Lajmet

​EULEX: Trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk ka shënuar përparim të mirëfilltë

Published

on

Trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk ka shënuar progres, e disa prej tyre rrezikojnë parashkrimin, derisa për institucionet e drejtësisë sfidë mbetet edhe produktiviteti i seancave, ndërsa, paraburgimi po vazhdon të përdoret në mënyrë të tepruar. Kështu thotë raporti i EULEX-it lidhur me monitorimin e sistemit të drejtësisë.

Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano tha se raporti nënvizon se rruga drejt përafrimit të Bashkimin Evropian kërkon një përkushtim të palëkundur nga udhëheqësit e institucioneve të sundimit të ligjit në të gjitha nivelet.

Sipas tij ky raport i cili përfshinë gjetjet nga monitorimi i 300 rasteve, është dëshmi e rrugëtimit të sistemit gjyqësor në Kosovë.

“Ky raport nënvizon se rruga drejt përafrimit të Bashkimin Evropian kërkon më shumë se reforma institucione në drejtësi, por kërkon një përkushtim të palëkundur nga udhëheqësit të institucioneve të sundimit të ligjit në të gjitha nivelet dhe mbështetjen nga të gjitha komunitetet. Kjo qasje pjesëmarrëse është jashtëzakonisht me rëndësi sepse asnjë reformë qoftë më e mira e mundur nuk mund të ketë sukses në vete….EULEX vazhdon të jetë partner i përkushtuar i Kosovës zotimi ynë për të mbështetur sektorin e drejtësisë së Kosovës është i palëkundur, por përgjegjësia për transformimin e vërtetë përfundimisht i takon lidershipit kosovar. Vullneti politik, pavarësia gjyqësore dhe angazhimi aktiv qytetarët janë forcat shtytëse për të zvogëluar këtë hendek ndërmjet legjislacionit dhe zbatimit”, theksoi ai.

Ndërsa, shefi i Njësisë së EULEX-it për monitorimin e rasteve, Hubert van Eck Koster u shpreh se rezultatet kanë munguar në trajtimin e rasteve të profilit të lartë, të cilat sipas tij rrezikojnë edhe disa të parashkruhen, ndërsa edhe paraburgimi vazhdon të përdoret në mënyrë sistematike.

Sipas raportit, progres është shënuar në rastet e krimeve të luftës e edhe në luftimin e dhunës në baza gjinore.

“Sa i përket trajtimit të rasteve të profilit të lartë, të korrupsionit shumë prej tyre fatkeqësisht nuk kanë shënuar ndonjë përparim të mirëfilltë edhe pse disa gjykime janë duke u mbajtur për vite të tëra dhe rreziku në disa prej rasteve është se ato mund të arrijnë afatin e parashkrimit e shumë prej rasteve të profilit të lartë që kanë pasur një përparim dhe kanë përfunduar me lirim nga akuza…12’25Sa i përket produktivitet të seancave ka pasur më pak përparim në dy vitet e fundit sesa që kishim pritur paraprakisht duke pas parasysh përmirësimet e vazhdueshme të pas vitit 2018 e tutje….12\53Në periudhën shtator 2022 maj 2024, 230 seanca nga 821 seanca të monitoruara kanë qenë joproduktive që i bie 28 % të seancave janë jo produktive…. 15\34 Paraburgimi në procedura kemi vërejtur një përdorim të tepruar në vend që të përdoreshin masa më të buta, misioni ka vlerësuar në bazë të analizave të 67 vendimeve për paraburgim vazhdon të përdoret masa e paraburgimit në mënyrë sistematike pa ndonjë arsyetim të duhur dhe shpesh vazhdohet në mënyrë automatike…16’31Në periudhën aktuale numri i personave të paraburgosur për më shumë se dy vite është rritur nga 37 në 61 ku 10 persona mbahen të paraburgosur për më shumë se 6 vite”, tha ai.

Komente për raportin e EULEX-it patën edhe krerët e institucioneve e sigurisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha theksoi se në aspektin e hetimeve proaktrive ka bërë reforma të mëdha duke ngritur kapacitetet e inteligjencës.

Ai shprehu përkushtimin e Policisë së Kosovë për të rritur efikasitetin në luftimin dhe parandalimin e sundimit të ligjit.

“Ne do të jemi të fokusuar në rritjen e bashkëpunimit ndër institucional për të adresuar këto të gjetura dhe rekomandime. Disa nga çështjet organizative që ndërlidhen me njësinë e veçantë të hetimeve janë adresuar në kuadër të strukturës së re organizative të PK-së. Sa i përket pozitës së veçantë të hetimeve ajo ishte rregulluar me strukturën e re gjithashtu në kuadër të rregullores së re dhe sistematizim të vendeve të punës në Polici është rregulluar edhe statusi i veçantë i njësisë së hetimeve”, theksoi ai.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdari u shpreh se këto raporte kanë mundësuar identifikimin e mangësive të sistemit të drejtësisë.

Hajdari shprehu gatishmërinë e KPK-së për bashkëpunim në trajtimin e rasteve të profilit të lartë.

“Secili prokuror do të mbahet përgjegjës për vonesat e paarsyeshme të hetimit penal dhe mungesës së paarsyeshme në rastet e profilit të lartë. Do të mbahen takime me kryeprokurorët për të adresuar mangësitë në akuzat e profilit të lartë që kanë rezultuar me lirim nga akuza, jemi të gatshëm të diskutojmë publikisht me KGJK dhje gjyqësorin për aktakuzat e arsyetuara që lidhen me rastet e korrupsionit apo profilit të lartë. Do t’i inkurajojmë prokurorit që të marrin pjesë në shpalljen e aktgjykimit në të kundërtën do të vlerësohen negativisht. Do të inkurajojnë prokurorët të zbatojnë masa më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë derisa masën e paraburgimit ta vlerësojnë të fundit”, theksoi ai.

Ndonëse me të gjeturat u pajtua dhe e konsideron si kredibil, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj adresoi edhe kritika.

“Të jepni pak më shumë vëmendje kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë, të buxhetit për shkak se është e ndërlidhur direkt efikasiteti, efektiviteti dhe performanca e përgjithshme por edhe cilësia e besimit direkt me kapacitet që kemi në përmbushjen e misioneve tona ligjore e kushtetuese…Buxheti i institucioneve tona është në limite të mbijetesës që kufizon shumë resurset”, theksoi ai.

Raporti i monitorimit të sistemit të drejtësisë, është raporti i gjashtë me radhë që është publikuar nga Misioni i EULEX-it në Kosovës.

Rajoni

Gjykata e Apelit lë në arrest shtëpiak Vlora Hysenin: Rrëzohet kërkesa për zbutjen e masës

Published

on

By

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për Vlora Hysenin, duke rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për zbutjen e kësaj mase.

Pavarësisht pretendimeve të avokatit mbrojtës se nuk ekziston rreziku i largimit nga vendi apo i dëmtimit të provave, togat e zeza në Apel kanë miratuar vendimet e Shkallës së Parë.

Në vendimin e zbardhur theksohet gjithashtu se, në mbështetje të Kodit të Procedurës Penale, ndalohet publikimi i plotë i këtij akti deri në përfundimin e hetimeve paraprake. Pala mbrojtëse ka të drejtë të ushtrojë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda një afati 45-ditor nga njoftimi i vendimit të arsyetuar. /Top Chanel/

Continue Reading

lajme

Raporti i BE-së: Kosova ngec në reformat kyç për integrim

Published

on

By

Kosova vazhdon të ngecë në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian.

Gjyqësori nuk ka shënuar asnjë përparim, lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të kufizuara, ndërsa krizat politike kanë dobësuar funksionimin e institucioneve.

Kjo është tabloja që paraqet Komisioni Evropian në raportin e tij për Kosovën për vitin 2026, ku paralajmëron se ndikimet politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë mbeten pengesë serioze për pavarësinë e tij dhe, në disa aspekte, madje janë intensifikuar.

Raporti evidenton rënie të numrit të vendimeve përfundimtare dhe dënimeve për korrupsion të nivelit të lartë, si dhe mangësi në mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë.

Megjithatë, jo të gjitha vlerësimet janë negative.

Komisioni vëren përparim në administratën publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.

Dokumenti, i titulluar “Raporti për Kosovën 2026”, është pjesë e Paketës së Zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ai mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, por përfshin edhe disa zhvillime të mëvonshme.

Vlerësimi vjen dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe gati katër vjet pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në BE.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, lidhur me gjetjet e raportit të Komisionit Evropian, dhe është në pritje të përgjigjes së tij.

Politika pengoi reformat

Dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, periudha të gjata bllokadash dhe një qeveri me kompetenca të kufizuara për pjesën më të madhe të periudhës së raportimit kanë lënë gjurmë në funksionimin e institucioneve.

Sipas Komisionit, Kuvendi ka ushtruar kompetencat e tij me mangësi të konsiderueshme, ndërsa mbikëqyrja e ekzekutivit ka qenë shumë e kufizuar.

Zgjedhjet u vlerësuan përgjithësisht si paqësore dhe konkurruese, por raporti identifikon përpjekje për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mangësi në rregullimin e fushatave dhe trajtim të pamjaftueshëm të dezinformimit.

Një tregues tjetër i ndikimit të krizave politike ishte rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje, nga 45 për qind në dhjetor të vitit 2025 në 37 për qind në qershor të vitit 2026.

Komisioni vlerëson se kjo sugjeron lodhje në rritje të votuesve dhe pakënaqësi me shpeshtësinë e zgjedhjeve.

 

Drejtësia, një nga pikat më të dobëta

Për funksionimin e gjyqësorit, vlerësimi i Komisionit është i qartë: në përgjithësi, nuk është shënuar përparim.

Ndikimet e papërshtatshme nga interesa politike, ekonomike dhe faktorë të tjerë vazhdojnë të pengojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit, ndërsa paketa e ligjeve për reformimin e drejtësisë mbetet e pamiratuar.

Komisioni ngre shqetësime edhe për zbatimin e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe kërkon respektimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Megjithatë, evidenton zhvillime pozitive në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ndryshimet në përbërjen e Këshillit Prokurorial.

Një shqetësim tjetër është përfaqësimi i pamjaftueshëm i serbëve të Kosovës në gjyqësor, që, sipas raportit, cenon karakterin shumetnik të sistemit të drejtësisë.

Vëmendje të veçantë marrin edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi më 6 tetor.

Komisioni paralajmëron se ato ngrenë shqetësime serioze për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe sigurimin e përgjegjësisë për krimet e luftës.

Ai ngre gjithashtu shqetësime për kushtetutshmërinë e ndryshimeve, të cilat presidentja i ktheu në Kuvend për rishqyrtim, më 22 tetor.

Më shumë raportime për korrupsion, më pak dënime të nivelit të lartë

Në luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka shënuar përparim të kufizuar.

Ndërsa numri i vendimeve gjyqësore përfundimtare dhe dënimeve në rastet e korrupsionit që nuk i përkasin nivelit të lartë, është rritur ndjeshëm, në rastet e nivelit të lartë ka shënuar rënie.

Raporti thekson se Kosova vazhdon të mos ketë një strategji gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit dhe një qasje të koordinuar për luftimin e tij.

Ndërkohë, numri i raportimeve të sinjalizuesve të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin paraprak.

Komisioni kërkon gjithashtu përmirësimin e verifikimit të deklarimeve të pasurisë dhe forcimin e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

 

Media të lira, por me sfida

Përparim i kufizuar është shënuar edhe në lirinë e shprehjes dhe të mediave.

Komisioni vlerëson se Kosova vazhdon të ketë një mjedis mediatik pluralist, por evidenton probleme me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave.

Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese në zonat me shumicë serbe, sidomos në veri, ku mjedisi kufizues nxit autocensurën.

Raporti kërkon miratimin e një ligji të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe rishikimin e ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës, për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe pavarësi institucionale.

Shqetësime ngrihen edhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshirë rrënimin e pronave private në veri pa respektimin e duhur të procedurave ligjore, ndërkohë që kundërshtimet gjyqësore ishin ende në shqyrtim.

 

Dialogu me Serbinë: Pak përparim, shumë detyrime të pazbatuara

Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, ndërsa veprimet e njëanshme dhe retorika e të dyja palëve vazhdojnë të pengojnë normalizimin e marrëdhënieve, vlerëson Komisioni Evropian.

Sipas raportit, dialogu ka vazhduar me takime të rregullta në nivel kryenegociatorësh dhe ekipesh teknike, por zbatimi i detyrimeve të mbetura nga marrëveshjet e dialogut mbetet i kufizuar.

Komisioni kërkon që Kosova të nisë procesin për vendosjen e aranzhimeve të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, ndërsa Serbia, paralelisht, të fillojë njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.

Raporti thekson se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe duhet të zbatohet pa vonesa apo parakushte.

Situata në veri të Kosovës vlerësohet e qetë, por e brishtë.

Komisioni kritikon veprimet e përsëritura të autoriteteve kosovare ndaj strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, arrestimet e serbëve të Kosovës dhe mospranimin e tërheqjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, që ka penguar riintegrimin e tyre në sistemin e drejtësisë.

Në anën tjetër, Komisioni kritikon Serbinë për lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Interpolin, si dhe për retorikën nxitëse të zyrtarëve të saj.

Raporti thekson gjithashtu se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa domethënës për të siguruar përgjegjësi për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Komisioni paralajmëron se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut mbeten kushte thelbësore për rrugën evropiane të të dyja vendeve, të cilat rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme, në mungesë të përparimit. /REL/

 

Continue Reading

lajme

U ndaluan punimet në një objekt ndërtimi në Kllokot: Inspektorati i Punës konstaton parregullsi

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës ka pezulluar përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në Kllokot, pas konstatimit të parregullsive që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.

Vendimi u mor gjatë inspektimeve të rregullta në terren, ku inspektorët konstatuan se subjektet ndërtuese nuk i kishin plotësuar kushtet ligjore për mbrojtjen e punëtorëve. Ndalimi i punimeve do të mbetet në fuqi deri në eliminimin e plotë të këtyre parregullsive dhe krijimin e një ambienti të sigurt pune.

Me këtë rast, Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me rigorozitet legjislacionin në fuqi, duke paralajmëruar se garantimi i sigurisë dhe i shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i pakompromis. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Pejë për sulm seksual ndaj vajzës së tij të mitur

Published

on

By

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është ndaluar për 48 orë në Pejë, nën dyshimin se ka kryer dy vepra të rënda penale kundër integritetit seksual ndaj vajzës së tij të mitur.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se Prokurori i Shtetit ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa viktima po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor nën përkujdesjen e institucioneve shtetërore.

Sipas të dhënave zyrtare nga raporti i Prokurorit të Shtetit, Departamenti për Të Mitur po e ngarkon të dyshuarin për veprat penale “Sulmi seksual” dhe “Materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit të fëmijëve”.

Gjatë zhvillimit të hetimeve, organet e rendit kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit, me ç’rast janë sekuestruar prova materiale, kryesisht pajisje elektronike që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprave penale. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara