Lajmet

Kurti kërkon kohë shtesë për presidentin: Konstituimi pa marrëveshje çon në zgjedhje të reja

Published

on

Lajm në zhvillim: 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se vazhdimi i procesit të konstituimit të Kuvendit pa një marrëveshje paraprake për çështjen e presidentit mund ta vështirësojë arritjen e një dakordimi politik dhe praktikisht ta çojë vendin në zgjedhje të reja.

Në një konferencë për media pas ndërprerjes së seancës konstituive, Kurti ka kërkuar kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve, duke theksuar se dialogu është mënyra e vetme për të shmangur një proces të ri zgjedhor.

“Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për çështjen e presidentit praktikisht do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka sqaruar se synimi ka qenë që opozitës t’i lihet hapësirë e mjaftueshme për diskutime, mirëpo koha nuk ka qenë e mjaftueshme për një dakordim final.

“LDK-ja i pezulloi bisedimet pas problemeve të brendshme dhe diskutimi i radhës pardje me kryetarin e LDK-së tregoi që nuk ishte kohë e mjaftueshme për të arritur dakordim. Përballë kësaj situate është e nevojshme t’i jepet shans vazhdimit të diskutimeve para se të lëvizim për konstituimin e Kuvendit, që mund ta vështirësonte marrëveshjen potenciale dhe evitimin e zgjedhjeve të radhës”, tha ai.

Sipas tij, sapo të arrihet marrëveshja për presidentin, do të thirret vazhdimi i seancës për konstituimin e plotë të Kuvendit dhe formimin e institucioneve.

“Kur ta kemi një marrëveshje, ta ftojmë vazhdimin e seancës konstituive. Kur të jemi të siguruar që kemi bërë gjithçka për të evituar shkuarjen edhe në një palë zgjedhje të panevojshme”.

Kurti u ka bërë thirrje për bisedime edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe përfaqësuesit të AAK-së, Ardian Gjini, duke konfirmuar se diskutimet me LDK-në do të vazhdojnë.

Seanca konstituive është ndërprerë menjëherë pas betimit të deputetëve, ndërsa zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve ka afat deri nesër në mesnatë.

Zemaj: Brenda ditës mund të ketë lëvizje pozitive për marrëveshjen
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, ka lënë të hapur mundësinë që gjatë ditës së sotme të ketë përparim në bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e presidentit.
“Shpresoj dhe besoj që brenda ditës së sotme mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive, por mbetet të shohim ka ose nuk ka”, ka thënë Zemaj para mediave.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se LDK-ja nuk ka qenë fare e njoftuar paraprakisht për kërkesën e kryetarit të LVV-së për shtyrjen e seancës konstituive të Kuvendit.
Tahiri: Moskonstituimi i Kuvendit, taktikë e Kurtit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka quajtur moskonstituimin e Kuvendit një taktikë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të fituar kohë që t’i marrë të tri institucionet kryesore të vendit.
Tahiri ka kritikuar kërkesën për kohë shtesë, duke theksuar se Kurti ka pasur 30 ditë kohë për të diskutuar me partitë politike për çështjen e presidentit.
“Jeni dëshmitarë të një tendence të skajshme, jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën, të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ka kaluar afati kushtetues sepse sot janë bërë 30 ditë dhe sot kur është dashur që Kuvendi të jetë funksional, sot del kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe iu thotë qytetarëve na duhet kohë. Po a patët morë burrë kohë 30 ditë për diskutim me partitë politike për një marrëveshje politike. Nëse ka qenë qëllimi që të dalë nga ky rreth vicioz dy-vjeçar pse nuk ka folur me partitë politike për presidentin e Kosovës sepse nyja është te presidenti por e ka neglizhuar deri në këtë ditë. A po dëshiron Kurti që ta krijojë edhe një rast në Gjykatën Kushtetuese që ende të shtyhet konstitutimi. Kjo është taktikë që të marrë ndonjë pazar politik, të fitojë kohë e t’i marrë të gjitha institucionet që në fakt nuk i takojnë një subjekti politik”, ka thënë Tahiri.
Hamza kritikon Kurtin: Papërgjegjësi dhe mungesë serioziteti me institucionet
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka cilësuar si të papërgjegjshme kërkesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime, gjë që çoi në shtyrjen e seancës ku pritej të propozohej emri për kryeparlamentar.
Hamza ka theksuar se LVV-ja po tregon mungesë të theksuar serioziteti përballë konstituimit të institucioneve të vendit.
“Siç e vërejtët, kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit dhe përgjegjësisë nga partia që ka fituar numrin më të madh të ulëseve. Po shihet se vazhdojnë sjelljet e papërgjegjshme me institucionet. Thirret seanca thuajse në ditën e fundit në përputhje me Kushtetutën që të kemi konstituimin dhe në fund dalin mbajnë fjalime politike, abuzojnë me pozitën e kryesuesit dhe në vend se të propozojnë emër, e shtyjnë propozimin e emrit të kryetarit dhe nuk konstituohet Kuvendi. Kosova vazhdon me vakum institucional”, ka deklaruar Hamza.
Kurti kërkon kohë shtesë për marrëveshje, Dehari ndërpret seancën
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë kohës sa u ftua për të propozuar emrin për Kryetar të Kuvendit, ka kërkuar kohë shtesë me qëllim që të arrihet një marrëveshje politike.

Pas kësaj kërkese, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ka aprovuar propozimin e Kurtit dhe ka ndërprerë punimet, duke bërë të ditur se deputetët do të njoftohen me kohë për vazhdimin e seancës së radhës.

Betohen deputetët e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës
Deputetët e zgjedhur për legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës kanë bërë betimin zyrtar gjatë seancës konstituive.

Pas rikthimit në sallë, deputetët votuan raportin e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, duke i hapës rrugë vazhdimit të punës për konstituimin e plotë të institucionit legjislativ.

 

Formohet komisioni i përkohshëm, seanca në pushim të shkurtër

Deputete e sapo zgjedhur te legjislaturës se re të Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve

Pas formimi të këtij komisioni, seanca ka shkuar në pauzë për 30 minuta dhe me pas pritet të vazhdoj me rendin e ditë i cili është i paraparë për sot.

 

Nis seanca konstituive

Kryesuesi i seancës kunstituive Avni Dehari ka nisur seancën e parë pasë zgjedhjeve të mabjtura me 7 qershor.

Tani deputetët duhet ta formojnë Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.

 

Hamza: PDK-ja e nuk e ka prioritet ndarjen e posteve

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se seanca e konstituimit duhet të procedojë pa pengesa dhe se partia e tij nuk ka garuar për pozita.

“Atëherë nëse flasim për seancën sot, sot është seanca e konstituimit të kuvendit, ku pritet të zgjedhet kryetari apo kryetarja e kuvendit, nënkryetarët, të jepet betimi dhe kjo është rëndësia e ditës, për seancën e sotme, unë nuk shoh arsye që seanca mos të ketë mbarëvajtje, mos të konstituohet, të gjitha kushtet janë që seanca të konstituohet dhe ne të procedojmë tutje dhe normalisht partia me numrin më të madh të ulëseve, të kryejnë detyrat e veta, përgjegjësitë e veta, të japë vendet në institucione”, tha ai.

Sa i përket posteve, Hamza shtoi: “Jo, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është konsistent, do të thotë ne kemi shkuar në takim, nuk kemi pasur, nuk kemi garuar ne kush të bëhet, kush në cilën pozitë të bëhet. Kemi garuar edhe kemi kërkuar votat e qytetarëve të Kosovës me një program çka për ekonominë, çka për drejtësinë, çka për energjinë, çka për infrastrukturën, çka për anëtarësimet, këto kanë qenë temat.” I pyetur për bisedime rreth pozitave, ai shkurt u përgjigj: “Nuk kemi diskutuar fare.”

Abdixhiku: Kemi afrime, por ende jo marrëveshje për presidentin

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se bisedimet me LVV-në po vazhdojnë për të shmangur zgjedhjet e reja, por theksoi se mbeten dallime te pozita e presidentit. “Po përpiqemi t’i shmangim zgjedhjet e reja. Duhet kohë, duhet përpjekje. Po përpiqemi që të gjithë ata që i përfaqësojmë t’i mbajmë rreth një zgjidhjeje të përbashkët.

Nuk janë të lehta këto procese. Përderisa po përpiqemi, do të thotë se duam të shmangim zgjedhjet e reja. Shkuarja në zgjedhje është dëmi më i madh që i bëhet Republikës”, u shpreh ai, duke shtuar: “Do të jem në takime të vazhdueshme. Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore që është balanca demokratike. Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka arsye të mos konstituohet. Meqë po takohemi, është shenjë e mirë”, deklaroi Abdixhiku.

 

Haziri: Takimet me LVV-në do të jenë 24/7

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje do të vazhdojnë pa ndërprerje për të arritur një marrëveshje qeverisëse. “Duhet të normalizohet jeta në Kosovë, të punohet në mënyrë më agresive, në një agjendë më zhvillimore dhe që Kosovës i jep mundësi. Takimet janë të hapura, do të vazhdojnë në çdo kohë.

Nuk ka orar determinues dhe 24/7 do të punohet për të arritur këtë qëllim. Krejt në fund është vullnet politik”, ka thënë Haziri.

 

Seanca konstituive sot, ngërçi për presidentin mbetet

Sot nga ora 10:00, deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 11-të do të mblidhen për seancën konstituuese të Kuvendit, ku rendi i ditës përfshin formimin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve, si dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Konstituimi i këtij institucioni hap zyrtarisht afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri, çka përbën edhe pikën më kritike të përplasjeve politike. Ndërkohë, afati 15-ditor për votimin e qeverisë fillon vetëm pasi ushtruesja e detyrës së presidentit të mandatojë kandidatin e propozuar nga shumica parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur një marrëveshje koalicioni për formimin e institucioneve të reja. Edhe takimi i tretë i zhvilluar të mërkurën në ndërtesën e Kuvendit mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfundoi pa ndonjë rezultat konkret.
Pas takimit, Kurti konfirmoi mungesën e marrëveshjes duke deklaruar se do të njoftojnë mediat vetëm kur të arrihet një finale, ndërsa Abdixhiku shmangu deklaratat duke dalë nga dera e pasme e ndërtesës. Më herët, deputetët e zgjedhur të LDK-së kishin rikonfirmuar qëndrimin se nuk do të ketë marrëveshje nëse partisë së tyre nuk i garantohet posti i presidentit.
Zgjedhjet e fundit parlamentare ishin të tretat me radhë brenda një periudhe prej një viti e gjysmë, ku LVV-ja doli sërish fituese me 58 mandate. Së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ajo i ka votat e nevojshme prej 61 deputetësh për të konstituar Kuvendin dhe për të formuar Qeverinë.
Megjithatë, sfida kryesore mbetet zgjedhja e presidentit, proces ky që kërkon kuorum prej 80 deputetësh në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota për zgjedhjen e kandidatit. /E.A/

Continue Reading

lajme

Presidentja Shiroka-Pula dekoron gjeneralin amerikan Steven Osborn me Medaljen Presidenciale Ushtarake

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka dekoruar gjeneralin amerikan Steven Osborn, Adjutant i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Iowas, me Medaljen Presidenciale Ushtarake të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Presidencës, dekorata i është ndarë gjeneralit Osborn në shenjë mirënjohjeje për lidershipin e tij, kontributin në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, si dhe për forcimin e partneritetit ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjatë ceremonisë, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, i cili tashmë prej 15 vjetësh ka ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së përmes trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.

Presidentja gjithashtu ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin e gjeneralit Osborn dhe mbështetjen e tij në zhvillimin e mëtejmë të FSK-së.

Ajo ka theksuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet strategjik për Kosovën, duke u mbështetur në besimin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta.

Në fund, Shiroka-Pula ka nënvizuar se miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së do të vazhdojnë të thellohen edhe në të ardhmen.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kos: Amendamentet për Specialen rrezikojnë të minojnë përparimin e Kosovës në BE

Published

on

By

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka bërë me dije se BE-ja është në dialog me Qeverinë e Kosovës lidhur me amendamentet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializeditura, duke paralajmëruar se këto ndryshime ligjore mund të minojnë ecurinë e vendit në integrimin evropian.

Gjatë një deklarate mbi përparimin e Kosovës në procesin e reformave, zyrtarja e lartë e BE-së shprehu shpresën se me Qeverinë e re vendi do të shfrytëzojë mundësinë për të ecur përpara, por nënvizoi se iniciativat rreth Ligjit për Specialen mbeten një shqetësim serioz që kërkon diskutime direkte.

Lidhur me hapat e mëtutjeshëm të Kosovës drejt anëtarësimit në bllokun evropian, Kos spikati se i takon 27 shteteve anëtare të pajtohen për t’i kërkuar Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës.

Sipas komisioneres, BE-ja është e gatshme të veprojë, mirëpo për t’i bindur shtetet skeptike anëtare, Kosovës i nevojiten institucione të qëndrueshme dhe përparim i vazhdueshëm në reforma kyçe, pasi sa më i fuqishëm të jetë ky proces, aq më i forte do të jetë edhe argumenti i Kosovës në rrugëtimin evropian. /E.A/

Continue Reading

Rajoni

Gjykata e Apelit lë në arrest shtëpiak Vlora Hysenin: Rrëzohet kërkesa për zbutjen e masës

Published

on

By

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për Vlora Hysenin, duke rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për zbutjen e kësaj mase.

Pavarësisht pretendimeve të avokatit mbrojtës se nuk ekziston rreziku i largimit nga vendi apo i dëmtimit të provave, togat e zeza në Apel kanë miratuar vendimet e Shkallës së Parë.

Në vendimin e zbardhur theksohet gjithashtu se, në mbështetje të Kodit të Procedurës Penale, ndalohet publikimi i plotë i këtij akti deri në përfundimin e hetimeve paraprake. Pala mbrojtëse ka të drejtë të ushtrojë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda një afati 45-ditor nga njoftimi i vendimit të arsyetuar. /Top Chanel/

Continue Reading

Lajmet

Raporti i BE-së: Kosova ngec në reformat kyç për integrim

Published

on

By

Kosova vazhdon të ngecë në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian.

Gjyqësori nuk ka shënuar asnjë përparim, lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të kufizuara, ndërsa krizat politike kanë dobësuar funksionimin e institucioneve.

Kjo është tabloja që paraqet Komisioni Evropian në raportin e tij për Kosovën për vitin 2026, ku paralajmëron se ndikimet politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë mbeten pengesë serioze për pavarësinë e tij dhe, në disa aspekte, madje janë intensifikuar.

Raporti evidenton rënie të numrit të vendimeve përfundimtare dhe dënimeve për korrupsion të nivelit të lartë, si dhe mangësi në mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë.

Megjithatë, jo të gjitha vlerësimet janë negative.

Komisioni vëren përparim në administratën publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.

Dokumenti, i titulluar “Raporti për Kosovën 2026”, është pjesë e Paketës së Zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ai mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, por përfshin edhe disa zhvillime të mëvonshme.

Vlerësimi vjen dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe gati katër vjet pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në BE.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, lidhur me gjetjet e raportit të Komisionit Evropian, dhe është në pritje të përgjigjes së tij.

Politika pengoi reformat

Dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, periudha të gjata bllokadash dhe një qeveri me kompetenca të kufizuara për pjesën më të madhe të periudhës së raportimit kanë lënë gjurmë në funksionimin e institucioneve.

Sipas Komisionit, Kuvendi ka ushtruar kompetencat e tij me mangësi të konsiderueshme, ndërsa mbikëqyrja e ekzekutivit ka qenë shumë e kufizuar.

Zgjedhjet u vlerësuan përgjithësisht si paqësore dhe konkurruese, por raporti identifikon përpjekje për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mangësi në rregullimin e fushatave dhe trajtim të pamjaftueshëm të dezinformimit.

Një tregues tjetër i ndikimit të krizave politike ishte rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje, nga 45 për qind në dhjetor të vitit 2025 në 37 për qind në qershor të vitit 2026.

Komisioni vlerëson se kjo sugjeron lodhje në rritje të votuesve dhe pakënaqësi me shpeshtësinë e zgjedhjeve.

 

Drejtësia, një nga pikat më të dobëta

Për funksionimin e gjyqësorit, vlerësimi i Komisionit është i qartë: në përgjithësi, nuk është shënuar përparim.

Ndikimet e papërshtatshme nga interesa politike, ekonomike dhe faktorë të tjerë vazhdojnë të pengojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit, ndërsa paketa e ligjeve për reformimin e drejtësisë mbetet e pamiratuar.

Komisioni ngre shqetësime edhe për zbatimin e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe kërkon respektimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Megjithatë, evidenton zhvillime pozitive në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ndryshimet në përbërjen e Këshillit Prokurorial.

Një shqetësim tjetër është përfaqësimi i pamjaftueshëm i serbëve të Kosovës në gjyqësor, që, sipas raportit, cenon karakterin shumetnik të sistemit të drejtësisë.

Vëmendje të veçantë marrin edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi më 6 tetor.

Komisioni paralajmëron se ato ngrenë shqetësime serioze për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe sigurimin e përgjegjësisë për krimet e luftës.

Ai ngre gjithashtu shqetësime për kushtetutshmërinë e ndryshimeve, të cilat presidentja i ktheu në Kuvend për rishqyrtim, më 22 tetor.

Më shumë raportime për korrupsion, më pak dënime të nivelit të lartë

Në luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka shënuar përparim të kufizuar.

Ndërsa numri i vendimeve gjyqësore përfundimtare dhe dënimeve në rastet e korrupsionit që nuk i përkasin nivelit të lartë, është rritur ndjeshëm, në rastet e nivelit të lartë ka shënuar rënie.

Raporti thekson se Kosova vazhdon të mos ketë një strategji gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit dhe një qasje të koordinuar për luftimin e tij.

Ndërkohë, numri i raportimeve të sinjalizuesve të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin paraprak.

Komisioni kërkon gjithashtu përmirësimin e verifikimit të deklarimeve të pasurisë dhe forcimin e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

 

Media të lira, por me sfida

Përparim i kufizuar është shënuar edhe në lirinë e shprehjes dhe të mediave.

Komisioni vlerëson se Kosova vazhdon të ketë një mjedis mediatik pluralist, por evidenton probleme me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave.

Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese në zonat me shumicë serbe, sidomos në veri, ku mjedisi kufizues nxit autocensurën.

Raporti kërkon miratimin e një ligji të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe rishikimin e ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës, për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe pavarësi institucionale.

Shqetësime ngrihen edhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshirë rrënimin e pronave private në veri pa respektimin e duhur të procedurave ligjore, ndërkohë që kundërshtimet gjyqësore ishin ende në shqyrtim.

 

Dialogu me Serbinë: Pak përparim, shumë detyrime të pazbatuara

Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, ndërsa veprimet e njëanshme dhe retorika e të dyja palëve vazhdojnë të pengojnë normalizimin e marrëdhënieve, vlerëson Komisioni Evropian.

Sipas raportit, dialogu ka vazhduar me takime të rregullta në nivel kryenegociatorësh dhe ekipesh teknike, por zbatimi i detyrimeve të mbetura nga marrëveshjet e dialogut mbetet i kufizuar.

Komisioni kërkon që Kosova të nisë procesin për vendosjen e aranzhimeve të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, ndërsa Serbia, paralelisht, të fillojë njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.

Raporti thekson se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe duhet të zbatohet pa vonesa apo parakushte.

Situata në veri të Kosovës vlerësohet e qetë, por e brishtë.

Komisioni kritikon veprimet e përsëritura të autoriteteve kosovare ndaj strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, arrestimet e serbëve të Kosovës dhe mospranimin e tërheqjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, që ka penguar riintegrimin e tyre në sistemin e drejtësisë.

Në anën tjetër, Komisioni kritikon Serbinë për lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Interpolin, si dhe për retorikën nxitëse të zyrtarëve të saj.

Raporti thekson gjithashtu se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa domethënës për të siguruar përgjegjësi për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Komisioni paralajmëron se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut mbeten kushte thelbësore për rrugën evropiane të të dyja vendeve, të cilat rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme, në mungesë të përparimit. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara