Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka dorëzuar sot raportin vjetor për vitin 2024 në Kuvendin e Kosovës.

Raporti paraqet gjendjen e të drejtave të njeriut në vend dhe punën e Institucionit të Avokatit të Popullit, si dhe ofron një analizë dhe vlerësim të situatës në lidhje me forma të caktuara të shkeljes së të drejtave të individëve apo të grupeve të caktuara shoqërore.
Gjatë vitit 2024, qytetarët kanë adresuar 1410 ankesa, prej të cilave 110 janë adresuar nga qytetarë të nacionalitetit serb dhe 104 nga qytetarë të komuniteteve të tjera jo-shumicë. Nga hetimi i ankesave dhe hetimet sipas detyrës zyrtare, janë adresuar gjithsej 176 rekomandime.
Në përgjithësi nga analiza e rasteve të hetuara del se vazhdon të mbetet shqetësues fakti i pamundësisë që institucionet e drejtësisë të garantojnë gjykim të drejtë, për shkak të kohëzgjatjes dhe zvarritjeve të procedurave gjyqësore.
Numri i madh i ankesave të qytetarëve, për shkak të mos përgjigjeve nga ana e autoriteteve publike, është tregues i mosfunksionimit të mekanizmave të përgjegjësisë për zbatim të ligjit, mungesës së efikasitetit dhe neglizhencës së administratës publike në shqyrtim të ankesave të qytetarëve, gjë që ndikon edhe në rritjen e numrit të rasteve në gjykata.
Raporti po ashtu ka konstatuar se në disa raste ka pasur mungesë të trajtimit me dinjitet të disa kategorive të ndjeshme që janë përballur me sfida gjatë realizimit të të drejtave të tyre.
Raporti thekson mungesën e mbulimit të trajtimit mjekësor për persona me status të invalidit të luftës; pengesat që kanë hasur viktimat e dhunës seksuale gjatë realizimit të statusit të tyre, si në fazën e aplikimit, ashtu edhe gjatë marrjes së shërbimeve që u takojnë; detyrimi i personave tetraplegjikë dhe paraplegjikë që të paraqiten për rivlerësim në komisionet mjekësore janë disa nga shqetësimet që Avokati i Popullit i ka ngritur këtë vit.
Avokati i Popullit thekson se mbrojtja e të drejtave të njeriut është një proces i vazhdueshëm që kërkon përkushtim dhe bashkëpunim të gjerë për të garantuar sundimin e ligjit dhe respektimin e standardeve demokratike të garantuara me Kushtetutë.