëjtën fanellë, në një ngjarje që premton të jetë ndër më të veçantat e futbollit.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara