Granit Xhaka ka ngritur alarmin te Bayer Leverkusen pas një dëmtimi që pësoi në stërvitjen e fundit me ekipin. Ylli kosovar u detyrua të ndërpresë seancën për shkak të një lëndimi në nyjën e këmbës, duke kaluar menjëherë në trajtim mjekësor.
Sipas raportimeve nga mediat gjermane, ky incident ka shkaktuar shqetësim të madh te Bayer Leverkusen, me trajnerin Xabi Alonso veçanërisht të alarmuar për gjendjen e përfaqësuesit zviceran.
Magazina e njohur “Kicker” ka raportuar se dëmtimi vjen në një moment delikat për ekipin kuqezi, vetëm disa ditë para ndeshjes së parë të vitit 2025 në Bundesligë. Të premten, Bayer Leverkusen përballet me Borussia Dortmundin në një sfidë të rëndësishme për xhiron e 16-të të kampionatit.
Ish-futbollisti i Baselit, Borussia Monchengladbachut dhe Arsenalit pritet të kalojë në ekzaminime mjekësore për të përcaktuar shkallën e dëmtimit. Megjithatë, shenjat e para sugjerojnë se do të jetë e vështirë që kapiteni të rikuperohet në kohë për ndeshjen ndaj Dortmundit.
Xhaka ka qenë një figurë kyçe për Bayer Leverkusen këtë sezon, duke luajtur një rol të rëndësishëm në mesfushë dhe duke ndihmuar ekipin të mbajë pozitat e larta në Bundesligë. Nëse ai mungon, Bayer do të përballet me një sfidë të madhe ndaj një rivali të fortë si Borussia Dortmundi. Tifozët dhe stafi i ekipit mbeten në pritje të rezultateve mjekësore për të mësuar më shumë mbi gjendjen e yllit të tyre kryesor./UBTNews/