Lajmet

Fermerët polakë protestojnë kundër politikave të BE-së dhe importeve nga Ukraina

Në rrugët e kryeqytetit polak, protestuesit mbajtën në duar flamurin kombëtar dhe u ranë borive.

Published

on

Mijëra fermerë polakë marshuan në rrugët e Varshavës të martën, duke përshkallëzuar një protestë e cila nisi në fillim të shkurtit kundër importeve të ushqimit nga Ukraina dhe rregullave të gjelbra të Bashkimit Evropian.

Në rrugët e kryeqytetit polak, protestuesit mbajtën në duar flamurin kombëtar dhe u ranë borive.

Fermerët në të gjithë Evropën, për javë të tëra, kanë protestuar kundër kufizimeve të vendosura mbi ta, nga rregullat e “Marrëveshjes së Gjelbër” të BE-së që synojnë të trajtojnë ndryshimet klimatike, si dhe kostot në rritje dhe atë që ata thonë se është konkurrenca e pandershme nga jashtë BE-së, veçanërisht Ukraina.

Fermerët polakë u mblodhën në qendër të Varshavës, para se të marshonin drejt Parlamentit, dhe më pas zyrës së kryeministrit – rreth 3 kilometra larg.

“Ne po protestojmë sepse duam që ‘Marrëveshja e gjelbër’ të largohet, pasi ajo, me kostot e saj, do t’i çojë fermat tona drejt falimentimit”, tha Kamil Wojciechowski, një fermer nga Izbica Kujawska në Poloninë qendrore.

“Dhe… ajo që ne paguhemi për punën tonë është ulur për shkak të fluksit të drithit nga Ukraina dhe kjo është kërkesa jonë e dytë – të bllokojmë fluksin e drithit nga Ukraina”, tha ai.

Fermerët polakë filluan një seri protestash në të gjithë vendin në fillim të këtij muaji, të cilat përfshinin një bllokadë pothuajse totale të të gjitha pikave kufitare të Ukrainës, si dhe ndërprerje në porte dhe rrugë në të gjithë vendin.

“Ne nuk do të dorëzohemi. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Fermat tona do të falimentojnë, do të humbasim mjetet për jetesë”, tha Pawel Walkowiak, një prodhues gruri nga Konarzewo në Poloninë perëndimore.

Kryeministri polak, Donald Tusk, tha gjatë një vizite në Pragë të martën se BE-ja duhet të zgjidhë problemet e krijuara nga vendimi i saj për të hapur kufijtë e saj për importet e produkteve ushqimore ukrainase, pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

“Askush nuk ka të drejtë të mendojë se Republika Çeke dhe Polonia nuk e mbështesin Ukrainën, por… ne do të punojmë së bashku në Bruksel për korrigjime që do të mbrojnë tregun tonë nga efektet negative të këtij vendimi”, tha Tusk.

BE-ja ia ka mundësuar Ukrainës qasjen në tregjet e saj pa asnjë tarifë, pas nisjes së luftës së Moskës në tokën ukrainase.

Disa prodhues polakë e kanë blerë grurin e lirë ukrainas, mirëpo mungesa e infrastrukturës nëpër porte ka nënkuptuar që gruri ka mbetur në Poloni dhe nuk është eksportuar në shtetet e treta.

Si rezultat, Polonia është përballur me nivele rekorde të grurit të mbetur në tokën e saj, vitin e kaluar.

Në maj, Komisioni Evropian ka marrë vendim për të ndaluar grurin ukrainas në pesë shtete fqinje, ndonëse nuk vendimi nuk ka vlejtur për transitin.

Kur ndalesa është hequr në shtator, Poloni e ka vënë një ndalesë në mënyrë të njëanshme për katër lloje të grurit, si dhe në miell dhe ushqimet për kafshët.

Qeveria e re polake, proevropiane, përkrah kërkesat e fermerëve dhe i ka bërë thirrje Brukselit që të arrihet një kompromis për importet me Ukrainën.

Në janar, BE-ja ka thënë se do të prezantojë “mekanizëm mbrojtës” që do t’i lejojë bllokut evropian të vendosë tarifa emergjente ndaj Ukrainës, nëse një sasi e madhe e importeve do të kërcënojë me destabilizim të tregjeve./REL

Live

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Aktualitet

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Vendi

Sot seancë e jashtëzakonshme për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme në orën 16:00 lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Lajmin e ka bërë të ditur Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Në një deklarim për media, Nagavci theksoi se të gjithë zyrtarët institucionalë që kanë dështuar të veprojnë apo të ofrojë mbrojtje në këtë rast duhet të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi të plotë.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në fshatin Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasjeje të rëndë është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati.

Continue Reading

Lajmet

Policia shpall në kërkim Albert Sylajn, kërkohet ndihma e qytetarëve

Published

on

By

Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale në Pejë, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, ka lëshuar një kërkesë zyrtare për bashkëpunim me qytetarët me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

I kërkuari është Albert (Sylejman) Sylaj, i lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan.

Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë çfarëdo informacioni lidhur me vendndodhjen e të dyshuarit, të njoftojnë menjëhirë organet e rendit ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.

Kontaktet për të lajmëruar Policinë e Kosovës:

  • 192 dhe 0800 19999 (të dy numrat pa pagesë)
  • 039 432 327 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë)

Continue Reading

Të kërkuara