Lajmet nga UBT

Etika mediatike në fokus të debatit në UBT, me pjesëmarrje të personaliteteve të njohura nga fusha e gazetarisë dhe komunikimit

Published

on

Në kuadër të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, në UBT është mbajtur një forum i nivelit të lartë, i cili mblodhi së bashku personalitete të njohura të gazetarisë, komunikimit dhe rregullatorëve mediatikë, për të trajtuar temën shumë të ndjeshme dhe aktuale të etikës në media.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin: Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive në Shqipëri, Armela Krasniqi, Kryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Besnik Berisha, Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Prof. Dr. Ferid Selimi, Kryeredaktorja e KTV-së dhe Kryetare e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Brikenda Rexhepi, gazetari dhe autori i disa botimeve në fushën e etikës mediatike, Prof. Musa Sabedini, drejtuesit dhe redaktorë të mediave vendore si Muhamet Hajrullahu, Ilir Zylfiu, Shkodran Gajraku, si dhe profesorë e studentë të fushës së komunikimit.

Në fjalën hapëse, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e thellimit të diskutimit për etikën profesionale në gazetari, duke vënë në dukje se kjo çështje nuk është vetëm akademike, por përbën një dimension thelbësor për funksionimin e shoqërisë demokratike:

“Pjesa e etikës është një tematikë që nuk duhet anashkaluar. Janë çështje me interes për t’u diskutuar për të gjithë, dhe uroj që ky forum të shërbejë për konkluzione konkrete që të japim një mesazh të qartë nga ky takim”.

Ai shtoi se në bashkëpunim me ekspertë të fushës janë realizuar disa hulumtime për të analizuar nivelin e etikës në media dhe ndikimin që ajo ka në rritjen e besueshmërisë tek publiku. Duke vlerësuar punën e gazetarëve, Hajrizi ngriti edhe çështjen e stabilitetit financiar, duke thënë se gazetarët nuk paguhen sa duhet dhe kjo ndikon në cilësinë e punës së tyre.

“Gazetaria është profesion fisnik. Por, për ta mbështetur atë, duhet t’u krijojmë kushte të qëndrueshme financiare gazetarëve, që të mos bien pre e ndikimeve negative”, tha ai.

Në këtë diskutim, Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Prof. Dr. Ferid Selimi, tha se etika është një nga shtyllat bazë të formimit profesional të studentëve të komunikimit, dhe UBT është e përkushtuar që përmes kurrikulave moderne dhe trajnimve të përgatit gazetarë të përgjegjshëm.

Rektori Hajrizi vlerësoi kontributin e profesorëve të UBT-së të cilët publikojnë herë pas here libra të rëndësishëm për etikën dhe komunikimin, duke përmendur veçanërisht kontributin e gazetarit dhe profesorit Musa Sabedini, i cili ka mbi 33 vite përvojë dhe ka botuar tri libra, ndërsa së shpejti pritet të publikojë edhe një tjetër që prek temat delikate të etikës mediatike në Kosovë.

Ndërkohë, Armela Krasniqi, Kryetare e AMA-s në Shqipëri, theksoi se edhe pse janë vendosur gjoba ndaj televizioneve, problemi kryesor mbetet edukimi i individëve, sidomos në raport me platformat si TikTok. Ajo tha se janë vërejtur disa shkelje serioze të ligjit dhe mungesë transparence në pronësinë e mediave online.

“Nuk është e lehtë të konkurrosh në një mjedis të tillë mediatik. Ka media që nuk dihet kush janë pronarët e tyre, dhe kjo e bën të vështirë rregullimin. Por, shtypi duhet të jetë i lirë, sepse vetëm një shtyp i lirë krijon qytetarë të shëndetshëm”, tha mes tjerash Krasniqi.

Besnik Berisha, Kryetar i Komisionit të Pavarur për Media, theksoi se liria e shprehjes ka kuptim vetëm kur menaxhohet me vetëkontroll dhe jo me masa ndëshkuese.

“Sfidat për gazetarët rriten kur raportojnë për interesa të mëdha financiare. Media duhet të jetë profesionale dhe objektive, jo shërbëtore e grupeve të interesit. Misioni ynë është të nxisim diversitetin, jo të mbyllim mediat”, u shpreh Berisha.

Prof. Musa Sabedini, gjatë fjalës së tij, tha se mungesa e literaturës ka qenë nxitje për të përfshirë temat e etikës në tekstet që ai ka shkruar, duke u përpjekur të trajtojë ato tema për të cilat të tjerët nuk kanë guxuar të flasin.

“Gazetaria online ka mungesë dokumentimi, mungesë transparence për përmbajtjen dhe kufijtë e saj. Ka gazetarë të mirë, por mungojnë ata që kanë guximin të dalin në terren. Gazetari duhet të jetë në gjendje të përballet me institucionet, me pushtetin, pa frikë. Etika nuk është një ditë në vit, por duhet të jetë pjesë e përditshmërisë sonë”, potencoi Sabedini.

Brikenda Rexhepi, Kryeredaktore në KTV dhe Kryetare e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, theksoi se përkundër përpjekjeve për vetërregullim, ka raste kur gazetarët qëllimisht e shkelin etikën për klikime dhe përfitime financiare.

“Media duhet të ketë pronësi të qartë, transparencë financiare dhe profesionalizëm. Një gazetar i mirë duhet të formohet në terren, të dijë të shmangë shkeljen e etikës dhe të ruajë balancën mes lirisë dhe përgjegjësisë. Liria nuk është kur publikohen foto të fëmijëve në kushte të papërshtatshme apo kur promovohen përmbajtje që nxisin vetëvrasje. Kjo është e papranueshme”, vlerësoi Rexhepi.

Kryeredaktori i Telegrafi, Muhamet Hajrullahu, me rreth 25 vite përvojë në media, u shpreh i shqetësuar për renditjen e Kosovës në vendin e 99-të për lirinë e medias. Ai theksoi nevojën për t’u përshtatur me format inovative të gazetarisë dhe rritjen e profesionalizmit.

Safet Zejnullahu theksoi se roli i gazetarit është i pazëvendësueshëm edhe në kohën e inteligjencës artificiale.

“Gazetari duhet të jetë në vendin e ngjarjes, të dijë të bëjë gjithçka – të raportojë, të fotografojë, të analizojë. Redaksitë nuk kanë më luksin të kenë staf të ndarë për gjithçka, por kjo nuk duhet të cenojë cilësinë”, potencoi ai.

Prof. Afërdita Maliqi, gazetare dhe ligjëruese që nga viti 1999, tha se pavarësisht moshës, është e rëndësishme të përqafohen risitë, por pa lënë pas profesionalizmin dhe etikën. Ndërsa, gazetari Shkodran Gajraku, që ka nisur punën në media që nga viti 2008, ndau përvojën e tij, duke theksuar lirinë që ka pasur në raportim, por edhe sfidat, përfshirë kërcënimet e drejtpërdrejta.

Në këtë forum u dha një mesazh i qartë: Etika në gazetari nuk është luks, por domosdoshmëri. Liria e shprehjes dhe përgjegjësia duhet të ecin krah për krah, për një media më të lirë, më të drejtë dhe më profesionale. /UBT News/

 

 

Vendi

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

lajme

Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë në UBT merr pjesë në takimin e KUSA-s në Ambasadën e SHBA-së

Published

on

By

Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë në UBT ka marrë pjesë në takimin e përbashkët të organizuar nga KUSA (Kosovo United States Alumni) dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, i cili u mbajt më 5 nëntor 2026.

Në këtë organizim me rëndësi të veçantë për zhvillimin e kapaciteteve në sektorin e energjisë, UBT u përfaqësua nga dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë, Armend Ymeri pranë përfaqësuesve të institucioneve të tjera akademike e energjetike në vend si FIEK (UP), RIT Kosovo, KEDS Academy dhe KOSTT.

Delegacioni i UBT-së dhe pjesëmarrësit e tjerë u mirëpritën nga ushtruesja e detyrës së Zëvendësshefes së Misionit në Ambasadën e SHBA-ve, Wylita Bell. Gjatë këtij takimi, përfaqësuesja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Manal Farah, mbajti një sesion informues mbi Kompaktin e MCC-së dhe Qendrën për Aftësi dhe Inovacion në Energji.

Më tej, studentët dhe dekani i UBT-së morën pjesë në një diskutim interaktiv lidhur me mundësitë e zhvillimit të karrierës, ngritjen e shkathtësive profesionale dhe praktikat e punës në sektorin e energjisë në Kosovë.

Aktiviteti u përmbyll me një vizitë të udhëhequr në hapësirat e Ambasadës së SHBA-ve, ku pjesëmarrësit e UBT-së patën mundësinë të shihnin nga afër sistemet e avancuara të efiçiencës së energjisë dhe teknologjitë e ftohjes që përdoren në këtë objekt modern.

 

Continue Reading

Lajmet

Eksperti i shitjes dhe marketingut, Fisnik Behxheti, ndan përvojën 25-vjeçare me studentët e UBT-së

Published

on

By

Studentët e vitit të tretë të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) në UBT, në kuadër të lëndës “Marketing dhe Menaxhim i Shitjeve”, të ligjëruar nga Prof. Rajan Arapi, mirëpritën në një ligjëratë të hapur ekspertin e shitjes, operacioneve dhe marketingut, Fisnik Behxheti.

Me mbi 25 vjet përvojë profesionale, Behxheti ndau me studentët rrugëtimin e tij në industrinë e shitjes dhe menaxhimit, duke sjellë shembuj konkretë nga përvoja në pozita drejtuese në disa prej institucioneve dhe kompanive të njohura në Kosovë, përfshirë TEB, PriBank, SPAR Kosovo, DEPO Market dhe KosInvest. Aktualisht, ai udhëheq ekipe ndërkombëtare të shitjes me mbi 100 profesionistë në katër vende.

Gjatë ligjëratës, vëmendje e veçantë iu kushtua mënyrës se si teoria e marketingut zbatohet në praktikën e përditshme të bizneseve. Përmes rasteve të kompanive globale si McDonald’s, Apple, Zara, Red Bull dhe Coca-Cola, studentët analizuan zbatimin e marketingut miks (4P), sjelljen e konsumatorit dhe ndikimin e emocioneve në vendimmarrjen për blerje.

Po ashtu, u diskutua për ndërtimin dhe menaxhimin e ekipeve të shitjes, matjen e performancës, rëndësinë e etikës profesionale në raport me klientët, si dhe ndikimin gjithnjë në rritje të inteligjencës artificiale në mënyrën se si konsumatorët informohen, kërkojnë dhe blejnë produkte e shërbime në vitin 2026.

Pjesa më interaktive e ligjëratës u zhvillua përmes ushtrimeve praktike, ku studentët analizuan marka vendore, testuan përmes telefonave të tyre mënyrën se si inteligjenca artificiale rekomandon bizneset kosovare dhe u përfshinë në simulime të skenarëve të shitjes B2B (biznes me biznes).

Përmes këtyre aktiviteteve, studentët patën mundësi të sfidojnë njohuritë e tyre, të zhvillojnë mendimin kritik dhe të kuptojnë më nga afër dinamikën e proceseve të shitjes në një treg gjithnjë e më konkurrues dhe të digjitalizuar.

UBT vazhdon të promovojë një qasje bashkëkohore të mësimdhënies, duke ndërthurur njohuritë akademike me përvojën e profesionistëve nga industria dhe duke krijuar ura të drejtpërdrejta bashkëpunimi ndërmjet studentëve dhe tregut të punës.

 

Continue Reading

lajme

UBT International Smart Schools lanson Edicionin e III-të të Testit Provues të Arritshmërisë

Published

on

By

UBT International Smart Schools ka lansuar Edicionin e III-të të Testit Provues të Arritshmërisë, një mundësi e veçantë për të gjithë nxënësit e klasave të nënta në tërë territorin e Kosovës, që duan të testojnë njohuritë e tyre, të përgatiten për Testin e Semimaturës dhe të përfitojnë bursa shkollimi deri në 100%.

Testi do të zhvillohet më 27 shkurt 2027, në ora 12:00, online dhe falas, duke u mundësuar nxënësve të marrin pjesë nga kudo dhe të dëshmojnë njohuritë dhe potencialin e tyre.

Në kuadër të Edicionit të III-të, nxënësit që arrijnë rezultatet më të larta do të kenë mundësi të përfitojnë bursa shkollimi nga 25% deri në 100%, duke e shndërruar këtë test në një mundësi për të vlerësuar përgatitjen akademike dhe për të fituar mbështetje për vazhdimin e shkollimit.

Testi Provues i Arritshmërisë është konceptuar si një mundësi për nxënësit e klasave të nënta që të matin nivelin e njohurive të tyre dhe të përgatiten më mirë për sfidat e Testit të Semimaturës. Përmes testimit, ata do të kenë mundësi të identifikojnë nivelin e tyre të përgatitjes dhe të dëshmojnë aftësitë e fituara gjatë arsimit të mesëm të ulët.

Me lansimin e këtij edicioni, UBT International Smart Schools vazhdon të krijojë mundësi të reja për nxënësit, duke ndërthurur vlerësimin e njohurive me mundësitë për përfitime akademike dhe duke i inkurajuar ata të sfidojnë veten dhe të synojnë rezultate të larta.

Mos e humb mundësinë për të testuar njohuritë, për t’u përgatitur për Testin e Semimaturës dhe për të fituar bursë deri në 100%! APLIKO TANI ONLINE!

Continue Reading

Të kërkuara