Lajmet

Ekspertët: Hiqni këto pesë gjëra nga vendet e dukshme për një shtëpi më harmonike

Published

on

Dhoma e ditës është zemra e shtëpisë – vendi ku pushojmë, socializohemi dhe kalojmë kohën më të madhe të ditës.

Pikërisht për këtë arsye, kthehet në hapësirë ku mblidhen sende të rastësishme: posta, paketat, këpucët, kabllot apo gjëra të vogla që nuk kanë vend të caktuar. Me kalimin e kohës, kjo krijon një atmosferë të ngarkuar dhe të çrregullt.

Ekspertët e organizimit të hapësirës, të cilët kanë folur për The Spruce, theksojnë se sa më pak objekte të panevojshme të ketë në dhomë, aq më shumë qetësi dhe rehati do të sjellë ajo.

Ata shpjegojnë cilat gjëra nuk duhen lënë kurrë në dhomën e ditës dhe si mund të rikthehet harmonia pa shumë mundim.

Një dhomë e pastër s’do të thotë hapësirë bosh, por vend ku çdo send ka funksionin e vet. Mos e ngarkoni ambientin, lëreni të jetë i ajrosur. Minimalizmi, sipas ekspertëve, nuk është trend, por mënyrë jetese që na kthen tek qetësia e koha cilësore pa shpërqendrime.

1. Rrëmujë në tavolinën e kafesë

Filxhanët, telekomandat, librat dhe suveniret e shumta krijojnë kaos vizual. Ekspertja Mari Poter sugjeron që tavolina të shndërrohet në një kënd të vogël dekorativ: “Lini vetëm sendet që ju sjellin kënaqësi – një qiri, një bimë ose një difuzer. Gjithçka tjetër sistemojeni.” Tavolinat me sirtarë ose rafte e mbajnë sipërfaqen të rregullt, ndërsa sendet e nevojshme qëndrojnë të fshehura.

2. Enët e pista

Shikimi i serialeve gjatë ngrënies sjell pjatat e harruara në dhomën e ditës. “Enët e pista krijojnë përshtypjen e rrëmujës dhe mund të tërheqin insekte,” paralajmëron Barbara Brok. Përdorni një tabaka ose tavolinë ndihmëse dhe çojini enët në kuzhinë menjëherë.

3. Sendet ‘kalimtare’: posta, këpucët, xhaketat

Dhoma e ditës kthehet në pikë-grumbullim për postën, çantat apo paketat. Por, “përkohësja bëhet e përhershme shumë shpejt”. Çdo gjë duhet të ketë vendin e vet: posta në korridor, këpucët dhe xhaketat në dollap, paketat pranë hyrjes. Rregulli i një minute është çelësi – çdo gjë që sistemoni brenda një minute, bëjeni menjëherë.

4. Pajisjet teknologjike

Konzolat, kabllot dhe paisjet e shumta krijojnë ngarkesë vizuale. Zgjidhja është organizimi i zgjuar: shporta dekorative, kuti, dollapë me dyer ose elemente multifunksionale me hapësirë ruajtjeje. Një herë në muaj bëni pastrimin teknik dhe hiqni pajisjet e papërdorura.

5. Rrobat e palara ose të papaluara

Shumë njerëz palosin rrobat duke parë TV, por i lënë në mes të dhomës. Brok thotë: “Sa më shumë e shtyni për më vonë, aq më vështirë është ta përfundoni.” Nëse nuk i palosni, zhvendosini diku tjetër. Krijoni një kënd të dedikuar pranë vendit ku lani rrobat, me shporta e ndriçim të ngrohtë që puna të bëhet më e lehtë dhe dhoma e ditës të mbetet zonë relaksi. /A.Z/UBT News/

Lajmet

Zubin Potok: Policia përdor armët e zjarrit për të ndaluar kontrabandistin

Published

on

By

Një rast i kontrabandës me mallra ka përfunduar me përdorim të armës së zjarrit nga ana e policisë dhe me arrestimin e një personi, në orët e para të mëngjesit të së dielës në Zubin Potok.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:38, kur zyrtarët policorë kanë hasur një veturë me targa të Serbisë, e cila po transportonte mallra të kontrabanduara.

I dyshuari nuk ka përfillur urdhrat e policisë për t’u ndalur dhe si reagim ndaj veprimeve të tij, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin armën e zjarrit.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka zbuluar një sasi të ngarkuar me pije alkoolike dhe joalkoolike, për të cilat shoferi nuk posedonte asnjë dokument përcjellës.

Mjeti së bashku me mallrat e ndaluara janë sekuestruar menjëherë nga autoritetet, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Nis në Prishtinë gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut

Published

on

By

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbahet sot seanca e shqyrtimit fillestar në rastin penal ndaj 21 të pandehurve, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Masakrën e Reçakut.

Sipas njoftimit zyrtar nga Departamenti Special i Gjykatës, ky proces penal do të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, pasi të njëjtit kanë qenë të paarritshëm për organet e drejtësisë deri në momentin e ngritjes së aktakuzës. Përmes njoftimit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës u ka bërë thirrje publike të pandehurve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes.

Lista e të akuzuarve përfshin: Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Milovan Kovaçeviq.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 1998-1999, të pandehurit kanë vepruar në bashkëkryerje si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë (veçanërisht të Brigadës së 243-të të Mekanizuar të Korpusit të Prishtinës) dhe si pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP). Përveç vrasjeve, ata ngarkohen edhe për trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik.

Në dokumentet e Prokurorisë përshkruhet se si të pandehurit fillimisht rrethuan fshatin Reçak nga pikat strategjike si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, duke e granatuar atë me mjete ushtarake. Më pas, gjatë kontrolleve shtëpi më shtëpi, ata ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët – këta të fundit i detyruan të largoheshin, ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan.

Hetimet kanë vërtetuar gjithashtu se ndaj civilëve është ushtruar dhunë e egër fizike përmes rrahjeve me kondakë armësh, shqelma, dru e zinxhirë. Si pasojë e këtyre veprimeve, rreth 20.000 banorë civilë nga Reçaku dhe fshatrat përreth si Topillë, Petrovë, Kraishtë, Mullapolc e Dremjak, u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

KURIOZITETET E DITËS

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

  1. Sistemi ynë diellor ka një mur. Heliopauza – rajoni i hapësirës në të cilin era diellore nuk është mjaftueshëm e nxehtë për të shtyrë mbrapsht erën e grimcave që vijnë nga yjet e largët – shpesh konsiderohet “muri kufitar” i Sistemit Diellor dhe hapësirës ndëryjore.

 

  1. Oktapodët në të vërtetë nuk kanë tentakula. Ata kanë tetë gjymtyrë, por janë krahë (për shumicën e specieve). Teknikisht, kur flasim për cefalopodët (oktapodët, kallamarët etj.), shkencëtarët i përcaktojnë tentakulat si gjymtyrë me thithëse në skajet e tyre. Krahët e oktapodit kanë thithëse përgjatë pjesës më të madhe të gjatësisë së tyre.

 

  1. Shumica e hartave të botës janë të gabuara. Në shumicën e hartave, projeksioni Mercator – i zhvilluar për herë të parë në vitin 1569 – përdoret ende. Kjo metodë është jashtëzakonisht e pasaktë dhe e bën Alaskën të duket aq e madhe sa Brazili dhe Grenlanda, 14 herë më e madhe sesa është në të vërtetë. Që një hartë të jetë plotësisht e saktë, do të duhej të ishte në madhësi reale dhe e rrumbullakët, jo e sheshtë.

 

  1. NASA vërtet falsifikoi një pjesë të uljes në Hënë. Ndërsa hapat e parë të Nil Armstrong në sipërfaqen hënore nuk ishin kategorikisht të falsifikuar, protokolli i karantinës së astronautëve kur astronautët mbërritën përsëri në Tokë ishte kryesisht vetëm një shfaqje e madhe.

 

  1. Kometat mbajnë erë vezësh të prishura. Një kometë mban erë vezësh të prishura, urine, shkrepësesh të djegura dhe… bajamesh. Gjurmë sulfuri hidrogjeni, amoniaku, dioksidi i squfurit dhe cianidi hidrogjeni u gjetën të gjitha në përbërjen e kometës 67P.

Continue Reading

Lajmet

Ekipi i FSK-së gjen trupin e pajetë të një shtetasi të huaj në Batllavë

Published

on

By

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka gjetur trupin e pajetë të një shtetasi të huaj me inicialet A.A., pas një operacioni kërkim-shpëtimi në Liqenin e Batllavës.

Operacioni ka nisur menjëherë pas pranimit të informatës nga Qendra e Situatave të Republikës së Kosovës.

FSK ka angazhuar me urgjencë Ekipin e Kërkim-Shpëtimit në ujëra, i cili ka ndërhyrë në orët e vona dhe ka arritur të lokalizojë dhe të nxjerrë trupin e pajetë nga liqeni.

Pas përfundimit të operacionit, trupi i viktimës u është dorëzuar autoriteteve përkatëse për procedurat e mëtejshme ligjore dhe hetimore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara