Lajmet

Ekzekutohet pagesa prej 100 eurosh për studentët

Published

on

Është ekzekutuar pagesa prej 100 eurosh për studentët. Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, duke shtuar se janë realizuar pagesat e para të bursës së mobilitetit për studentët që jetojnë në distancë dhe plotësojnë kriteret për këtë bursë.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton të gjithë studentët se pagesat në vlerë prej 100 euro janë realizuar në tërësi, të ekzekutuara në disa grupe, për të gjithë studentët që kanë përmbushur kriteret dhe janë përfitues. Poashtu, janë realizuar pagesat e para të bursës së mobilitetit për studentët që jetojnë në distancë dhe plotësojnë kriteret për këtë bursë. Studentët të cilët nuk i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara dhe, për rrjedhojë, nuk janë përfitues, janë njoftuar zyrtarisht për refuzimin përmes email-it të përdorur gjatë aplikimit në platformën e-Kosova”, njofton Ministria.

Më tej ata kanë lënë dhe e-mail ku mund të shkruajnë për cdo ankesë apo paqartësi.

“Për çdo ankesë apo paqartësi, ju mund të kontaktoni në adresat elektronike përkatëse, sipas kategorisë: • Studentët që kanë ankesë lidhur me shtesën prej 100 euro, të drejtohen në emailin: [email protected] • Studentët që kanë ankesa ose paqartësi lidhur me bursën e mobilitetit, të kontaktojnë në emailin: [email protected]”, shkruan Ministria.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 27 korrik 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
 
 
Foto: “The Washington Post”
 
 
27 korrik 1993
 
“The Washington Post”: Spastrimi etnik në Kosovë do të shaktojë konflik në rajon
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Evropa i urdhëruan vëzhguesit e të drejtave të njeriut që të lëshojnë Kosovën, shkruan gazeta e njohur amerikane “The Washington Post”.
Pasi përshkruan arsyen e vendosjes së këtyre vëzhguesve në Kosovë dhe vendimin e kryetarit serb Slobodan Millosheviq, për përzënien e tyre, gazeta konstaton se “prej dhjetëra vëzhguesve, të cilët gjendeshin në Kosovë, para një viti, tani kanë mbetur më pak se tetë, duke përfshirë edhe një amerikan”.
Tërheqja e vëzhguesve ndërkombëtarë nga Kosova gazeta “The Washington Post” e konsideron “flakareshë për politikën e kufizimit të luftës të presidentit Klinton”. Të paaftë për të ndalur luftën në Bosnjë, amerikanët thonë se prioriteti i tyre është parandalimi i përhapjes së luftës në regjionet e tjera, siç është Kosova, me ç’rast lufta mund të përfshijë maqedoninë, Greqinë, Turqinë dhe Shqipërinë dhe kështu do të shaktohej një luftë e gjerë regjionale. Administrata e Klintonit ka premtuar se në rastë të përhapjes së luftës në këtë rajon do të intervenojë me forcë, shkruan gazeta.
Një zyrtar i Stejt Departamentit Amerikan tha: “Të gjithë frikësohen se spastrimi etnik në Kosovë do të shaktojë konfliktin jashtë kufinjve të saj”.
Liderët e Kosovës, shkruan kjo gazetë, thonë se “presioni mbi popullsinë myslimane është shumë më subtil se sa vrasjet dhe dhunimet në Bosnjë. Mirëpo, kërcënimet edhe ashtu i kanë shtyer dhjetëra mijëra shqiptarë myslimanë që ta braktisin Kosovën”.
Fuqive perëndimore, si duket, u kanë mbetur shumë pak mundësi për frenimin e Serbisë. Ky vend tani më gjendet nën sanksione të ashpra ekonomike, kurse “ndërprereja e marrëdhineve diplomatike do të zvogëlonte mundësitë për vëzhgimin e krimeve”, shkruan gazeta “The Washington Post”.
 
 
27 korrik 1994
 
Represioni në Kosovë
Podujevë: – Këto ditë në fshatin Orllan, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpitë e Rexhep dhe Jahir Rexhepit, kurse në shtëpinë e Mehmet Ademit u gjet një armë. Policia armë kërkoi edhe nga Shefki Beka, si dhe kërkuan djalin e tij i cili tash një kohë gjendet në arrati.
Njoftohet se policia kërkoi për të dorëzuar një pushkë edhe nga Mehmet Salihu, ndërsa shtëpia iu bastis edhe Halit Islamit, me ç’rast policia keqtrajtoi gruan e tij. Njoftohet se policia keqtrajtoi edhe Pajazit Islamin i cili u keqtrajtua fizikisht.
Të gjithë të lartëshënuarit u rrahën të nesërmen në postkomandën e policisë në Orllan.
Më 21 korrik, në fshatin Orllan, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi edhe shtëpinë e Hasan Hajdarit, i cili punon përkohësisht në Gjermani. Policia gjatë bastisjes ia konfiskoi pasaportën Hasanit dhe bashkëshortes së tij.
Më 22 korrik, poklicia bastisi shtëpinë e Beqir Musës, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Orllan. Nga Beqir Musa policia kërkoi një revole. Pas bastisjes, policia mori me vete Beqir Musën, i cili në u rrah brutalisht dhe u lirua me kusht që të paraqitet sërish pardje në polici.
Më 24 korrik rreth orës 9:00, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpinë e Hasan Berishës, me ç’rast u arrestua Naser Berisha (18).
Gllogovc: – Më 23 korrik, derisa ishte duke pritur trenin në stacionin hekurudhor në Fushë-Kosovë, policia pa kurrfarë shkaku arrestoi Rrahim M.Sadikun nga Gllogovci, i cili u keqtrajtua fizikisht në stacionin e policisë në Fushë-Kosovë.
Po këtë ditë rreth orës 17:00, policia bastisi shtëpitë e Haxhi, Jakup e Jetish Morinës në fshatin Arllat të Gllogovcit. Policia gjatë bastisjes, në prani të anëtarëve të familjes rrahu Hajdin Morinën.
Më 22 korrik, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpitë e Feriz, Ramadan e Nazmi Bytyçit në fshatin Arllat.
Ferizaj: – Dje rreth orës 11:00, policia serbe arrestoi Avni Rexhepin (12) dhe nënën e tij Emine Rexhepin, të cilët u dërguan në stacionin e policisë në Ferizaj. Policia arrestoi nënë e bir, nën pretekst se Shaipi ka thyer xhamin e shkollës së okupuar “Kuvedi i Arbërit”. Njoftohet se policia keqtrajtoi rëndë dymbëdhjetë vjeçarin Avni Rexhepin.
Vushtrri: – Më 24 e 25 korrik, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpinë e Jahir dhe Ismet Malokut në Vushtrri. Meqë policia nuk gjeti asgjë nga armët e kërkuara, ata u kërcënuan se do të kthehen sërish për t’i bastisur.
Malishevë: – Pardje, rreth orës 1 pas mesnate, policia e Rahovecit pasi nuk e gjeti në shtëpinë e tij në Shkozë, arrestoi në shtëpinë e një miku të tij në Mirushë të Malishevës të riun Sylejman Bytyçin (20). Ky i ri u dërgua në stacionin e policisë në Rahovec, ndërsa më pas në Prizren.
Njoftohet se Sylejman Bytyçi u arrestua nën prtetekst të dorëzimit të armëve.
Dje, policia arrestoi Ruzhdi Kryeziun dhe Rrahman Pagarushën në Pagarushë të Rahovecit. Policia arrestoi Ruzhdi Kryeziun nën pretekst se ai merret me shitblerjen e armëve.
Më 21 korrik, në postkomandën e Kijevës u rrah rëndë plaku 72 vjeçar Xheladin Krasniqi nga Drenoci i Malishevës. Ai u lirua me kusht që të paraqitet sërish në polici.
 
 
 
27 korrik 1995
 
Xhems Moran: Kosova granatë e gatshme për të shpërthyer
Senati Amerikan vendosi dje në favor të heqjes së embargos së armëve ndaj BH-së, ndërsa zëvendësdemokrati Xhems Moran shfaqi shqetësimin e tij lidhur me gjendjen në Kosovë.
Ai në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, shfaqi shqetësimin se lufta mund të përhapet edhe në Kosovë.
Kosova tha ai është një granatë gati për të shpërthyer. Nuk mund të vazhdojë një gjendje ku gati 95 për qind e popullsisë i nënshtrohet një shtypjeje të rreptë policore dhe sundohet nga më pak se 5 për qind e popullatës, tha ai.
Deputeti amerikan, i cili kohëve të fundit vizitoi disa vende të Ballkanit duke përfshirë Shqipërinë e Kosovën, tha se nuk ka gjasa që çështja e shqiptare në ish-Jugosllavi të zgjidhet së shpejti. Ai tha se dikatorët si Sllobodan Milosheviqi përdorin çështjet e tilla për ta ruajtur pushtetin.
Deputeti Moran tha se ka shumë të ngjarë që lufta të përhapet në jug duke përfshirë edhe disa vende ballkanike.
E vetmja arsye që lufta nuk është përhpaur në Maqedoni e në Kosovë, tha ai, se serbët kanë qenë tepër të zënë me çështjen e Bosnjës. Por, pasi ta mposhtin Bosnjën, mendoj se ata do të vazhdojnë në zonat tjera të Ballkanit me qëllim që të krijojnë Serbinë e madhe, theksoi deputeti amerikan.
Z.Moran tha gjithashtu se vetëm Kroacia mund t’ia ndalë hovin Serbisë. Ai parashikoi se Serbia e Kroacia më në fund do të hyjnë në luftë, dhe se shpreson që Gjermania do t’i vijë në ndihmë Kroacisë. Deputeti Moran tha se Serbisë duhet t’i tregohet ku e ka vendin, për asrye se synimet e saj ndaj fqinjëve janë tejet keqdashëse, njofton gazeta “Bujku”.
 
 
27 korrik 1997
Adelina Ismajli mori pjesë në spektaklin “Miss Globi” në Turqi
 
Mbrëmë Televizioni turk ATV transmetoi drejtpërdrejt spektaklin e zgjedhjes Miss Glob. Në konkurencë morën pjesë përfaqësueset e 40 vendeve të ndryshme nga bota: SHBA, Gjermania, Rusia, Britania e Madhe, Franca, Italia, Spanja, Brazili, Çekia, Sllovakia, Lituania, Estonia, Kirgizistani, Turkmenia, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina, Malajzia, Kolumbia, Afrika e Jugut, Greqia e tjerë.
Në mesin e 40 konkurenteve ishte edhe Adelina Ismajli, ylli i muzikës shqiptare argëtuese në Kosovë dhe “Miss Kosovarja 97”. Ajo mbante shiritin “Albania”, por në vetëprezentim, e reja prishtinase theksoi se është nga Republika e Kosovës.
Miss Globi u zgjodh përfaqësuesja e Çekisë.
 
 
 
27 korrik 1998
Vazhdojnë sulmet në Bllacë e Duhël të Suharekës
Prishtinë, 27 korrik (QIK)
Në fshatrat e komunës së Suhaarekës edhe sot gjendja është shumë e rëndë. Forcat serbe, nga tridhjetë tanke kanë granatuar gjatë natës dhe sot fshatrat Bllacë e Duhël.
KI i Degës së LDK-së në Suharekë njofton se sulmit të ashpër të forcave serbe po i kundërvihen forcat mbrojtëse të UÇK-së. Nga granatimet janë djegur lagjet Bajraktari dhe Suka në Bllacë, ndërsa forcat serbe janë pozicionuar në afërsi të shkollës së fshatit.
Problem në vete në fshatrat e sulmuara dhe në fshatrat tjera paraqesin dezinformatat e shumta të njerëzve të papërgjegjësi, të cilat po ndikojnë në zhvendosjen dhe në lëvizjen e madhe të popullsisë.
U bëhet apel banorëve të këtyre fshatrave që të mos bien nën ndikimin e tyre dhe të mos i lëshojnë shtëpitë pa nevojë.
Sulme masive në Drenicë: U sulmuan fshatrat Llaushë, Klinë, Runik, Leçinë, Padalishtë, Çitak e Suhagërllë
Në komunën e Skënderajt, luftimet vazhdojnë me intensitet të shtuar. Dje gjatë gjithë ditës është granatuar me qindra granata Llausha. Forcat serbe kanë tentuar të hyjnë në fshat.
Forcat e UÇK iu kundërvunë këtij aksioni.
Gjendja e tillë vazhdon edhe sot në Llaushë. Nuk dihet të ketë viktima.
N Klinën e Poshtme, atë të Mesmen dhe në Klinën e Epërme janë vrarë nga granatimet dy gra dhe një plak: Sali Duraku dhe Azize Hajdini (Mala) (1953) nënë e 5 fëmijëve. Emri i viktimës së tretë nuk dihet. Viktimat janë varrosur dje nën breshërinë e granatimeve
Në Runik e fshatrat përreth pati mbrëmë dhe sot luftime të intenzitetit të rritur. Policia hyri në dy fshatra. Në Kotorrk dogji grunajat dhe rrëmbeu Beqir Hajrizin (62), Azem Hajrizin (35), djalin e Beqirit dhe Fidaim Hajrizin (25) djalin e Beqirit, ndërsa në fshatin Radishevë rrëmbeu Shaip Selmanin (45) dhe Nazim Ahmetit (27).
Për fatin e tyre as sot nuk dihet.
Sot po granatohet pandërprerë dhe Leçina, Padalishta, Çitaku, Suhagërlla dhe fshatrat përreth.
Forcat serbe dogjën gjithë arat me grurë që prisnin korrje-shirjen.
Në Skënderaj është gjendje e nderë. Nuk mund të hyhet as të dilet. Forcat serbe përforcohen vazhdimisht.
Nga komuna e Klinës ka lajme trishtuese. Armiku dogji vrau e plagosi çdo gjë para vetes. Siç deklaron sot Sadri Boja nga Kerrnica, forcat serbe hynë në fshatin e boshatisur dhe dogjën shtëpitë e Dr. Rexhep Bojës, Sadri Bojës, Hajriz, Brahim, Bajram, Rushit, Rrahman, Imer, Cenë të gjithë të lagjes Boja dhe Isuf Berishës, Bajram Oruçit, Zeqir Berishës, Hamdi, Ali e Nezir Doçit.
U dogj edhe shkolla fillore e fshatit dhe u lëndua Besim Boja (26).
Sot dëgjohen granatimet me armë artilerike kalibrash të ndyshëm në shumë fshatra të kësaj komune, si në Dollc, Gllarevë, Cerovikë, Stapanicë etj.
Gjakovë: Policia serbe solli në morgun e spitalit 7 trupa pa jetë
Sot rreth orës 18:00 policia serbe solli në morgun e spitalit të qytetit në Gjakovë 7 trupa pa jetë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë.
Për shkak të bllokimit të objektit të siptalit, tash për tash, është e pamundur të sigurohen të dhëna të tjera për ta.

Continue Reading

Lajmet

UBT përgatit ekspertë të Real Estate, një nga sektorët më fitimprurës të ekonomisë globale

Published

on

By

A e dinit se patundshmëria përbën klasën më të madhe të pasurisë në të gjithë rruzullin tokësor? Sipas analizës globale nga kompania prestigjioze Savills, vlera e përgjithshme e patundshmërive në botë ka arritur në shifrën marramendëse prej mbi 379.7 trilionë dollarësh. Për ta kuptuar peshën e këtij sektori, kjo industri është pothuajse katër herë më e madhe se e gjithë ekonomia globale dhe peshon dukshëm më shumë se sa i gjithë tregu i aksioneve e i bonove të marra bashkë.

E për të qenë pjesë e këtij tregu dinamik e të suksesshëm kjo mund të arrihet përmes studimeve në programin Menaxhimi i Patundshmërive dhe InfrastrukturësUBT. Ky program akademik është projektuar për të përgatitur profesionistë të kualifikuar, të cilët luajnë një rol kyç në zhvillimin e mjedisit të ndërtuar dhe në përmirësimin e cilësisë së jetesës urbane.

Përmes mësimdhënies inovative, kërkimit shkencor me ndikim dhe menaxhimit transformues të pasurive të paluajtshme, ndërtimit e infrastrukturës, UBT u ofron studentëve platformën e nevojshme për të kontribuar në mënyrë të qëndrueshme dhe strategjike në rajon e më gjerë.

Gjatë këtij udhëtimi akademik, studentët pajisen me njohuri të thelluara mbi kornizat ligjore, financiare dhe teknike, si dhe me kompetenca praktike në vlerësimin e pasurive, planifikimin e projekteve dhe analizën e investimeve.

Programi promovon mendimin analitik, marrjen e vendimeve strategjike dhe lidershipin në projekte zhvillimore ndërdisiplinore, duke integruar teknologjitë e avancuara dhe Inteligjencën Artificiale në menaxhimin e pronave, gjithnjë mbi parimet e etikës profesionale dhe qëndrueshmërisë mjedisore.

Përmes kësaj përgatitjeje gjithëpërfshirëse, studentët aftësohen të interpretojnë rregulloret e industrisë, të drejtën kontraktuale dhe proceset e ndërmjetësimit, si dhe të analizojnë ndikimin e faktorëve demografikë e hapësinorë në tregun imobiliar.

Përveç kësaj, të diplomuarit zotërojnë teknikat moderne të vlerësimit të pronave, aplikimin e marketingut digjital dhe menaxhimin e kontratave të Partneriteteve Publike-Private, duke garantuar një analizë kritike të çdo projekti nga këndvështrimi teknik, menaxherial dhe financiar.

Bëhu pjesë e gjeneratës së re të liderëve në sektorin e patundshmërive.

Apliko tani në UBT dhe ndërto një karrierë të sigurt me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e hapësirave tona urbane!

Continue Reading

Lajmet

Kosova nënshkruan pesë marrëveshje me Francën

Published

on

Kosova dhe Franca kanë nënshkruar  sot 5 marrëveshje.

Nënshkrimi është bërë gjatë vizitës së ministrit për Evropë të Francës, Benjamin Haddad, i cili është pritur në takim nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Janë nënshkruar letërqëllimin për themelimin e Komunitetit kosovaro-francës për mbështetjen e organizmit të Lojërave Mesdhetare 2030, marrëveshjen administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë, Marrëveshjen për ndihmë juridike të ndërsjellë në çështje penale, Marrëveshjen për ekstradimin dhe Marrëveshjen e kredisë me Agjencinë Franceze për zhvillimin e projektit për Lojërat mesdhetare. Katër marrëveshjet  e para janë nënshkruar nga Konjufca dhe Haddad, ndërkohë që e pesta është nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati dhe ministri francez Haddad./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ryan Gosling bëhet pjesë e Marvel, do të luajë Ghost Rider në filmin e ri të MCU-së

Published

on

Aktori Ryan Gosling do t’i bashkohet Universit Kinematografik të Marvelit (MCU), ku do të interpretojë personazhin kryesor në filmin e ri “Ghost Rider”.

Lajmi u bë i ditur gjatë një prezantimi surprizë në festivalin San Diego Comic-Con, ku Gosling tha se është një rol që “ka dashur ta luajë për një kohë të gjatë”.

Filmi i ri pritet të publikohet në vitin 2028 dhe do të jetë projekti i tretë kinematografik për anti-heroin me motor. Ai vjen pas filmave “Ghost Rider” të vitit 2007 dhe “Ghost Rider: Spirit of Vengeance” të vitit 2011, ku rolin kryesor e kishte luajtur Nicolas Cage.

Regjinë e filmit do ta bëjë Shawn Levy, i cili më herët ka drejtuar edhe “Deadpool & Wolverine”. Gosling e ka cilësuar Levy si “regjisorin e vetëm” për këtë projekt.

Personazhi i Ghost Rider lidhet me Johnny Blaze, një marifetist me motor i cili fiton fuqi mbinatyrore pasi lidhet me shpirtin e hakmarrjes Zarathos.

Ndërkohë, në të njëjtin event, Marvel zbuloi edhe detaje të reja për projekte të tjera, përfshirë filmin “Avengers: Doomsday” dhe konfirmimin se “Black Panther 3” do të publikohet në vitin 2028. Ryan Reynolds gjithashtu bëri një paraqitje surprizë si Deadpool gjatë panelit të Marvelit./BBC/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara