Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se takimi i sotëm me kryeministrin Albin Kurti ka përfunduar pa asnjë marrëveshje për çështjen e presidentit. Abdixhiku njoftoi se ky ishte takimi i fundit dhe se palët nuk do të ulen më në tryezën e bisedimeve për këtë proces.
Kreu i LDK-së u shpreh i zhgënjyer nga rrjedha e diskutimeve, duke theksuar se partia e tij mbetet e palëkundur në qëndrimin se një forcë politike nuk mund të kontrollojë të gjitha institucionet kryesore të shtetit.
“U përpoqa, provova, nuk arrita, fatkeqësisht. Tani do t’i kthehem LDK-së dhe do t’i kthehem misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda LDK-së”, deklaroi Abdixhiku pas takimit.
Sipas tij, kryeministri Kurti ka insistuar që pozita e presidentit t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), gjë që ka qenë e papranueshme për opozitën. Megjithatë, Abdixhiku la të hapur mundësinë e një përafrimi me ish-presidenten Vjosa Osmani, duke e cilësuar një bashkëpunim të tillë si “lajm të mirë për Kosovën dhe LDK-në”.
Situata politike në vend po bëhet gjithnjë e më kritike pasi Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar 28 prillin si datën e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri. Dështimi për të siguruar 80 vota në sallë apo një marrëveshje politike deri në këtë datë, do ta dërgonte automatikisht vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Nga ana tjetër, Qeveria ka kritikuar opozitën për mungesë të propozimeve konkrete. Ministrja Mimoza Kusari-Lila theksoi në një konferencë për media se deri më tani as LDK-ja dhe as PDK-ja nuk kanë ofruar emra për këtë pozitë.
“Në asnjë rast deri tani, nga LDK-ja apo PDK-ja nuk ka pasur propozime apo nismë për të zgjidhur çështjen e presidentit apo për të propozuar emra”, deklaroi Kusari-Lila.
Me vetëm 57 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje e ka të pamundur zgjedhjen e presidentit pa mbështetjen e opozitës ose të pakicave, pasi procesi kërkon kuorumin prej 80 deputetësh në sallë. Me dështimin e bisedimeve me LDK-në, sytë mbeten nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ende nuk ka zhvilluar takim zyrtar me kryeministrin.