Planet sipas të cilave industria e automobilave duhet të kalojë plotësisht në energji elektrike në fillim të viteve 2030 po duken gjithnjë e më shumë si utopi.
Kështu sugjerojnë të paktën informacionet më të fundit nga kampi i prodhuesve më të mëdhenj. I fundit në këtë radhë është Audi, i cili po e rishqyrton seriozisht njoftimin e mëparshëm se nga viti 2032 do të ofrojë ekskluzivisht vetura elektrike. Të dhënat e shitjeve për vitin 2024 tregojnë se kërkesa për automjetet elektrike të Audi ka rënë me 19.5 për qind, duke arritur në 158,343 njësi.
Gjatë konferencës vjetore të medias për vitin 2025, CEO i Audis, Gernot Dollner, deklaroi se “si pjesë e iniciativës sonë për sjelljen e produkteve, ne jo vetëm që do të prezantojmë modele të reja elektrike, por edhe një gjeneratë të re të automjeteve me motorë me djegie të brendshme dhe hibride plug-in. Prodhimin e makinave me motorë me djegie të brendshme do ta përshtatim sipas tendencave të zhvillimit në tregjet botërore”.
Për t’ju rikujtuar, Audi kishte njoftuar se modeli i ri Q7 ishte risia e fundit që do ofrohej me motor me djegie të brendshme, për t’u përputhur me ndërprerjen e zhvillimit të motorëve të planifikuar për 2026.
Plani ishte që këto modele të mbeteshin në treg deri në vitin 2032. Audi, duke ndjekur vendime të ngjashme nga BMW, Mercedes dhe Volvo, po e shtyn vendimin. Kjo ishte e pritshme, duke pasur parasysh që dhe Porsche do mbajë në ofertë makinat me motorë me benzinë.
Modelet PHEV (hibride plug-in), për të cilat Dollner tha se janë pjesë qendrore e portofolit të kompanisë në rrugën drejt ofertës plotësisht elektrike, po fitojnë rëndësi në gamën e tyre. Në të njëjtën konferencë, Dollner prezantoi prurjet e ardhshme të modeleve për 2025, “aktualisht po punojmë për rifreskimin e të gjithë gamës sonë të modeleve, dhe deri në fund të vitit do të kemi portofolin më të ri në segmentet tona të tregut”.
Ai konfirmoi se gjenerata e re e modelit Q3 do të dalë këtë verë dhe njoftoi se versioni plug-in hibrid i modelit A5 do të debutojë më 25 mars, si një nga 10 modelet e reja PHEV që do të prezantohen këtë vit. /Telegrafi/