Lajmet
Eliot Engel: Serbia duhet të shoh përpara, Kosova është e pavarur
Published
5 years agoon
By
Betim GashiEkspertë të Ballkanit i bëjnë thirrje administratës së ardhshme të drejtuar nga Joe Biden që të shtojnë vëmendjen ndaj Ballkanit dhe të bashkëpunojnë me Bashkimin Evropian për të zgjidhur problemet e mbetura në rajon.
Ballkani ishte në qendër të një seance të Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Kjo ishte edhe seanca e fundit për rajonin që drejtohej nga Kryetari i Komisionit, Eliot Engel që i ka kushtuar vëmendje Ballkanit për dekada me radhë.
Anëtarë të Kongresit amerikan, ish-zyrtarë dhe ekspertë të Ballkanit e vunë theksin tek sfidat e përbashkëta të rajonit dhe nevojën e angazhimit amerikan.
Kryetari i Komisionit, demokrati Eliot Engel tha se Ballkani ka shënuar përparim, përfshirë në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.
“Megjithëse kemi bërë aq shumë, ende mbeten çështje të pambyllura jo vetëm në ato dy vende, por në të gjithë rajonin, gjë që kërkon udhëheqjen amerikane dhe bashkëpunim më të ngushtë me partnerët tanë evropianë”, tha Engel.
Një nga këto çështje është marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë dhe Kongresmeni Engel thotë se në thelb të saj është njohja e Kosovës.
“Ç’ka është më e rëndësishmja është që Serbia duhet të shoh përpara. Kosova është e pavarur. Nuk kthehet më kurrë. Sinqerisht, bllokimi i njohjes së Kosovës nga vende të botës dhe i anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara,veçse pengon Serbinë sepse kërkesa e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian nuk do të miratohet derisa të njohë Kosovën”, tha Engel.
Ndërsa Engel theksoi se të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj luftës duhet të dënohen, ai shtoi se Serbia nuk po mbahet përgjegjëse.
“Duket se Serbia, pala përgjegjëse për shumicën e krimeve të luftës, nuk po përballet praktikisht me asnjë presion brenda vendit ose nga bashkësia ndërkombëtare për të vënë përgjegjësit para drejtësisë. Në të njëjtën kohë, Kosova, viktima e luftës, është e detyruar të krijojë një gjykatë hibride me një prokuror dhe gjykatës ndërkombëtare”, tha ai duke shtuar se nëse do të bëhej fjalë për një vend si Danimarka, do të mendonim se diçka është shumë gabim.
Madeleine Albright, ish-Sekretare amerikane e Shtetit, tha se ajo konsideron arritjet e saj më të mëdha, rolin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë.
Ajo tha se politika e jashtme e administratës së re drejtuar nga Joe Biden në Ballkan, duhet të mbështetet tek bashkëpunimi me Bashkimin Evropian. Ajo tha se kjo politikë e jashtme duhet të përfshijë luftën ndaj korrupsionit dhe një qasje rajonale jo ndaj vendeve veç e veç.
“Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja duhet të punojnë së bashku për të mbështetur iniciativat që ndihmojnë Kosovën, Bosnjën dhe të tjerët që të krijojnë lidhje ekonomike me Evropën dhe fqinjët, ndërsa inkurajojnë gjithashtu reformat e nevojshme politike”, tha ajo.
Lidhur me Kosovën, zonja Albright tha se ajo duhet të njihet ndërkombëtarisht, përfshirë të bëhet anëtare e OKB-së dhe theksoi se ky anëtarësim nuk duhet të bëhet subjekt i vetos nga Beogradi.
Daniel Serwer, profesor dhe drejtor i Programeve për Menaxhimin e Konflikteve dhe Politikës së Jashtme amerikane në Universitetit Johns Hopkins tha se parakushti thelbësor për zgjidhjen e problemeve të mbetura të Ballkanit është riangazhimi i Amerikës në rajon, në bashkëpunim me aleatët evropianë.
“Konkurrenca e fundit midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, i cili ka ka demonstruar se nuk mund ta bëjë punën e vetme, e pengoi progresin. Si pjesë e rikonfirmimit të tij në shkallë globale ndaj vlerave demokratike, Presidenti Biden duhet të konsultohet me Evropianët dhe të shpallë një vizion të përbashkët për rajonin e Ballkanit”, tha ai.
Angazhimi amerikan, i domosdoshëm për dialogun Kosovë-Serbi
Ai veçoi dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si çështje ku angazhimi më i madh amerikan është i nevojshëm, duke shtuar se synimi kryesor i Shteteve të Bashkuara duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe shkëmbimi i ambasadorëve.
“Presidenti Biden dhe Kancelarja Merkel duhet ta bëjnë të qartë këtë qëllim dhe të bëjnë presion ndaj anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, që të deklarojnë se do ta njohin Kosovën jo më vonë se Serbia. Anëtarësimi në OKB do të kërkojë që amerikanët të bindin Rusinë dhe Kinën të mos vendosin veto”, tha ai.
Edhe Janusz Bugajski, ekspert në Fondacionin Jamestown në Uashington tha se administrata Biden duhet të bindë këto 5 vende ta njohin Kosovën.
“Qëllimi i bisedimeve Serbi-Kosovë duhet të jetë krijimi i një harte për njohjen ndër-shtetërore. Kjo është zgjidhja e vetme e qëndrueshme që do t’i çlirojë të dyja vendet të ndjekin aspiratat e tyre drejt integrimit në BE dhe zhvillimit ekonomik. Dialogu pa një qëllim të qartë shpërqendron dhe paralizon të dyja palët”, tha ai duke rënë dakord me zotin Serwer se pa përfshirjen amerikane, BE është një bashkëbisedues më i dobët, më i përçarë dhe me më pak ndikim.
Bugajski tha se takimi në Shtëpinë e Bardhë në shtatorme udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës në Shtator ri-angazhoi Uashingtonin në dialog, por…
“SHBA nuk mund të përqendrohet thjesht tek faktorët ekonomikë dhe të neglizhojë vendimet kryesore politike dhe diplomatike. Marrëdhëniet ekonomike nuk do të normalizohen nëse marrëdhëniet politike dhe diplomatike mbeten anormale”, tha ai.
Përballja me ndërhyrjen e Rusisë, Kinës dhe Turqisë
Republikani më me peshë në Komision, Michael McCaul, tha se populli i Kosovës meriton të jetojë në një vend plotësisht të pavarur dhe demokratik që është plotësisht i integruar në komunitetin ndërkombëtar dhe Serbia duhet të demonstrojë se e sheh të ardhmen e saj në Perëndim. Ai shtoi se ai vend duhet të distancohet nga Rusia dhe Kina.
“Për fat të keq, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë përpiqen të ndihmojnë Ballkanin Perëndimor që të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt, më të begatë dhe demokratike, regjimi i Putinit po ndjek një program me synime shkatërruese, duke krijuar ndasi dhe nxitur tensione etnike”, tha ai.
Ish-sekretarja e Shtetit Albright tha se e ndan shqetësimin për rolin e Rusisë.
“Pjesërisht ajo që po ndodh është se rusët po vënë në praktikë në Serbi, gjërat që po bëjnë në pjesë të tjera të Evropës qendrore dhe lindore, çka do të thotë se po punon për të minuar demokracinë atje dhe më pas për të shkëputur vendet nga të qenit pjesë e Perëndimit dhe po përdor taktikat e agjentëve të KGB-së”, tha ajo.
Analisti Serwer tha se administrata Biden dhe BE-ja duhet ta rrisin presionin ndaj Beogradit lidhur me ndërhyrjen ruse.
“Nëse Vuçiç vazhdon të preferojë autokracinë dhe animin me Rusinë dhe Kinën, amerikanët dhe evropianët do të duhet të presin ditën kur Serbia do të angazhohet për demokraci të vërtetë në vend dhe marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj”, tha ai.
Panelistët dhe anëtarët e Komisionit shprehën gjithashtu shqetësimin për ndërhyrjen e Turqisë në rajon dhe më gjerë në politikën e jashtme.
“Të mbarojmë punën e filluar”
Prof. Serwer, e pranon se Presidenti Biden do të ketë probleme më të mëdha se Ballkani, por shtoi se pak rajone në botë, premtojnë rezultate më të mira në këmbim angazhimit amerikan.
“Në bashkëpunim me evropianët, SHBA mund të shpëtojë sovranitetin dhe integritetin territorial të dy aleatëve të mundshëm – Kosovës dhe Bosnjës – dhe të ndihmojë Serbinë të shpëtojë nga trashëgimia e saj e autokracisë dhe luftës. Presidenti Biden duhet të mbështesë ata që janë të përgatitur për ta bërë Evropën të plotë dhe të lirë dhe t’u kundërvihet atyre që bllokojnë progresin”.
Seanca ishte e fundit që kongresmeni Engel mban lidhur me Ballkanin, para se të largohet nga Kongresi dhe të pasohet në drejtimin e Komisionit nga Gregory Meeks. Të gjithë folësit vlerësuan rolin e tij në dekada lidhur me rajonin. Në fund të fjalës së tij, Engel bëri thirrje që të përfundohet puna që u fillua kur ai hyri për herë të parë në Kongres.
“Le të qëndrojmë me njerëzit e këtij rajoni. Dhe, le të udhëheqim komunitetin ndërkombëtar dhe të përfundojmë misionin për të futur çdo vend të Ballkanit në zemër të Evropës”, tha ai./UBTNews
Vendi
Haxhiu: Jam e hapur të ndihmoj për çështjen e presidentit
Published
5 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, tha se është e hapur që të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së presidentit.
“Tashmë takimet po vazhdojnë, ka pasur edhe dje takim për këtë qëllim dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Unë jam shumë e hapur që të ndihmoj, nëse mundem, në këtë drejtim”, tha Haxhiu, gjatë takimit me Avokatin e Popullit të Shqipërisë në zyrën e saj në Kuvend.
Një ditë më parë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua Lumir Abdixhikun, udhëheqësin e partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, por në takim nuk u arrit ndonjë marrëveshje për çështjen e presidentit.
Pas takimit pothuajse dyorësh, Kurti tha se “jemi të përcaktuar” që të shmangen zgjedhjet e reja, pasi sipas tij as votimet e reja nuk do të sillnin 80 vota, aq sa kërkohet për votimin e presidentit të ri.
Takimi u zhvillua pas përfundimit të mandatit presidencial të Vjosa Osmanit më 4 prill. Të njëjtën ditë, pozitën e ushtrueses së detyrës e mori Haxhiu, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.
Kurti ka paralajmëruar takime edhe me Bedri Hamzën, kryetarin e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës.
Por, sipas një komunikate të cituar nga mediat lokale në Kosovë, Hamza i ka kthyer përgjigje Kurtit lidhur me ftesën për takim, duke i kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që për këtë temë të diskutohet në organet e partisë dhe më pas të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha për EkonomiaOnline se nuk kanë pranuar ndonjë ftesë të re për takim. Ajo tha se subjekti i saj politik nuk do të propozojë emra për president pa një marrëveshje politike, duke theksuar se përgjegjësinë për zgjedhjen e presidentit mbetet te Kurti, partia e të cilit ka shumicën në Kuvend.
LVV-ja e Kurtit më 5 mars propozoi dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuorumi, procesi ka mbetur në gjysmë.
Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.
Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria.
Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.
Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë. /REL/
Lajmet
UBT formëson të ardhmen e industrisë kreative përmes programit inovativ – Arti dhe Mediat Digjitale
Published
5 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Në një treg global ku kufijtë mes krijimtarisë vizuale tradicionale dhe teknologjisë po zbehen, programi Bachelor – Arti dhe Mediat Digjital në UBT po shndërrohet në një epiqendër për zhvillimin e talentit dhe inovacionit vizual.
Ky drejtim është projektuar si një përgjigje strategjike ndaj nevojave të industrisë kreative, e cila përfaqëson një nga sektorët me rritjen më të shpejtë ekonomike, duke synuar përgatitjen e kuadrove që jo vetëm zotërojnë mjetet e epokës digjitale, por edhe visionin artistik për të lënë gjurmë në shoqëri.
Në kontekstin e Kosovës, ku potenciali i jashtëzakonshëm i rinisë kërkon hapësira të specializuara për t’u profilizuar, ky program ofron një platformë ndërdisiplinore që lidh dizajnin grafik, animacionin, videoproduksionin dhe kuratorinë digjitale në një cikël të vetëm studimi.
Përmes një kurrikule të pasur, studentët nisin udhëtimin e tyre me bazat e vizatimit, pikturës dhe skulpturës, për t’u avancuar më tej në fusha komplekse si modelimi 3D, fotografia profesionale, efektet vizuale (VFX) dhe arti i performancës.
Ky formim i gjithanshëm u mundëson të rinjve të mos jenë thjesht ekzekutues teknikë, por artistë të pavarur me mendim kritik që kuptojnë thellësisht marrëdhënien midis artit dhe platformave emergjente të komunikimit.
UBT synon që përmes këtij programi të rritet jo vetëm shkalla e të punësuarve, por edhe cilësin e shprehjes vizuale në vend, duke krijuar profesionistë që operojnë me përgjegjësi sociale dhe ndjeshmëri të lartë kulturore.
Përtej shkathtësive praktike, programi nxit një qasje kërkimore ndaj sfidave të shoqërisë moderne, duke i inkurajuar krijuesit e rinj të transformojnë mjedisin ku jetojnë përmes inovacionit dhe kreativitetit.
Objektivi kryesor mbetet edukimi i një gjenerate që është e gatshme të sfidojë normat ekzistuese dhe të ndërtojë një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe reflektuese.
Në fund të rrugëtimit të tyre akademik, të diplomuarit në Arti dhe Mediat Digjitale dalin si liderë të gatshëm për të eksploruar dhe riformësuar peizazhin mediatik dhe kulturor, duke dëshmuar se UBT mbetet udhërrëfyesi kryesor për karrierat e suksesshme në artin e shekullit të 21-të.
Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.
lajme
Vance: SHBA pret lëvizjen e Iranit për Hormuzin
Published
6 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Gjatë qëndrimit të tij në Hungari për të mbështetur kryeministrin Viktor Orban në prag të zgjedhjeve të 12 prillit, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance u shpreh i bindur se SHBA-ja do të marrë një përgjigje nga Teherani përpara skadimit të afatit të fundit.
Sipas tij, objektivat ushtarake amerikane në këtë luftë janë arritur në masë të madhe dhe tashmë topi është në fushën e Iranit.
Uashingtoni kërkon rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit, rrugë kjo ku kalon rreth 20% e naftës botërore.
Bllokada e tanishme ka paralizuar trafikun detar dhe ka shkaktuar rritje të paprecedentë të çmimeve të karburanteve në mbarë botën, prandaj administrata Trump po këmbëngul që lundrimi i lirë të rikthehet pa vonesa të mëtejshme.
Lajmet
UBT dhe Oda e Arkitektëve të Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi: Një urë e re mes akademisë dhe praktikës
Published
7 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Fakulteti i Arkitekturës në UBT, i njohur për standardet e larta akademike dhe qasjen inovative, ka bërë një hap të madh drejt fuqizimit të studentëve të tij duke nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi (MoU) me Odën e Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK).
Ky partneritet strategjik synon të forcojë lidhjen mes edukimit akademik që ofron UBT dhe kërkesave rigoroze të tregut profesional. Përmes kësaj kornize, studentët e UBT-së do të kenë një qasje më të drejtpërdrejtë në proceset e integrimit profesional dhe avancimin e standardeve etike e bashkëkohore në fushën e arkitekturës.
Marrëveshja e nënshkruar krijon një platformë afatgjatë që do të fokusohet në disa shtylla kryesore; avancimi i standardeve profesionale në arkitekturë; përgatitja e studentëve për tregun profesional dhe proceset e integrimit në profesion; shkëmbimi i njohurive dhe përvojës ndërmjet akademisë dhe profesionit; organizimi i aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe profesionale; bashkëpunimi në zhvillimin e aktiviteteve që kontribuojnë në edukimin profesional të vazhdueshëm (EVP).
Për Fakultetin e Arkitekturës në UBT, kjo marrëveshje konfirmon edhe një herë përkushtimin për t’u ofruar studentëve jo vetëm dije teorike, por edhe mundësi konkrete për t’u bërë pjesë e elitës profesionale.
Bashkëpunimi me OARK-në shërben si një platformë që nxit zhvillimin e arkitekturës moderne në vend, duke i dhënë zë gjeneratave të reja të arkitektëve.
Oda e Arkitektëve, gjithashtu shpreh gatishmërinë që përmes këtij partneriteti me UBT-në, të kontribuojë në ndërtimin e një profesioni të fortë dhe bashkëkohor, duke siguruar që dija akademike të përkthehet në zgjidhje praktike për mjedisin e ndërtuar në Republikën e Kosovës.
Haxhiu: Jam e hapur të ndihmoj për çështjen e presidentit
Trump paralajmëron masa ekstreme nëse Irani nuk pranon marrëveshjen
UBT formëson të ardhmen e industrisë kreative përmes programit inovativ – Arti dhe Mediat Digjitale
Vance: SHBA pret lëvizjen e Iranit për Hormuzin
UBT dhe Oda e Arkitektëve të Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi: Një urë e re mes akademisë dhe praktikës
Irani sfidon Trumpin: Nuk ka tërheqje para kërcënimeve
Një muaj paraburgim për ish-policin serb të dyshuar për krime lufte në Kaçanik
Bayern Munich arrin kuotën e 100 golave, thyen çdo rekord në Evropë
Rama: Kush thotë se sot ka më shumë korrupsion, flet përçartë
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Naser Rugova, publikon studim shkencor mbi digjitalizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë
