Lajmet

Familjet dhe bizneset e prekura nga vërshimet në gjendje të rëndë në Klinë

Elezaj kërkon ndihmën e qeverisë.

Published

on

Vërshimet e ditëve të fundit kanë lënë shumë dëme edhe në komunën e Klinës si në prona publike ashtu edhe ato private. Familjet dhe bizneset e përmbytura nga uji janë në gjendje të rëndë. E për t’u dalë në ndihmë të prekurve, kryetari Zenun Elezaj thotë se nevojitet ndihma e qeverisë.

Familja Imeri në lagjen Dukagjini nga Klina është në gjendje të rëndë, pasi që shtëpia iu vërshua nga uji.

Naim Imeri, i cili ka nisur ta pastrojë shtëpinë nga balta, thekson se nuk i ka shpëtuar asgjë. Imeri me pesë anëtarë të familjes që është strehuar te xhaxhai i tij, kërkon ndihmën e komunës dhe qeverisë.

“Dëmet janë të mëdha, s’kam koment po shihen. Asgjë nuk ka shpëtuar në këtë shtëpi nga orenditë dhe pajisjet shtëpiake. Kjo është gjendje e rëndë. Çka kam pasur ka shkuar dëmë. Jemi strehuar te axha. Kemi qenë në rrezik edhe për jetë, niveli i ujit ka qenë i madh. Të gjitha orenditë i kam gjuajtur, ka qenë një komision për verifikim, çka ndodhë tash nuk e di… Komuna duhet të më bëjë një zgjidhje se nuk kam ku të qëndrojë, nuk kam çka të shtoj më”, tha ai.

Përveç ekonomive familjare, dëme pësuan edhe bizneset në Klinë. Aktim Dushi, pronar i fabrikës së mobilieve, thekson se dëmet janë të mëdha në makineri, dhe sipas tij, nëse nuk mund të futen më në funksion këto makina do të falimentojnë.

“Niveli i ujit ka qenë 95 centimetra në punëtori. Sa i përket makinave të punës, e kemi problemin me elektronikë, nuk e dimë se sa është dëmi i tyre dhe a do të mund t’i rikthejmë në gjendjen e mëparshme. Të gjitha makinat kanë qenë në ujë, dhe nëse nuk mundemi me i rikthyer makinat në funksion si biznes edhe do të kapitullojmë. Por, presim mbështetjen e komunës dhe institucioneve”, tha ai.

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj tha se Klina ka qenë ndër komunat më të dëmtuara në Kosovë nga vërshimet e fundit.

Elezaj tha se komuna nuk ka ndonjë fond të veçantë për mbulimin e këtyre dëmeve, por shpreson në ndihmën e qeverisë.

Kryetari nuk ka treguar për vlerën e dëmeve në këtë komunë, por thotë se shumë shpejt komuna do të dalë me një raport përfundimtar.

“Ishin nivelet më të larta të vërshimeve në histori që Klina ndonjë herë i ka përjetuar. Lumi Klina këtë herë ka kaluar të dyja anët e rrjedhës dhe ka vërshuar lagjen Dukagjini, Arbëria e shumë e shumë fshatra. Dhe tani po merremi me pasojat e vërshimeve… Vendet më të rrezikuara ishin Ujmiri, Shtarica, Pogragja, ndërsa edhe qyteti i Klinës kësaj radhe ishte më i godituri… Qindra familje janë evakuuar nga shtëpitë, të gjitha këto familje janë vendosur tek të afërmit e tyre me shpresën që brenda dy tre ditëve do të rikthehen në shtëpitë e tyre, por ato shtëpi janë në një gjendje të mjerueshme, mirëpo mundësitë janë të pakta që në këtë stinë dimri të bëhen tharjet e ajrosjet e orendive dhe pajisjeve shtëpiake nëpër shtëpi që i kanë pasur. Megjithatë ne do të kemi shifrën e saktë të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. Megjithatë, ka edhe familje që kanë kërkuar strehim. Ka për të pasur shtëpi që nuk janë në gjendje për me rifilluar jetën ato familje, por të shohim për këto pas vlerësimeve të sakta nga terreni”, tha ai.

Ai tha se nëse niveli qendror nuk i del në ndihmë Klinës, komuna duhet ta eliminojë ndonjë projekt dhe do t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.

“Në këto raste është e vështirë, sepse nuk ka fond të paraparë, veçse nëse lëmë ndonjë projekt pa realizuar. Por, nëse niveli qendror nuk na del ndihmë për çka nuk besoj, ne duhet ta eliminojmë ndonjë projekt dhe do t’iu dalim në ndihmë qytetarëve”, tha ai.

Kryetarit të Klinës, Elezajt nuk i ka mbetur shumë hatri që kryeministri i vendit nuk e vizitoi Klinën, ndonëse theksoi se janë komuna më e prekur nga vërshimet në këto ditë.

“Komuna e Klinës ka qenë më e dëmtuara në Kosovës, duke pasur parasysh që i ka 6 lumenj, por ndoshta këshilltarët e tij (kryeministrit) nuk e kanë informuar saktë. Por sidoqoftë për mua është me rëndësi të përqendrohemi se si ta tejkalojmë situatën. Megjithatë, tek ne kanë qenë për vizitë presidentja dhe disa ministra të qeverisë”, tha ai.

Klina, Skenderaj, Mitrovica, Podujeva dhe Istogu janë komunat më të prekura nga vërshimet e ditëve të fundit.

Lajmet

Policia sqaron ndalimin e hyrje-daljeve në parkingjet e Kuvendit dhe Presidencës

Published

on

Policia e Kosovës ka sqaruar se ndalimi i hyrje-daljeve dhe parkimit të automjeteve në hapësirat e Kuvendit të Kosovës dhe Presidencës, më 8 shtator, është bërë me kërkesë zyrtare të Drejtorisë së Shërbimeve Teknike të Kuvendit.

Sipas Policisë, kërkesa ka paraparë që, përveç veturave zyrtare të Kuvendit dhe Zyrës së Presidentes, të mos lejohej hyrja, dalja dhe parkimi i automjeteve në këto hapësira.

Ndalimi është bërë për shkak të pastrimit të oborrit dhe parkingjeve me mekanizëm adekuat. Policia ka bërë të ditur se në ditët në vijim pritet të rikthehen procedurat e rregullta për hyrje-daljet dhe parkimin e personave të autorizuar.

PK-ja ka theksuar se veprimet e saj i ndërmerr në përputhje me autorizimet ligjore dhe kushtetuese, përfshirë edhe zbatimin e kërkesave zyrtare të institucioneve të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pesë të arrestuar për tjetërsimin e një prone në Fushë Kosovë në vlerë 1.5 milionë euro

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e pesë personave, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në një rast që lidhet me tjetërsimin e një prone në Fushë Kosovë, në vlerë prej 1.5 milionë eurosh.

Arrestimet janë realizuar në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë, nga veprimet hetimore të zhvilluara deri më tani dyshohet se personat e përfshirë, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, kanë pajisur në mënyrë të kundërligjshme personin me inicialet M.S. me fletë poseduese për një pronë prej dy hektarësh në Fushë Kosovë.

Më pas, dyshohet se M.S., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar që pronën ta tjetërsojë përmes shitblerjes te personat me inicialet M.Z. dhe M.Z.

Prokuroria dyshon se gjatë këtij procesi janë përdorur edhe dokumente të falsifikuara, ndërsa vlera e pronës kap shumën prej 1 milion e 500 mijë eurosh.

Pesë të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Pas arrestimit, me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprimet e nevojshme hetimore, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dyshohej për varrezë masive në ish-shkollën teknike në Obiliq, Policia: U tentua të kultivohej drogë

Published

on

Gjatë pastrimit të ish-shkollës teknike në Obiliq, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Pastrimit “Kastrioti” në bodrumin e shkollës, kanë hasur pamje që kanë ngritur dyshime dhe shqetësim.

Fillimisht është dyshuar për varrezë masive, por sipas Policisë, më pas u kuptua se në këtë objekt është tentuar kultivimi i disa substancave narkotike.

Pastrimi i objektit pati filluar të bëhej pas vendimit të kryetarit të Obiliqit, Halil Thaçit që kjo shkollë të rikthehet dhe të fillojë mësimi përsëri.

Në bodrumin e objektit, shihen thasë të mbushur me materiale të panjohura, të varur në tavan, ndërsa në hapësirat e bodrumit është evidentuar edhe një gropë e madhe.

I pranishëm ishte edhe kryetari i komunës, i cili kishte thënë se rasti po hetohet nga Policia dhe Prokuroria.

“Sipas policëve dhe antidrogës shihet që është tentim i një kultivimi të disa substancave narkotike, por nuk dihet çfarë substanca, siç më tha eprori i policisë. Mirëpo, sido që të jetë, prokuroria edhe policia këtë punë e kanë në dorë dhe ato merren me rastin. Ndërsa sa i përket varrezës masive, unë nuk pashë, apo edhe policia qysh ma ka konfirmuar, nuk ka ndonjë dyshim për momentin”, ka dekalruar ai, raportoi EO.

Kjo shkollë që nga viti 1990, kur nxënësit ishin dëbuar nga forcat serbe, nuk kishte funksionuar më. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

3 milionë euro për efiçiencë të energjisë, mbi 1,400 qytetarë do të përfitojnë

Published

on

Rreth 3 milionë euro do të investohen në masa të efiçiencës së energjisë, projekt nga i cili pritet të përfitojnë mbi 1,400 qytetarë në Kosovë.

Deri më tani, në kuadër të këtij projekti janë rinovuar 51 shtëpi të familjeve të cenueshme, me një investim prej rreth 610 mijë eurosh. Në mesin e përfituesve është edhe familja Dragidella në Prishtinë.

Para renovimit, kjo familje konsumonte mbi 85 MWh energji në vit, ndërsa pas përfundimit të punimeve pritet të kursejë rreth 74 për qind të energjisë.

Deri në fund të këtij viti, pritet të përkrahen 192 familje përmes renovimit të shtëpive të tyre, ndërsa deri në vitin 2028 numri i familjeve përfituese pritet të arrijë në 280, në të gjithë Kosovën.

Përfituese do të jenë familjet që marrin asistencë sociale, me përparësi të veçantë për familjet me pensionistë, personat me aftësi të kufizuara dhe prindërit vetushqyes.

Projekti po realizohet me mbështetjen e Qeverisë së Danimarkës, UNDP-së, Ministrisë së Ekonomisë dhe Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara