Lajmet

Fehmi Kupina rikthehet në krye të Kuvendit Komunal

Kupina udhëhoqi Kuvendin Komunal kur mori mandatin Lidhja Demokratike e Kosovës.

Published

on

Fehmi Kupina, ish-asamblist i LDK-së, tani i pavarur, është zgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës me 22 vota për (shumica të Vetëvendosjes).

Tetë asamblistë të pranishëm kanë abstenuar, derisa ata të LDK-së e kanë bojkotuar seancën e jashtëzakonshme. Ai u zgjodh pas tre raundeve votimi në seancën e jashtëzakonshme që u mbajt të enjten.

Kupina udhëhoqi Kuvendin Komunal kur mori mandatin Lidhja Demokratike e Kosovës. Por u shkarkua dhe doli si asamblist i pavarur.

Kupina do ta zëvendësojë Pëllumb Bajqinovcin e LDK-së në krye të Kuvendit Komunal. Ai ishte shkarkuar pas prishjes së koalicionit mes LDK-së dhe PDK-së.

Pas (ri)zgjedhjes, Kupina tha se do të punojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Rizgjedhja për kryesues të Kuvendit është detyrim dhe përgjegjësi për mua për çka zotohem sot dhe para qytetarëve të Prishtinës që do të vazhdoj të punoj për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Sot zotohem para jush dhe para qytetarëve se do të vazhdoj të punoj për të mirën e përgjithshme dhe publike në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Do të jem i hapur për bashkëpunim me të gjithë. Nuk do të shërbej si mekanizëm politik, sepse ky Kuvend nuk është makineri e asnjë partie apo individi”, deklaroi Kupina.

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje nisi me tensione. Fillimisht asamblisti i LDK-së, që është në pushtet në Prishtinë, Ajet Brajshori, kërkoi që seanca të shtyhej për 30 minuta. Kjo është kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës.

Pas kësaj regjia e Komunës i ka ndalur mikrofonat për të pamundësuar vazhdimin e punimeve. Megjithëkëtë përfaqësuesit e opozitës kanë vazhduar të flasin.

Shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, ka akuzuar partinë në pushtet dhe kryetarin Përparim Rama për tendencë për kapje të Kuvendit Komunal. Ai ka thënë se Vetëvendosja nuk ka emër për kryesues, mirëpo do ta mbështesin secilin emër që do e propozojë një shumicë.

Kupina është propozuar nga asamblisti i AKR-së, Gëzim Mehmeti.

lajme

Shtyhet sërish seanca ndaj Xhevat Krasniqit, mungojnë prokurori dhe e dëmtuara

Published

on

By

Ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin e ish-profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj studenteve të Fakultetit të Mjekësisë. Seanca e radhës është caktuar për datën 24 dhjetor, në orën 09:30.

Gjykatësi i rastit, Bujar Ahmeti, ka bërë të ditur se shkak për shtyrjen ka qenë mungesa e prokurorit të Shtetit, e cila nuk ishte e arsyetuar, si dhe mungesa e njërës prej të dëmtuarave, Donika Veseli. Sipas tij, në mungesë të palëve kryesore, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për zhvillimin e seancës.

Kjo shënon vonesën e radhës në këtë proces gjyqësor, pasi më parë janë shtyrë edhe nëntë seanca të tjera të planifikuara gjatë muajve shtator dhe tetor, për shkak të kërkesave të ndryshme të palëve në procedurë.

Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual. Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës, ngacmimet e pretenduara kanë ndodhur përgjatë periudhës janar 2022 – dhjetor 2023, brenda hapësirave të Fakultetit të Mjekësisë.

Prokuroria pretendon se profesori Krasniqi është përfshirë në sjellje joverbale joetike të natyrës së ngacmimit seksual, me qëllim cenimin e dinjitetit të studenteve, duke shfrytëzuar pozitën e tij si profesor universitar. Në aktakuzë janë listuar katër të dëmtuara.

Krasniqi aktualisht ndodhet nën masën e pezullimit nga puna në Universitetin e Prishtinës, me vendim të rektorit Arben Hajrullahu, deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Rrahje mes katër personave në Vushtrri: Arrestohen dy të dyshuar, dy të tjerë në arrati

Published

on

By

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Vushtrri nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Sulm” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së luajtshme”, pas një rrahjeje mes katër personave të ndodhur në rrugën “Ismajl Qemali”.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, njësitë policore kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes ku kanë arritur të ndalojnë dy prej të dyshuarve, ndërsa dy të tjerët janë larguar në drejtim të panjohur.

Pas ofrimit të tretmanit mjekësor dhe intervistimit në stacionin policor, me vendim të prokurorit kompetent, dy të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Ndërkohë, policia bën të ditur se ka identifikuar edhe dy personat e arratisur dhe të njëjtit ndodhen në kërkim policor. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Probleme globale me Microsoft: Pa qasje në Outlook edhe në Kosovë

Published

on

By

Si pasojë e problemeve të mëdha teknike që kanë prekur shërbimet e Microsoft në nivel global, edhe në Kosovë nuk ka qasje në platformën e postës elektronike Outlook.

Ndërprerja ka pamundësuar hapjen e emaileve dhe ka shkaktuar vështirësi në komunikimet zyrtare dhe punën e përditshme, njëjtë sikurse në shumë vende të tjera të botës.

Ekipet teknike të kompanisë janë duke punuar për identifikimin dhe rregullimin e defektit, ndërsa ende nuk ka një afat të saktë se kur do të rikthehet funksionaliteti i plotë i shërbimeve. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kurti takon kryeministrin britanik Burnham në Dublin: Thellojmë partneritetin dhe bashkëpunimin

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, në përmbyllje të punimeve të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Dublin.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Kurti e ka vlerësuar Mbretërinë e Bashkuar si një partnere dhe aleate të posaçme të Republikës së Kosovës, duke shprehur synimin e Qeverisë për të avancuar më tej raportet bilaterale.

“Jemi mirënjohës e falënderues për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të saj, teksa synojmë e angazhohemi për thellimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit”, ka deklaruar kryeministri Kurti. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara