Telefonat inteligjentë janë një pjesë e pazëvendësueshme e jetës sonë. Tani ne mbështetemi tek ata për të kryer shumicën e detyrave tona të përditshme. Megjithatë, një nga problemet më të mëdha që hasim në lidhje me ta është mbarimi i baterisë.
Telefonat e juaj, të cilët dikur mbanin baterinë gati një ditë e gjysmë, nuk janë më në gjendje të ruajnë këtë jetëgjatësi baterie. Kjo rënie është kryesisht për shkak të aplikacioneve që keni instaluar dhe përdorni.
Por a e dini se një aplikacion, i përdorur zakonisht nga pothuajse të gjithë, mund ta shkarkojë shpejt baterinë tuaj pa e kuptuar ju? Ja detajet…
Një ish-punonjës i Facebook-ut ka akuzuar kompaninë për shkarkimin e paligjshëm të baterive të telefonit.
George Hayward së fundmi bëri këtë pretendim. Ai thotë se Facebook dhe Messenger kanë aftësinë për të zbrazur qëllimisht bateritë e telefonave inteligjentë. Ky proces, i referuar si “Negative Testing”, u mundëson kompanive të teknologjisë që të harxhojnë fshehurazi bateritë e telefonit të një përdoruesi në mënyrë që të testojnë veçoritë brenda një aplikacioni.
Ish-punonjësi i Meta-s, i cili tha se nuk pranoi t’i bënte këto teste, e përshkruan kështu dialogun me shefin e tij, “I thashë menaxheres, ‘Kjo mund të dëmtojë dikë’ dhe ajo tha duke dëmtuar disa, [ne] mund të ndihmojmë masën më të madhe”.
Hayward ngriti një padi kundër kompanisë në Gjykatën Federale të Manhatanit. Baza kryesore e padisë është se përdoruesit e Facebook mund të mos kenë akses në telefonat e tyre kur u nevojitet më së shumti.
Dan Kaiser theksoi se shkarkimi i baterive të smartfonëve përbën një rrezik për ta. Avokati shtoi, “Është e paligjshme dhe është e egër që dikush mund të manipulojë baterinë e telefonit tim”.
Në një moment gjatë punësimit të tij në Meta, kompania i dha Hayward-it një dokument trajnimi të brendshëm të titulluar “How to run thoughtful negative tests”, i cili përfshinte shembuj se si të kryheshin teste të tilla. Kjo sugjeron që gjigandi i mediave sociale ka kryer teste të ngjashme në të kaluarën. Megjithatë, Meta nuk ka dhënë ende një deklaratë për këtë çështje, por pritet të dalë në të ardhmen e afërt./UBTNews/