Në kuadër të projektit “Balkan Stone” në muajin korrik përgjatë “Global UBT Fest 2022”, është organizuar një punëtori nga Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT me përfaqësuesit e tij, Prof. Visar Krelani dhe Prof. Hazir Çadraku, me mbështetjen e përgjegjëses së Zyrës së Projekteve në UBT, Elinda Krasniqi, përfaqësueses nga Fakulteti Arkitekturë dhe Planifikimit Urban, Prof. Mimoza Sylejmani, si dhe përfaqësuesin e Laboratorit të Materialeve në UBT, Hajriz Mazreku.
Ceremonia e hapjes së punëtorisë rreth projektit “Balkan Stone Day” është mbajtur në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, me prezencën e Zyrës Ndërkombëtare të UBT, Zyrës Erasmus+, profesorëve ndërkombëtarë nga universitete të ndryshme dhe përfaqësuesve të fakulteteve bashkëpunuese.
Fjalën hyrëse e mbajti drejtoresha e Zyrës Ndërkombëtare të UBT-së, Lirigzona Morina e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ngritjen e kapaciteteve të programit Erasmus+. Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, njëherit drejtori për Çështje Akademike në UBT, Prof. Dr. Muhamet Ahmeti përshëndeti ngjarjen e “BKSTONE” në UBT, teksa zëvendësdekani i këtij fakulteti, Visar Krelani prezantoi agjendën e takimit, duke shpjeguar në detaje aktivitetet e parapara për këtë organizim.
Një prezantim i përgjithshëm për projektin “BKSTONE” është bërë nga përfaqësuesja e Zyrës së Projekteve, Elinda Krasniqi e cila prezantoi projektin dhe aktivitetet punuese që janë në vazhdim dhe lidhjen me industrinë duke u fokusuar në rezultatet e projektit.
Profesori Hazir Çadraku prezantoi studimin e tij për potencialin e gurit në Kosovë dhe përdorimin e tij lidhur me përdorimin tradicional të gurit në ndërtesa, trotuare, ura dhe lidhjen me cilësinë e tij bazuar në testet që janë bërë falë pajisjeve që janë pranuar nga projekti në Laboratorin e Materialeve të UBT-së, teksa në kuadër të aktiviteteve të ndryshme të punëtorisë janë testuar ndikime të ndryshme që mund të pasonin te betoni me qëndrueshmëri më të lartë, probleme studimi si plasaritja dhe përshkueshmëria e ujit nën presion deri tek vetitë novatore, si kapaciteti vetë-shërues i betoneve moderne.
Krahas këtyre aktiviteteve ishte ekspozita që fabrikat dhe prodhuesit e gurit organizuan lidhur me prodhimin e gurit e cila u prezantua në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, ku pjesëmarrës vendas dhe ndërkombëtarë nga industria, fakulteti, studentët dhe palët e tjera të interesuara patën mundësinë të diskutojnë dhe të shohin produktet e industrisë së gurit, si dhe në bazë të agjendës, grupe të vogla pjesëmarrësish patën mundësinë të vizitojnë dhe të kryejnë disa teste qëndrueshmërie në laboratorin e materialeve të UBT-së.
Vizita e fabrikave të gurit ishte një tjetër aktivitet i rëndësishëm për të kuptuar të gjithë procesin nga minierat deri te produktet përfundimtare, ndërkaq rëndësia e bashkëpunimit me ekspertë nga Bashkimi Evropian u prezantua si një pikë kyçe dhe mundësia për të përmirësuar kurrikulat, krijimin e materialit të ri studimor, përdorimin e teknologjive më moderne në laborator dhe përmirësimin e njohurive që lidh akademinë me palët e interesuara e bëjnë këtë projekt unik dhe shumë të rëndësishme për industrinë e ardhshme të gurit.
Pas vizitës së lokalitetit në “Fabrika e Gurit” janë zhvilluar aktivitete të ndryshme sociale në Ujëvarën e Mirushës, e cila përfaqëson një rajon të pasur me gurë dhe një tjetër aktivitet social është zhvilluar në qytetin e Gjakovës, duke vizituar vendet më interesante si pazari i vjetër, xhamitë, kishat dhe ndërtesat kryesisht të ndërtuara me gurë tradicionalë dhe rajonalë.
Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.
Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.
Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.
Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.
Profesori nga Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Hazir S. Çadraku, në bashkëpunim me Fadil Bajraktari, Cand. PhD, nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, kanë publikuar artikullin shkencor me titull “New geomonuments, Republic of Kosovo” në ProGEO News, revistë dhe platformë zyrtare e International Association for the Conservation of Geological Heritage (ProGEO).
Ky publikim paraqet një kontribut të rëndësishëm shkencor dhe institucional në fushën e trashëgimisë gjeologjike, duke prezantuar monumente të reja gjeologjike (geomomumente) në Republikën e Kosovës, si dhe duke theksuar vlerat e tyre shkencore, edukative, turistike dhe mjedisore.
Artikulli synon të rrisë ndërgjegjësimin kombëtar dhe ndërkombëtar për pasurinë gjeologjike të Kosovës dhe rëndësinë e ruajtjes së saj në kuadër të mbrojtjes së natyrës.
ProGEO është një organizatë ndërkombëtare prestigjioze që bashkon ekspertë të gjeoshkencave, menaxherë të trashëgimisë natyrore, studiues, edukatorë dhe profesionistë të turizmit, me misionin për të promovuar dhe mbrojtur trashëgiminë gjeologjike dhe gjeodiversitetin në mbarë botën.
Organizata është e afiluar me International Union of Geological Sciences (IUGS) dhe është anëtare e International Union for Conservation of Nature (IUCN), duke luajtur një rol kyç në politikat globale të konservimit të natyrës.
Përmes këtij publikimi, autorët theksojnë nevojën për një qasje të integruar në mbrojtjen e natyrës, ku trashëgimia gjeologjike trajtohet në mënyrë të barabartë me biodiversitetin, si dhe rëndësinë e përfshirjes së institucioneve shtetërore, akademike dhe publikut në ruajtjen dhe promovimin e këtyre vlerave.
Për më shumë detaje rreth artikullit dhe aktiviteteve të ProGEO-s, vizitoni faqen zyrtare të organizatës: ProGEO
Profesori dhe njëherit Prodekani i Studimeve të Sigurisë në UBT, Prof. Dr. Arian Kadriu, ka realizuar një ligjëratë tematike në ambientet e Camp Bondsteel, në Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit akademik dhe profesional me misionin e KFOR-it.
Ligjërata u përqendrua në temën “Kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj sigurisë kombëtare në Kosovë”, duke trajtuar në mënyrë analitike zhvillimet aktuale të sigurisë, sfidat strategjike dhe rolin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në garantimin e stabilitetit dhe paqes.
Gjatë ligjëratës, Profesori Kadriu ofroi një qasje të thelluar akademike të kombinuar me përvojë praktike, duke theksuar rëndësinë e analizës së rrezikut, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolit të partnerëve ndërkombëtarë në ruajtjen e sigurisë në Kosovë dhe rajon.