Në kuadër të projektit “Balkan Stone” në muajin korrik përgjatë “Global UBT Fest 2022”, është organizuar një punëtori nga Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT me përfaqësuesit e tij, Prof. Visar Krelani dhe Prof. Hazir Çadraku, me mbështetjen e përgjegjëses së Zyrës së Projekteve në UBT, Elinda Krasniqi, përfaqësueses nga Fakulteti Arkitekturë dhe Planifikimit Urban, Prof. Mimoza Sylejmani, si dhe përfaqësuesin e Laboratorit të Materialeve në UBT, Hajriz Mazreku.
Ceremonia e hapjes së punëtorisë rreth projektit “Balkan Stone Day” është mbajtur në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, me prezencën e Zyrës Ndërkombëtare të UBT, Zyrës Erasmus+, profesorëve ndërkombëtarë nga universitete të ndryshme dhe përfaqësuesve të fakulteteve bashkëpunuese.
Fjalën hyrëse e mbajti drejtoresha e Zyrës Ndërkombëtare të UBT-së, Lirigzona Morina e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ngritjen e kapaciteteve të programit Erasmus+. Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, njëherit drejtori për Çështje Akademike në UBT, Prof. Dr. Muhamet Ahmeti përshëndeti ngjarjen e “BKSTONE” në UBT, teksa zëvendësdekani i këtij fakulteti, Visar Krelani prezantoi agjendën e takimit, duke shpjeguar në detaje aktivitetet e parapara për këtë organizim.
Një prezantim i përgjithshëm për projektin “BKSTONE” është bërë nga përfaqësuesja e Zyrës së Projekteve, Elinda Krasniqi e cila prezantoi projektin dhe aktivitetet punuese që janë në vazhdim dhe lidhjen me industrinë duke u fokusuar në rezultatet e projektit.
Profesori Hazir Çadraku prezantoi studimin e tij për potencialin e gurit në Kosovë dhe përdorimin e tij lidhur me përdorimin tradicional të gurit në ndërtesa, trotuare, ura dhe lidhjen me cilësinë e tij bazuar në testet që janë bërë falë pajisjeve që janë pranuar nga projekti në Laboratorin e Materialeve të UBT-së, teksa në kuadër të aktiviteteve të ndryshme të punëtorisë janë testuar ndikime të ndryshme që mund të pasonin te betoni me qëndrueshmëri më të lartë, probleme studimi si plasaritja dhe përshkueshmëria e ujit nën presion deri tek vetitë novatore, si kapaciteti vetë-shërues i betoneve moderne.
Krahas këtyre aktiviteteve ishte ekspozita që fabrikat dhe prodhuesit e gurit organizuan lidhur me prodhimin e gurit e cila u prezantua në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, ku pjesëmarrës vendas dhe ndërkombëtarë nga industria, fakulteti, studentët dhe palët e tjera të interesuara patën mundësinë të diskutojnë dhe të shohin produktet e industrisë së gurit, si dhe në bazë të agjendës, grupe të vogla pjesëmarrësish patën mundësinë të vizitojnë dhe të kryejnë disa teste qëndrueshmërie në laboratorin e materialeve të UBT-së.
Vizita e fabrikave të gurit ishte një tjetër aktivitet i rëndësishëm për të kuptuar të gjithë procesin nga minierat deri te produktet përfundimtare, ndërkaq rëndësia e bashkëpunimit me ekspertë nga Bashkimi Evropian u prezantua si një pikë kyçe dhe mundësia për të përmirësuar kurrikulat, krijimin e materialit të ri studimor, përdorimin e teknologjive më moderne në laborator dhe përmirësimin e njohurive që lidh akademinë me palët e interesuara e bëjnë këtë projekt unik dhe shumë të rëndësishme për industrinë e ardhshme të gurit.
Pas vizitës së lokalitetit në “Fabrika e Gurit” janë zhvilluar aktivitete të ndryshme sociale në Ujëvarën e Mirushës, e cila përfaqëson një rajon të pasur me gurë dhe një tjetër aktivitet social është zhvilluar në qytetin e Gjakovës, duke vizituar vendet më interesante si pazari i vjetër, xhamitë, kishat dhe ndërtesat kryesisht të ndërtuara me gurë tradicionalë dhe rajonalë.
Në kuadër të “Ditëve të Artit dhe Dizajnit” në UBT, studentët e Artit dhe Medias Digjitale prezantuan projektet e tyre kreative në lëndën “Advanced Multimedia”, nën mentorimin e profesorit Dardan Luta, duke sjellë ide inovative që ndërthurin dizajnin e produktit me identitetin vizual të brendit.
Projekti i këtij viti u fokusua në krijimin e një identiteti të ri të markës përmes dizajnimit të një koleksioni llampash me tematikë të veçantë. Studentët zhvilluan koncepte unike që reflektojnë stile të ndryshme estetike, nga minimalizmi dhe dizajni futuristik, deri te format organike, duke synuar krijimin e një identiteti vizual të dallueshëm dhe modern.
Përveç dizajnimit të produktit, projektet përfshinë edhe krijimin e logos, përzgjedhjen e paletës së ngjyrave, idetë për paketim dhe materialet promovuese vizuale. Përmes kësaj qasjeje multidisiplinare, studentët eksploruan mënyrën se si dizajni i produktit dhe brendimi bashkëpunojnë për të ndërtuar një përvojë të fortë dhe të paharrueshme të markës.
Ky aktivitet dëshmoi kreativitetin, inovacionin dhe aftësitë profesionale të studentëve të AMD-së, duke reflektuar qasjen moderne të UBT-së në zhvillimin e talenteve në fushën e artit, dizajnit dhe komunikimit vizual.
Studentja Era Deva dhe Profesori Milaim Berisha nga UBT prezantojnë testin inovativ “NEFS” në revistën “Frontiers in Sports and Active Living” në kuartilin e parë (Q1)
Studentja e UBT-së, Era Deva, nën mentorimin e Profesorit Milaim Berishës dhe në bashkëpunim me autorë ndërkombëtarë, ka arritur një sukses të rëndësishëm akademik duke publikuar një punim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare “Frontiers in Sports and Active Living” (Scopus Q1, WoS Q2).
Era Deva, e cila aktualisht vijon studimet edhe në Seoul National University në Korenë e Jugut, ka kontribuar në zhvillimin dhe prezantimin e “New Era FitScore (NEFS)”, një test inovativ për vlerësimin e nivelit të shëndetit nga aspekti fizik, kognitiv dhe fiziologjik.
Ky model dallon nga metodat tradicionale falë qasjes së tij gjithëpërfshirëse, duke integruar vlerësimin fizik, mendor-kognitiv dhe fiziologjik brenda një protokolli të shkurtër prej vetëm 90 sekondash.
Një tjetër veçori e rëndësishme e testit është fakti se kërkon pajisje minimale dhe ka kosto të ulët implementimi, gjë që e bën të përshtatshëm për përdorim në mjedise sportive, shkolla, klinika dhe komunitete të ndryshme.
Publikimi i këtij punimi në një revistë me ndikim të lartë ndërkombëtar përfaqëson një arritje të rëndësishme për autorët dhe njëkohësisht vendos emrin e UBT-së dhe Kosovës në hartën globale të hulumtimit shkencor në fushën e sportit dhe shëndetit.
Ky sukses dëshmon edhe një herë përkushtimin e UBT-së në mbështetjen e studentëve dhe stafit akademik drejt kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
UBT zyrtarisht është anëtarësuar në EURASHE (European Association for the Applied Sciences in Higher Education), një nga organizatat më të rëndësishme evropiane që përfaqëson institucionet e arsimit të lartë të orientuara drejt shkencave të aplikuara, inovacionit dhe zhvillimit profesional.
Me këtë anëtarësim, UBT i bashkohet rrjetit evropian të institucioneve të arsimit të lartë, duke forcuar edhe më tej pozicionimin e tij në arenën ndërkombëtare akademike.
Presidenti dhe Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, tha se anëtarësimi në EURASHE përbën një moment të rëndësishëm për UBT-në dhe për Kosovën, pasi dëshmon kredibilitetin dhe seriozitetin institucional të UBT-së në nivel evropian dhe ndërkombëtar.
“Anëtarësimi i UBT-së në EURASHE është një nder i veçantë për institucionin tonë dhe për Kosovën. Me këtë, UBT përmbush ciklin e anëtarësimeve në organizatat më të rëndësishme që kontribuojnë në politikat, zhvillimin, inovacionin, arsimin dhe kërkimin shkencor në Evropë dhe në botë. Ky është një konfirmim se UBT është një institucion serioz dhe kredibil, ndërsa njëkohësisht krijon mundësi të reja për pjesëmarrje aktive të stafit dhe studentëve tanë në zhvillimin e politikave evropiane, projekteve inovative dhe avancimin e arsimit të lartë”, tha Rektori Hajrizi.
Ai shtoi se UBT, përmes përvojës së tij në inovacion, teknologji dhe aplikime industriale, do të ketë rol aktiv dhe kontribuues në forumet dhe debatet evropiane që lidhen me të ardhmen e arsimit të lartë.
Ky anëtarësim përfaqëson një hap të rëndësishëm për UBT-në në fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimit akademik dhe pjesëmarrjes aktive në zhvillimet më të reja të arsimit të lartë në Evropë. Përmes këtij rrjeti, UBT do të ketë mundësi të kontribuojë në iniciativa evropiane, projekte inovative dhe politika që lidhen me arsimin, teknologjinë dhe tregun e punës.
UBT International Smart Schools ka hapur zyrtarisht kampanjën e sivjetshme, duke shënuar një moment të rëndësishëm për arsimin në Kosovë me akreditimin nga Cambridge International Education, një nga institucionet më prestigjioze globale në arsimin parauniversitar.
Ky akreditim u mundëson shkollave implementimin e programeve dhe kualifikimeve ndërkombëtare Cambridge në Kosovë, duke u ofruar nxënësve një rrugëtim akademik sipas standardeve britanike dhe globale.
Përmes këtij bashkëpunimi, nxënësit do të kenë mundësi të ndjekin sistemin e njohur ndërkombëtarisht “Cambridge Pathway”, i cili përfshin: Cambridge Primary, Cambridge Lower Secondary, Cambridge IGCSE dhe Cambridge International AS & A Levels.
Programet e Cambridge International Education njihen globalisht për standardet e larta akademike, metodologjinë moderne të mësimdhënies dhe përgatitjen e nxënësve për universitetet më prestigjioze në botë.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky akreditim krijon një model modern edukimi për të rinjtë në Kosovë.
“Kjo krijon një model modern edukimi që u jep të rinjve në Kosovë njohuri sipas standardeve ndërkombëtare, aftësi globale, kualifikime të njohura botërisht dhe mundësi më të mëdha akademike e profesionale. Qëllimi ynë është që të rinjtë në Kosovë të kenë qasje në të njëjtat standarde akademike që ndjekin nxënësit në shkollat më të mira ndërkombëtare”, tha Rektori Hajrizi.
Me numër rekord të interesuarish për regjistrimet e hershme në UBT International Smart Schools, shkollat e para që integrojnë plotësisht inteligjencën artificiale në kurrikula në Kosovë dhe rajon, ky vit shënon një etapë të re në transformimin e arsimit modern në vend.