Lajmet

Edhe sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit, zgjidhja e nënkryetarit serb në pritje

Published

on

Kuvendi i Kosovës mund të kalojë ditën e sotme një fazë të rëndësishme të procesit të konstituimit, duke votuar për nënkryetarin e tij nga radhët e komunitetit serb. Ky mund të jetë një hap i fundit në procedurën për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, pasi janë mbetur vetëm tri kandidatë për këtë pozicion. Dy nga ata janë nga Lista Serbe, Igor Simiq dhe Miljana Nikoliq, ndërsa i treti është Nenad Rashiq nga Partia e Pavarur Liberale.

Rashiqi ka fituar më së shumti vota si kandidat i komunitetit serb, por për të mund të ketë vetëm një mundësi tjetër votimi. Kuvendi mund të përmbyllë kështu të gjitha kandidaturat e mbetura dhe nëse nuk mbetet kandidat për votim, nuk do të ketë arsye për mbajtjen e seancave të tjera. Pika e vetme e rendit të ditës është zgjedhja e nënkryetarit serb.

Për të shmangur këtë situatë, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka sugjeruar që seanca e sotme të mbajë një votim në paketë për të dy nënkryetarët nga komunitetet pakicë. Melos Kolshi nga ky institut ka theksuar se ky veprim mund të ndihmojë në korrigjimin e shkeljeve kushtetuese të bëra nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i cili ndau procedurën e votimit për nënkryetarët. “IKD kërkon që procesi të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese,” tha Kolshi.

Kërkesa për një përmbyllje të shpejtë të konstituimit të Kuvendit ka ardhur edhe nga presidentja Vjosa Osmani, e cila ka apeluar që deputetët të gjejnë një zgjidhje që do të respektojë Kushtetutën e Kosovës. “Çdo ditë e humbur është ditë e humbur për Kosovën,” theksoi Osmani, duke shtuar se urgjenca për të formuar qeverinë është e paevitueshme.

Në garë për pozicionin e nënkryetarit serb janë tre deputetë, dhe deri tani janë zhvilluar gjashtë runde votimi. Afati kushtetues për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit është më 17 shtator. Sidoqoftë, Kolshi ka theksuar se zgjidhja për një konstituim të plotë nuk është e lidhur automatikisht me mbajtjen e zgjedhjeve, por me vullnetin politik për të respektuar rregullat kushtetuese.

Vendi

Kuvendi mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për faturimin e energjisë pas dyshimeve për parregullsi te njehsorët

Published

on

By

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot, duke filluar nga ora 11:00, në një seancë të jashtëzakonshme me pikë të vetme të rendit të ditës: çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët.

Kjo mbledhje pason gjetjet e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, i cili pas një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj, raportoi se në mbi 80 për qind të rasteve njehsorët nuk kishin orën e saktë, gjë që ndikon në llogaritjen e tarifave.

Këto pretendime janë mbështetur edhe nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila pas inspektimeve të para në terren ka gjetur mospërputhje të kohës te njehsorët elektrikë.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë që të nisë hetimet dhe intervistimet në terren lidhur me funksionimin e njehsorëve të KEDS-it.

Nga ana tjetër, KEDS-i ka deklaruar se matja e energjisë është e saktë dhe ka mohuar mundësitë e manipulimit, ndonëse ka konfirmuar se qytetarët do të kompensohen nëse vërtetohet ndonjë devijim teknik.

Continue Reading

Lajmet

Programi i Energjisë në UBT sjell praktikën në fokus përmes vizitave në industri

Published

on

By

Studentët e programit të Inxhinierisë së Energjisë në UBT po vazhdojnë të dëshmojnë përkushtimin e tyre drejt përgatitjes profesionale përmes aktiviteteve praktike në terren, duke realizuar një vizitë studimore në Termocentralin Kosova B – një nga asetet më të rëndësishme energjetike në vend.

E udhëhequr nga profesorët Armend Ymeri, Vehebi Sofiu, Sami Gashi dhe Nexhmi Krasniqi, kjo vizitë u mundësoi studentëve të ndërlidhin njohuritë teorike të fituara në auditor me proceset reale të prodhimit dhe menaxhimit të energjisë elektrike.

Gjatë qëndrimit në termocentral, studentët u pritën nga Drejtori Ekzekutiv, Jonuz Saraçi, i cili prezantoi kapacitetet gjeneruese, funksionimin e blloqeve prodhuese dhe sfidat aktuale të sektorit energjetik, duke ofruar një pasqyrë të qartë mbi rëndësinë strategjike të këtij sektori për zhvillimin e vendit.

Një ndër pikat kyçe të vizitës ishte turi teknik i udhëhequr nga Inxhinieri Kryesor, Enver Shabani, përmes të cilit studentët patën mundësinë të shohin nga afër funksionimin e sistemeve të avancuara si SCADA, rrjeti i tensionit 6.3 kV, sistemet DC dhe mbrojtjet rele – elemente thelbësore për operimin e sigurt dhe efikas të impianteve energjetike moderne.

Vizita u pasurua edhe me inspektimin e transformatorëve energjetikë me kapacitet 400 MVA dhe sektorit të turbinave, ku studentët u njohën me procesin e kogjenerimit dhe rolin e tij në furnizimin me ngrohje për qytetin e Prishtinës përmes Termokos-it.

Këto aktivitete dëshmojnë qasjen praktike dhe të orientuar drejt industrisë që ofron programi i Inxhinierisë së Energjisë në UBT, duke përgatitur studentët për tregun e punës përmes përvojave reale dhe bashkëpunimeve me institucionet kyçe të sektorit.

UBT vazhdon të mbetet një nga institucionet lider në zhvillimin e profesionistëve të së ardhmes në fushën e energjisë, duke krijuar ura të forta lidhëse ndërmjet akademisë dhe industrisë.

Continue Reading

Vendi

REL: Ballkani Perëndimor rrezikon të humbasë mbi 700 milionë euro nga Plani i Rritjes

Published

on

By

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka paralajmëruar me shkrim gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor se rrezikojnë që deri në mesin e këtij viti të humbasin kolektivisht mbi 700 milionë euro nga Plani i Rritjes, për shkak të moszbatimit të reformave, mëson Radio Evropa e Lirë (REL) nga burime në Komisionin Evropian (KE).

Sipas informacioneve jozyrtare, komisionarja Kos e ka dërguar këtë letër më 17 prill në të gjitha kryeqytetet e rajonit.

Burimet e REL-it kanë konfirmuar se me këtë letër, komisionarja Kos u ka kërkuar të gjithëve vendeve të përshpejtojnë reformat e parashikuara në Planin e Rritjes, në mënyrë që të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e kësaj pakoje financiare.

Në fakt, mjetet financiare nga Plani i Rritjes janë të kufizuara në kohë. Për çdo hap reformues është paraparë një afat përfundimtar për zbatim dhe është ndarë një shumë e caktuar parash.

KE-ja ka paraparë edhe të ashtuquajturën “periudhë grejs”, e cila mundëson shtyrjen e zbatimit për një periudhë të caktuar kohore. Për hapat që duhej të përmbusheshin në mesin e vitit 2025, afati përfundimtar skadon më 30 qershor të këtij viti, ndërsa për hapat që duhej të realizoheshin në fund të vitit 2024, ky afat përfundon gjatë vitit 2026.

“Nëse nuk përmbushen, partnerët rrezikojnë të humbasin kolektivisht mbi 700 milionë euro”, konfirmoi për REL një zyrtar i KE-së.

Ndryshe, këstin e parë ose disa mjete nga Plani i Rritjes i kanë marrë pesë shtete të rajonit, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës, e cila është vonuar me miratimin e agjendës reformuese.

Fundi i qershorit të këtij viti përbën momentin kur secili vend hyn në të ashtuquajturin moment të humbjes së përhershme, nëse nuk i përmbush reformat e dakorduara më herët.

Sipas burimeve në Bruksel, humbjet e mundshme sipas shteteve, në rast se nuk ndërmerren të gjitha reformat, janë si vijon:

  • Kosova: 68.8 milionë euro
  • Shqipëria: 67.7 milionë euro
  • Bosnja dhe Hercegovina: 373.9 milionë euro
  • Mali i Zi: 15.1 milionë euro
  • Maqedonia e Veriut: 49.2 milionë euro
  •  Serbia: ndërmjet 108.7 dhe 135.9 milionë euro

Bazuar në shumën maksimale, në total mund të humben 710.6 milionë euro, që përfaqëson 11.84 për qind të financimit të përgjithshëm nga Plani i Rritjes.

Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Nëse analizohen ndarjet buxhetore, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë – që do të thotë se përfiton më së shumti fonde në rajon për kokë banori.

Më 16 prill, Kosova mori 61.8 milionë euro parafinancim, pasi vendi dorëzoi dokumentet e nevojshme në KE dhe ratifikoi marrëveshjet e lidhura me këtë plan.

Ky plan, ndër të tjera, synon të dyfishojë ekonomitë e këtyre vendeve gjatë dhjetë viteve të ardhshme./REL/

Continue Reading

Lajmet

Rasti “Banjska”: Aktgjykimi shpallet më 24 prill, të akuzuarit kërkojnë pafajësi

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të premten e 24 prillit si datën për shpalljen e aktgjykimit ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë: Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq. Gjatë seancës së sotme, ku u dha fjala përfundimtare, të akuzuarit mohuan akuzat për terrorizëm, ndërsa Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për ta.

I akuzuari Vladimir Toliq deklaroi para trupit gjykues se nuk ishte i armatosur në momentin e arrestimit dhe kërkoi që të mos dënohet për veprime që nuk i ka kryer.

“S’kërkoj gjë tjetër përveç asaj që e thotë ligji: që të gjykohem në bazë të provave. Flini të qetë sepse këto duar nuk janë me gjak, as nuk kanë plagosur e as vrarë askënd”, u shpreh Toliq.

Avokati i tij, Milosh Deleviq, insistoi se Toliq mund të akuzohet vetëm për “kryengritje të armatosur” dhe jo për terrorizëm, duke thënë se klienti i tij ishte “vrima e fundit e kavallit” në këtë ngjarje.

Blagoje Spasojeviq shprehu keqardhje për pjesëmarrjen në ngjarjet e Banjskës, por mohoi kategorikisht se është terrorist. Ai pretendoi se ka shkrepur vetëm dy plumba në drejtim të një reflektori të manastirit dhe jo ndaj policisë.

“Jam fajtor që atë ditë isha në fshatin Banjskë dhe ky ishte gabimi më i madh në jetën time, por veten nuk mund ta quaj terrorist meqë askënd s’e kam vrarë e as lënduar”, deklaroi Spasojeviq.

Mbrojtja e tij kritikiu aktakuzën, duke pretenduar se emri i Spasojeviqit përmendet vetëm tri herë në 121 faqe dhe se nuk është specifikuar roli i tij individual, por është përfshirë në veprime kolektive.

Përderisa Maksimoviq ka kërkuar të jetë prezent në shpalljen e aktgjykimit me shpresën për lirim, dy të akuzuarit e tjerë kanë deklaruar se nuk duan të marrin pjesë.

Ky proces gjyqësor po zhvillohet ndaj tre personave që u kapën në vendngjarje, ndërsa 39 të tjerë nga ky grup (gjithsej 42 të akuzuar) ndodhen në arrati. Javën e kaluar, autoritetet arrestuan edhe një person tjetër, Stefan Raduloviq, si të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin e shtatorit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

 

Continue Reading

Të kërkuara