Lajmet

Egjipti heq gjendjen emergjente pas katër vjetësh e gjysmë

Egjipti e kishte vendosur gjendjen emergjente në prill të vitit 2017.

Published

on

Gjendja emergjente në Egjipt do të largohet për herë të parë pas disa vjetëve, tha të hënën presidenti i këtij shteti, Abdel Fattah al-Sisi.

Egjipti e kishte vendosur gjendjen emergjente në prill të vitit 2017, pas shpërthimeve vdekjeprurëse në kisha, dhe prej asaj kohe vazhdimisht ia ka zgjatur afatin kësaj mase çdo tre muaj, pavarësisht përmirësimit të situatës së sigurisë, shkruan Reuters.

“Egjipti është bërë oazë e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Prandaj, është vendosur, për herë të parë në disa vjet, që të anulohet zgjatja e afatit të gjendjes emergjente në të gjitha zonat e vendit”, shkroi Sisi në Facebook.

Gjendja emergjente u jepte autoriteteve kompetenca të shumta për të kryer arrestime e për t’i shtypur ata që i cilësojnë si armiq të shtetit.

Aktivisti i njohur egjiptian, Hossam Bahgat, e mirëpriti vendimin, duke thënë se një gjë e tillë do ta ndalojë përdorimin e gjykatave të gjendjes emergjente, ndonëse vendimi nuk do të vlejë për disa raste të profilit të lartë, që tashmë janë dërguar për shqyrtim në organe të këtilla.

Vendi

Gjykata Supreme e hedh ankesën e Blerim Isufajt kundër vendimit të KPK-së për shkarkim

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur si të palejuar ankesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, të ushtruar kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të datës 2 tetor 2026, me të cilin ai u largua nga pozita e tij udhëheqëse.

Në aktvendimin e marrë më 27 tetor 2026, kolegji i Supremes vlerësoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për shqyrtimin e ankesës në kuadër të kompetencës së veçantë të kësaj gjykate sipas Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Sipas Gjykatës Supreme, faktori që sjell ndërprerjen e funksionit udhëheqës nuk e përcakton automatikisht natyrën disiplinore të vendimit. Vendimi i KPK-së për largimin e Isufajt është nxjerrë bazuar në nenin 22 të Ligjit për Këshillin Prokurorial, pa u konstatuar përgjegjësia e tij disiplinore, gjë që e bën atë një akt individual me karakter administrativ.

Gjykata Supreme sqaroi se ligjshmëria e këtij vendimi duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor përmes procedurës së konfliktit administrativ në gjykatën kompetente lëndore, duke udhëzuar kështu ndjekjen e rrugës administrative dhe jo atë të ankesës direkte në Supreme. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, fëmija i saj 12-vjeçar dërgohet në strehimore

Published

on

By

Fëmija 12-vjeçar i të ndjerës Arlinda Zekaj është strehuar në njërën nga strehimoret e Kosovës, pas ngjarjes tragjike të 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës ku nëna e tij u vra nga goditjet me mjet të fortë.

Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Pejë, ndërsa nga ky institucion kanë bërë të ditur se për procedurat dhe hapat e mëtejmë lidhur me kujdestarinë e të minorit duhet të kërkohen informacione pranë Qendrës për Punë Sociale.

Nga ana tjetër, Qendra për Punë Sociale nuk ka dhënë deklarata shtesë për mediat, me arsyetimin se zyrtarët e saj janë të angazhuar në terren duke u marrë me trajtimin e menjëhershëm të këtij rasti.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, duke rikthyer në vëmendje nevojën urgjente për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe reagimin efektiv të institucioneve përgjegjëse. /E.A/

Continue Reading

lajme

Tetë gra të vrara këtë vit: Pse po dështon shteti në parandalim?

Published

on

By

Tetë gra janë vrarë në Kosovë, kryesisht nga partnerë e ish-partnerë, deri më tani gjatë vitit 2026. Kjo i bie mesatarisht një grua çdo pesë javë.

Vrasja e fundit, ajo e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor, ka rikthyer në diskutim publik pyetjet për reagimin e institucioneve ndaj dhunës në familje dhe për efektivitetin e mekanizmave të mbrojtjes.

Tri ditë para vrasjes, Zekaj ishte ankuar te kryeprokurorja e Pejës për mënyrën se si institucionet po e trajtonin rastin e saj dhe kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se, kur një grua kërkon ndihmë dhe paralajmëron se është e rrezikuar, institucionet duhet të reagojnë menjëherë dhe të ndërmarrin masa konkrete.

“Pranimi i deklaratës, regjistrimi i rastit apo përcjellja e shkresave nuk mjaftojnë për ta konsideruar të përmbushur këtë detyrim”, thotë Rezniqi.

Vlerësimi i rrezikut, thekson ajo, duhet të përsëritet gjatë gjithë procedurës, veçanërisht kur ka kërcënime të reja ose ndryshojnë rrethanat.

Zekaj kërkonte të kthehej në shtëpinë e saj, sipas një vendimi gjyqësor që ia njihte të drejtën për shfrytëzimin e përbashkët të asaj shtëpie me ish-bashkëshortin.

Prokuroria Themelore në Pejë, një ditë pas vrasjes, shpjegoi se ish-bashkëshorti e kishe kanosur dhe, pas intervistimit të të dy palëve, ai u ndalua dhe Zekaj u kthye në shtëpi, ku jetonte edhe djali i saj.

Megjithatë, disa minuta pas kthimit të Zekajt, ajo dyshohet se u godit për vdekje nga kunati i saj. Kronologjia e publikuar nga Prokuroria nuk sqaron nëse rreziku nga anëtarët e tjerë të familjes ishte vlerësuar dhe çfarë masah ishin marrë për sigurinë e saj pas kthimit.

I dyshari për vrasjen është ende në arrati, ndërsa Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar paraburgim për ish-bashkëshortin për “mospërfillje të gjykatës” për urdhrin për të mos ushtruar dhunë fizike apo psikologjike ndaj Zekajt

Rezniqi thotë se kur rreziku është i identifikueshëm, por masat mbrojtëse nuk ndërmerren, pasojat mund të jenë serioze.

“Nënvlerësimi i kërcënimeve, trajtimi i dhunës si mosmarrëveshje private, hetimet e paplota dhe mosreagimi ndaj shkeljeve të masave mund ta lënë viktimën të ekspozuar ndaj përshkallëzimit të dhunës”, thotë ajo.

Pas vrasjes së Zekajt, Kryeprokurori i Shtetit kërkoi një raport të detajuar për të sqaruar nëse kishte pasur lëshime dhe përgjegjësi institucionale apo individuale.

Por, Rezniqi thekson se përgjegjësia nuk duhet të mbetet vetëm te deklaratat publike, por duhet të shqyrtohet veprimi i secilit zyrtar të përfshirë.

“Kultura e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve institucionalë duhet të marrë fund”, thotë Rezniqi.

 Dështimet e evidentuara edhe më herët

Pyetjet për reagimin e shtetit ndaj dhunës në familje nuk janë të reja. Në mars të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese pati konstatuar se shteti ia kishte shkelur të drejtën për jetë Sebahate Morinës, e cila ishte vrarë nga ish-bashkëshorti në vitin 2021.

 

Çka dështoi në rastin e Sebahate Morinës?

Në gusht të po atij viti, Amnesty International raportoi se gratë që përpiqen të largohen nga marrëdhëniet e dhunshme në Kosovë përballen me pasiguri dhe mungesë të mbështetjes shtetërore për të jetuar të pavarura. Kjo, sipas raportit, i detyron disa prej tyre të kthehen në situata të dhunshme.

Raporti ngriti shqetësime edhe për mënyrën se si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës, përfshirë minimizimin e saj dhe zbatimin joefektiv të urdhrave mbrojtës.

Në vitin 2023, Kosova ndryshoi legjislacionin për t’u dhënë përparësi hetimit dhe gjykimit të rasteve të dhunës në familje.

Ndërsa, në dhjetor të vitit 2024, u vu në funksion edhe sistemi i mbikëqyrjes elektronike, për të monitoruar personat ndaj të cilëve gjykatat vendosin masa mbrojtëse. Megjithatë, përdorimi i këtij sistemi mbetet i kufizuar.

Për sociologen Dhurata Prokshi, problemi nuk qëndron vetëm te zbatimi i ligjeve, por edhe te mënyra se si dhuna ndaj grave kuptohet dhe trajtohet brenda shoqërisë dhe institucioneve.

“Numri i vrasjeve tregon që format e parandalimit të vrasjeve nga institucionet janë të padukshme. Institucionet, më mirë të themi, veprojnë pas aktit, pasi vrasjet të kenë ndodhur”, thotë Prokshi.

Sipas saj, dhuna psikologjike, kërcënimet dhe rastet me pasoja më të lehta fizike priren të minimizohen, ndërsa kërkesa për prova shtesë mund ta pengojë trajtimin serioz të rasteve.

Prokshi thekson se zyrtarët institucionalë janë pjesë e së njëjtës shoqëri dhe se normat patriarkale mund të ndikojnë në mënyrën se si ata e trajtojnë dhunën ndaj grave. Ajo kërkon kuadro të specializuara që nuk e trajtojnë dhunën si çështje private dhe që vazhdojnë t’i përcjellin rastet edhe kur viktima tërhiqet nga raportimi.

Rezniqi thotë se, ndonëse korniza ligjore është përmirësuar, sfidë mbetet zbatimi i saj. Ajo kërkon vlerësime të dokumentuara të rrezikut, koordinim urgjent në rastet me rrezik të lartë dhe përgjegjësi të qarta për zbatimin e masave mbrojtëse.

Sipas Rezniqit, kur konstatohet neglizhencë në përmbushjen e detyrave, duhet të shqyrtohet përgjegjësia disiplinore dhe, kur plotësohen kushtet ligjore, edhe ajo penale.

Në letrën e dërguar institucioneve tri ditë para vrasjes, Zekaj kishte kërkuar masa urgjente ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave, si dhe zbatimin e menjëhershëm të vendimit gjyqësor për shtëpinë.

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”, kishte shkruar ajo.

Si mund të forcohet mbrojtja e grave?

Një ditë pas vrasjes së Zekajt, Kuvendi miratoi një rezolutë që kërkon hetim parlamentar për përgjegjësinë në rastin e Zekajt, si dhe rishikimin rugjent, brenda 72 orëve, të rasteve aktive me rrezik të lartë të dhunës në familje.

Çka përmban rezoluta?

Krahas masave të kërkuara me rezolutë, përvojat e vendeve të tjera tregojnë se si mund të forcohet mbrojtja e grave në praktikë.

Asnjë sistem në botë nuk e ka zhdukur plotësisht vrasjen e grave. Përvojat e Spanjës dhe Australisë tregojnë disa mënyra se si institucionet mund ta forcojnë reagimin ndaj dhunës ndaj grave: përmes vlerësimit të rrezikut, bashkërendimit të institucioneve dhe shqyrtimit të rasteve të vdekjeve të lidhura me dhunën në familje. Megjithatë, vrasjet e grave vazhdojnë të ndodhin në të dyja vendet.

Në Spanjë, numri i grave të vrara nga partnerët ose ish-partnerët ra nga 659 në periudhën 2003–2012, në 526 gjatë viteve 2013–2022, sipas Ministrisë së Brendshme.

Edhe pse nuk dihet se cila masë ndikoi specifikisht në këtë rënie, vendi miratoi në vitin 2004 një ligj gjithëpërfshirës kundër dhunës me bazë gjinore dhe themeloi edhe gjykata të specializuara për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, duke mundësuar një përgjigje më të koordinuar ndaj procedurave penale dhe çështjeve të lidhura familjare.

Ndërsa më vonë krijoi sistemin policor VioGén, i cili vlerëson rrezikun e dhunës së përsëritur dhe ndihmon në përcaktimin e masave mbrojtëse. Sistemi u mundëson edhe institucioneve të përfshira që të shkëmbejnë informacione. Spanja mbledh dhe analizon të dhëna edhe për vrasjet, për të identifikuar faktorët e përsëritur të rrezikut dhe për të përmirësuar reagimin institucional.

Në Australi, një mekanizëm tjetër synon të identifikojë mangësitë institucionale. Në disa shtete dhe territore funksionojnë ekipe që shqyrtojnë vdekjet e lidhura me dhunën në familje, analizojnë raportimet e mëparshme dhe reagimin e institucioneve, si dhe japin rekomandime për parandalimin e rasteve të tjera.

Për shembull, në shtetin New South Wales, një ekip i tillë u themelua në vitin 2010, ndërsa një vit më vonë u krijua një rrjet kombëtar që bashkon ekipet e specializuara për shqyrtimin e vdekjeve në kontekstin e dhunës në familje dhe mundëson shkëmbimin e të dhënave, gjetjeve dhe rekomandimeve mes tyre.

Ekipet shqyrtojnë rrethanat e vdekjeve dhe historinë e dhunës që u ka paraprirë atyre, për të identifikuar shenjat e rrezikut dhe mundësitë e ndërhyrjes. Ato analizojnë çfarë informacioni kishin institucionet, si kishin reaguar ndaj raportimeve të mëparshme dhe ku mund të ketë pasur mangësi në ofrimin e shërbimeve. Duke krahasuar edhe rastet mes tyre, ekipet identifikojnë modele të përsëritura dhe bëjnë rekomandime për përmirësimin e reagimit institucional.

Përvojat e Spanjës dhe Australisë tregojnë se mbrojtja nuk përfundon me raportimin e dhunës. Ajo kërkon që institucionet ta vlerësojnë rrezikun, të shkëmbejnë informacion dhe të mësojnë nga rastet e kaluara, duke shqyrtuar edhe çfarë nuk ka funksionuar kur një grua vritet. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti u jep ministrive edhe 54 orë për raportin për rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë kanë edhe 54 orë për të përfunduar raportin lidhur me trajtimin institucional të rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.

Kurti ka paralajmëruar se pas shqyrtimit të gjetjeve do të ndërmerren masa ndaj përgjegjësve të mundshëm, në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi.

“54 orë nga ky moment i kanë Ministria e Punëve të Brendshme edhe Ministria e Drejtësisë, dhe kjo është rezultat që në seancën e mbrëmshme, kur u votua me 67 vota rezoluta, unë thashë që ata i kanë 72 orë. Natyrisht që do të ketë edhe masa në përputhje me ligjin e me rregulloret”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se raporti duhet të ndriçojë plotësisht rastin, por edhe të shqyrtojë raste të ngjashme, me qëllim të identifikimit të përgjegjësive në secilën hallkë të sistemit të drejtësisë.

“Arlinda Zekaj është dëshmore e betejës për drejtësi në Republikën e Kosovës”, tha Kurti, duke kërkuar hetime ndaj hetuesve, ngritje aktakuzash kur ekziston bazë ligjore dhe gjykime nga gjykatat.

Kryeministri ka vlerësuar se reforma në sistemin e drejtësisë nuk mund të shtyhet më, duke përmendur kritikat e vazhdueshme të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për mangësitë në këtë fushë.

“Reforma e sistemit të drejtësisë nuk është vetëm e rëndësishme, po është urgjente”, theksoi ai.

Kurti u shpreh se institucionet duhet të veprojnë me shpejtësi dhe të sigurojnë llogaridhënie për çdo dështim të mundshëm.

Në fillim të fjalës së tij, ai shprehu ngushëllime për familjen Zekaj, duke thënë se vrasja e Arlindës ka tronditur shoqërinë dhe ka shtuar kërkesat për drejtësi.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara