Lajmet

Edmond Hajrizi: Kur dija, biznesi dhe etika ndërthuren në vendimmarrje

Published

on

Një dialog mbi rolin e drejtuesit në shndërrimin e dijes në modele funksionale që integrojnë arsimin, shëndetësinë, sportin dhe inovacionin

Fundviti është periudha kur reflektimi merr peshë të barabartë me arritjen dhe kur suksesi pushon së qeni një kategori numerike. Në këtë moment kohor, vlera e veprimit matet më pak me rezultate të menjëhershme dhe më shumë me drejtimin që ka marrë mendimi, me përgjegjësinë që mbart vendimmarrja dhe me ndikimin afatgjatë që ajo ushtron mbi shoqërinë.

Në këtë kontekst reflektiv, Edmond Hajrizi shfaqet jo vetëm si drejtues institucional, por si përfaqësues i një qasjeje sistemore që e koncepton dijen si instrument veprimi shoqëror dhe zhvillimi, jo si qëllim në vetvete. Rrugëtimi i tij ndërthur arsimin, sipërmarrjen, shëndetësinë, sportin dhe inovacionin në një model funksional, ku teoria dhe praktika bashkëjetojnë dhe prodhojnë impakt të matshëm shoqëror.

Për Hajrizin, dija nuk mbetet koncept abstrakt apo kapital simbolik, por shndërrohet në strukturë veprimi, në sistem dhe në arkitekturë vendimmarrjeje. Kjo qasje reflektohet në mënyrën se si ndërtohen institucionet, si projektohen politikat arsimore dhe si kuptohet roli i lidershipit akademik në një realitet gjithnjë e më kompleks dhe ndërdisiplinar.

Biseda që vijon nuk synon të rendisë arritje individuale, por të hapë pyetje thelbësore mbi arsimin, etikën, inteligjencën artificiale, tregun dhe përgjegjësinë publike. Janë pyetje që nuk i përkasin vetëm një viti që mbyllet, por kohës që po ndërtohet.

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Foto: Ridvan Slivova

Pyetja akademike si motor i dijes bashkëkohore

Duke iu referuar mendimit të Henrik Ibsen se detyrë e krijuesit është njëkohësisht të pyesë dhe të përgjigjet, si e shihni sot këtë “tension” ndërmjet pyetjes dhe përgjigjes në rolin e akademikut bashkëkohor?

Prof. E. Hajrizi: Duke marrë parasysh se si shoqëri ne zhvillohemi vazhdimisht dhe përballemi me gjëra të reja e të papritura, mendoj se është përgjegjësi e akademikut që të shtrojë pyetje problemore, të cilat çojnë drejt ecurive kreative për krijimin dhe studimin e dijeve të reja, që më pas, në të ardhmen, kanë potencial të përmirësojnë çështje të ndryshme jetësore. Pra, këto pyetje nuk duhet të trajtojnë çështjet thjesht në aspektin filozofik: “çka?” dhe “pse?”, por duhet të shërbejnë si tendencë dhe metodologji për t’i gjetur zgjidhje një problemi – “si?”.

Në anën tjetër, dhënia e një përgjigjeje, edhe pse mund të mendohet si proces i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë, sot është proces mjaft kompleks, për shkak të dinamikës, perspektivave dhe ndryshimeve të shpejta. Sigurisht, për shkak të dijes dhe përvojës që posedon, akademiku ka përgjegjësi të gjejë dhe të japë një përgjigje apo konkluzion, mirëpo, sidomos sot, jo si autoritet final dhe si përgjigje absolute, por thjesht si rrugëtim, nxitje e mendimit dhe kreativitetit për zgjidhjen e problemeve të universit.

Ju nuk keni ndërtuar vetëm një institucion arsimor, por një sistem funksional në një mjedis konkurrues dhe kompleks. Në cilin moment e kuptuat se kjo përpjekje po tejkalonte kufijtë institucionalë dhe po artikulohej si një model me domethënie më të gjerë shoqërore?

Prof. E. Hajrizi: Vërtet, sistemi që është ndërtuar është kompleks, konkurrues (ndërmarrës) dhe përfaqëson një ekosistem me një shumëllojshmëri mijëra funksionesh dhe komponentesh, të cilat krijojnë vlerë bashkërisht në shoqëri. Mendoj se pikërisht në momentin kur në UBT u arrit një llojllojshmëri e fushave të studimit që përfshijnë shumicën e fushave të jetës, dhe këto fusha zhvilluan një interaktivitet të vazhdueshëm me njëra-tjetrën, si një reprezentim i jetës reale, atëherë u krijuan parakushtet për të kaluar në një model shoqëror.

Atëherë u krijua baza dhe mundësia që, përveç edukimit, të shtoheshin edhe komponentë të tjerë, si hulumtimi i mirëfilltë me praktikë, bashkëveprimet me industrinë, kulturën dhe artin, impakti në to, bashkëpunimet e ndryshme, ndërmarrësia dhe inovacioni. Pra, realisht, në UBT filloi krijimi i një qyteti të tërë që përfshin jo vetëm edukimin, por gjithë spektrin e jetës.

Modeli “UBT Smart Self-Sustain System” synon ta shoqërojë individin nga edukimi i hershëm deri në jetën profesionale. A mendoni se institucionet e arsimit të lartë të së ardhmes do të evoluojnë nga struktura klasike arsimore drejt rolit të arkitektëve të jetës shoqërore?

Prof. E. Hajrizi: Transformimet që po ndodhin sot kërkojnë edhe kompetenca dhe atribute të reja të njerëzve, të cilat në vete janë komplekse dhe kanë ngjyrime të ndryshme, pra vijnë nga aspekti teknik, social, psikologjik dhe ambiental. Për t’i përfshirë këto dhe për t’i rritur gjasat e suksesit, formati klasik i edukimit nuk mjafton.

Duhet të ekzistojë një sistem i së ardhmes, i cili përbëhet nga një ndërlidhje dhe harmoni e vazhdueshme mes jetës, komunitetit, edukimit, teknologjisë dhe ambientit, ku në njërën anë shfrytëzohen arritjet e fundit tekniko-teknologjike, si inteligjenca artificiale, dhe në anën tjetër ruhet me ngulm komponenti njerëzor. Pra, tashmë nuk mjafton vetëm shkolla, por nevojitet një qytet i tërë në miniaturë për t’i përgatitur individët që të kenë sukses.

Këtë qytet ne e kemi ndërtuar, tashmë e quajmë UBT 5S apo Smart City, dhe e kemi testuar, duke parë rezultate të vazhdueshme në zhvillimin e atributeve që kërkojmë për njeriun e së ardhmes.

Në procesin e ndërtimit të një institucioni nga themeli, në rrethana të resurseve të kufizuara, cila ka qenë sfida më e madhe që nuk shihet nga jashtë? Gjithashtu, a ka ekzistuar një pikë kthese kur kompromisi, megjithëse funksional, nuk përputhej më me vizionin tuaj strategjik?

Prof. E. Hajrizi: Realisht, ndërtimi i institucionit për mua është një rrugëtim, ku gjatë gjithë ciklit të jetës kërkoj të gjej përgjigjen e një pyetjeje thelbësore që ia kam parashtruar vetes në fillim të karrierës sime, sa mund të ndikojë një individ në shoqëri duke kontribuar me një qasje proaktive, të bazuar vetëm në dije, në standardet më të mira dhe në pasion, pa asnjë parakusht financiar.

Kosova ishte një vend në tranzicion, me nevoja shumë të mëdha për kapacitete dhe zhvillime, pa parakushte të tjera mbështetëse, prandaj ishte vendi perfekt për të gjetur këtë përgjigje. Është e rëndësishme të theksohet se pyetja që i kam shtruar vetes kishte si hipotezë besimin se, kur diçka zhvillohet dhe gjeneron një vlerë, përmbajtje që dikush e përdor dhe e zhvillon tutje, ky impakt nuk kërkon kompromis, por mision, vizion dhe arsye për të qenë proaktiv.

Çfarëdo përfitimi lokal, momental apo më i lehtë nuk ka qenë alternativë e saktë, nëse nuk është përputhur me vizionin tim, i cili është bazuar në cilësi, ekselencë, inovacion, impakt dhe rritje të vazhdueshme. Pra, nuk ka pasur asnjëherë ndonjë alternativë tjetër, përveç një rrugëtimi të qëndrueshëm të bazuar në vlerë.

Sigurisht që ky rrugëtim ka pasur sfida të mëdha dhe, përveç nevojës për të ndërtuar kapacitetet nga zero, sfida më e madhe ka qenë rezistenca dhe skepticizmi i rrethit dhe i shoqërisë kosovare ndaj besimit se ne mund të bënim diçka të madhe dhe të ishim pjesë e zhvillimeve të fundit të botës. Mendoj se ndoshta arritjet do të kishin ardhur më shpejt sikur të gjithë të kishim besuar dhe të ishim angazhuar së bashku, pasi është dashur punë shtesë, shtytje e vazhdueshme individuale, zhvillim dhe krijim i impakteve për të tejkaluar barrierat e këtij mentaliteti kufizues.

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Foto: Ridvan Slivova

Edhe pse në planin strategjik arsimi konsiderohet shtyllë vertebrale e një kombi, në praktikë vërehen ngecje të ndjeshme. Ku mendoni se qëndron burimi kryesor i këtij hendeku?

Prof. E. Hajrizi: Thashë më herët se modelet klasike të edukimit nuk janë të qëndrueshme dhe mjaftueshëm produktive për kërkesat dhe nevojat që njerëzimi i ka sot dhe do t’i ketë nesër. Kërkesat janë shumë të mëdha dhe evoluojnë shpejt, ndërsa sistemi arsimor është i ngadalshëm dhe jo aq i adaptueshëm sa kërkohet.

Përkundër faktit se asnjëherë nuk kemi pasur financim më të madh, më shumë mësimdhënës dhe infrastrukturë më të mirë se sot, transformimet dhe kompleksiteti janë të shpejta dhe kërkojnë qasje tjetër, një qytet të tërë ku ndërlidhen shoqëria, teknologjia, ambienti, psikologjia, kultura dhe arti, të cilat krijojnë një strukturë të një “laboratori të jetës”, ku mund të arrihen atributet dhe kompetencat e nevojshme.

Ky fakt nuk vlen vetëm për Kosovën, por kudo. Mirëpo, në Kosovë mungon prioritizimi i arsimit në mënyrë serioze, dhe kjo jo vetëm në nivel qeveritar, por edhe te qytetarët, industritë dhe institucionet. Shihen dukshëm arritjet dhe rezultatet në vendet që kanë reaguar me kohë dhe kanë integruar arsimin si pjesë kyçe të zhvillimit.

Zhvillimi i arsimit është një model shumë kompleks që nuk mund të zgjidhet me një formulë klasike; kërkon modelim të ri, i cili ka për bazë edhe gjendjen aktuale të shoqërisë. Për këtë arsye kam dashur të krijoj një prototip apo model të ri, i cili mund të implementohet në gjithë sistemin e Kosovës e më gjerë. Ky model është aprovuar dhe vlerësuar në botë, për çka edhe jam ftuar të flas në universitete, kompani dhe institucione më prestigjioze botërore, dhe për të cilin janë zhvilluar edhe hulumtime të shumta globalisht.

Sistemi i arsimit të lartë në Kosovë ka një rol jo vetëm akademik, por edhe shoqëror e kombëtar. A duhet ai të fokusohet në mbajtjen e të rinjve në vend, apo në përgatitjen e tyre për lëvizje të lirë dhe për një rikthim të mundshëm me dije dhe përvojë të reja?

Prof. E. Hajrizi: Sistemi i arsimit është i lidhur drejtpërdrejt me aspektet shoqërore dhe kombëtare, pa dyshim; ky është parakusht në të gjitha vendet, por në mënyrë të theksuar për ne, sepse në Kosovë strukturat e tjera nuk janë mjaftueshëm të stabilizuara dhe të zhvilluara për të ndihmuar një individ pa edukim cilësor. Një edukim cilësor për qytetarin e Kosovës është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për një jetë cilësore, ndërsa në vendet e tjera janë krijuar struktura dhe alternativa të tjera, përveç edukimit.

Për shkak se ne jemi një vend i vogël dhe i përkasim shoqërisë globale, duhet t’i pajisim të rinjtë me praktikat më të fundit të mundshme, në mënyrë që të kenë sukses kudo që jetojnë dhe veprojnë. Mirëpo, unë besoj thellësisht dhe jam vetë dëshmi se, nëse je i përgatitur dhe kompetent, perspektivat më të mëdha janë në vendin tënd sesa në një vend të huaj, për shkak të mbështetjes, harmonisë, qetësisë shpirtërore dhe ndjenjës së përkatësisë, të cilat shtojnë aktivitetin dhe kreativitetin e individit si pjesë e shoqërisë.

E gjithë kjo krijon mundësinë që të rinjtë tanë të qëndrojnë në vend, por ata kurrsesi nuk duhet të jenë të izoluar. Dija në vetvete nuk është e izoluar; ajo duhet të lëvizë, të bartet, të shkëmbehet dhe të krijohet si bashkëpunim i perspektivave të ndryshme, sepse vetëm kështu krijohen vlera të reja për një jetesë më të mirë, dhe jo një nevojë e thellë për të lëvizur jashtë vendit. Cilësia dhe kuadrot e përgatitura madje do ta bëjnë edhe vendin tonë një destinacion të kërkuar për jetë më të mirë, gjë që më pas çon edhe në diversitet kulturor dhe mundësi më të mëdha për vlera të shtuara.

Studentët shpesh theksojnë se modeli aktual i formimit intelektual favorizon përshtatjen, por jo gjithmonë guximin për iniciativa të reja. A pasqyron kjo një hezitim institucional ndaj ndryshimit?

Prof. E. Hajrizi: Në përgjithësi, frika nga ndryshimet, apo rezistenca ndaj tyre, ekziston si te individët ashtu edhe te institucionet. Në aspektin individual, njeriu synon stabilitet dhe siguri në standardin e jetesës, mirëpo jeta na mëson se përshtatja ndaj ndryshimeve është kusht për suksesin. Ndërmarrja e riskut është thelbësore për realizimin e ambicieve dhe këtë jam përpjekur ta dëshmoj edhe vetë. Përkundër faktit se, pas arritjeve akademike dhe një stabiliteti të konsoliduar jetësor, mund të vazhdoja të punoja si profesor gjatë gjithë jetës sime, vendosa të dal nga ai cikël dhe, duke nisur nga zero, pa mbështetje dhe pa siguri të garantuar, të ndërtoj një institucion, duke arritur kështu një impakt shumë më të madh shoqëror.

Duhet kuptuar se arsimi na prezanton me dijet ekzistuese, ndërsa jeta lidhet me veprimin drejt së ardhmes; dhe jo domosdoshmërisht e ardhmja është vazhdimësi lineare e së kaluarës. Studentët duhet të jenë vetë proaktivë, si në parashikim ashtu edhe në planifikim.

Nga ana tjetër, kjo frikë ekziston edhe te institucionet dhe shpesh bartet pa nevojë, pasi ndryshimet po ndodhin pavarësisht hezitimit. Nëse institucionet nuk arrijnë të krijojnë kuadro më të mira se vetvetja, ato rrezikojnë të shuhen. Te ne ende mbizotëron tendenca për të ruajtur formatin klasik, thuajse autoritativ, jo vetëm në nivel institucional, por edhe në nivel shtetëror ndaj institucioneve, përmes një byrokratizimi që nuk nxit iniciativën, as zhvillimin e sistemeve të reja. Kultura e ndryshimit nuk është tipike as për shoqërinë tonë, e as për Evropën në tërësi, por fleksibiliteti dhe guximi për të shtruar pyetje jashtë kornizave ekzistuese tashmë janë domosdoshmëri.

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Foto: Ridvan Slivova

A mendoni se inteligjenca artificiale do ta forcojë rolin e institucioneve të arsimit të lartë, apo do ta sfidojë vetë modelin universitar tradicional?

Prof. E. Hajrizi: Mendoj se janë të vërteta të dy alternativat. I gjithë zhvillimi tekniko-teknologjik, pa dyshim, ka sfiduar modelin tradicional që nuk i plotëson nevojat e shoqërisë. Në anën tjetër, nëse përdoret në mënyrë të duhur dhe profesionale, inteligjenca artificiale e rrit kreativitetin, efikasitetin, produktivitetin dhe impaktin në arritjen e rezultateve të pritshme apo të objektivave që paraqiten në mësimdhënie, hulumtim etj.

Ne po e vërtetojmë këtë çdo ditë përmes mënyrës se si inteligjenca artificiale, tashmë si pjesë përbërëse e ekosistemit të UBT-së në çdo funksion, nuk po e pengon zhvillimin, por përkundrazi po jep rezultate të mira në zhvillimin e kompetencave.

Autonomia akademike përtej renditjeve dhe ekspozimit global

Në kushtet e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe renditjeve si SCImago, si mund të ruhet bërthama akademike dhe autonomia intelektuale përtej numrave, klasifikimeve dhe ekspozimit global?

Prof. E. Hajrizi: Institucioni apo individi është një sistem në vetvete, por konsiderohet unik pikërisht për shkak se jeton në një vend dhe kohë të caktuar, me kushte dhe kulturë të caktuar, dhe kjo e dallon nga një tjetër që jeton në një vend apo kohë tjetër, ose në kushte e kulturë të ndryshme. Për të pasur një zë në skenën akademike globale, ne patjetër duhet të ruajmë identitetin tonë dhe të jemi kontribues aktivë.

Megjithatë, na nevojitet edhe shkëmbimi i përvojave, dijes, mundësive dhe praktikave, si dhe një krahasim që konfirmon se jemi në përputhje me parimet e arritjeve globale dhe që na mundëson një vizibilitet më të madh, i cili çon edhe në bashkëpunime ndërkombëtare më të shumta.

Si anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, si e shihni përgjegjësinë e elitës akademike për të qenë zë jo vetëm i dijes shkencore, por edhe i reflektimit etik, drejtësisë shoqërore dhe orientimit publik?

Prof. E. Hajrizi: Mendoj se kompetencat e akademisë dhe pyetjet që shtrohen prej saj lidhen drejtpërdrejt me përmirësimin e kualitetit të jetës, për rritje, progres dhe prosperitet, ku ndërlidhen edhe etika dhe vlerat njerëzore në përgjithësi. Ky mision është element kyç i përgjegjësisë që kemi ne.

Gjenerimi i njohurive të reja, të cilat lidhen me parimet njerëzore që i koncipuojmë si etike, të drejta dhe zhvillimore, është vetë arsyeja pse shkenca dhe akademitë e tilla ekzistojnë; prandaj, përveç akademisë dhe hulumtimit, nga këndvështrimi im, nevojitet edhe pjesa e ndërmarrësisë për impakt të drejtpërdrejtë në shoqëri.

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Foto: Ridvan Slivova

Formimi intelektual, burimet e mendimit dhe etika personale

A ka një autor ose vepër që ka ndikuar thellësisht në formimin tuaj si mendimtar dhe së cilës i riktheheni ende në momentet e reflektimit?

Prof. E. Hajrizi: Ndërtimi im, si në aspektin akademik ashtu edhe në atë profesional, nuk ka qenë i një drejtimi të vetëm, por është realizuar nga drejtime, fusha dhe perspektiva të ndryshme. Literatura të shumta rreth qasjes sistemore, ndërmarrësisë, administrimit, psikologjisë, robotikës, cilësisë, projektet praktike në këto tema, shkëmbimet e ideve dhe kulturave me profesionistë dhe universitete partnere në mbarë botën, të gjitha këto aktivitete më kanë ndihmuar në formësimin e mendimeve të mia sot.

Mirëpo, mund të veçoj se shpesh u rikthehem këshillave të prindërve, thënies së John F. Kennedy-t: “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty – pyet çfarë ti mund të bësh për vendin tënd”, si dhe thënies së Sir Henry Royce-it: “Gjërat e vogla bëjnë perfeksionin, por perfeksioni nuk është gjë e vogël”. Shpesh, me thjeshtësinë e këtyre thënieve, vendimmarrja bëhet po aq e thjeshtë.

E nëse më duhet të veçoj një libër, ai është Progresi Njerëzor nga Steven Pinker, ku, bazuar në statistika dhe të dhëna aktuale, autori dëshmon se jeta është duke u përmirësuar dukshëm. Sot, ky lloj optimizmi i bazuar në fakte është shumë i çmuar, sidomos duke pasur parasysh se jemi të ekspozuar kryesisht ndaj lajmeve dhe hapësirave negative.

Cila ide, thënie ose mendim ju shërben si pikë referimi në momentet kur, pavarësisht arritjeve, shfaqen dyshimi ose skepsa?

Prof. E. Hajrizi: Kryesisht, dyshimet më shfaqen kur has në prirjen e njerëzimit për të mos vepruar në mënyrë konsistente drejt një qëllimi të përbashkët, pavarësisht mundësive, kushteve të plotësuara dhe përfitimeve. Një kulturë e tillë nuk është aspak e dobishme.

Mirëpo, thënë të drejtën, qasja sistemore që e ndjek vjen me një realizëm të bazuar në një optimizëm të thellë: se, nëse të gjitha komponentet trajtohen në mënyrat e duhura, çdo sistem do të triumfojë. Në fund, gjithmonë i rikthehem këtij mendimi.

Koha, dija dhe kuptimi i arritjes akademike

Martin Heidegger shkruante se “koha nuk është ajo që matet, por ajo në të cilën jetojmë”. Në këtë kontekst reflektiv të fundvitit, si do t’i përkufizonit arritjet akademike: si një renditje kronologjike suksesesh, apo si shprehje të një procesi të thelluar të formimit intelektual dhe etik?

Prof. E. Hajrizi: Unë mendoj se jetëgjatësia bazohet në vëllimin dhe përmbajtjen që njeriu realizon gjatë jetës, e jo vetëm në formatin klasik të kohës. Vlera e jetës rritet kur ka diversitet dhe një sasi të madhe aktivitetesh.

Nga qasja sistemore, në të cilën bazohem unë, arritjet e këtij viti kanë plotësuar vëllimin e nevojshëm për të krijuar një ndjenjë përmbushjeje, por gjithashtu kanë krijuar edhe një parakusht të mirë që e ardhmja të përjetohet dhe të shfrytëzohet sa më mirë. Pra, për mua, ky vit nuk shënon vetëm një kalendar suksesesh, por një vazhdimësi të realizimit të misionit dhe vizionit tim.

Thënia sokratike “E di një gjë që s’di asgjë” shpesh interpretohet si një qëndrim epistemologjik i pjekurisë intelektuale. A e shihni atë si shprehje të kufirit të dijes, apo si pikënisje të saj më autentike?

Prof. E. Hajrizi: Në përgjithësi, edhe dija, edhe ne si njerëz, jemi të kufizuar. Ne jemi të kufizuar fizikisht, sepse, pavarësisht avancimeve teknologjike, nuk mund të përmbajmë dijen e gjithë botës dhe të gjithë kohërave në vetvete, ndërsa dija është në zhvillim, transformim dhe rritje të vazhdueshme.

Meqë e ardhmja bazohet në dije të reja, ku dijet aktuale mund të mos jenë më të dobishme dhe ku ekzistojnë papritshmëri, ky realitet na kufizon dhe nuk na lejon të jemi të gjithëdijshëm. Mirëpo, dija e akumuluar shërben njëkohësisht si pikënisje për zhvillimin e mëtejmë; ajo nuk na kufizon aspak për të qenë kontribuues dhe proaktivë për një jetë më të mirë për njerëzimin, sidomos kur shkëmbehet, koordinohet dhe ndërlidhet mes njerëzve.

Nga laboratori i ideve drejt mbylljes së ciklit vjetor

Thuhet se në laboratorin e shkencëtarit nuk ka asnjë ditë bosh. Me çka po merreni aktualisht, intelektualisht apo shkencërisht, që ende nuk është bërë publike?

Prof. E. Hajrizi: Ka vërtet aq shumë potencial për zhvillim, sa që koha shpesh është e pamjaftueshme, pasi çdo moment mund të shfrytëzohet për të rritur kureshtjen dhe angazhimin për të hulumtuar e realizuar diçka të re. Angazhimet e mia kanë ngjyra të shumëfishta.

Në aspektin shkencor, po vazhdojmë të konfirmojmë modelin UBT 5S dhe Smart City përmes testimeve dhe prototipeve të ndryshme, me qëllim që t’u japim përgjigje të shumta mënyrës së jetesës në të ardhmen. Në aspektin e ndërmarrësisë, po vazhdoj me krijimin e strukturave të reja globale të UBT-së, në mënyrë që të kemi një impakt global.

Po ashtu, viti 2026 do të shënojë për ne një çerek shekulli angazhim. Kjo nënkupton reflektime mbi të gjitha projektet dhe programet që kemi realizuar, të cilat do të manifestohen si vëllim i shtuar i publikimeve dhe si përpjekje e vazhdueshme për impakt në shoqëri, përmes dizajnimit të politikave, krijimit të kapaciteteve të nevojshme dhe angazhimit në sfera të tjera, drejtpërdrejt me qytetarët.

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Foto: Ridvan Slivova

Në përmbyllje të këtij viti, kur reflektimi merr peshë të barabartë me arritjen, me cilin parim ose mendim e përmbyllni këtë periudhë dhe cilën vlerë do të dëshironit të mbetej përtej shënjimit kalendarik?

Prof. E. Hajrizi: Mendoj se një angazhim akademik mbi 30-vjeçar dhe një angazhim ndërmarrësor prej një çerek shekulli, si dhe kulmimi i këtij angazhimi në një vit shumë pozitiv dhe të suksesshëm, krijojnë një segment kohor përmbajtësor, ku mund të reflektoj mbi punën dhe mbi pyetjen e parashtruar në fillim të iniciativave.

Vlera kryesore që e bart nga ky reflektim është konfirmimi se edhe për ne arritjet e mëdha janë të mundshme dhe se edhe ne mund të jemi pjesë e elitës ndërkombëtare. Angazhimi proaktiv për të ndërtuar një sistem të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, pa kompromis në cilësi dhe vlera humane, është i mundur, ia vlen plotësisht dhe ky është një besim që dua ta përcjell sa më fuqishëm te gjeneratat e reja. (Yes, we can!) /Telegrafi/

Vendi

UBT organizon aktivitet solemn për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë

Published

on

By

Në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, UBT organizon ceremoni solemne për të përkujtuar këtë moment historik dhe për të reflektuar mbi rrugëtimin e shtetndërtimit dhe zhvillimit të vendit tonë.

Ceremonia do të mbahet më 16 shkurt 2026, duke filluar nga ora 09:30, në Bibliotekë, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan. Kjo ngjarje do të mbledhë përfaqësues të komunitetit akademik, studentë, bashkëpunëtorë dhe mysafirë të ftuar, të cilët ndër vite kanë qenë pjesë e zhvillimit dhe suksesit të institucionit.

Gjatë ceremonisë, UBT do t’i ndajë Dekoratën Jetësore të Nderit Familjes Jashari, si shenjë respekti dhe nderimi për sakrificën dhe kontributin e tyre në lirinë e Kosovës. Po ashtu, do të ndahen mirënjohje për kontribut të veçantë në shkencë për Lothar Hofman, si dhe bursat dhe thirrjet akademike për studentët e UBT-së.

Programi i ceremonisë do të përfshijë fjalime nga personalitete të shquara, ndarjen e bursave institucionale, bursave të Fondacionit “UBT Jim Xhema” për studentë, si dhe thirrjet akademike. Aktiviteti do të shoqërohet edhe me një program artistik të përgatitur nga Fakulteti i Muzikës Moderne, Produksionit Digjital dhe Menaxhmentit.

Si pjesë e komunitetit akademik të UBT-së, prania e të gjithë kontribuuesve ndër vite merr një rëndësi të veçantë, pasi për 25 vite UBT ka qenë pjesë aktive e zhvillimit arsimor, shkencor dhe shoqëror të Kosovës.

Kjo ceremoni do të shërbejë si një moment reflektimi, krenarie dhe përkushtimi ndaj misionit të përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme për vendin tonë.

Continue Reading

Rajoni

REL: NATO për paktin e mbrojtjes të Kosovës: Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal

Published

on

By

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, tha se Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal, kur u pyet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes të dy shteteve të aleancës me Kosovën.

“Shqipëria dhe Kroacia nuk janë vetëm aleate të besueshme dhe të çmuara brenda aleancës. Ato janë edhe kontribuuese për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ato kanë prani në KFOR, por në përgjithësi janë të përqendruara në mbështetjen e kësaj agjende në rajon”, tha Shekerinska për agjencinë serbe të lajmeve, Beta.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia marsin e vitit të kaluar nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Zyrtarët e mbrojtjes të këtyre tri shteteve janë takuar dy herë gjatë këtij muaji për zbatimin e kësaj deklarate dhe kanë paralajmëruar se gjatë këtij viti do të zhvillojnë një stërvitje të përbashkët.

Ky bashkëpunim ka zemëruar Serbinë, presidentit i të cilës, Aleksandar Vuçiq, e ka parë si “aleancë sulmuese” kundër “serbëve dhe Serbisë”.

Shekerinska shtoi se NATO-ja nuk merr pjesë në diskutime apo konsultime për deklaratën e në shkruar nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi, por anëtarësimi në aleancë nuk i parandalon shtetet që të kenë marrëveshje shtesë të mbrojtjes me palë të treta.

“Çfarë shohim në përgjithësi është, sigurisht, situata gjeopolitike globale po ashtu ka ndikuar në rajon. Ju shihni më shumë stërvitje, më shumë investime në mbrojtje dhe siguri, por ne po ashtu u bëjmë thirrje aleatëve dhe partnerëve të angazhohen në dialog politik për të zgjidhur çështjet e hapura në rajon. Prania jonë në Ballkanin Perëndimor synon mbështetjen e këtij lloji të dialogut politik”, tha Shekerinska.

Pas këtyre deklaratave, ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anusheviq, tha se bashkëpunimi me Kosovën dhe Shqipërinë nuk përbën kërcënim për askënd.

“Në këtë deklaratë absolutisht nuk ka asgjë të diskutueshme dhe, natyrisht, nuk i rrezikojmë askënd me të. Bashkëpunimi ynë është qartësisht i orientuar drejt forcimit të stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore, si dhe për thellimin e partneritetit dhe aleancës mes tre shteteve mike”, shkroi ai në X.

Edhe më herët, nënshkruesit e deklaratës kanë deklaruar se ajo nuk është kundër askujt, as ndaj Serbisë, teksa ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, deklaroi në fund të janarit të këtij viti se e ka ftuar Serbinë që të bëhet pjesë e këtij pakti, por Beogradi nuk i është përgjigjur kësaj ftese.

Kroacia dhe Shqipëria janë pjesë e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, aty ku Kosova shpreson të anëtarësohet.

Sipas deklaratës, janë katër fusha kryesore të bashkëpunimit, që përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.

Në bazë të kësaj deklarate, veç tjerash, Prishtina, Tirana dhe Zagrebi parashohin të bëjnë blerje të përbashkëta të armatimit nga Shtetet e Bashkuara.

Numri dy në NATO, Radmilla Shekerinska, foli edhe për sulmin në Banjskë të Zveçanit dhe tha se aleanca ka pranuar garanci nga autoritetet në Beograd se do të përcaktohet përgjegjësia.

“Kemi pranuar garanci apo një zotim të qartë nga autoritetet në Beorad se përgjegjësia do të përcaktohet”, tha ajo.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha më herët gjatë javës se ende po pret “për përgjegjësi” për ngjarjet e shtatorit të vitit 2023 në Kosovë, duke shtuar se Vuçiq i ka premtuar se do të përmbushë këtë premtim sa më shpejt.

“Është një thirrje që do ta përsërisim vazhdimisht se presim nga autoritetet në Beograd të dalin me rezultate”, tha Shekerinska.

E pyetur se nëse kjo do të thotë se nuk ka pasur rezultate deri më tani, ajo u përgjigj se Rutte “prandaj bëri thirrje sërish për përgjegjësi”.

Në shtator të vitit 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit duke vrarë një polic. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serb.

Politikani nga Kosova dhe biznesmeni Millan Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin, dhe prej atëherë ai ndodhet në Serbi, ku nuk është ndjekur penalisht deri më sot.

Kosova kërkon ekstradimin e tij, pasi Prokuroria Speciale veçse ka ngritur një aktakuzë për këtë rast dhe Radoiçiq është pjesë e aktakuzës.

Continue Reading

Rajoni

Kurti takohet me Plenković në Mynih, diskutohet për sigurinë dhe thellimin e bashkëpunimit

Published

on

By

Në kuadër të ditës së dytë të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim bilateral me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković.

Në takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman.

Kryeministri Plenković e uroi homologun e tij për formimin e qeverisë së re, ndërsa gjatë takimit u diskutua për situatën në rajon, çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, bashkëpunimin bilateral si dhe luftimin e krimit të organizuar.

Pas takimit, Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e partneritetit me Kroacinë.

“Me Kroacinë ndajmë vlera të përbashkëta euroatlantike dhe një vizion të qartë për stabilitetin dhe sigurinë në rajon. E vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Zagrebit për integrimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve mund të thellohet edhe më tej.

“Diskutuam për rritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për mundësinë e organizimit të një mbledhjeje të përbashkët mes dy qeverive tona në të ardhmen e afërt”, deklaroi Kryeministri.

Gjatë bisedës u theksua se Kroacia mbetet një nga përkrahëset e fuqishme të Kosovës në proceset integruese euroatlantike, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Continue Reading

Lajmet

Gazetaria hulumtuese, pasion dhe mision publik që kërkon guxim, përkushtim dhe durim

Published

on

By

Nga Musa Sabedini – Çdo hulumtim ka një mision, dhe çdo mision bart në vete një rrezik real. Ky përkufizim i thjeshtë mjafton për të kuptuar thelbin e gazetarisë hulumtuese, një profesion që jeton gjatë, sepse rrënjët e saj ushqehen nga e vërteta dhe drejtësia. Në thelb, gazetaria hulumtuese është edukim dhe vetëdije, një fuqi që përmirëson pushtete, reformon institucione dhe pastron ndërgjegje. Ajo ndjek të fuqishmit, i vë përballë fakteve dhe nuk i toleron të paskrupulltit që kërkojnë të ndërtojnë jetën mbi mashtrime, paragjykime apo krim.

Gazetaria hulumtuese është dhe do të mbetet në shërbim të shoqërisë, zëri i atyre që nuk kanë zë, mbrojtësja e guximshme e së vërtetës dhe e çdo njeriu që përballet me padrejtësi, pavarësisht nëse ajo vjen nga individë, grupe kriminale apo struktura të kriminalizuara institucionale.

Gazetaria hulumtuese, misioni që nuk ndalet

“Gazetaria është akt rebelimi kur shteti gënjen”. (Sweeney, 2020). Nuk është rastësi që zgjodha këtë fjali të John Sweeney, gazetarit britanik me përvojë të gjerë në raportimet nën regjime autoritare dhe hetimet për BBC “Panorama” e “The Observer”.

Ai njihet për stilin konfrontues, guximin për të ekspozuar gënjeshtrat e pushtetit dhe aftësinë për të raportuar në kushte ekstreme. Për Sweeney-n, gazetaria është një akt rebelimi dhe një armë kundër pushteteve abuzive.

Ky është mesazhi që duhet të përçojë çdo gazetar hulumtues, se rebelimi në kuptimin pozitiv është i domosdoshëm kur shteti gënjen, shtyp, diskrediton apo abuzon me shoqërinë duke keqpërdorur buxhetin publik, financat dhe duke instaluar “vrima të zeza” në strukturat e saj.

Gazetari hulumtues është roje vigjilente në çdo kohë, situatë apo krizë.

Përmes storieve të guximshme, ai sjell para publikut tregime të argumentuara, që japin.

shpresë dhe energji qytetarëve. Ne, gazetarët, jemi nën llupën e pushtetit ditë e natë, sepse ata që nuk duan të vërtetën na shohin si armiq. Por përballë tyre kemi një pasqyrë tjetër, publikun, që pret tregime të vërteta dhe të ndershme, ndërsa ne përpiqemi ta avancojmë gazetarinë hulumtuese moderne.

Shpesh është thënë se gazetaria hulumtuese, në sytë e publikut, është një “task forcë speciale” që depërton në çdo cep të pushtetit të inkriminuar, duke ekspozuar abuzimet dhe shkeljet e ligjit. Në këtë kuptim, ajo është një urë solidariteti me qytetarët që u shkelen të drejtat, qoftë nga pushteti i dhunshëm, qeveritë e korruptuara apo struktura të tjera të padrejta.

Për mua është e qartë, gazetaria hulumtuese, me metodat e saj të punës në terren dhe këmbënguljen profesionale, mbetet një avangardë kundër padrejtësive, një shtyllë e demokracisë dhe një mbrojtëse e interesit publik.

Si forcë e brendshme dhe mekanizëm që lëviz shoqëritë, gazetaria hulumtuese mbetet një ndër shtyllat më të shenjta të demokracisë moderne. Ajo është motori që shtyn përpara zhvillime të rëndësishme, zbardh afera, zbulon skandale, ndriçon situata konfliktuoze, çon drejtësinë në veprim dhe shpesh sjell arrestime e dënime që ndryshojnë realitete të tëra.

Gazetaria hulumtuese është gjithmonë aty e pranishme, e guximshme, e pa kompromis në çdo shtresë të shoqërisë, në çdo hapësirë ku e vërteta kërkon të dalë në dritë. Ajo na mëson kujdesin ndaj parasë publike, ndaj hajnisë së organizuar dhe krimit të maskuar me pushtet. Na paralajmëron për rreziqet që shpesh ia shkaktojmë vetes përmes heshtjes apo mosveprimit.

Misioni i gazetarisë hulumtuese: Nuk fal lehtë dhe nuk përkëdhel askënd

Ky është një mision që nuk fal lehtë dhe nuk përkëdhel askënd, pavarësisht pozitës, autoritetit apo pasurisë që dikush mund të ketë. Gazetaria hulumtuese nuk njeh frikë nga pushteti, sepse burimin e saj e ka te liria, përgjegjësia dhe ndërgjegjja qytetare.

Në thelb, gazetaria hulumtuese është edukim dhe vetëdije, një fuqi që përmirëson pushtete, reformon institucione dhe pastron ndërgjegje. Ajo ndjek të fuqishmit, i vë përballë fakteve dhe nuk i toleron të paskrupulltit që kërkojnë të ndërtojnë jetën mbi mashtrime, paragjykime apo krim.

Të merresh me gazetari hulumtuese do të thotë të ecësh nëpër një skaj të mprehtë, ku çdo hap kërkon kujdes, guxim dhe integritet. Është një udhëtim përmes të panjohurës, ku rreziqet, të papriturat dhe sfidat shfaqen në çdo kthesë.

Gazetari hulumtues i vërtetë e di se çdo hetim fillon në terr dhe përfundon në dritë, vetëm nëse udhëhiqet nga parimet themelore të profesionit: e vërteta, saktësia, përgjegjësia dhe ndershmëria.

Ai duhet të mendojë thellë, të analizojë me kujdes dhe të ndjejë me shpirt çdo histori që ndjek.

Kredibiliteti dhe autoriteti i gazetarit hulumtues nuk ndërtohen brenda natës, ato fitohen me vite përkushtimi, sakrifice dhe mbrojtjeje të çdo detaji e prove. Vetëm ai që ruan integritetin e çdo sekuence hetimore, që nuk ndalet para presioneve dhe nuk lëkundet para pushtetit, arrin të fitojë respektin e lexuesve dhe besimin e publikut.

Çdo shmangie nga e vërteta, çdo kompromis me faktet, është një plagë që dëmton jo vetëm gazetarin, por edhe vetë besueshmërinë e gazetarisë hulumtuese si profesion fisnik.

Gazetaria hulumtuese është një rrugë e vështirë, por e denjë, një ecje mbi tehun e së vërtetës, ku vetëm të guximshmit mbeten në këmbë.

Carl Bernstein, (2007), bashkëpunëtor i Bob Woodward për skandalin Watergate duke folur për kredibilitetin dhe autoritetin profesional të gazetarit hulumtues ka theksuar: “Kredibiliteti është monedha e vetme që ka një gazetar. Kur e humb, gjithçka tjetër bie”.

Këmbëngulësia, sinqeriteti, integriteti i fort dhe morali e motivi ndikues, janë shtyllat kyçe për një gazetar profesionist dhe hulumtues

Si një nga gazetarët e rrallë, që e ka përjetuar në lëkurë të bërit gazetari hulumtuese, duke trajtuar tema hulumtuese nga më të ndryshmet, kam arritur të kuptojë se profesionalizmi, guximi, vendosmëria, beteja mbi të vërtetën, lufta për ta ndaluar dhe ekspozuar të keqën, këmbëngulësia, sinqeriteti, integriteti i fort dhe morali e motivi ndikues, janë shtyllat kyçe që një gazetar profesionist dhe hulumtues, të arrijë të mbijetojë mbi faktet e ofruara, edhe atëherë kur të tjerët ju pengojnë, me të gjitha format e mjetet.

Në fakt gazetaria hulumtuese duhet të përjetohet nga secili gazetar, autor, kronist, hulumtues, argumentues, duke qëndruar “esull”, gjithmonë me dëshmitë e juaja, duke treguar elan, dashuri, përkushtim, sinqeritet, aftësi dhe njohuri për secilin ose secilit, që ju mendoni se mund të jenë pjesë hetimore e pistës suaj. Nga ky këndvështrim pista e juaj dhe agjenda ditore e javore duhet të jetë optimiste, duhet të qëndrojë në këmbë të shëndosha, përherë me risi dhe fakte të reja që juve, do ju mjaftojnë për të arritur kulmin strategjik dhe taktik të bërit hetime.

Gazetaria hulumtuese, ka ekzistuar gjithmonë dhe do të jetë përherë aktuale, aktive, e dobishme, e kërkuar nga të gjithë njerëzit që e duan jetën ndryshe, jetën pa krim e korrupsion, që e respektojnë jetën e të tjerëve dhe ofrojnë zgjidhje, duke zbuluar të vërteta e afera, që për të gjitha pushtetet e qeveritë, ato tentohen të mbahen të fshehura dhe larg publikut. Publiku i etur dhe gazetari i uritur për tema të mëdha dhe ndikim në jetën publike, janë faktor i rëndësishëm që ju të mendoni përherë për këtë formulë “magjike”.

David Randall (2003), në librin e tij: “The Universal Journalist” është shprehur qartë mbi rolin dhe misionin që ka një gazetar profesionist – hulumtues. “Kape lexuesin për fyti në paragrafin e parë, shtrëngo rripat në të dytin, dhe mos e lësho deri në rreshtin e fundit”.

Gazetaria hulumtuese as nuk blihet nga të tjerët, po as nuk përfitohet e zbatohet me ndihmën e të tjerëve.

Ju jeni bërthama e punës, injeksioni i hetimeve dhe hulumtimeve paraprake. Thjesht ju jeni kapaku pragmatik, që i shtynë përpara proceset hulumtuese, derisa ju mbetet të vraponi, kërkoni, verifikoni dhe analizoni me kujdes çdo material, dokument, video, fotografi, incizim, deklarim publik e jo publik, përcjellje maksimale në rrjetet sociale të njerëzve të dyshuar, mundësi për të fituar nga teknologjia moderne, e cila është mbështetëse e madhe e punës tuaj, por sigurisht që nuk është kryesorja, e aq më pak përfundimtarja.

Kurrë mos harroni se ju jeni një lloj “heroi”, “roje e demokracisë” ose edhe më saktë një “mbikëqyrës”, i të gjitha devijimeve dhe dukurive shqetësuese, në një shoqëri demokratike, ku dominojnë ligji dhe etika njerëzore, ngaqë lexuesi, shoqëria, publiku dhe të tjerët presin me padurim rezultatin tuaj hetimor e kërkimor.

Të krijosh në gazetarinë hulumtuese

Nuk është e lehtë të krijosh në gazetarinë hulumtuese, sidomos nëse nuk je i përgatitur profesionalisht, emocionalisht dhe psikologjikisht. Këto tri shtylla janë themeli mbi të cilin ndërtohet gazetari hulumtues, ai “valltar” i shpejtë, i kthjellët dhe i vëmendshëm në terren, që di të ruajë ekuilibrin në çdo situatë dhe të përmbyllë me sukses çdo mision që merr përsipër.

Në këtë udhëtim nuk mjaftojnë as minutat, as ditët, e as javët. Ajo që kërkohet është përqendrim i plotë, qëndrueshmëri emocionale, durim dhe një vetëdije e mprehtë për të kuptuar botën e ndërlikuar në të cilën vepron gazetari hulumtues.

Po aq e rëndësishme është që, në çdo situatë, në çdo takim me të dyshuar, dëshmitarë të mundshëm, zyrtarë të korruptuar apo individë të përfshirë në krime dhe tragjedi, gazetari të mbetet gjakftohtë, i kthjellët dhe me shikim të mprehtë.

Çdo lëvizje, çdo shprehje apo pyetje e tij mund të interpretohet ndryshe, ndaj kujdesi, profesionalizmi dhe vetëkontrolli janë mburoja e tij më e fortë.

Prandaj, notoni me ndershmëri mbi dokumentet, dëshmitë, arkivat, fotografitë, deklaratat, fakturat, bisedat, intervistat, incizimet dhe videot tuaja.

Çdo detaj është një pjesë e mozaikut që ndërtoni, përdoreni për ta bërë historinë tuaj më të plotë, më të besueshme dhe më prekëse për publikun.

Të gjitha këto atribute dhe finesa që e karakterizojnë gazetarinë hulumtuese flasin për seriozitetin dhe përkushtimin e atyre gazetarëve e studiuesve që e kanë përjetuar këtë profesion në shpirt, në palcë dhe në kurriz.

Vetëm ata që e kanë jetuar nga afër e dinë se sa e vështirë është të hulumtosh me ndershmëri, të kërkosh të vërtetën mes mjegullës së mashtrimeve dhe të dalësh faqebardhë në fund të çdo hetimi.

Gazetaria hulumtuese është shpesh një betejë e brendshme, një “tërbim” profesional që kërkon kohë të gjatë, përkushtim të palodhur dhe sakrificë personale.

Por kjo betejë është bërë edhe më e ndërlikuar sot, në epokën moderne digjitale, ku gazetari përballet me një sërë pengesash të reja nga dezinformimi dhe manipulimi i të dhënave, deri tek mungesa e kohës për verifikim dhe presioni për të publikuar sa më shpejt.

Teknologjia është një mjet i fuqishëm, por kërkon kujdes etik dhe aftësi profesionale

Teknologjia është një mjet jashtëzakonisht fuqishëm, por kërkon kujdes etik dhe aftësi të avancuara profesionale për t’u përdorur në mënyrë të sigurt dhe efektive në shërbim të së vërtetës.

E kam theksuar edhe më herët se as teknologjia dhe as digjitalizimi nuk mund ta përfundojnë vetë një mision gazetaresk. Ato mund të ndihmojnë, ta lehtësojnë apo ta përshpejtojnë procesin e hetimit, por në asnjë mënyrë nuk përbëjnë fazën përfundimtare të tij. Dokumentet fizike të vulosura, deklaratat e drejtpërdrejta të viktimave apo dëshmitarëve, incizimet autentike dhe përgjimet e realizuara ligjërisht mbeten prova shumë më të vlefshme në çdo proces hulumtues sesa çdo mjet teknologjik, i cili mund të krijojë edhe dilema ligjore ose etike.

Si gazetar me përvojë të gjatë në profesion dhe me një bagazh të pasur në fushën e gazetarisë hulumtuese, tashmë i vlerësuar me katër çmime nga juri të ndryshme, vazhdoj të besoj se intuita dhe vendosmëria janë dy shtyllat kryesore që e udhëheqin gazetarin drejt suksesit.

Intuita shpreh forcën intelektuale të gazetarit dhe aftësinë për të dalluar temat me interes publik, ato që prekin ndjeshëm shoqërinë dhe jetën e komunitetit.

Ndërsa vendosmëria është një lloj “ilaçi” moral që i mundëson gazetarit të qëndrojë i patrembur dhe i palëkundur përballë sfidave, presioneve apo situatave të pakëndshme që mund të shfaqen gjatë rrugëtimit të tij profesional.

Roli i intuitës në gazetarinë hulumtuese është i pamohueshëm, ajo është drita që ndriçon drejtimin e së vërtetës, aty ku të tjerët shohin vetëm mjegull.

Jeto për të hetuar, puno për të vepruar, sakrifikohu për të argumentuar të vërtetën

Mos e pyesni kurrë veten se çfarë sakrifice kërkon gazetaria hulumtuese, në vend të kësaj, brengosuni për atë që mund t’i ofroni publikut, më të mirën e mundshme nga puna juaj hulumtuese.

Jeto për të hetuar, puno për të vepruar dhe sakrifikohu për të argumentuar të vërtetën, atë të vërtetë që i pengon ata që jetojnë me krimin dhe cenojnë jetën e të tjerëve në emër të tij.

Gazetaria hulumtuese kërkon ndjekje sistematike të provave, ngjashëm me punën e detektivëve. Ajo kërkon guxim, përkushtim moral e profesional, madje edhe atëherë kur e vërteta bie ndesh me pushtetin e fortë.

Qëllimi i gazetarit duhet të jetë shërbimi ndaj publikut, jo kërkimi i famës apo vëmendjes personale.

Fama i takon argumenteve, provave dhe publikut të etur për të vërtetën. Ajo u përket gjithashtu njerëzve me të cilët ke bashkëpunuar dhe që do të jenë mirënjohës nëse hulumtimi yt ka qenë i drejtë dhe efektiv.

Fama është e përkohshme, historia, kronika dhe tema hulumtuese janë të përjetshme. Ato do të jetojnë gjatë në kujtesën e çdo lexuesi, nëse t`i i je përmbajtur me përpikëri agjendës dhe pikave kyçe të hetimit të thelluar.

James B. Stewart, (2025), emër i njohur në gazetarinë hetimore, thekson se qëllimi i profesionit nuk është fama personale, por shërbimi ndaj së mirës publike: “Gazetaria nuk ka të bëjë me vëmendjen apo njohjen; ka të bëjë me shërbimin për të mirën publike”.

Të ecësh vetëm në tehun e gazetarisë hulumtuese

A mjafton të ecësh i vetëm në këtë teh të shpatës, pa përkrahje, pa njohuri dhe pa mbështetje profesionale apo materiale Sigurisht që jo. Vetëm guximi nuk mjafton. Për të qëndruar gjatë dhe për të mbijetuar në këtë fushë të vështirë, gazetari duhet të ndërtojë rrjete besimi dhe burime të sigurta brenda institucioneve dhe jashtë saj.

Duhet të ketë besim tek ata, ashtu siç ata duhet të kenë besim tek ai sepse ky është parimi themelor, që e mban të gjallë komunikimin dhe e mbron integritetin profesional.

Kurrë mos e tradhto një prokuror të ndershëm, një polic hetues të guximshëm apo një burim të besueshëm. Mos e shpërndaj kurrë informacionin nëse nuk e ke aprovimin e atyre, që të kanë përkrahur e ndjekur me mbështetje, sidomos atë informacion që të është besuar dhe ruaj marrëdhëniet me ata që të ndihmojnë në momentet më të vështira.

Pikërisht këto lidhje, të ndërtuara me ndershmëri dhe respekt, janë shtylla që mbajnë në këmbë gazetarin hulumtues.

Në çdo rast të rëndë që kam hetuar apo hulumtuar, kam hyrë me guxim, ndershmëri dhe përgjegjësi. Në gazetarinë hulumtuese nuk ka version të parë apo të dytë, tema ose del në dritë, ose humbet në errësirë.

E vërteta duhet të dominojë mbi gjithçka, ndërsa morali i gazetarit duhet të qëndrojë i përqendruar, i pastër dhe i angazhuar deri në fund.

Fergal Keane, gazetar i BBC-së, që ka raportuar nga zona lufte, nënvizon rëndësinë morale të profesionit: “Arti i gazetarit duhet të jetë, mbi të gjitha, një festim i së vërtetës. Dhe nëse kjo e vërtetë ofendon diktatorët, kriminelët apo policinë sekrete… le të ndodhë”.

Gazetaria hulumtuese në Kosovë, arritje dhe sfida

Në Kosovë, gazetaria hulumtuese ka njohur një zhvillim të shpejtë. Janë publikuar dhjetëra afera dhe skandale që kanë përfshirë njerëz të pushtetit, kompani publike dhe institucione të ndryshme. Kjo është padyshim një shenjë pozitive, që dëshmon për rritjen e guximit profesional dhe përgjegjësisë publike.

Megjithatë, në këtë rrugëtim nuk kanë munguar gabimet dhe lëshimet profesionale, të cilat duhet të analizohen dhe të korrigjohen në të ardhmen.

Një prej mangësive më të dukshme është mungesa e gazetarisë hulumtuese kolektive, e cila bazohet në hetime afatgjata dhe të mirëstrukturuara. Në vend të saj, shpesh janë dominuar hulumtimet e shpejta, që edhe pse kanë tërhequr vëmendjen e publikut, nuk janë ndjekur deri në fund. Shumë storie janë mbyllur menjëherë pas publikimit të parë, pa një vazhdimësi logjike dhe profesionale.

Temat e mëdha, që prekin interesin publik, duhet të përcillen deri në fund. Publiku ka të drejtë të dijë çdo zhvillim, nga hetimi fillestar deri te epilogu final.

Shpesh ndodh që, pas publikimit të një hulumtimi, personat e përfshirë të përfundojnë në gjykatë apo edhe në burg. Por, nëse gazetari nuk informon më tej për rezultatet e procesit, dënimin apo përfundimin e rastit, atëherë historia mbetet e paplotë dhe vlera e saj gazetare zbehet.

Gazetaria hulumtuese në Kosovë, ndër sfida dhe angazhim publik

Është e drejtë të shtrohet pyetja nëse ka ekzistuar vërtet gazetaria hulumtuese në Kosovë dhe si ka filluar ajo të zhvillohet. Ka mendime se ajo mori formë pas shpalljes së pavarësisë, kur gazetarët fituan mundësi të hetonin shtetin e tyre, dokumentet dhe provat të arkivuara nga institucionet vendore.

Megjithatë, unë mendoj se gazetaria hulumtuese nisi të zhvillohej menjëherë pas luftës, edhe pse jo pa vështirësi. Pushteti absolut i UNMIK-ut, i mbështetur nga KFOR-i dhe i monitoruar nga OSBE-ja, ishte një pengesë serioze jo vetëm për gazetarinë hulumtuese, por shpesh edhe për gazetarinë e përditshme. Sidoqoftë, edhe në atë kohë pati skandale dhe afera të zyrtarëve ndërkombëtarë, të cilat u bënë publike falë mediave kosovare.

Sa aktive ka qenë kjo gazetari dhe sa interes ka ngjallur, është një çështje tjetër. Edhe sot, megjithëse gazetaria hulumtuese ekziston dhe zhvillohet, shpesh mungojnë temat esenciale, ato që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të thjeshtë.

Për fat të keq, shumica e hetimeve fokusohen tek afera korruptive apo skandalet seksuale brenda institucioneve publike, duke lënë në hije problemet e shumta të komuniteteve.

Kosova është një vend i vogël, nën vëzhgimin e vazhdueshëm të vendeve perëndimore, dhe pritej që gazetaria hulumtuese të ishte më e zëshme dhe më e pranishme me tema goditëse. Nganjëherë krijohet përshtypja se mungon sensi dhe interesimi i duhur, pavarësisht mungesës së mjeteve financiare.

Megjithatë, ekzistojnë gazetarë që kanë sakrifikuar për vite me radhë, duke e mbajtur gjallë gazetarinë hulumtuese dhe duke u përpjekur ta avancojnë atë më tej.

Të investosh në gazetarinë hulumtuese dhe të kultivosh talent të aftë në këtë fushë përbën një garanci të rëndësishme për demokracinë, sepse forcon transparencën dhe llogaridhënien.

Kjo qasje duhet të kuptohet edhe në mediat dhe shoqërinë kosovare, duke mos e reduktuar gazetarinë hulumtuese vetëm në prodhim lajmesh, por duke e parë si një vlerë të domosdoshme për fuqizimin e demokracisë në një shtet që përballet me sfida të mëdha juridike dhe politike.

Investimi në gazetari hulumtuese nuk është thjesht investim në lajme: është investim në demokraci, transparencë dhe llogaridhënie.

Etika mbetet baza themelore e gazetarisë hulumtuese

Etika mbetet shtylla themelore e gazetarisë hulumtuese. Një gazetar hulumtues fiton besimin e publikut dhe forcën profesionale vetëm kur, përveç aftësive të tij në terren dhe në procesin hetimor, i kushton rëndësi të veçantë etikës në çdo hap të punës.

Pa respektimin e parimeve etike, çdo raportim rrezikon të humbasë kredibilitetin dhe qëllimin e tij publik. Gazetaria hulumtuese fillon të zbehet në momentin kur etika nënvlerësohet ose anashkalohet, sepse pikërisht ajo është garancia që e ndan të vërtetën profesionale nga manipulimi dhe sensacionalizmi.

Frika më e madhe për një gazetar hulumtues, mbetet përfundimi dhe argumentimi i historisë së tij

Në karrierën time profesionale kam dokumentuar mbi 35 kërcënime me vdekje, dhe asnjëherë nuk jam dorëzuar apo trembur. Ajo që më shqetësonte më së shumti ishte të sigurohesha që historia ime të ishte e plotë, e argumentuar dhe e bazuar në të vërteta të verifikuara.

Kur një storie përmban të gjitha provat dhe flet me një të vërtetë kritike e të bazuar në fakte, çdo sfidë tjetër bëhet vetëm pjesë rutinore e procesit.

Këshilla ime për gazetarët hulumtues është e thjeshtë, por e fuqishme, mos u dorëzoni para atyre të zhytur në krim dhe hakmarrje, por gjithmonë ruani kujdesin për veten dhe vëmendjen përreth, sidomos në një fushë të minuar nga njerëz dashakëqinj. Askush, në fund të fundit, nuk do të kujdeset për ju dhe familjen tuaj, edhe pse rreziku që ju përballeni i takon shoqërisë dhe njerëzve për të cilët punoni me përkushtim dhe pasion.

Jeni në rrezik nëse u jepni atyre arsyetime apo llogari, në vend të kësaj, injorojini kërcënimet dhe presionin, pa i marrë kurrë afër zemrës. Por gjithmonë kryeni detyrën tuaj me nder, saktësi, legjitimitet dhe kredibilitet, duke siguruar që storiet tuaja të jenë guximtare dhe të besueshme.

Autori është ligjërues në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit në UBT

Continue Reading

Të kërkuara