Lajmet

“E torturuan dhe e vranë” pasi kritikoi talibanët në Facebook

Sharifullah Sharafat: Vëllai im është torturuar nga koka te këmbët.

Published

on

Luftëtarët talibanë e ndaluan Naweed Azamin pasi ai kishte kritikuar grupin militant përmes një postimi në Facebook.

Tri ditë pasi ishte ndaluar, trupi i pajetë i 30-vjeçarit u gjet përgjatë bregut të një lumi në qytetin Lashkar Gah, që gjendet në jug të Afganistanit.

Talibanët kanë pretenduar se Azami kishte ikur nga qendra e ndalimit. Por, familja e tij e ka akuzuar grupin militant se e kanë torturuar dhe vrarë Azamin.

“Vëllai im është torturuar nga koka te këmbët”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Sharifullah Sharafat, vëllai i madh i Azamit.

“Ka pasur shenja të torturës në gjithë trupin e tij. Mjekët në spitalin lokal e kanë konfirmuar një gjë të tillë. Ata kanë fotografuar trupin e tij dhe kanë edhe video-incizime”.

Azami duket se është viktima e fundit e fushatës së vrasjeve që po kryejnë talibanët. Pavarësisht se pas marrjes së pushtetit në muajin gusht ata shpallën amnisti të përgjithshme, ky grup militant është akuzuar për ekzekutim të cilivive dhe ish-pjesëtarëve të Qeverisë së kaluar dhe forcave të armatosura.

Grupi i linjës së ashpër gjithashtu ka mbytur fjalën e lirë dhe ka përdorur forcë brutale për të shtypur disidentët, përfshirë edhe shtypjen e protestave paqësore dhe arrestimin dhe rrahjen e gazetarëve.

Në një raport të publikuar më 30 nëntor, Human Rights Watch ka thënë se talibanët kanë “ekzekutuar dhe zhdukur me forcë” mbi 100 ish-pjesëtarë të forcave të sigurisë në vetëm katër prej 34 provincave të Afganistanit, që prej se grupi mori kontrollin e vendit në mesin e muajit gusht.

“Kërkojmë drejtësi”

Azami ishte ndaluar në Lashkar Gah më 25 nëntor, vetëm disa ditë pasi kishte kritikuar talibanët në rrjetin social Facebook.

Në postimin e tij, Sharafat ka thënë se Azami ka pyetur se si talibanët do të mbajnë premtimet e tyre për t’ua paguar pagat mësuesve, kur regjimi “po mbijeton me donacione të ushqimeve”.

Azami e kishte fshirë këtë postim para se të ndalohej, ka thënë vëllai i tij Sharafat.

Dhjetëra-mijëra punëtorë qeveritarë nuk kanë marrë rroga që prej se talibanët morën kontrollin e Afganistanit. Militantët kanë thënë më 20 nëntor se do të fillojnë të paguajnë pagat. Por, ky njoftim gjerësisht është parë me skepticizëm.

Që prej se talibanët rimorën pushtetin, ekonomia e Afganistanit, që varet nga ndihmat, gjerësisht ka kolapsuar pasi shumë donatorë të huaj kanë pezulluar ndihmën e tyre. Grupi militant ka pranuar ndihmë të drejtpërdrejtë, përfshirë para kesh dhe ushqime elementare, vetëm nga disa shtete.

Kur familja e Azamit më 27 nëntor ka pyetur talibanët se ku po mbahej ai, talibanët kanë thënë se ai kishte ikur nga paraburgimi.

Më vonë atë ditë, trupi i Azamit u gjet nga një grup i fiseve nomade përgjatë bregut të lumit Helmand.

“Ne po kërkojmë drejtësi nga talibanët”, është shprehur Sharafat. “Nëse nuk arrijmë të kemi drejtësi këtu, ne do ta çojnë rastin në Kabul dhe ta trajtojmë me udhëheqësit e talibanëve”.

Familja e ka hedhur poshtë mundësinë që Azami – një dyqanxhi që kishte studiuar për agrikulturë në një universitet lokal – të jetë vrarë për ndonjë mosmarrëveshje personale.

Talibanët hetojnë vdekjen e Azamit

Mawlawi Abdul Jabbar, një prokuror taliban në Lashkar Gah, në kryeqytetin e provincës Helmand, ka thënë se është krijuar një komision prej katër anëtarësh që do të hetojë vdekjen e Azamit.

“Ne kemi biseduar me familjen e Naweedit dhe me ata që familja fajëson për vrasjen e tij”, ka thënë ai për Radio Azadi të Radios Evropa e Lirë.

Jabbar ka bërë të ditur se disa persona janë arrestuar, përfshirë edhe një polic taliban dhe zyrtarë të inteligjencës, që kishin ndaluar Azamin.

Mohammad Esa Sharif, një anëtar i këshillit provincal të talibanëve, që është pjesë e komisionit që po heton vdekjen e Azamit, e ka pranuar se viktima ishte torturuara. Por, ai ka pretenduar se Azami kishte ikur nga paraburgimi.

“Ai ishte i dyshuar, prandaj zyrtarët e inteligjencës së talibanëve e kapën”, ka thënë Sharif për REL-in. “Ata e dërguan në qendrën e ndalimit, ku e morën në pyetje. Ai ishte shumë i fuqishëm dhe i rezistojë ndalimit. Edhe ora e dorës e tij u thye gjatë përleshjes”, ka shtuar ai.

Sharif pretendoi se Azami kishte tentuar disa herë të ikte nga qendra e ndalimit, përpara se të ishte i suksesshëm. Pas një tentimi për të ikur, Sharif ka thënë se hetuesit talibanë e kishin “goditur disa herë atë me një tub”.

Continue Reading

Vendi

Studentët e UBT-së prezantojnë kreativitetin e tyre në ekspozitën “Whatever is Found Online, Do Not Look For Here”

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, është hapur ekspozita artistike “Whatever is Found Online, Do Not Look For Here”, një aktivitet që solli para publikut kreativitetin, imagjinatën dhe qasjen bashkëkohore të studentëve të Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale.

Ekspozita u hap në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, duke mbledhur studentë, profesorë, artistë dhe vizitorë të shumtë të interesuar për artin dhe dizajnin bashkëkohor.

Punimet e ekspozuara janë realizuar nga studentët në kuadër të lëndëve “Moduli i Pikturës” dhe “Vizatim Kreativ”, nën mentorimin e ligjëruesit Fatmir Mustafa, i cili ka udhëhequr studentët në zhvillimin e koncepteve artistike dhe eksplorimin e formave të reja të shprehjes vizuale.

Ekspozita është një gamë e gjerë punimesh artistike, të cilat trajtojnë perceptimin e realitetit digjital, ndikimin e internetit në kulturën vizuale dhe raportin mes hapësirës virtuale dhe asaj reale. Përmes qasjeve kreative dhe eksperimentale, studentët sollën interpretime unike artistike, duke reflektuar mbi mënyrën se si informacioni dhe imazhet online ndikojnë në përditshmërinë dhe identitetin modern.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, një platformë që synon promovimin e talenteve të reja, zhvillimin e mendimit kritik artistik dhe krijimin e hapësirave për prezantimin e punës së studentëve para publikut.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Dizajnit të Modës në UBT prezantojnë krijimtarinë e tyre në Ditët e Artit dhe të Dizajnit

Published

on

By

Në kuadër të aktivitetit Ditët e Artit & Dizajnit 2026, në ambientet e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u hap ekspozita me punë të përzgjedhura të studentëve të vitit të parë të Dizajnit të Modës.

Punimet janë realizuar në kuadër të lëndëve “Dizajn Studio 1: Bazat e Dizajnit të Modës” dhe “Dizajn Studio 2: Zhvillimi i Modës”, nën mentorimin e profesoreshës Hana Zeqa.

Kjo ekspozita sjell procesin krijues të punës se studentëve, duke nisur nga eksplorimet fillestare të formës, kompozimit dhe kërkimit vizual, e deri te zhvillimi i koncepteve të strukturuara të modës.

Projektet e semestrit të parë trajtojnë tema individuale dhe qasje personale të studentëve, ndërsa punimet e semestrit të dytë janë zhvilluar rreth temës “Liza në Botën e Çudirave”, duke interpretuar universin fantastik përmes qasjeve bashkëkohore në modë, ilustrim dhe zhvillim konceptual.

Përmes skicave, hulumtimeve, referencave vizuale, eksperimenteve me materiale dhe prezantimeve kreative, ekspozita synon të shfaqë jo vetëm rezultatet finale, por edhe rrugëtimin artistik dhe evolucionin e mendimit kreativ të studentëve gjatë dy semestrave të studimit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Promovohet në UBT libri “Rezistenca e Materialeve – 2” i Prof. Naser Morina

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan u promovua libri universitar “Rezistenca e Materialeve – 2”, i autorit Prof. Ass. Dr. Naser Morina, një botim akademik që synon të avancojë literaturën profesionale në fushën e inxhinierisë së ndërtimit në Kosovë.

Në ceremoninë e promovimit morën pjesë profesorë, studentë, kolegë të profesionit, të cilët vlerësuan kontributin shumëvjeçar të Prof. Morinës në arsim, shkencë dhe zhvillimin e literaturës universitare në gjuhën shqipe.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi librin si një kontribut të rëndësishëm për studentët dhe zhvillimin e arsimit inxhinierik në vend, duke potencuar rëndësinë e krijimit të literaturës autentike universitare.

“Ky është një kontribut shumë i vlefshëm për studentët dhe për gjeneratat e reja të inxhinierëve. Fusha e teknikës dhe teknologjisë kërkon kuptim të thellë të formulave, llogaritjeve dhe bazës shkencore, prandaj literatura profesionale është esenciale”, deklaroi Rektori Hajrizi.

Ai shtoi se UBT po ndërton një kulturë të fuqishme të botimeve akademike dhe se profesorët e institucionit po krijojnë literaturë që i shërben drejtpërdrejt zhvillimit të arsimit të lartë dhe industrisë.

“Është shumë e rëndësishme që profesorët tanë të krijojnë literaturën e tyre universitare. Kjo i ndihmon studentët të kenë materiale më konkrete dhe më të orientuara drejt praktikës profesionale. Sot, UBT ka mbi 100 botime universitare dhe kjo është një ndër arritjet më të mëdha akademike në vend”, tha ai.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Prof. Dr. Visar Krelani, gjatë fjalës së tij, tha se promovimi i librave universitarë paraqet një moment të rëndësishëm për zhvillimin akademik të institucionit dhe për avancimin e edukimit në fushat teknike.

“Është nder për fakultetin dhe për institucionin tonë që të jemi pjesë e promovimit të një libri universitar në fushën e inxhinierisë. Në disiplinat teknike, krijimi i literaturës profesionale në gjuhën shqipe është një proces i domosdoshëm për studentët dhe për standardet akademike”, u shpreh ai.

Autori i librit, Prof. Ass. Dr. Naser Morina, falënderoi UBT-në për mbështetjen e vazhdueshme në botimin e literaturës universitare dhe tregoi se libri është ndërtuar mbi standardet dhe praktikat evropiane të inxhinierisë.

“Libri është përgatitur sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe trajton tema që janë të nevojshme jo vetëm për studentët, por edhe për inxhinierët profesionistë që merren me ndërtimtari dhe zhvillim infrastrukturor”, u shpreh Morina.

Libri “Rezistenca e Materialeve – 2” trajton përmbajtje teorike dhe praktike nga fusha e rezistencës së materialeve, duke ofruar njohuri të avancuara për studentët e inxhinierisë, arkitekturës dhe profesionistët e ndërtimtarisë.

Continue Reading

Vendi

Hapet aplikimi për subvencionimin e punëtorëve të sektorit privat dhe jo-publik

Published

on

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar për hapjen e aplikimit për subvencionimin e punëtorëve të sektorit jo-publik.

Sipas njoftimit, aplikimi mund të bëhet online përmes platformës së Administratës Tatimore të Kosovës, ndërsa secili punëtor duhet të aplikojë individualisht dhe të sigurohet që të dhënat e paraqitura të jenë të sakta.

Murati ka bërë të ditur se llogaria bankare duhet të jetë në emër të përfituesit, ndërsa aplikimet me të dhëna të pasakta ose gabime do të refuzohen.

Afati për aplikim është deri më 5 qershor 2026.

Të drejtë aplikimi kanë punëtorët në sektorin privat, punëtorët në organizata joqeveritare, si dhe punëtorët në entitete publike që nuk paguhen nga lista shtetërore e pagave, përfshirë ndërmarrjet publike dhe RTK-në.

Sipas kritereve të përcaktuara, përfituesit duhet të kenë të ardhura mujore bruto deri në 1,000 euro dhe të jenë të deklaruar në ATK nga punëdhënësi përmes deklaratës së muajit prill, e dorëzuar deri më 15 maj.

Continue Reading

Të kërkuara