Lajmet

Ekspertët shëndetësorë pro ashpërsimit të masave, PDK kundër

Infektologu Hamdi Ramadani shprehet se masat antiCOVID që aktualisht janë në fuqi duhet të zbatohen në përpikëri.

Published

on

Për shkak të situatës epidemiologjike në vend shumë shpejt pritet që të ketë ashpërsim të masave antiCOVID. Ekspertët shëndetësorë dhe qytetarët pajtohen se nevojitet më shumë shtrëngim dhe zbatim rigoroz të masave antiCOVID, por me ashpërsimin e masave nuk po pajtohet Partia Demokratike e Kosovës.

Infektologu Hamdi Ramadani shprehet se masat antiCOVID që aktualisht janë në fuqi duhet të zbatohen në përpikëri, pasi moszbatimi i tyre gjatë kësaj periudhe ka sjellë rritje të madhe të rasteve të reja. Ai u shpreh se kufizimi i orarit të punës së gastronomisë dhe ora policore duhet të kufizohet dhe kontrollohet, ndërsa shtoi se edhe metodat online e punës duhet sa më shpejt të merren parasysh.

“Unë mendoj që masat e vendosura në nëntor dhe dhjetor duhet të zbatohen me përpikëri dhe jo të mbeten në letër, por të zbatohen në praktikë qoftë në gastronomi, qoftë në institucionet private, shkolla e fakultete sepse janë masa kufizuese pasi kufizohet numri i personave kërkohet vaksinimit, kërkohet higjiena, maska. Mendoj se këto janë masa të mira, por për fat të keq nuk u respektuan nga qytetarët dhe në anën tjetër organet përkatëse nuk i zbatuan masat e Qeverisë. Metoda online e punës duhet të futet si masë shtesë që sa më pak të ketë tubime dhe grumbullime, ndërsa gastronomia normalisht, ora policore as që mund të vijë në shprehje të zbuten, përkundrazi ato duhet të jenë të kontrolluara”, u shpreh Ramadani.

Infektologu Ramadani u shpreh se aktualisht vendi po përballen me një gjendje të rëndë pandemike, por shtoi se varianti omicron ka simptoma më të lehta. Sipas tij ndër masat kufizuese, edhe vaksinimit kundër COVID-19 është faktor që do të ndikojë në uljen e rasteve pozitive.

“Mendoj që edhe në ditët e ardhshme mund të jetë po ashtu e rënduar, por masat antipandemike dhe vaksinimi me imunizim janë faktorë që do ta ndërgjegjësojmë qytetarin. Mendoj se jemi në valën e re të sëmundjes me pandeminë COVID-19… Për fat të mirë tani për tani aspekti i peshës së sëmundjes i tablosë klinike megjithatë po tregohet që është formë më e lehtë dhe e butë karshi variantit të mëparshëm delta dhe më me pak ndërlikime, por që kjo nuk e lejon që masat që janë në fuqi të mos zbatohen në përpikëri që vaksinimi dhe imunizimi të forcohet në maksimum”, u shpreh ai.

Por me shtrëngim të masave kundër koronavirusit nuk po pajtohet deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu i cili thotë se vendet perëndimore që janë goditur nga varianti omicron vetëm kanë liruar masat anti-COVID.

Sipas tij, vendosja në bllok e masave antiCOVID vetëm sa po e pengon procesin e vaksinimit. Ai kërkoi që të ketë lehtësime për qytetarët e imunizuar karshi koronavirusit.

“Në situatën aktuale, duke llogaritur edhe vendet evropiane, ndonëse ka pasur rritje të madhe të rasteve me omicron, vendet e caktuara të BE po shkojnë duke liruar masat pasi ky variant është shumë më i lehtë. Pra, në aspektin shëndetësor krijon më pak probleme shëndetësore dhe mund të krijojë imunizim shëndetësor tek ata që atakohen dhe mund të krijohet edhe një imunizim i tufës … Vendosja e masave në bllok për mbyllje është një dekurajim për vaksinim. Pra, të gjitha këto situata duhet të diskutohen për të nxitur njerëzit në procesin e vaksinimit. Vendosja e masave në bllok siç ka bërë deri tani qeveria, e ka goditur procesin e vaksinimit”, tha Haxhiu.

Pas paralajmërimeve se gastronomia do të lejohet të punojë vetëm deri në orën 22:00, sipas Haxhiut, i cili është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, masat nuk duhet të rëndojnë punën e gastronomisë dhe ora policore është e panevojshme.

“Numri i rritur ka ndodhur për shkak se qeveria është munduar ta mbajë artificialisht numrin e vogël të rasteve për shkak të zvogëlimit të numrit të testimeve dhe dje kur ka rritur numrin e testimeve ka pasur rritje të numrit të rasteve. Ekspertët shëndetësorë duhet të vendosin hapat mbi masat. Unë nuk mendoj se duhet të ketë masa në bllok si për të vaksinuarit si për të vaksinuarit, sepse çdo masë të cilën po e merr qeveria po duket sikur ka diçka kundër gastronomisë. Masa e parë kundër gastronomisë është tërësisht e gabuar…Nuk ka nevojë për orë policore, është e panevojshme. Edhe këta muaj sa ka qenë, ishte tërësisht e panevojshme”, u shpreh ai.

Marrë parasysh situatën pandemike qytetarët pajtohen që të ketë ashpërsim të masave antiCOVID. Ramadan Baholli e kundërshton mbylljen totale, por thotë se duhet të ketë ashpërsim të masave antiCOVID.

“Mbyllja totale është e rëndë, por megjithatë masat duhet të merren gjithsesi… Qarkullimi si në orën 12:00 të ditës sikurse në orën 24:00 të natës është njëjtë, duhet të mbajmë maskë dhe të mos shkojmë ku ka shumë njerëz”, tha ai.

Një qytetar tjetër që nuk deshi të identifikohej tha se duhet pasur kujdes ndaj situatës së krijuar me pandemi, por sistemi arsimor nuk duhet të vazhdojë sipas skenarit online.

“Të ruhemi, të gjithë duhet ta përdorim maskën, ta mbajmë pastërtinë dhe t’i përmbahemi këshillave të cilat po i jep Ministria e Shëndetësisë, për shkollat nuk do të mund të thosha sepse shkollat online dhe me prezent fizike nuk është njësoj… Pas orës 22:00, qytetarët të kthehen në shtëpi”, u shpreh ai.

Sot është takuar Komitetit për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike i cili ka rekomanduar për masat e reja antiCOVID, masa të cilat pritet që sot apo nesër në mëngjes të dërgohen për miratim në qeveri.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi njoftoi se është e mundshme që qarkullimi i gastronomisë të lejohet deri në 22:00, ndërsa theksoi se masat do jenë në proporcion të mundësive që shkollat dhe ekonomia të jenë të hapura.

Në 24 orët e fundit është regjistruar rekord i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 2708 raste të reja nga testimi i 10.833 mostrave. Gjatë 24 orëve është regjistruar edhe një rast me fatalitet.

Lajmet

DW:Rrezik për zgjedhje të reja në Kosovë?

Published

on

By

Partitë politike opozitare shprehen, se për zgjedhjen e Presidentes/it të Kosovës duhen marrëveshje politike me partinë në pushtet në mënyrë që të gjendet një emër konsensual.

Kanë mbetur vetëm edhe dhjetë ditë nga koha kur Parlamenti i Kosovës duhet të zgjedhë presidenten apo presidentin e ri të vendit në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentare. Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë është deklaruar se dëshiron të kandidojë edhe për një mandat pesëvjeçar, por, në këtë fazë, akoma asnjë nga subjektet politike nuk janë deklaruar hapur, nëse do ta mbështesin kandidaturën e saj. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  që është edhe lideri i partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka filluar konsultimet me partitë politike opozitare për ta diskutuar çështjen e presidentit, por, as Kurti, në këtë fazë akoma nuk është deklaruar nëse do ta mbështesë presidenten aktuale, Vjosa Osmani, edhe për një mandat. Do të ketë konsensus me opozitën?

Kurti takimin e parë që zhvilloi për çështjen e presidentit ishte ai me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, me të cilin, sipas Kurtit, “Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar”. “U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik. Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit, për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, tha Kurti pas takimit me Bedri Hamzën.

Kreu i PSK, pas takimit me Kurtin, tha se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur. “Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese. Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë”, tha Hamza, që është edhe kryetar i partisë më të madhe opozitare, PDK.

Albin Kurti, nga ana e tij, paralajmëroi takim edhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për të vazhduar më pas edhe me udhëheqësit e subjekteve tjera parlamentare në opozitë. Të gjitha partitë politike opozitare shqiptare në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën gjithsej 41 mandate në Parlament, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e vetme ka 57 mandate.

Partitë opozitare nuk duhet të dorëzohen pa kushte

Për analistët politikë, rezultati i zgjedhjeve të dhjetorit ishte kryesisht pasojë e gabimeve strategjike të partive opozitare. Analisti Artan Muhaxhiri i tha më herët DW-së se kjo patjetër që nuk do të thotë se partitë opozitare “duhet të dorëzohen pa kushte në procesin e zgjedhjes së presidentit, sepse ky është kontekst i ri në të cilin ato janë të patejkalueshme”. “Proporcionalisht me pushtetin parlamentar, roli parësor në gjetjen e zgjidhjes i takon gatishmërisë së Kurtit për të ofruar propozime të respektueshme dhe realiste, pa performanca komplikuese. Gjatë gjithë mandatit Presidentja Osmani ka qenë përkrahëse e devotshme e ideve të Kryeministrit Kurti, prandaj rikandidimi i saj eventual do të mund të mendohej vetëm nëse Kurti do të ishte i gatshëm për të lëshuar pe ndaj ndonjë kërkese të rëndësishme opozitare”, thotë Muhaxhiri. Kryeministri Kurti më herët është deklaruar se ai do ta takoi Osmanin dhe të flasë me të, sikundër që është i gatshëm të flasë edhe me subjektet e tjera politike, qoftë për ta rizgjedhur Osmanin, qoftë për kandidat tjetër konsensual. /DW Shqip/

 

Continue Reading

Lajmet

57 kg kanabis në makinë, arrestohen dy persona në Vlorë

Published

on

By

Dy persona janë arrestuar në Vlorë pasi u kapën me 57 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, sipas njoftimi të Policisë se Shtetit.

Operacioni i koduar “Brotherhood”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, çoi në prangosjen e F. M., 41 vjeç, banues në fshatin Trevllazër, dhe L. L., 40 vjeç, banues në fshatin Mavrovë. Ata akuzohen për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” si dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”.

Sipas policisë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, uniformat blu ndaluan dhe kontrolluan një automjet tip “Volkswagen Touran”, me të cilin po udhëtonin të dyshuarit. Gjatë kontrollit u gjet një sasi kanabisi e përgatitur për shitje.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesë u zbulua dhe u sekuestrua një tjetër sasi kanabisi, duke e çuar në rreth 57 kg totalin e lëndës së dyshuar narkotike. Po ashtu, në banesën e njërit prej të arrestuarve u gjet një armë zjarri automatike model 56, së bashku me një karikator me 30 fishekë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet Artan Grubi pas më shumë se një viti në arrati

Published

on

By

Ish-zëvendëskryeministri maqedonas Artan Grubi është arrestuar më 23 shkurt në pikën kufitare Bllacë, pas më shumë se një viti prej kur ishte në arrati, ka konfirmuar Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Grubi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”, rast për të cilin ka raportuar më herët edhe Radio Evropa e Lirë.

Në këtë rast përfshihet edhe Përparim Bajrami, i cili po ashtu përmendet në aktakuzë si i dyshuar.

Prokurorët dyshojnë se ata kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro përmes prokurimit të pajisjeve të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende nëse Grubi do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit apo do t’iu dorëzohet autoriteteve gjyqësore më vonë gjatë ditës. /REL/

Continue Reading

Lajmet

UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”

Published

on

By

Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.

Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.

Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.

Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.

Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty UniversityShtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.

Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Continue Reading

Të kërkuara