Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar të hënën se bisedimet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë rezultuar të pasuksesshme, duke paralajmëruar se mungesa e vullnetit politik po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja. Menjëherë pas këtij dështimi, Kurti ka bërë të ditur se ka nisur komunikimin me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Kreu i qeverisë zbuloi detaje nga oferta që i ishte propozuar LDK-së për të arritur një marrëveshje, e cila përfshinte poste të larta ekzekutive në këmbim të votës për presidentin.
“Ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me LVV-në dhe partnerët tjerë ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Kam preferuar që zëvendëskryeministër i imi të bëhet Abdixhiku dhe të fillojmë një kapitull të ri”, deklaroi Kurti, duke shtuar se asnjë nga këto oferta nuk u pranua.
Kryeministri u shpreh i shqetësuar për bllokadën në Kuvend, duke theksuar se Kosova rrezikon të mbetet pa institucionin bazë të funksionimit të shtetit. Ai mohoi se po insiston me çdo kusht në mbajtjen e tri pozitave kryesore shtetërore, por kritikoi opozitën për mungesë të emrave konkretë.
“Ne nuk mundemi me bo marrëveshje blanko, kur nuk na u është ofruar asnjë emër i përveçëm për president dhe kështu nuk mund të arrihet. Kam përshtypjen që më shumë është folur vitin e kaluar me emra të përveçëm për pozitën e kryetarit të Kuvendit se sa për President, dhe nëse nuk ndryshon diçka këto ditë mua më mbetet të konstatoj që ka më shumë vullnet për zgjedhje të reja”, u shpreh ai.
Në fund, Kurti konfirmoi se tashmë ka hedhur hapin e parë drejt partisë tjetër opozitare, PDK-së, për të gjetur një rrugëdalje nga kriza para skadimit të afatit kushtetues.
“PDK është 1/3 e mazhorancës, para se të vij këtu unë i dërgova edhe një mesazh Bedri Hamzës se PDK-së”, bëri të ditur kryeministri.