Gouya, një grua 43-vjeçare nga Irani, ka vendosur të mos ketë fëmijë. Por, e drejta e saj për të zgjedhur kërcënohet nga shteti.
Autoritetet kanë miratuar një legjislacion të ri, që vendos kufizime të mëtejme mbi abortet mjekësore, ndalon shpërndarjen falas të kontraceptivëve nga sistemi publik i shëndetësisë dhe ofron përfitime shtesë nga shteti për familjet që kanë më shumë fëmijë.
Ky ligj është përpjekje e autoriteteve për të nxitur rritjen e popullsisë së Iranit – një shtet me rreth 84 milionë banorë.
Në vitet e fundit është rritur numri i grave iraniane që kanë zgjedhur të kenë më pak fëmijë ose të mos kenë fëmijë fare – kryesisht për shkak të problemeve ekonomike, ndryshimit të normave gjinore, rritjes së numrit të vajzave të shkolluara dhe programeve për planifikim familjar.
Ky trend ka bërë që norma e rritjes së popullsisë së Iranit nga mbi 4 për qind në vitet 1980, të bie në 1.29% në vitin 2020. Këto të dhëna të Bankës Botërore kanë alarmuar udhëheqësinë e Iranit.
Ligji është nënshkruar nga presidenti i linjës së ashpër, Ebrahim Raisi, më 16 nëntor. Legjislacioni për “ripërtëritjen e popullsisë dhe mbështetjen e familjes” është kritikuar gjerësisht.
Grupet për të drejtat e njeriut dhe ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar se ligji i ri do të kufizojë qasjen e grave në abortet mjekësore, që mund të çojë në shtatzëni të padëshiruara dhe lindjen e fëmijëve me probleme shëndetësore. Sipas tyre, një ligj i tillë mund të rrisë edhe përhapjen e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, përfshirë AIDS-in.
Gouya, që jeton në një zonë të pasur të kryeqytetit, Teheran, e përshkroi ligjin si “qesharak”, duke dënuar ndërhyrjen e shtetit në jetën personale të qytetarëve. Ajo tha se gratë si ajo, do të gjejnë mënyra për t’i shmangur këto rregulla të reja.
“Në vend që t’i zgjidhin problemet ekonomike, (autoritetet) duan që edhe më tej të ndërhyjnë në jetën tonë”, tha Gouya për Radion Evropa e Lirë.
Ajo u identifikua vetëm me emër, nga frika e hakmarrjes.
“Nuk është puna e tyre. Është vendimi im”, tha Gouya.
“Ne jemi mësuar me kufizime në këtë shtet dhe ne gjejmë mënyra që t’i anashkalojmë ato”, shtoi ajo.
‘Kthesë alarmante dhe regresive’
Në Iran, abortet ligjërisht mund të kryheshin gjatë katër muajve të parë të shtatzënisë, nëse tre mjekë pajtoheshin që shtatzënia kërcënon jetën e gruas ose nëse fetusi ka probleme të rënda fizike dhe mendore, që mund ta bënin shumë të vështirë për nënën që të kujdesej për fëmijën.
Këshilli i Gardianëve, një trup i fuqishëm i klerikëve që duhet t’i miratojë të gjitha legjislacionet e propozuara, tha se për rastet e abortit tani do të vendosë një panel, ku do të përfshihet një gjykatës dhe dy profesionistë shëndetësorë.
Ligji i ri po ashtu kërkon që transmetuesit shtetërorë të prodhojnë përmbajtje që do t’i inkurajojë gratë të kenë sa më shumë fëmijë dhe do ta dënojë beqarinë apo abortin. Ligji po ashtu parasheh ndalimin e prodhimit, shpërndarjen dhe publikimit të çfarëdo përmbajtjeje që shkel politikat shtetërore sa i përket popullsisë.
Një grua në Teheran së bashku me vajzën e saj, 22 shkurt, 2020.
Ekspertët për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara i bënë thirrje Iranit që të heqë dorë nga ligji, duke thënë se ai paraqet një “kthesë alarmante dhe regresive nga Qeveria, që është lavërduar për përparimin e bërë sa i përket të drejtës për shëndet”.
“Është tronditëse të shohësh shkallën se deri ku autoritetet kanë zbatuar ligjin penal për të kufizuar të drejtat themelore të grave”, thanë ekspertët e OKB-së përmes një deklarate, duke shtuar se ligji do të dëmtojë të drejtën e grave dhe vajzave për shëndet.
Human Rights Watch (HRW), javën e kaluar, ka deklaruarse ligji “shkel më tej të drejtat e grave për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe vë shëndetin dhe jetën e grave në rrezik”.
“Ligji për rritjen e popullsisë minon hapur të drejtat, dinjitetin dhe shëndetin e gjysmës së popullsisë së vendit, duke iu mohuar atyre qasje esenciale në kujdesin shëndetësor për riprodhim dhe duke iu mohuar qasje në informacion”, tha hulumtuesja në HRW, Tara Sepehrifar, përmes një deklarate të publikuar më 10 nëntor.
Demografi nga Teherani dhe njëherësh edhe sociologu i shëndetësisë, Simin Kazemi, tha për gazetën iraniane, Shargh, se ligji i ri i denigron gratë.
“Ato shihen si mjete për riprodhim, në shërbim të Qeverisë”, tha ai.
Motivet ekonomike
Saeed Paivandi, një profesor i sociologjisë që punon në Paris, tha për Radion Evropa e Lirë se shoqëria iraniane “ka pësuar ndryshime të rëndësishme “dhe transformime mendore dhe kulturore në 20-25 vjetët e fundit”.
“Kjo është një nga arsyet e rënies së popullsisë”, tha ai.
“Gratë nuk duan të jenë vetëm nëna dhe bashkëshorte, si në të kaluarën, dhe kjo nuk është e pranueshme për establishmentin”, shtoi ai.
Ai tha se sfidat e mëdha ekonomike në Iran dhe çmimi i lartë i jetesës po ashtu kanë kontribuar në vendimin e grave që të kenë më pak fëmijë apo asnjë fëmijë.
Ekonomia e Iranit është goditur rëndë, për shkak të sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, por edhe keqmenaxhimit që ka ndodhur për vite të tëra. Varfëria është rritur, për shkak të rritjes së inflacionit.
“E vërteta është që problemet ekonomike nuk lejojnë që të rinjtë të martohen apo të kenë fëmijë pas martesës”, tha Massoud Pezeshkian, ish-ministër i Shëndetësisë dhe aktualisht anëtar i Komisionit parlamentar për Shëndetësi.
“Rinia jonë është e papunë dhe për aq kohë sa papunësia është një problem i pazgjidhur, këto iniciativa nuk do të sjellin asnjë ndryshim”, tha ai.
Por, ligjvënësi Mehrdad Viskarami e mbrojti ligjin. Ai tha se ky ligj ka për qëllim që të lejojë gratë që të “luajnë rolin e tyre si nëna”, duke mos penguar “rritjen e tyre politike dhe sociale dhe në aspektet e tjera të personalitetit të tyre”.
Irani është vlerësuar për politikat efikase të popullsisë pas luftës shkatërruese të viteve 1980-1988 me Irakun, që dekurajonin shtatzënitë në mesin e vajzave të mitura, ofronin perservativë falas dhe vazektomi falas dhe po ashtu inkurajonin familjet që të kenë dy apo një fëmijë.
Por, këto politika gradualisht janë ndryshuar në vitet e fundit, pasi lideri suprem, Ajatollah Ali Khamenei, u ka bërë thirrje iranianëve që të kenë më shumë fëmijë, duke i paralajmëruar qytetarët për plakjen e popullsisë së Iranit.
Gjatë një fjalimi vitin e kaluar, Khamenei u citua të ketë thënë se “çdo veprim apo masë që ul numrin e popullsisë, duhet të ndërmerret pasi popullsia të arrijë në 150 milionë”.
Sociologu në Teheran, Saeed Madani, i tha Radios Evropa e Lirë se udhëheqësia klerike e Iranit dëshiron rritjen e popullsisë për arsye ideologjike.
“Ata besojnë se rritja e popullsisë do të çojë në rritje të ndikimit të ideve fetare. Sipas kësaj ideologjie, njerëzit shihen si mjete që mund të përhapin apo rrisin fuqinë dhe ndikimin e Iranit”, tha Madani.RFE
Prishtinë – Përvoja shumëvjeçare, ekspertiza në trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe njohuritë e avancuara në fushën e aritmologjisë tashmë janë pjesë e ekipit të United Hospital. Institucioni shëndetësor njofton se në ekipin e tij mjekësor është bashkuar Dr. Banush Gashi, internist, kardiolog dhe aritmolog, me një karrierë 40-vjeçare në mjekësi dhe 24 vjet përvojë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
United Hospital vazhdon të zgjerojë kapacitetet e veta profesionale, duke sjellë për pacientët ekspertizë të specializuar në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Bashkimit të Dr. Banush Gashit me ekipin mjekësor të këtij institucioni i jepet rëndësi e veçantë, duke marrë parasysh përvojën e tij të gjatë në mjekësinë interne, kardiologji dhe veçanërisht në aritmologji – fushë e specializuar që merret me diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të ritmit të zemrës.
Gjatë karrierës së tij profesionale, Dr. Gashi ka realizuar mbi 400 procedura në fushën e aritmologjisë dhe implantimit të pajisjeve kardiake. Përvoja e tij është plotësuar edhe përmes pjesëmarrjes në kongrese, trajnime dhe aktivitete profesionale ndërkombëtare në qendra të njohura evropiane, përfshirë Londrën, Parisin, Romën, Barcelonën dhe Vjenën.
Shërbime të avancuara për diagnostikimin dhe trajtimin e zemrës
Me angazhimin e Dr. Gashit, pacientët e United Hospital do të kenë qasje në një gamë të gjerë ekzaminimesh diagnostikuese dhe procedurash specialistike kardiologjike.
Shërbimet përfshijnë:
Diagnostikimin kardiologjik: Ekokardiografi, testin e stresit dhe monitorimin Holter 24–72 orë për vlerësimin e aktivitetit dhe ritmit të zemrës.
Trajtimin e çrregullimeve të ritmit: Implantimin e stimuluesve kardiakë (Pacemaker DDD dhe CRT), si dhe kontrollin dhe ndërrimin e baterive të pajisjeve PM/ICD.
Procedurat specialistike: Perikardiocentezën dhe kardioversionin, sipas indikacioneve mjekësore.
Këto shërbime kanë rëndësi të veçantë për diagnostikimin në kohë, përcjelljen klinike dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje të ndryshme kardiovaskulare.
Përvoja dhe përkushtimi në shërbim të shëndetit të zemrës
Sëmundjet kardiovaskulare kërkojnë vlerësim të kujdesshëm, diagnostikim të saktë dhe trajtim të individualizuar. Për këtë arsye, prania e specialistëve me përvojë të gjatë profesionale përbën një element të rëndësishëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor.
United Hospital, përmes zgjerimit të ekipit specialistik, synon të ofrojë shërbime bashkëkohore kardiologjike, duke vënë në dispozicion të pacientëve përvojën profesionale dhe teknologjinë diagnostikuese e terapeutike.
Kontakti për termine dhe informata:
UNITED HOSPITAL
046 60 70 70
M2, Prishtinë–Ferizaj, km 7, Prishtinë
United Hospital – ekspertizë profesionale dhe kujdes i specializuar për shëndetin e zemrës./rajonipress/
Presidentja Justina Shiroka-Pula ka dekretuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës dy javë më parë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka njoftuar se gjatë ditës e ka pranuar nga Presidenca dekretin për shpalljen e ligjit.
Haxhiu ka thënë se me dekretimin e tij, ligji po hyn në fazën e zbatimit, duke theksuar se Kuvendi do ta përcjellë nga afër procesin e themelimit të Byrosë.
“Për secilin që ushtron funksion publik, është e qartë se çdo pasuri duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar. Kuvendi do ta përcjellë nga afër ngritjen e Byrosë. Qytetarët do ta matin këtë ligj me rezultatet që do të japë”, ka shkruar Haxhiu.
Miratimi i ligjit në Kuvend ishte kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kishin ngritur shqetësime lidhur me zbatueshmërinë e tij.
Nga 24 amendamentet e propozuara për këtë ligj, 12 ishin paraqitur nga opozita, ndërsa deputetët e partisë në pushtet kishin mbështetur vetëm njërin prej tyre.
UBT po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “AI Horizon – A New Era of Creativity and Innovation”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 12–13 nëntor 2026, në Tiranë, ku UBT është një nga partnerët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.
Në këtë konferencë, UBT përfaqësohet nga rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Besnik Qehaja, dhe asistenti Elton Boshnjaku, të cilët prezantuan dy punime shkencore që trajtojnë zhvillimet më të fundit në fushat e Internetit të Gjërave (IoT), Qyteteve të Mençura (Smart City), Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale.
Dy punimet shkencore të prezantuara janë: “Mobile Augmented Reality with an LLM Assistant Connected to Live Sensor Data for Remote Learning in a University Campus Digital Twin”
Punimi trajton integrimin e realitetit të shtuar mobil me një asistent të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), të ndërlidhur me të dhëna në kohë reale nga sensorët, duke krijuar mundësi të reja për mësim interaktiv dhe në distancë përmes binjakut digjital të kampusit universitar.
“Secure Protocol Translation and Weather-Referenced Drift Detection for Commercial IoT Devices on Azure IoT Hub: A 4G Node Case Study in a University Smart City”
Ky punim fokusohet në sigurinë dhe ndërveprimin e pajisjeve komerciale IoT, përmes përkthimit të protokolleve të komunikimit dhe zbulimit të devijimeve të të dhënave në raport me kushtet atmosferike, duke u mbështetur në një rast studimor me nyje 4G në kuadër të një Smart City universitar.
Përmes këtyre dy prezantimeve, përfaqësuesit e UBT-së sollën para komunitetit shkencor ndërkombëtar rezultate kërkimore dhe qasje inovative që ndërlidhin inteligjencën artificiale, sensorët inteligjentë, realitetin e shtuar dhe infrastrukturën e qyteteve të mençura.
Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë, krahas prezantimit të rezultateve shkencore, përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e projekteve inovative.
UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të së ardhmes.
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
13 nëntor 1992
“The Wall Street Journal” për rrezikun e luftës në Kosovë
Gazeta autoritative amerikane “The Wall Street Journal” në një kryeartikull të saj të botuar dje thekson se “diplomatë të shumtë ndërkombëtarë dhe organizata humanitare kanë paraparë se nëse lufta arrin në Kosovë do t’ia kalojë të gjitha tmerreve të mëparshme ballkanike”. Gazeta pohon se agresorët serbë janë duke zhvilluar një fushatë të spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë dy vjetëve të fundit. “Kjo është një spastrim etnik i heshtur”, i tha kësja gazete kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova duke bërë fjalë për nja 200 mijë shqiptarë që kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Republikën e Kosovës për shkak të kërcënimeve serbe.
13 nëntor 1993
Policia plaçkit dyqanet e shqiptarëve në Han të Elezit
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Han të Elezit, njofton se policia financiare mbylli të vetmen furrë private në Han të Elezit, pronë e Ramadan Ymerit. Policia konfiskoi nga depoja e furrës 29 ton miell.
Të njëjtën ditë, policia financiare në dyqanin e Bedri Dacit konfiskoi ushqim për kafshë në një vlerë prej afro 12.000 markash gjermane.
13 nëntor 1995
Polici serb rrahu tri herë të miturin në Mitrovicë
Më 7 nëntor, rreth orës 10, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, një polic serb rrahu të miturin Daim H. Çubrelin (14) dhe ia plaçkiti atij 7 pako cigare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
Po ky polic, më 11 nëntor, rreth orës 18, po ashtu në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, keqtrajtoi sërish Daimin, me pretekst se nuk deshi t’ia japë një pako cigare pa para.
Më 12 nëntor, rreth orës 12, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë polici serb, i cili kishte rrahur dy herë Daim Çubrelin e rrahu sërish dhe ia plaçkiti 70 pako cigare.
13 nëntor 1996
Në Universitetet e Shqipërisë edhe maturantë shqiptarë nga Mali i Zi
Edhe maturantët shqiptarë të këtij viti nga Mali i Zi do të vazhdojnë studimet e tyre në universitetet e Shqipërisë pasi po tejkalohen disa vështirësi procedurale.
Fjala është për 24 kandidatë që përcaktoi komisioni përkatës i LD në MZ. Mirëpo, në ndërkohë Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi vendimin për t’iu nënshtruar provimeve klasifikuese edhe studentët shqiptarë nga viset e ish-Jugosllavisë. Sipas komisionit të përmendur, kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi nuk u paraqitën në këto provime për shkaqe parimore dhe kohore. Por, me kontaktet midis përfaqësuesve të LD në MZ dhe atyre të Qeverisë Shqiptare kjo çështje po merr zgjidhje pozitive. Kështu, kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi në takimin e tij të paradokohshëm me kryeministrin e Shqipërisë, Aleksandër Meksin, mori garancinë se studentët shqitparë nga Mali i Zi do të pranohen edhe këtë vit në universitetet e Shqipërisë. Kryetari Bardhi për çështjen e studentëve zhvilloi bisedime edhe me dr.Gjergj File, drejtor i Arsimit të Lartë. Në të mirë të realizimit pozitiv të kësaj çështjeje flet edhe vendimi më i ri i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, sipas të cilit “nga kuotat e përcaktuara për vitin mësimor 1996/97 mund të përfitojnë kandidatët shqiptarë me banim jashtë kufijve”.
13 nëntor 1997
Serbët e pranojnë disfatën me Kroacinë
Gazeta britanike “Indipendent” vendosjen e lidhjeve hekurudhore mes Serbisë e Kroacisë e vlerëson se serbët pranuan disfatën. Sipas kësaj gazete serbët tash sikur pranojnë se kufiri me Kroacinë është i përhershëm dhe i pandryshueshëm.
13 nëntor 1998
Uiliem Uoker: Ka shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë
Në një intervistë dhënë sot radio BBC-së shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, Uiliem Uoker duke u përgjigjur në pyetjen se për çfarë është biseduar në takimin e tij në Prishtinë me ndërmjetësin amerikan në Kosovë, Kristofer Hill, u përgjigj:
– Në thelb ambasadori Hill ishte për vizitë për disa arsye, jo më pak për t’u takuar edhe me mua, dhe për të na njoftuar se cili është statusi aktual i procesit të tij të negociatave shqiptaro-serbe. Është e qartë se kjo ka të bëjë me atë që ne po fillojmë të bëjmë këtu si p.sh. kur mund të filllojmë periudhën nëntëmujore sa i përket mbikëqyrjes së zgjedhjeve në Kosovë. Kjo vjen pas zgjidhjes politike, prandaj ne u desht të dëgjonim nga ambasadori Hill se si po ecen procesi, tha z.Uoker.
I pyetur se çfarë përshtypje kishte ai për procesin e negociatave dhe nëse ishte më afër arritja e një marrëveshjeje politike për Kosovën, z.Uoker tha:
– Ambasadori Hill na njoftoi me të rejat më të fundit, por ju duhet ta dini se unë ndodhem në Kosovë vetëm këto 24 orët e fundit dhe kjo ishte hera e parë që bisedova me z.Hill. Pra një pjesë e madhe kishte të bënte me sfondin e ecurisë së procesit. Por, do të thosha se informimi që më dha ambasadori Hill më bëri optimist se është duke shënuar progres.
Duke u përgjigjur në pyetjen se cilat janë përshtypjet e tij për gjendjen në terren, z.Uoker u përgjigj:
– Është e qartë se ka arsye për shqetësim të konsiderueshëm ndonëse kemi shënuar progres javët e fundit, dhe siç thashë dje rruga ende është e gjatë për të bërë diçka për sa i përket respektimit të marrëveshjes dhe premtimeve të palëve të përfshira por ende ka shumë punë për t’u bërë. Ditëve të fundit çdo ditë kemi dëgjuar për incidente, prandaj edhe më tej kemi shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë.
I pyetur lidhur me incidentet e fundti se kush është fajtor për vazhdimin e dhunës në Kosovë, ambasadori Uoker tha:
– Dy incidentet më të fundit për të cilat kam dëgjuar kanë të bëjnë me ato që këtu po quhen rrëmbime dhe duket sikur janë hakmarrje midis palëve. Njëra palë i filloi ato, ndërsa tjetra u hakmor, duke bërë pothuajse të njëjtën gjë. Nga informacionet që kam nuk jamë në gjendje tani të them se çfarë i kanë bërë palët njëra tjetrës. Por vetë fakti se këto incidente kanë ndodhur, përmbajnë shqetësim.
Në pyetjen tjetër se a do të jetë në gjendje Misioni Verifikues në Kosovë të ndikojë që incidentet e tilla të mos ndodhin në të ardhmen, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë tha:
– Mendoj se kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm polak, Bronislav Geremek, tashmë ka thënë publikisht se ai beson se vetëm njoftimi për krijimin e Misionit Verifikues ka zbutur deri diku tensionet e këtushme. Sigurisht jo të gjithë tensionin por deri diku edhe fakti se ne kemi filluar të mbërrijmë dhe të tregojmë praninë tonë, do të ndihmojnë në këtë situatë. Se a do të ndikojë që njerëzit të ndihen rehat të gjithë që të kthehen në shtëpitë e tyre apo t’i kthehen jetës normale, kjo ende duhet të shihet, – tha ambasadori Uiliem Uoker.